Zoti Pjetër, iu drejtua Ismail Kadareja, Pjetër Arbnorit gjatë një vizite në shtëpinë e Kadaresë ku veç Arbnorit ndodhesha dhe unë e ca të tjerë, a është e vërtetë se pas një kohe të gjatë në burg, i burgosuri dashurohet me qelinë?
-Po udhëtoj nëpër botë, tha Arbnori, po shoh qytete të kristalta, grataçiela marramendës, autostrada si gjarpërinj të zinj kilometrikë, ura të varura të bukura si nëpër ëndrra. Po vizitoj ekspozita dhe muzeume të arteve figurative me vepra madhështore me tu mbush trupi me mornica. Por rrëqethja estetike që nuk më shqitet asnjë çast nga mendja; betoni i mureve të qelisë me pllanga gjaku të tharë, fije flokësh të ngjitur, copa lëkure ngecur nëpër plasatitje, gërvishtje nga prangat dhe goditjet, është kryevepra e kryeveprave. Po, i burgosuri dashurohet me qelinë. / KultPlus.com
Kanë ankesa ndaj fukarallëkut, por përdorin smartfona. Kanë urrejtje për korrupsionin, por në Prokurori nuk shkojnë. Kanë ngritur biznese, por refuzojnë të paguajnë taksat. Kanë dëshirë të udhëhiqen nga barinj të mirë, por votën e shesin. Kanë respekt për meritokracinë, por për të gjetur punë fusin pesqint miq. Kanë sens moderniteti, por udhëhiqen nga instinkti i kopesë. Kanë aftësi për të folur, por nuk merren vesh. Kanë fantazi, por ëndrra nuk shohin. Kanë ndjeshmëri, por nuk i hedhin asnjë lek violinistit të trotuarit. Kanë dashuri për femrat, por nuk i respektojnë. Kanë njerëz të ndershëm, por më të shumtët hajdutë. Kanë edhe njerëz të famshëm, por që nuk janë të dashur. Kanë territor të vogël dhe janë të pakët në numur, por fajin e kanë vetë. Kanë fëmijë, por nuk i edukojnë. Kanë të hanë, por nuk ngopen. Kanë qumësht, por nuk bëjnë dhallë. Kanë ashensor, por e shkatërrojnë. Kanë besë, por nuk e mbajnë. Kanë shpirt, por të ftohtë. Kanë sy, por nuk u ndrijnë. Kanë veshë, por nuk u gumëzhijnë. Kanë fat, por nuk dinë ta përdorin. Kanë Histori, por nuk e njohin. Kanë gjeografi, por nuk e shëtisin. Kanë heronj, por të paditur, të pa shkolluar. Kanë kisha dhe xhamia, por nuk i frekuentojnë. Kanë zemër, por thjesht pompë. Kanë makina, por nëpër katunde nuk venë. Kanë mendje, por nuk dinë ta vënë në lëvizje. Kanë kohë, por e vrasin nëpër kafenera. Kanë korent, por e vjedhin. Kanë gjuhë, por vetëm për të lëpirë. Kanë qef të martohen, por pendohen. Kanë shami, por qurrat nuk i fshijnë. Kanë shkolla, por nuk mësojnë. Kanë sapun, por nuk lahen. Kanë shëndet, por janë të ngathët. Kanë sëmundje, por nuk dinë t’i shërojnë. Kanë ligje, por nuk i zbatojnë. Kanë punë, por përtojnë t’i bëjnë. Kanë qiell, por nuk ngrenë kokën ta shohin. Kanë krahë, por nuk fluturojnë. Kanë semafora, por nuk dijnë nga t’ja mbajnë. / KultPlus.com