Gjenerali me origjinë shqiptare nga Shkupi që shpëtoi të krishterët e Stambollit

Material i hulumtuar dhe përpunuar nga Elvi Sidheri

Ditët e 6 dhe 7 shtatorit 1955, do të mbeten në historinë moderne të Stambollit, të njollosura nga mësymjet e dhunshme të organizuara kundër pakicës së krishterë në qytetin gjigant në brigjet e Bosforit, midis Europës dhe Azisë, në Stambollin ku akoma ruhen gjurmët e perandorive të shkuara, nga romakët te bizantinët, gjer te osmanët të fundit në radhë, përpara se megalopolisi turk t’i linte vendin Ankarasë si kryeqytet në shekullin XX.

Gjithsesi, ende në mesin e viteve 50 të shekullit të shkuar, në Stamboll vijonin të jetonin rreth dyqind mijë të krishterë, kryesisht grekë (ose grekofonë, përfshirë edhe plot shqiptarë ortodoksë, pjesë të një komuniteti shqiptar të kësaj feje, të ngulitur në Konstandinopojë prej disa shekujsh dhe të shquar në disa profesione të veçanta dhe sipërmarrje e njerëz të njohur e të suksesshëm, siç kam hasur në kërkimet e mia), por edhe armenë, gjeorgjianë, asirianë, levantinë katolikë, etj.

Ndërkaq, mbas ngjarjeve që në histori do të cilësoheshin Pogromi i Stambollit, këtij komuniteti do t’i jepej thuajse përfundimisht dërrma, teksa qenë shkatërruar shumica e pronave, kishave dhe shtëpive e varreve të tyre, nga turmat e ndërsyera të ardhura kryesisht nga jashtë Stambollit për zbatimin e këtij plani ogurzi.

Në kontekstin e ashpërsimit të problemit të Qipros, dhe ndarjes komunitare mes grekëve dhe turqve të Ishullit të Afërditës, një shpërthim do të ndodhte sakaq në Selanik, pikërisht në Shtëpinë e Ataturkut në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, më 5 shtator 1955, në kopshtin e kësaj godine historike, duke thyer vetëm disa qelqe dritaresh, por gjithsesi të nesërmen, falë edhe nxitjes së turmave në një gazetë turke (Ekspres), do të fillonin trazirat në Stamboll.

Ngjarjet filluan së pari në Beyoğlu dhe sulmet do të përfshinin shtëpitë dhe vendet e punës së pakicave në Kurtuluş, Nişantaşı, İstinye, Yeniköy, Eminönü, Yedikule, Bakırköy, Fatih dhe Eyüp. Ngjarjet u përhapën gjithashtu në Moda dhe Ishujt e Princit.

Përkundër mefshtësisë së autoriteteve, në disa raste edhe banorët turq do të ndihmonin fqinjët e tyre, duke u thënë mësymësve se në shtëpitë përreth nuk kishte grekë, por veçanërisht një njeri edhe sot e kësaj dite mbahet mend botërisht për mbrojtjen e ofruar ndaj pakicës së krishterë në këto rrethana të frikshme.

Ky njeri quhet Reşat Mater, i lindur në Shkup në vitin 1911, dhe në ditët e këtyre ngjarjeve të tmerrshme, ishte kapiten i Forcave Ajrore Turke (me detyrën Shefi i Shtabit i Komandës së Shkollave të Aviacionit).

Familja Mater jetonte në një shtëpi trekatëshe prej druri në Muhasebeciler Sokağı, në lagjen Cevizlik, zonë që gjendej ngjitur me İstanbul Caddesi në Bakırköy, pikërisht në vendin ku do të shpërthenin sulmet dhe plaçkitjet ndaj të krishterëve.

Plaçkitësit që patën synuar të hynin në këtë lagje do të gjenin ushtarakun Reşat Mater si pengesë të pakalueshme për realizimin e planit të tyre sidoqoftë.

Ky ushtarak i lartë i forcave ajrore turke, fatmirësisht pati qëlluar të ishte me leje atë javë dhe kish ardhur në Stamboll për të ndejtur me familjen e tij.

Reşat Mater, kur pati dëgjuar për plaçkitjet e dhunshme, menjëherë do të dilte vetë jashtë për të mbrojtur fqinjët e tij grekë dhe armenë, veshur me uniformë dhe armë në dorë, e kur burrat e lagjes së tij do ta shihnin ushtarakun në rrugë, patën vrapuar bashkërisht për ta ndihmuar atë me mjete rrethanore mbrojtëse në duar.

Papritmas ngrihet një barrikadë në hyrje të rrugës kundër mësymësve, e ndërkaq Mater i kish marrë në mbrojtje fqinjët e tij grekë dhe armenë brenda në shtëpinë e tij dhe plaçkitësit e ardhur në lagje qenë habitur së tepërmi duke gjetur një ushtarak të armatosur përballë tyre.

Grupet e ndërsyera me njerëz të dhunshëm do të detyroheshin të ktheheshin mbrapsht rrjedhimisht dhe atë natë, falë Reşat Mater, asnjë shtëpi apo dyqan i vetëm në pronësi të pakicave të krishtera nuk do të dëmtohej në lagjen Cevizlik, që përbëhet nga gjashtë rrugë.

Mater do të bëjë shumë emër me kalimin e viteve në ushtri dhe katër vite pas këtyre ngjarjeve, ai do të gradohej gjeneral brigade duke u emëruar në Komandën e 3-të të Forcave Ajrore.

Ai gjithashtu do të  shërbente si Shef i Logjistikës së Shtabit të Përgjithshëm me gradën Gjeneral Major. Më pas gradohet gjeneral në 1967. Një vit më vonë, ai bëhet edhe Komandant i Forcave Ajrore në vitet 1968-1969.

Thënë ndryshe, ai do të bëhet ushtarku i tretë për nga rëndësia në Ushtrinë Turke.

Mater ndërron jetë më 22 qershor 1989 dhe djali i tij, Tayfun Mater, i cili ishte gjashtë vjeç në kohën e ngjarjeve tragjike në fjalë, ende mban lidhje dhe takohet me fëmijët e fqinjëve të tij grekë që patën emigruar në Greqi pas kësaj dhune.

Përveç respektit dhe vlerësimit për qëndrimin heroik të këtij njeriu, ajo që bie në sy është padyshim origjina e tij nga Shkupi, që jo rastësisht është edhe vendlindja e tij.

Reşat Mater vjen nga një famlije e madhe shkupiane, ku bëjnë pjesë edhe myftiu i Shkupit Ali Durak Efendi dhe Guvernatori i Jemenit Mehmet Mefahir Bey.

Në Stamboll ai studion në Akademinë Ushtarake dhe Shkollën e Artilerisë, krahas Shkollës së Aviacionit në vitet 1930, ndërsa bashkëshortja e tij është Meliha Mater, sërish me origjinë nga një derë e fisme nga Shkupi, me mbiemrat Vardarlılar dhe Vardar, ku bëjnë pjesë pinjollë të njohur si deputetë të parlamentit turk, gazetarë, mjekë të famshëm, ushtarakë të lartë, biznesmenë e shkrimtarë.

Siç shihet nga biografia dhe nga origjina e familjes së Reşat Mater, Shkupi është vendlindja e njeriut që pati shpëtuar me vetëmohim fqinjët e tij të krishterë në valën e dhunës kundër kësaj pakice me rrënjë mijëravjeçare në Stamboll, gjatë ditëve të Pogromit famëkeq ndaj tyre, por gjithashtu Shkupi është origjina e familjes së bashkëshortes së tij, dhe ky fakt dëshmon edhe më tepër rrënjët shqiptare të këtij heroi që vijon të kujtohet me respekt në Turqi e jashtë saj, për gjestin e tij guximtar, në një kohë kur shumëkush nuk pati lëvizur as gishtin për të ndihmuar këta njerëz të përndjekur.

Për këtë shkak Reşat Mater meriton edhe të njihet nga lexuesit shqiptarë. / KultPlus.com

Dy Pjetër Bogdanët e mesjetës së arbërorëve dhe bullgarëve

Figura e Pjetër Bogdanit tashmë është e shtjelluar, vlerësuar, studiuar dhe hulumtuar gjerësisht në letërsinë dhe historiografinë shqiptare, duke i dhënë këtij kolosi gjenial të paepur të mendimit, shkrimit, fesë dhe kryeneçësisë shqiptare, vendin e merituar në panteonin e viganëve të kombit dhe gjuhës tonë.

Ndërkaq, ajo që pakkush di është se thuajse paralelisht, në Bullgarinë mesjetare, njëlloj të pllakosur nga zgjedha osmane, pati jetuar, vepruar, shkruar, shërbyer Hyun dhe ngritur krye ndaj pushtuesit turk, një tjetër personazh i shquar me të njëjtin emër dhe mbiemër, pikërisht Petar Bogdan (Bakshev).

Do të ishte pikërisht kjo e ashtuquajtur “rastësi” që prej kohësh më nxiste të mësoja më tepër për këtë njeri, i cili njëherësh me Pjetër Bogdanin shqiptar, pati përshkuar një trajektore jetësore të ngjashme në mënyrë të pabesueshme me autorin e Çetës së Pofetëve dhe njeriun që i ngriti shqiptarët kundër turqve, duke u ndalur veç nga rrethanat në këtë sipërmarrje heroike.

Kush është Petar Bogdan (Bakshev) i bullgarëve ndërkaq?

I lindur në vitin 1601 në ngulimin e rëndësishëm të quajtur Çiprovci, në Bullgarinë veriperëndimore, Petar Bogdan do të shkojë në amëshim në vitin 1674, pas një jete të mbushur me vepra madhore, kushtuar fesë, atdheut dhe shkrimit të historisë.

Petar Bogdan është në fakt historiani i parë i Bullgarisë, dhe ky cilësim i detyrohet faktit që vepra e tij “Historia e Bullgarisë”, e shkruar në latinisht me titullin “De antiquitate Paterni soli, et de rebus Bulgaricis ad suos Compatriotas” (Mbi lashtësinë e atdheut dhe veprat e bullgarëve për bashkatdhtarët e tyre), që do të shkruhej prej tij në vitin 1667, duke qenë e para syresh e shkruar nga dikush në këtë këndvështrim që i kushtohet historisë së këtij populli dhe këtij vendi.

Ky personazh sakaq nuk do të jetë thjesht një historian i përkushtuar dhe tejet i ditur, por gjithashtu një klerik i palodhur, që ndërkaq do të bëhet arqipeshkv i arqipeshkvisë së Sofjes, të saposhpallur si të këtillë nga Papa Urbani II (ku mbas tij, disa shqiptarë do të kryenin funksionin e lartë fetar të ipeshkvit, Nikolla Engjëll Radovani, Benedikt Cucuri, Jozef Rodovani dhe Gjergj Engjëll Radovani, siç kam hasur gjatë hulumtimeve të mia mbi me këtë temë).

Veprimtaria e shumanshme e Petar Bogdan, kurorëzohet sakaq me përpjekjet e tij vetëmohuese për çlirimin e trojeve bullgare nga turqit, duke qenë nismëtar dhe mendimtar i Kryengritjes së famshme të Çiprovcit (nga marsi në tetorin e vitit 1688), që ndonëse do të shpërthente disa vite mbas vdekjes së tij, ishte organizuar në terren, shpirtërisht dhe në fushën diplomatike, pikërisht prej këtij njeriu.

Përveç dëshmive mbi periudhën kohore kur patën jetuar dhe bëmat tepër të ngjashme të këtyre dy personazheve kaq shëmbëlltyrë të njëri-tjetrit, jo vetëm në emër, por edhe në veprimtarinë e tyre që ka lënë gjurmë të thella në vetëdijen popullore të shqiptarëve dhe bullgarëve, çfarë i bashkon tjetër këta dy njerëz të shquar vallë?

Pikësëpari, Pjetër Bogdani dhe Petar Bogdan, të dy do të studiojnë në Ankona të Italisë, shqiptari në Kolegjin e Loretos, ndërsa bullgari në manastirin e Shën Françeskut.

Së dyti, dhe më e rëndësishmja, Pjetër Bogdani shqiptar, do të dërgohet nga ungji i tij, Andrea Bogdani, të studionte qysh në moshë të njomë pikërisht në kolegjin e Françeskanëve në Çiprovci të Bullgarisë, domethënë në vendlindjen e Petar Bogdan Bakshev.

Nëse shikojmë me vëmendje biografitë dhe rrugëtimin jetësor të dy Pjetër Bogdanëve, atëherë vërejmë se me shumë mundësi, Pjetër Bogdani shqiptar do të frekuentojë kolegjin e Françeskanëve në Çiprovci, diku rreth viteve 1640, ose 1641, përpara se më 1642 të shkonte në Romë, gjithmonë me shtysë të ungjit, Andrea Bogdanit, rreth moshës shtatëmbëdhjetë vjeçare.

Ndërkohë, dimë se Petar Bogdan Bakshev në këtë kohë ndodhet pikërisht në Çiprovci, pasi në vitin 1640 i ka raportuar papës për gjendjen në trojet bullgare dhe në vitin 1641, do të pasojë të ndjerin Ilia Marinov si Ipeshkv Katolik i Sofjes.

Kjo do të thotë se janë të forta gjasat që dy Pjetër Bogdanët të paktën kanë qenë në të njëjtin vend, pra në Çiprovci, atje ku për shumë kohë do të ndodhej selia e Arqipeshkvisë së Sofjes, siç do të vijojë gjer mbas shtypjes mizore nga turqit të Kryengritjes së Çiprovcit, kur selia më vonë do të shpërngulej në Plovdiv.

Mund të hamendësojmë gjithsesi se dy Pjetër Bogdanët fare mirë mund të jenë njohur edhe drejtpërdrejt gjithashtu, meqenëse shqiptari syresh patjetër do të ishte marrë në përkujdesje nga kleriku dhe njeriu më i rëndësishëm në Çiprovci, domethënë nga Petar Bogdan, duke ardhur nga larg, dhe duke qenë nip i klerikut të njohur Andrea Bogdani (armik i pashoq i serbëve, siç cilësohet ai nga historianët serbë), arqipeshkv i Shkupit, administrator apostolik i Ohrit, autor i të parës gramatikë të gjuhës shqipe, ndonëse tashmë të humbur, që njëkohësisht është edhe thuajse bashkëmoshatar me Petar Bogdan Bakshev (i lindur në 1600, ndërsa bullgari në 1601).

Në mbështetje të këtij hamendësimi fort të arsyeshëm, na vjen edhe fakti se vajtja e Pjetër Bogdanit për të studiuar në Çiprovci, pati ndodhur me nismë të Andrea Bogdanit, duke dëshmuar një njohje të thellë të këtij ngulimi dhe vlerave kulturore e fetare që harliseshin atje në këtë periudhë, nga ana e ungjit të tij, i cili gjithaq mund të ketë pasur njohje me Petar Bogdan bullgar.

Deri këtu flasim për ngjashmëritë në veprën jetësore, mënjanë emrit, formimin e njëjtë dhe mbase gjithashtu edhe takimin mes dy Pjetër Bogdanëve shqiptaro-bullgarë të shekullit XVII, kurse tashmë këtë thellim do ta shpiem edhe më tutje.

Kjo trevë katolike e Bullgarisë mesjetare, qe përbërë nga katër ngulime kryesore, ku përveç Çiprovcit bënin pjesë edhe Zhelezna, Klisura dhe Kopilovci.

Të katër këto ngulime katolike në Bullgarinë ortodokse gjatë sundimit osman, ia detyrojnë rrënjët e tyre minierave të ndryshme, dhe burimet historike thonë se banorët e tyre patën qenë kryesisht minatorë saksonë (si në Novobërdë apo Janjevë në Kosovë), por edhe tregtarë raguzanë, të cilëve u qenë bashkuar ndërkaq edhe shqiptarët, ose arbërorët e mesjetës.

Prania e shqiptarëve katolikë është e dokumentuar dhe e dëshmuar gjerësisht nga shumë burime dhe historianë të kohës, por ngushtohet kryesisht veç në ngulimin e njohur Kopilovci, për të cilin të dhënat janë mirëfilli të shumta.

Vetë Petar Bogdan, jep këtë përshkrim për ngulimin e banuar nga shqiptarët katolikë të Kopilovcit, në një raport të dërguar për papën mbi arqipeshkvinë e tij, të datës 17 shkurt 1647: “Frymët e katolikëve për t’u kunguar në anën e Kopilovcit (Copilouaz) janë më tepër se 1200, ndërsa fëmijët rreth 300, kurse me origjinë ata janë shqiptarë të vjetër (ad antiquis della Natione Albanesi), dhe gjer në ditët e sotme akoma flasin gjuhën shqipe (lingua Albanese)”.

Mbas 11 viteve, Petar Bogdan përsëri flet për Kopilovcin: “Numri i katolikëve i kalon 1500 frymët e të dyja gjinive dhe të gjitha moshave… Ndër ta, shumica dërrmuese janë shqiptarë nga kombësia apo thënë ndryshe, epirotë ((natione Albanensos, seu Epirotae), që kanë ardhur në kohë të vjetra nga Epiri në këtë ngulim, prandaj akoma ata ruajnë gjuhën epirote”.

Petar Bogdan shton gjithashtu që thuajse tërë shqiptarët (arbërorët) e Kopilovcit janë tregtarë, dhe që ndërkaq në këtë ngulim qenë vendosur edhe ortodoksë, sigurisht shqiptarë të kësaj feje, të cilët paskëtaj ishin kthyer në katolikë.

Me rëndësi të veçantë ndërkohë, është përshkrimi që bën ipeshkvi katolik bullgar Filip Stanislavov, jo vetëm për Kopilovcin, por edhe gjithë ngulimet e tjera katolike të kësaj treve, në vitin 1660:

“Në Mizinë e Epërme, që sot quhet Bullgari, ndodhen katër ngulime të mëdhaja, që gjenden në largësi të vogla njëri nga tjetri, dhe bëhet fjalë për Çiprovcin, Kopilovcin, Zheleznën dhe Klisurën. Kur turqit patën pushtuar Maqedoninë, Morenë dhe Epirin, shumë shqiptarë për nga kombësia, gjuha e të cilëve është krejtësisht e ndryshme nga gjuhët e sllavëve dhe të bullgarëve, do të shpërnguleshin nga trojet pranë Mesdheut duke synuar të gjenin strehë në malin Hemus, ku patën ndërtuar vendbanimet e tyre në katër ngulimet e mësipërme dhe duke thirrur priftërinjtë shqiptarë të ritit latin. Këto ngulime, janë vizituar disa herë nga ipeshkvët e Tivarit, ose nga vikarët e tyre me kalimin e viteve, atëherë kur nuk kish ipeshkv as në Nikopol, as në Sofje. Në ditët e sotme në këto vende ka banorë, pasues të këtyre shqiptarëve, që e kanë ruajtur gjuhën shqipe”.

Praninë e këtyre shqiptarëve në trojet bullgare do ta dëshmonte edhe arqipeshkvi i Tivarit, shqiptari Pjetër Mazreku, kur thotë në vitin 1626 se një pjesë e katolikëve në Bullgari janë pikërisht shqiptarë, mënjanë saksonëve, paulicianëve dhe bogomilëve.

Në Kryengritjen e Çiprovcit, shqiptarët katolikë të Kopilovcit, ngrenë në këmbë plot 500 burra kundër turqve, dhe ky ngulim, ashtu si edhe tre ngulimet e tjera katolike përreth, do të braktiset nga banorët, si pasojë e shtypjes së kryengritjes nga osmanët, duke u rrënuar rrafsh me tokën.

Ajo që ka rëndësi thelbësore veçanërisht nga përshkrimi që u bën ipeshkvi Stanislavov këtyre katër ngulimeve, është se përveç Kopilovcit, edhe tre ngulimet e tjera kanë qenë të banuara nga shqiptarët katolikë, ndonëse në bashkëjetesë me saksonët, raguzanët e katolikë të tjerë.

Që domethënë se mbase vetë Petar Bogdan mund të ketë pasur gjithashtu rrënjë arbërore, duke bërë që përkitjet e pabesueshme midis jetës dhe veprës (mënjanë emrit) të tij, me Pjetër Bogdanin shqiptar, të marrin kuptimin më të epërm, duke shtuar edhe elementin kyç të origjinës së njëjtë, pikërisht shqiptare/arbërore.

Ashtu siç kockat e Pjetër Bogdanit, siç tregon nipi i tij, Gjoni, do të zhvarroseshin duke iu hedhur qenve nga turqit dhe tartarët, kisha e madhe e Shën Mërisë ku preheshin eshtrat e Petar Bogdan në Çiprovci, do të rrafshohej pamëshirshëm nga turqit, pas shtypjes së kryengritjes së banorëve të këtyre katër ngulimeve kryesisht shqiptare katolike.

Vetëm në vitet 1980 të shekullit të kaluar, gjatë kërkimeve arkeologjike në rrënojat e kësaj kishe do të gjendeshin eshtrat e arqipeshkvit Petar Bogdan, bashkë me eshtrat e disa klerikëve të tjerë.

Pikëtakimet e këtyre dy njerëzve të mëdhenj që ia patën kushtuar jetën dhe veprën e tyre fesë, atdheut, shkrimit, historisë dhe luftës ndaj pushtuesit turk, janë aq të shumta, saqë emri i përbashkët ndoshta përbën rastësinë më të saktë të përfytyrueshme, sikur vetë Hyu të kish dashur t’i pagëzonte njëlloj, duke i bashkuar edhe në emër, për t’i njësuar përmes bëmave të tyre të pashlyeshme për historinë mesjetare të shqiptarëve dhe bullgarëve.

Petar Bogdan Bakshev mbase edhe gjaku shqiptar e bashkonte me Pjetër Bogdanin./ KultPlus.com

Hulumtoi dhe përgatiti:

ELVI SIDHERI