‘Ka me ardhë dita kur Zoti ka me na lanë vetëm’

Poezi nga Elona Çuliq

ka me ardhë dita kur
Zoti ka me na lanë vetëm
dhe prej nesh ka me zhgulë mëshirën
jetimë dhe varre të hapuna
kena me kenë në sytë e njeni-tjetrit

kena me e shqye sho-shoqin
nanën
babën
vetë birin tonë
pa pendesë

ka me kenë dita kur Zoti ka me na lanë
me e pa fytyrën tonë të vërtetë, pa Të
dhe zhveshun nga mbrojtja e Tij

nuk kena me mujtë me ba asgja
veçse me e vdekë sho-shoqin
asgja nuk ka me kenë në kontrollin tonë
trup dhe mendje kanë me u shkëputë prej njeni-tjetrit
shpirti ka me kenë qefini jonë

mos u bani merak
ka me ardhë ajo që kërkojmë
me pa Zotin për me e besue ekzistencën e Tij

kena me e pa duke mos e pasë ma në ne

kjo asht mënyra e Tij me na u shfaqë
ka me na lanë vetëm
pa Të
pa mëshirën
pa asnjë mundësi dhe aftësi me ndje diç’ tjetër
përpos dhembjes së tmerrshme të kafshimit
nga njeriu
nga unë

Janar 2021. / KultPlus.com

”Sa merreni me fjalë, një lutje në heshtje ju nderon ma shumë”

Nga Elona Çuliq

Vdes një gru e shkojnë gjindja me e përcjellë e me u pa. Si e don zakoni rreth e rrotull trupit të pajetë janë bijat, motrat, kunetitë e ndoj njiri tjetër i afërt. Pak para se me ardhë ora me përcjellë xhenazen, kur edhe dhimbja e vaji randohen, dy gra, e gjejnë me vend që me komentue me njena-tjetrën palën e shkepun të çarçafit me t’cilin ishte mblue trupi I grues së vdekun.

Përpos çdo mendimi e fjale që të vardiset në mendje kundrejt këtij gjesi, njeriu s’don me u ba hor dhe I thotë vedit “nuk kanë respekt për jetën e vdekjen e as dhimbjen”.

Njejtë më ngjajnë edhe këta njerëzit që në këto ditë fatkeqësie e mortit, shpërndajnë video dhe komente ku shfaqen njerëzit duke “zgjedhë” teshat a duke lanë ushqimet në qiell të hapun.

Leni rehat njerëzit në dhimbjen e tyne. Ai që ka pa vdekjen me sy e ka mbetë pa shpi, nuk e ka mendjen te pala e shkepun e çarçafit e as me zgjedhë tesha e me sistemu ushqime.

Sa merreni me fjalë, një lutje në heshtje ju nderon ma shumë!/ KultPlus.com