‘E kisha vjedhë rrafshjanën e zallinave e s’bajsha za, edhe nji def e pata ble’

Shkruan: Çun Lajçi

Qe kush ishte Gala e qe ku ishte Çuni

E kisha vjedhë rrafshjanën e zallinave e s’bajsha za. Nji strufullog e kisha ba n’banesën ku banonte Ahmet Brahimaj e Gani Loshi, me balerinët tjerë, dikund përfundi Velanisë, të nji bijë  e Mekulve, e dimnin po e prisja me gëzim, thuase kisha pre pastermë e do t’zihej mishi i thatë me pasul n’vegëshin e zi, si kullave të Dukagjinit!

Lahutën, që e pata ble me Xhevat Qenën, n’Kafën e Çakorrit e kisha sa me ia shkundë mallin dasmës që kurrë s’e bana.

Edhe nji def e pata ble të Çarrshi Xhamia n’Pejë, e kur m’shkonte mendja të Hamidja e Rrushja, e rrehsha e kcejsha për bukuri!

Kjo kaçurrelja e zallinave veç qeshej. N’sytë filxhan ia lëxojsha mendimet: Ore, ç’me gjet me ket delidreq! U martova me rugovasin a me lahutarin? Me artistin a me defatoren? E unë, sa kangën sa vallën. E recitimet s’ndaleshin kurrë.

Kjo e bukur. Rrunxë. Shtjerrë. Rudinë e pa kullotun! Unë i dalldisun si hamshori!

N’Rugovë s’e çova atë dimni. Thash m’ftofet! Pritsha me dalë vera, e si xheraçina me ia shprush pendlat të Krojet e Pasmajes, atje ku i kisha ruejtë me vite delet. Atje ku s’do na shihte kush, pos skyfterëve e dhive t’egra. Pritsha me qitë të Guri i Kuq e t’kuqe me iu ba faqet kur t’ia mbushi tasin me borë e t’ia mjeli delen bardhokë.

– Pi tamel e borë moj rrafshjane me i thanë se boll ke pi ujë zhabash n’zallinat e Drinit!

Kjo ishte dëshira që ma vlonte gjakun e s’m’linte rehat atij dimni, e vera ishte larg.

Edhe fjala kishte dalë andej kah Novosella. Jo fort e mirë! Nji kopilan Rugove e grabiti çikën e Tahir Sefës e tërrt veshi s’asht tue i ba! Kështu m’erdhën fjalët nga ai bardhoshi gazetarë, Bajram Sefaj, që kullotë e kishte nji Mbretni Jugosllave tue punua nëpër gazetat e tyne!

E pata cimer dhome n’Ulpianë e të Tre Soliterat, e nji ditë m’tha: Vllau im e baba i grues tande asht hatrua fort. Ban mirë m’u takua me te, nëse e ke zgjedhë për mik!

Unë kopil-stërkopili ia ktheva kopilançe: Kur të doni e ku të doni, se pa i ba shtatë gjaqe ma s’e lëshoj! Jam nipi i Ramë Mulës, e pa u shterë Limi, Galicën s’e merrni ma!

Ai m’i zgurdulloi sytë e verdhë. I mbeti hatri. Shkoi e s’foli!

Të nesërmen ma pruni fjalën!

– Tahir Sefa e Sali Sefa, të dielën n’orën 11-të, të presin n’Hotel Bozhur!

Kur shkova n’dhomën e vogël e gjeta ket shejtanën tue i ra defit. Krejt all iu banë faqet që e pashë. E vjerri n’gozhdë sikur të donte ta shfajsonte vetën. Sikur m’tha: Pata qejf m’u mësua me rreh, por ja që s’paskom vesh si ti për muzikë!

Ia mora ngrykë atë fajsi e ato faqe. Edhe gjoksin e gufuem ia mora n’grykë. Me hasape edhe buzet ia vodha.

Nesër n’orën 11-të (nëse e ban zoti dritë), baba yt ka me t’ba për hajër për qet Çunin e lahutës i thashë, dhe e putha!

Sytë i banë dritë e dy çuka n’faqe iu gropuen hala ma shumë nga gëzimi. Ajo s’kishte guxua me m’thanë, se babë e nanë s’po pajtoheshin m’u martua hajnisht!

Të nesermën e thirra edhe unë nji dukagjinas, kolegë timin.

– Xhevat Qorraj, i thashë! Dua me kanë ispat nesër kur t’ma ban përhajër Tahir Sefa, Galën për nuse!

Dhe shkuem. Cigare Kent bleva. Raki “Llozë” rrushi iu qita. Muhabet tjetër tybe n’pata, se s’kisha pare. Veç fjalë boll e s’përtova as nuk u skuqa me iu thanë miqëve t’ri: O Tale! O Sali Sefa! Unë bijën tuej e kam grabitë, se djalë kaçaku jam e zanat tjetër s’kam, e babës s’ia luej rrajën pa m’marrë martina e Karadakut. Ajo asht grueja jeme, e ju n’daç bamani me hajër n’daç m’shkrijni plumb n’ball,  por i zoti me ba dasëm s’jam!

Tahir Sefa u çua n’kamë.

– Për artist të di, por që je edhe bir kaçaku tash e mësova. Ty t’kjoftë përhajër çika jeme, e ti ndaç mbaje n’sheher ndaç çoje n’shpellë se qesi burrash po lypi!

Vetëm nga nji kafe e nga nji raki, me cigare Kent, atë të diele e kemi pi n’Hotel Bozhur e kemi marrë rrugët tona. Ata për Pejë unë n’gjinin e Galicës sime.

Tash derën e kemi të çelun të Tahir Sefa në Novosellë, e ti s’je ma e vjedhun dhe trokiti dera e m’la pa e puthë.

– A don mysafir o Rugovë, bërtitën njizani Gani Loshi e Ahmet Brahimi t’cilët banojshin n’dhomën tjetër.

Ma banë me hajër, por u ngushtova se s’kisha bash kurgja mbas shpirtit. Por iu thashë: Ne mbramje kafet e dasmës i pimë në Bufetin e Teatrit. Po, se aty i kalonim mbramjet edhe kur kishte shfaqje edhe kur s’kishte. Dhe iu thashë: Hapeni fjalën sa t’mundeni, e thuejuni atyne artistëve sheherli, mos gaboni me ma kqyrë shtremt Galicën se pushkë qes për te!

Ahmet Brahimaj, (shpirti i pastë rahmet), qeshi e tha: Përmbrapa m’ke, se jam i Burrnutit unë e t’kam dhandërr!

Qe kush ishte Gala e qe ku ishte Çuni. / KultPlus.com

Çun Lajçi shpërndan fotografinë e filmit “Zgjoi”: Hera e parë që po ndihem i lumtun, mbas shumë dhimbjesh

Sot ka filluar votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për “Oscars 2022”, shkruan KultPlus.

Aktorja që luan rolin kryesor në filmin “Zgjoi”, Yllka Gashi dje ka bërë thirrje që të shpërndahet sa më shumë fotografia e filmit “Zgjoi” në rrjetet sociale, e që të njëjtën e ka bërë edhe regjisorja e filmit, Blerta Basholli.

E aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi sot ka shpërndarë fotografinë e filmit “Zgjoi” duke shprehur se po ndjehet i lumtur që filmi Zgjoi ka arritur të jetë në mesin e 15 filmave më të mirë të botës.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Na dëshironi fat!
Fat për filmin e fat për Kosovën!
T’lumtun jemi që kemi mbrri në mesin e 15 filmave ma t’mirë t’botës. Edhe ma t’lumtun nëse kandidohemi për Oskar!
Hera e parë që po ndihem i lumtun, mbas shumë dhimbjesh!
Shpërndajeni, se nesër fillon votimi!
/ KultPlus.com

“Sa bukur me ditë me rrejt e me t’besua”

Poezi nga Çun Lajçi

Dua me shkrua e kurgja mos me thanë
me folë e kurkush vesh mos me m’marrë
si ai që foli mbramë
me pa e kurgja mos me kqyrë
zani n’vesh me hi e mos me dalë
me pasë gojë jo ftyrë
me mbushë lugën kurgja e m’u ngi
barku m’u fry m’u shfry
n’gjumë me ra
Me thanë shumë dua si ai që foli mbramë
e gja s’tha pos fjalë e fjalë e fjalë
e fjalës së vet i besoi kur tha Amerika jam
ju vetëm duheni me pa andërra tue fluturua
çka duhet me ba unë iu kallxoj kur t’zgjoheni
Eh!
sa bukur me ditë me rrejtë e me t’besua! / KultPlus.com

Nanë kush ta vrau djalin

Poezi nga Çun Lajçi

Po vinë krushqit buzës malit
Rexha i fjetun n’grazhd
duvakshkyemen tue ia çua të shpia
allçi kambëthyemi bishtkëputuni qorr

Nusja s’hyn n’kullë dhandrri s’hyn n’qiler
krushqit i han mali

Për grazhdin e kalit t’paskom rritë
Rexhë lum nana
thot lokja qefinin tue ia veshë

Nusja heq duvakun ven futën merr vajin
krushqit pa pajë m’prunë buzës malit
me allçin jelëkëputun oj-oj
nanë
kush ta vrau djalin. / KultPlus.com

Nanat e shkreta e zakonet e egra t’maleve!

Nga Çun Lajçi

Çudi!
Vazhdoi jeta sikur kurgja s’ndodhi.
Nji jetim mbet pa nanë, nji burrë pa grua, nji qiler e nji shtëpi robi pa nji
nuse.
Dhe kaq! U këput peni e su lidh kurrë ma nye!
U mbyllën gojët me dry!
Kush kujt s’i tha gja. Kush kendin se pyeti!
Rob i gjallë s’lypi me ditë t’vërtetën: Pse nusja iku?
Nusja që u grabit n’Rugovën e cirme e kulla e kaçakut hini n’gjak me
Haxhajt!?
Pse e la djalin jetim nusja e re?
Qyshë me i ikë nusja atij far djali, që s’i gjindej shoqi n’trembëdhetë
katunde?
Dhe, jo vetëm se ia la djalin e iku, po ia muer tjetrin n’bark?
Kjo, thanë, ishte tepër e randë.
Çka do t’bahet me kërthinin kur t’del n’dritë?
Çka do t’i thonë mocanikët livadheve, kur ti ruejnë gjanë?
Jo jo, kurkush s’fliste. Vazhdoi jeta sikur t’mos kishim pasë kurrë nuse
n’konak!
Nana vazhdoi me ofshama e me gjamë! Kolli iu shtua edhe ma shumë.
Dhimtë e mbytën! Djali i mbet vejan e nipi jetim, e kush s’pyste pse nusja
iku?!
Baba vazhdoi me i falë t’pesë vaktet, bile edhe xhumanë n’xhami, edhe kur
s’dilte mulla Hyseni. Veç duhan pinte ma shumë e lahutës i binte ma rrallë.
Ndoshta nga idhnimi!
Vllau krehej e lyhej me livandë, e tan sokaku merrte erë kur nisej me
trupua katundit. Veshej ma mirë se na tjerët, se atij nana i thurte xhemper
për çdo bajram, edhe pse ky nanën nuk e donte sa unë. Bile e nemte sa herë
ajo kullej e pështynte kelbaz.
– O, t’plastë Zoti i thoshte, ç’na tranove me kët koll!
Unë qajsha e thojsha, ky s’e ka përnimend, se nuk mallkohet nana, por
s’paska duhan e tek asht çartë n’krye!
Sa herë e shtinte pasqyrën e vogël n’xhep, i thojsha vetës: Ku-ku, edhe ky
dashka me ia lëshua rrezet ndonji nuseje n’katund, e burri me lëshua për
nji rreze, si ky që i dha udhë fisnikës vet!
Çfarë zakoni paskan more Zot këto male: Për nji rreze pasqyre me i lëshua
gratë e fëmijët mu rritë jetimë!
Po, ai ia kishte pasë vu synin nji çike n’fund t’katundit, e rrezet ia kishte
pasë lëshua, sa herë i kishte ra sokakut t’saj. Ia kishte marrë mendët nji
syverdhë, e nuk shkoi gjatë, e grabiti si t’parën!
– Njenën e lëshoi për nji rreze e me nji rreze tjetrën e muer!
Kështu mendojsha e thojsha sa herë m’kujtohej kunata që me merrte me
fjetë n’qilerin e saj, se nuk guxonte me ba natën vetëm, kur vllau, burri i saj
ishte për rrugë. Qilerin me dërrasa e kishte nër arra, buzë sokakut, açik prej
kullës, e tutej prej cubave t’katundit natën!
Thojsha, a kaq t’unt qenkan për gra këta far cubash a? A për ket punë po u
thojkan: Ky asht ujk, ky asht cub!
S’di!
Por ajo, si duket s’bani ballë me jetua me dyshimet e vjehrrit, t’vjehrrës, e
t’burrit, pse nji i pafytyrë ia kishte lëshua rrezet e pasqyrës! Ishte shej
kurvnie ndër male, e t’shkretat gra kush s’i pyeste për t’vërtetën, se mendja
u rrinte të e keqja!
Kjo se duroi t’pavertetën e t’vërtetën s’ia deshtën, ndaj e theu zemrën n’dy
copë. Njenën e la të jetimi e tjetrën copë e muer me jetimin që e kishte
n’bark, e u kthye atje ku kishte lind.
Nji ditë, prej ditëve, kur unë krejt e kisha harrua, erdhi lajmi: Nusja e vllaut
kishte lind djalë e nji grua pa fëmijë i kishte lutë t’ia falin!
Nana ime u çoi fjalë: Kurrë s’la me m’humbë gjaku i djalit!
Ma sillni n’Drelaj. E rris me jetimin tjetër!
N’krye t’javës, erdh nji grua të xhamia n’shami t’bardhë!
E mbante n’grykë jetimin mbështjellë me mblojsin e djepit. Thirri: A po e
merrni farën tuej, a po ia falim dikuj tjetër!
Zani u përplas me shpellën e Hasan Sylës e krejt katundi e muer vesh, se
nusja e vllaut kishte lind djalë n’Haxhaj, e pru ia kishin n’Drelaj.
E mbaj mend t’ketë bërtitë prej idhnimit ky vllau jem: Faljani kuj të doni
kopilin!
T’plaçin sytë, bir, bërtiti nana. Si po i thua farës tande kopil!
Çfar shpirti paske?
Si me tu rritë djali dyerve t’hueja?
Me ti thanë hallku djalit: O kopili i filanit?
Dhe tue u kollitë, trupoi arave e duel të xhamia dhe e muer nipin e vet!
Erdh tue qajt e tue gjimua!
E rriti n’gjinin e shterrun. Ia dha emnin e ia fali dashninë.
Vllau u martua me tjetrën e me tjetrën bani fëmijë, e tjerët i deshti. Por
nana ia rriti dy jetima, tue i dashtë ma shumë se mua e Demën.
Eh, njeni vdiq i ri e tjetri jeton me mallin e vjetër që kurrë s’i hiqet nga
mendja!
Por nanat e shkreta e zakonet e egra t’maleve, e fëmijët jetima, s’mu hoqen
as mua nga mendja, as tash që i bana shtatëdhetë vjet, tash që shkruej e
mundohem me hangër bukë, tue i shitë librat rrugëve, si drutë dikur
n’shehrin e Pejës!

Dardani, 12.03.2021 / KultPlus.com





‘Kurrë ma baba s’i ra nanës, se nana u smu prej veremit’

Nga Çun Lajçi

Vetëm pleqtë e fëmijët e shpendët zgjohen heret!

Siduket, vetëm ata ngihen mirë gjumë, se t’parët bien me fjetë, e kur nisin me i mundua andrrat, si shpendët që zbresin nga degët, këta dalin nga shtratiet.

Baba ishte mësua me ra heret e heret mu çua me falë sabahin! Nanës i duhej me dhezë zjarrmin, me mjelë lopën, atë gallujen që ia fali gjinia e vet n’Martinaj. Besa edhe me i harrnua çorapët e pantollat e shtatë djemëve.

– Babës s’guxonte me ia prekë teshat! Ai tanë jetën mbeti kaçak!

Por atë ditë ishte e xhuma, (se dorën n’zemër, unë vonë e kuptova se quhej e premte), e baba duhej me shkua n’xhami. Mulla Hyseni dilte prej Pejës, e baba duhej me kanë n’xhami para tij.

Kur vonohej ky, hoxha i thoshte gjithçka. E randonte me fjalë e ky nxihej prej marres. Por ne qeshnim, sepse hoxha belbëzonte e mbetej gojë hapun, se i lidhej gjuha t’shkretit e s’i dilte kurkund fjala.

Nana e dinte, se xhumave për drekë e ka Mulla Hysenin. Besa edhe ndoj tjetër prej Rugovës Cirme( t’epërme), e duhej me qitë mazë t’zieme. Me iu zgjatë djathi deri pëmbi krye!

Por, për taksiratin e vet, atë nadje, heret ia kishte kepë nji pullë t’zezë n’këmishë, të fyti, e ky ishte ba vet i katërdheti.

– Qyshë me shkua n’xhami me balushën e zezë n’fyt?

A po don me m’ba dhi ndër dhen e me m’keshë edhe hoxha edhe xhemati!

A?

Me nishana po don me ba kaçakun a? Fol bre cërnagorkë se t’vrava pushkë hekuri!

Dhe, si kje tue pshtjellë duhan, e gjuejti me kuti t’bakfonit n’sapot t’kresë.

Ajo veç e vuni dorën me mbulua fjollën e gjakut, mos me pa unë që rrisha tue i nxe duert te kaftorri, e përmes lotëve i tha:

– I malit ishe kur t’mora dhe i malit mbete!

S’u zbute as kur t’linden djemtë as kur t’u banë për martesë vajzat!

Mos shko n’xhami pa shpirt se s’rrehet Zoti. As hoxhën mos ma bje për drekë se s’kam mazë n’tinar ma.

Ku me ta marrë pullën e bardhë, more faqebardhë!

Mirë qe ta gjeta edhe t’zezën e mos me t’lanë me tu pa cullaku ndër xhematë e me t’keshë Rugova e Cirme!

S’je tue ia dijtë takatin vetit!

S’je ma as n’shpellë të Curri, as n’Galicë të Azemi, as n’Han të Jashari.

T’kanë cofë morrat ty e mua e djemtë na kanë mbetë me do kërtolla e kaçela kallamoqi.

Unë s’i lus ma Balidemajt me na e mbajtë shpirtin me bukë!

Foli Shekja tue fshi gjakun nga balli!

Heshti Alia tue lypë kutinë e duhanit nër krevatin me dërrasa! Qava unë për nanën dhe shpejt hina nër jargan, se thashë tash iu ka derdhë duhani e ma vret nanën.

Po, se shpesh thojke, me ba me mbetë pa duhan, pasha qelamullahun iu vras!

Fati e deshti mos me dalë atë ditë prej Pejës autobusi, e Mulla Hyseni mos me falë xhumanë, e babës mos me iu marrë fytyra për pullën e zezë. As nanës për mazën e zieme!

Të nesërmën e çuen nanën n’pital hipun n’kal, se i nxehej fryma e babën e ndëgjova tue i thanë: Bama hallall fisnike, se duhani m’u pat harxhua!

Kurrë ma baba s’i ra nanës, se nana u smu prej veremit, e ky e vajtonte n’heshtje!

Dardani,01.03.2021 / KultPlus.com