Holokausti nuk i mbyti romët, veçse i ringjalli

Shkruan: Denis Galushi

Kur vjen 1 gushti, dua që e nesërmja të mos ekzistoj, ose të kalojmë në 3 gusht!

Jo që nuk dua ta kujtoj ditën më të dhimbshme, dhe turpin më të madh të ‘’njerëzimit’’, por është e vështirë t’përkujtosh 1 milion e 500 viktima, burra, gra, pleq e femijë romë-njerëz, të masakruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por, sado që nuk do të dëshiroja një gjë të tillë të mos e kujtoj, malet, kodrat, detrat e oqeanët nuk do të lejonin një gjë të tillë, sepse ata ishin dëshmitar të kësaj ç’njerzie të nazistëve.

Këta pasuri natyrore besuan vetëm në forcen e lapsit që do t’i tregoj një ditë botës, për atë së çfarë ndodhi në kasaphanen më të madhe të Evropës, në kampin e vdekjes Birkernau duhe Auschwitz të Polonisë, njëri nga më të mëdhat në botë, dhe jo vetëm.

Përveç tjerash, syt dhe virtytet e mia, do t’iu sjellin pamje nga vendi i ngjarjes, e bisedat me të mbijetuarit do të mbesin dokumentimi më origjinal për  tëntim shfarosjeje e një kombi të tërë gjatë shekullit të 19.

E nga ana e tjetër, frustrimi, dhimbja e hidherimi, për një moment kthehen ne krenari sepse, ky vend i mallkuar, por sot i shënjtë, është shkelur dhe vazhdon të shkelej nga gjaku i atyre që para 77 vitesh ishin në listën e zhdukjes së përgjithmonë.

Sepse, sot 30 milion romë anëmbanë botës kujtojnë këtë ditë – 2 gushtin – Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Romëve me romishtën e tyne të pasur, me fjalët: ‘’AMARE MULE NA MERNA’’ – ‘’Të vdekurit tanë, nuk vdesin’’. Gjuhë kjo e lënduar, e coptuar, e torturuar, e përbuzur, e nençmuar, e përulur, e tallur, e djegur, e shkelur, por – e gjallë!

Çfarë ndodhi më 16 maj dhe 2 gusht 1944?

Në kampin e asgjësimit të Auschwitz II – Birkernau, seksioni BII u quajt “Kampi i Ciganëve/Maxhupëve” (Zigeuner Lager).

Disa nga njerëzit romë që u transferuan në ferr të Auschwitz nga nazistët nuk u qëlluan menjëherë pas mbërritjes, por u vendosën në Lager Zigeuner. BII ishte një kamp “i përzier”, që nënkuptonte fëmijët, burra dhe gra u burgosën së bashku.

Të burgosurit romë u detyruan të punonin si skllevër, të vëzhgohen dhe t’i nënshtrohen testeve mjekësore duke u torturuar nga  Dr Josef Mengele i SS-it, një psikopat sadist i njohur si “Engjëlli i vdekjes”, zgjodhi individët romë, shumica prej të cilëve ishin fëmijë, t’i nënshtrohen eksperimenteve të çoroditura, të gjalla në fushën e mjekësisë për këta femijë. Duke iu nxjerrur syt, veshkët, zemrën, e pastaj për të parë reagimin e tyre!

Gjatë natës së 2 gushtit dhe në mëngjesin e hershëm të 3 gushtit 1944, të gjithë të burgosurit e kampit, pa përjashtim, u vranë në dhomat e gazit. Për shkak të kësaj historie të njohur, zyrtarisht, 2 gushti është përkujtuar dhe pranuar nga Parlamenti Evropian si Dita e Gjenocidit/Samudaripen ndaj  romëve

Njerëzit në fakt kishin dashur të mbyllnin Bll-shin dhe të vrisnin të burgosurit e tyre romë në dhomat e gazit më herët, më 16 maj 1944. Në atë kohë atje ishin më shumë se 6 000 të burgosur romë.

Më 15 maj, lëvizja e rezistencës nëntokësore në kamp paralajmëroi romët për atë që nazistët po planifikonin. Në mëngjesin e 16 majit, të burgosurit romë nuk u paraqitën për thirrjen e zakonshme në mëngjes dhe kundërshtuan rojet e SS. (SS, gjermanisht; Seal Shutz) organizata paramilitare e nazistëve në krye me diktatorin Adolf Hitler, dhe partia e nazistëve.

Romët e bllokuan veten në kasollet e tyre, dhe filluan të ‘’armatosen’’ me çekiçë, sopata e lopata, duke i ndarë seksionet e krevetëve nga druri që flinin, për t’i shëndrruar në pajisje luftarake e fëmijët mblodhën gurë.
Kur rojet e SS hynë në kamp në mbrëmjen e vonë për të marrë romët në dhomat e gazit, ata filluan të luftonin për jetën e tyre.

Romët luftuan me vdekjen. Fëmijët, burrat dhe gratë luftuan të gjithë.

Auschwitz, kurrë nuk kishte përjetuar asgjë si kjo më parë.
Kishte humbje në të dy anët.

SS-të ishin në shok, sepse ata kishin dështuar krejtësisht për të parashikuar këtë rezistencë. Të shqetësuar se mund të humbasin më shumë burra dhe se kryengritja mund të përhapet në pjesë të tjera të Auschwitzit, ata u tërhoqën nga kampi BII.

Asnjë rom nuk vdiq në dhomat e gazit atë ditë. Nazistët më pas i vunë të burgosurit e BII-it duke i lënë pa bukë dhe ujë.

Më 23 maj 1944, nazistët zhvendosën 1 500 prej të burgosurve më të fuqishëm romë në Auschwitz I, shumë prej të cilëve u dërguan pastaj në kampin e përqendrimit Buchenwald.

Më 25 maj 1944, 82 burra romë u transportuan në kampin e përqëndrimit të Flossenburgut dhe 144 gra të reja rome u dërguan në kampin e përqendrimit Ravensbrück.

2 897 të burgosur romë kanë mbetur në kampin e familjes në BII, shumica prej tyre fëmijë. Më 2 gusht 1944, nazistët i qëlluan të gjithë me vdekje në dhomën e gazit V, edhepse romët luftuan përsëri në atë natë të errët.

Auschwitz 2017, – Aty ku 2 897 burra, gra, femije e pleq, u dogjën për një natë!

Kjo ishte hera e parë kur, romët, rezistuan fuqishëm ndaj nazistëve dhe ‘’e shtynë’’ vdekjen e tyre për disa muaj më vonë!

Ata rezistuan në luftë, ndersa sot ne duhet të rezistojmë në paqe kundër çdo racizmi që mund të na dergoj në një gjenocid tjetër!
Ne nuk dimë shumë për këtë aspekt të Holokaustit, apo romisht; SAMUDARIPEN!

Ka vetëm disa libra për të, dhe shumë pak kërkime historike.
Për këtë arsye, ata që vizituan këtë vend, duhet ta ngrisin zërin e tyre duke treguar së çfarë kanë parë, bisedat me të përjetuarit të holokaustit e shumëçka tjetër, me arsye që një gjë e tillë të mos përsëritet KURR!

Ne, kosovarët, para tre viteve, e vizituam kampin më famkeq në hisotrinë e njerëzimit – Auschwitz. Biseduam me të mbijetuarit, njëri nga ata, 95 vjeçari francez, Raymond Guereme, i cili plot 11 herë ka shpëtuar nga nazistët.

I mbijetuari i Holokaustit Rom, Z. Raymond Gureme, lindi në 1925, në Francë dhe në moshën 95 vjeçare, ndërroi jetë.

Në vitin 2017, pata rastin të takoja këtë LEGJEND, dhe ta intervistoja se si ai ka shpëtuar nga të gjitha kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Edhepse kanë kaluar më shumë se 70 vjet nga Holokausti, ai ende kishte kujtime të freskëta për atë që ndodhi në atë kohë.

Prindërit e tij kishin një cirk dhe një kinema udhëtimi, ai ishte i treti nga tetë fëmijët.

Në gusht 1943, policia franceze rrethoi nënën e tij, atë dhe babanë e tij – i cili kishte shërbyer në ushtrinë franceze në luftën e parë botërore – dhe i dërgoi në një kamp internimi për romët.

Ai arriti të shpëtonte nga kampi francez, por prindërit e tij mbetën të bllokuar atje deri në fund të luftës, duke u shfaqur keq dhe duke humbur biznesin e tyre.

Pas arratisjes, ai më vonë u internua me tren në një makinë bagëtish në një kamp gjerman përqendrimi, ku u detyrua të bënte punë për regjimin nazist.

“Falë rezistencës së duarve akrobatike, kam arritur të shpëtoj nga prangat e nazistëve.

Hera tjetër e arratisjes ishte kur qëndrova më shumë se një muaj në pyll. Kam fjetur nëpër degët e lisave sepse nazistët kontrollonin pyjet.

Nuk kam pasur bukë ose ujë, por kam mbijetuar duke ngrënë gjethe!

Kjo më preu etjen dhe urinë ”, tha Guerreme.

Ai u rrah dhe u torturua në kampet e përqendrimit të nazistëve. Por, për fat të mirë ai ka shpëtuar për 11 herë nga të gjitha gungat e përqendrimit!

“Luftoni për të drejtat tuaja. Mos hesht. Ngritni zërin. Mos u dorëzo. Edhe pse u përballëm me vdekjen, nuk ndalëm kurrë të rezistonim. Kanë kaluar shumë kohë që nga Holokausti, për fat të keq, edhe sot romët në të gjithë botën po përballen me racizëm. Kjo është e tmerrshme. Sepse racizmi mund t’ju dërgojë në një gjenocid tjetër. Për këtë arsye, ju lutemi mos heshtni “, ishte mesazhi u Guerremes ndaj rinisë rome.

Mos ta harrojmë edhe Peter Höllenreiner i cili lindi në Mynih më 17 mars 1939 dhe vdiq para katër dite në moshen 81 vjeçare. Në mars të vitit 1943, ai dhe familja e tij u internuan në kampin e shfarosjes Aushvic-Birkenau, ku ai mbërriti një ditë para ditëlindjes së tij të katërt dhe u regjistrua në regjistrin e kampit të të ashtuquajturit “Gypsy Camp” me numrin Z 3531.

– Më 1944 Peter Höllenreiner u internua nga Aushvic-Birkenau në Ravensbrück dhe prej andej në Mauthausen në Mars 1945.

– Numri i tatuazhuar në parakrahin e tij në Aushvic, e hoqi Peter Höllenreiner në periudhën e pasluftës – me qëllim që ta tatuazhojë përsëri disa vjet më vonë, si një protestë kundër diskriminimit të vazhdueshëm kundër Sinti dhe Romëve në Gjermaninë e pasluftës.

– Në korrik 2016, Peter Höllenreiner vizitoi kampin e shfarosjes Auschwitz-Birkenau për herë të parë me rastin e vizitës së Papa Françeskut.

– Peter Höllenreiner shoqëroi Papën si një nga 12 të mbijetuarit gjatë lutjes së heshtur në murin e vdekjes në kampin kryesor të Aushvicit. Pas kësaj, Peter Höllenreiner mori pjesë në genocidin e Sinti dhe Romëve në Evropën e okupuar nazist – 2 Gusht, Dita e Përkujtimit të Gjenocidit Romë.

Më 2 gusht 2017, Peter Höllenreiner foli si një përfaqësues i të mbijetuarve në përkujtimin ndërkombëtar në Auschwitz-Birkenau. Pas 60 viteve vizitoi këtë kamp dhe thoshte qe kurrë më nuk do ta vizitonte. Per vonesën e vizitës dhe zotimin e tij, më siguri dinte më shumë vetë HERO’i ynë.

Sipas Ian Hancock PH.D, një gjuhëtar rom, avokues politik, profesor i anglishtes dhe linguist në Universitetin e Teksasit në Austin,  thote se ka pasur më shumë se 1 milion e  500 000 viktima romë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë berën romët nga Kosova pasi vizituan kampin  Birkernaut dhe muzeun e Auschwitzit?

Në Kosovë, vitin e kaluar isha organizator  për herë të parë i një Marshi Përkujtimor për Viktimat Romë të Holokaustit/Samudaripen, i cili është mbajtur në sheshin e Prishtinës. Së bashku me studentë dhe aktivistë romë dhe jo romë, përkujtuam 27 Janarin – Ditën Botëore të Holokausti. Ngritëm zërin tonë për më shumë se 1 milion e 500 mijë viktima romë në botë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte njëri nga marshët e para në regjion dhe Evropë që është organizuar nga Kosova që u  përkujtuan viktimat romë përmes marshit dhe një pëformancë artistike tek shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës me numrin ‘’27’’, duke përquar mesazh të paqës anëmbanë botës.

Para dy viteve  është luajtur  edhe një shfaqje teatrale ‘’02.08.1944’’, e artistit Edis Galushi dhe regjia, Xhevdet Doda. Poashtu, piktorja e mirënjohur, Mirjeta Qehaja, e ka mbajtur ekspoziten e saj të parë në Kosovë, ”HOLOKAUSTI”, pas vizitës nga kampi Birkernau.

Nëse ata rezistuan në luftë, pse ne sot mos të ngrisim zërin tonë në paqe për të marrë të drejtën tonë për përfaqësim dhe trajtim të dinjitetshëm anëmbanë botës?!

Secili që e ndjen vetën romë, duhët të ‘’shndrrohët’’ në një institut edukativ për të hulumtuar më shumë historinë tonë dhe për të përciellur së më shumë gojarisht dhe me shkrime, sepse shumë pak libra janë shkruajtur për ne!

Dua që fëmijet tanë, nxënësit tanë jo më kokëulur të qëndrojnë në orët e tyre të historisë kur flitet për Luftën e Dytë Botërorë. Por, t’i pyesin profesorët e tyrë se, sa ata kanë njohuri për bashkëkombasit e tyre-romët që ishin viktima më të mëdhënjë pas hebrenjëve?

Dua që fëmijët tanë me krenari t’flasin për t’kaluaren e tyre, duke kërkuar një të ardhmje më të ndritshme duke u mos asimiliuar, për integruar më gjuhë e kultur rome, ashtu siç thoshte edhe poeti ynë i ndjerë, Kujtim Paçaku.

Dua që fëmijët tanë në klasat e tyre t’i ‘’përmirsojnë’’ profesorët kur për romët thonë ‘’dhe të tjerët’’. Jo, jo. Le të tregojnë që ishin një million e gjysëm viktima!

Lë të tregojnë për Raymond Guaremen, lë të tregojnë për Peter Holeinreinerin, lë të tregojnë për familjen e piktorës së njohur rome, Ceija Stojka. Lë të flasin më shumë për familjën e Mateo Maksimovit, e shumë të tjerëve që ishin pjesë e kampëve të vdekjes.

Sepse, ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar për ta përsëritur atë.

#2august
#samudaripen
#neveragain
#weremember /KultPlus.com

Ederllezi, Karabashi, Shën Gjergji apo Gjurgjev Dan, pse festohen dhe festat e kujt janë?

Nga Denis Galushi

Gëzimin, ankesat dhe kërkesat, romët gjithnjë i kanë adresuar përmes artit. Ashtu siç e treguan vuajtjen dhe tragjedinë e tyre nga nazistët përmes himnit ‘’Gjellem, Gjellem’’, ashtu edhe gëzimin e shprehen përmes këngës shumë të kënduar, ‘’Ederllezi’’!

Por, në realitet, çfarë simbolizon ederllezi?

Jo rastësisht rrota në flamurin rom simbolizon migrimin e tyre, e ngjyrat gjelbër – barin dhe e kaltër – qiellin. Pra, tokën që e duan shumë dhe qiellin e hapur për të jetuar duke mos u kufizuar!

Marrë parasysh që shumica e romëve ishin nomad, ky është njëri nga faktet pse ata e urrejnë më së shumti dimrin. Sepse, dimri ua prishte planet e jetesës në natyrë. Por, natyrisht jo gjithë romët, por disa fise prej tyre jetuan/jetojnë në këtë mënyrë.

Prandaj, edhe i gëzohen shumë ardhjes së pranverës, ose ‘’ederllezit’’. Pra, ederllezi do të thotë zgjimi i pranverës, e dalja nga dimri.

Por, a thua veç romët e duan pranverën?

Normal që jo.

A është festë e romëve ederllezi, a po…?

Jo.

Nuk është festë e romëve.

Por, është kënga e romëve, “ederllezi”, që lënë të kuptohet që kënga i dha kuptim festës apo ardhjes së pranverës.

Shumë nga ju e këndoni këtë këngë, por në realitet çfarë do thotë kënga;
romisht:

Sa me amala oro khelena
Oro khelena, dive kerena
Sa o Roma daje
Sa o Roma babo babo
Sa o Roma o daje
Sa o Roma babo babo
Ederlezi, Ederlezi
Sa o Roma daje
Sa o Roma babo, e bakren chinen
A me, chorro, dural beshava
Romano dive, amaro dive
Amaro dive, Ederlezi

Nëse me lejohet, dua të interpretoj tekstin nga pikëpamja ime. 

Vargjet e para flasin për;

Të gjithë shokët e mi, vallëzojnë
Vallëzojnë, ditën e tyre kremtojnë.
Të gjithë ROMËT-NJERËZIT, babë
Të gjithë ROMËT-NJERËZIT, nënë, 2x
Ederllerzi, Ederllezi
Të gjithë njerëzit, nënë
Të gjithë njerëzit therrin qengjat e tyre
E unë nga larg shikoj
Të gjithë njerëzit, babë,
Të gjithë njerëzit, nënë 2x
Dua të ndalem këtu.

Ju lutem,  kushtoni vëmendje strofës së dytë ku thotë;
të gjithë romët (njerëzit) therin qengjat e tyre, e unë nga larg shikoj!

Pra, këtu nuk e ka fjalën për romët si grup etnik, por si emër: roma-njeri, roma-njerëz.

Pra, të gjithë njerëzit qengjat e tyre therin, e unë nga larg shikoj… Shikon, sepse nuk mund t’iu bashkohet, është i varfër.

Përderisa njerëzit gëzohen që u ndanë faqebardhë nga dimri, tash është rralla për të prerë kurban (qengj, dele, dash), e për të festuar, apo ndoshta n’këtë mënyrë falënderuar Zotin, por romët nga kushtet e vështira që kaluan, veç shikojnë, ashtu siç thotë kënga; a me duryal beshava – unë nga larg shikoj (unë qëndroj larg tyre), sepse nuk kam para për të festuar me ata, edhe pse shpirtnisht jam shumë më i pasur se ata!

Ederllezi, Shën Gjergji apo Sveti Gjorgje?

Logjikisht, nëse njeriu i gëzohet ardhjes së pranverës, atëherë e falënderon atë që e solli atë, pra Zotin e Gjithësisë. Por, kështu zakonisht nuk ndodhte më herët. Sepse, njerëzit besonin në shumë zotra, apo politeizëm, dhe jo monoteizëm.

Prandaj, ata besonin në shumë zotra. I konsideronin gjethet si zotra, ujin, flakën, ushqimin… E, për këtë arsye edhe laheshin me gjethe, lula e vezë, duke konsideruar që do t’i marrin vetit e tyre. Pra, i shëndosh si vezë, e i/e bukur si lule, sipas mendimit paganë, e që sot shumica e popullit të ballkanit e kanë trashëguar, pa asnjë përjashtim!

Nga ana e tjetër, nëse e shikojmë emrin Shën Gjergj apo serbisht Sveti Djordje-Gjorgje, atëherë kjo është më shumë festë e besimit ortodoksë, ndoshta edhe krishterë, por ndoshta edhe është festë kombëtare/fetare, nëse lidhet më lindjen e heroit kombëtar shqiptar me gjashtë maj, e për dikë hero fetar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ashtu siç pretendohet së fundi.

E çka me ‘’Karabashin’’?

Dita e pesë majit, apo dita e Shën Gjergjit, Gjurdjevdanit apo Ederlezit/Hiderlezit, ndryshe në Prizren e quajnë, “Karabash”, dhe festohet sot, më 5 maj.

‘’Karabash’’, rrjedh nga gjuha turke që do të thotë ‘’kryezi’’, edhepse këtë kurrë nuk e kam kuptuar së çfarë kuptimi ka.

Në këtë ditë, sheshet e Prizrenit janë/ishin të bllokuara me shitës, poçarë e tregtarë të ndryshëm, që ekspozojnë mallin e tyre në sheshet e hapura, përderisa me mijëra njerëz bëjnë pazare duke blerë gurabija shumëngjyrëshe për ‘’mësysh e bereqet’’, e poashtu duke blerë nga poçarët tava nga dheu, sepse atë ditë ‘’duhet’’ ngrenë nga enët e dheut, sepse ai i ‘’merr gjitha të këqijat’’ gjatë tërë vitit…

Pastaj, shkojnë të tyrbja e Lezit, duke puthur gurin e puthur nga mijëra njerëz në të njëjtin vend, e duke iu lutur një tabutit, i rrethuar me para të shumta, tima dhe të letrës të hedhura nga vetë ata.

E çuditshme kjo pjesë. Sepse, ata i drejtohen kufomës apo gurit por duke i mbajtur duart drejt qiellit… Këtë si fëmijë por edhe tani asnjëherë së kam kuptuar…

Pra, kërkojnë dobi nga gjërat që as vetit nuk mund t’i sjellin dobi e as dëme, e si ka mundësi këtyre t’iu sjellin fat?!

Sidoqoftë, kemi një laramani të mënyrës së ‘’festimit’’ duke pretenduar që, kjo festë është e imja dhe jo e atij, e në fakt s’qenka e askujt.

Pra, kemi pikëpamje të ndryshme. Dikush e konsideron si feste fetare, dikush kombëtare, dikush as të parën, e as të dytën, por thotë; p’shtova nga dimri shëndosh e mirë, e Zoti na dhashtë mirësi. / KultPlus.com