‘Jemi verbue shpirtnisht, na mungon dashunia’

Nga At Zef Pllumi

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën.

Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën ..

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem.

Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

Zef Pllumi (Bogë, 1924 – Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. / KultPlus.com

“O njerz, ju vllazen jeni të tanë, ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”

Nga At Zef Pllumi

S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:

sa pamje shpartalle, skelete pa brumë.

Flluska sapuni me shkumbë.

Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite,

që t’hedhin n’mendime vite me vite.

Nji send un e dij:

se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!

Mbarë token e due, si fushen, si malet

livadh të qëndisun me lulet e lajlet,

ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë

nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;

ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje

që njerzt t’ambelsohen goje për goje.

Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull,

ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:

ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë

pa ju versulë flakurim ndoj skifter.

Due njerzit, due popujt bashkuemun unji

Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!

Ket andërr ka pa shumëkush para meje

n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje.

Dhe prap un e dij:

Se u vunë vulën e zezë: utopi!…

Arsyeja dhe zemra njerzore,

që n’kohnat e lashta antike,

andrruene për nji:

“Republikë platonike”.

-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore

mbiemnin ja vunë edhe ksaj:

utopike!

E s’voni n’epokat e reja, pa pra

n’shkreti shungulloi persritun nji za:

“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!

Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”

Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar,

Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.

E dij se n’tokë ka dimna e prandverë,

e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;

e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele,

ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele,

por kët s’e kuptoj:

pse n’tokë sundon dhuna,

forca shtasore

jo mendja, jo puna;

se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend

a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!

S’pat bota njerz t’mendshëm?

pat, po si s’pat!…

Por o kjenë të plakun

o t’vorfen pa fat.

Prandaj un e due at andrrën e mirë:

që njerzit dikur, me hir o pa hir,

do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës,

instinktet shtasore t’mënisë e furtunës,

dhe n’vendin e tyne do t’vehet

Mirsia,

Mendja njerzore,

Zemra e Dashunija!/ KultPlus.com