‘Mbrëmë ra shi, trupin ta përshkuan, pikat e tij’

Poezi nga Fitim Majkovci

mbrëmë ra shi
trupin ta përshkuan, pikat e tij
nga këmba në gjoks
deri tek koka të arrinë
të paktën dy pika ta shijuan njerëzinë.
mbrëmë ra shi
e me shiun ike dhe ti
në furinë e stuhishme, amshimi t’u bë shtëpi.
dy pika nga lart bien
të tretën e hedh ti
as lot, as vaj, vetëm buzë që ngrijnë
pse ike nuk pyes
pse s’qëndrove mbaj mëri.
marri, ç’ndjenjë e hipokrizi
në mesin e turmës
më e mira ti,
një rrebesh që s’kryhet
e tmerrshme kjo stuhi,
në shiun që ra dje
amshimin e bëre shtëpi.
sot doli dielli,
një ditë e re nisi
pak përmbi re, fytyrë jotja qeshi
bota s’të pranoi,
paqen tënde s’e deshi!
në zjarrminë e saj, gjithçka mbetet njësoj
secili soj në trajtë të njëjtë jeton
e fryma që ndryshe u morr
me shiun dje shkoi.
mbrëmë ra shi
mbi trupin tënd, dy pikat e tij
mbi pika shiu, lot i ç’njerëzisë
ata që të shanë, të shkruajnë poezi
marri, ç’ndjenjë e hipokrizi
në mesin e turmës
më e mira ti,
një rrebesh që s’kryhet
e tmerrshme kjo stuhi,
në shiun që ra dje
amshimin e bëre shtëpi.
e sot? rilinde mbinjeri. / KultPlus.com

‘Ky vend, të përdhunon për ditë, pa pushim n’çdo lloj mënyre’

Nga Fitim Majkovci

Çdo mëngjes si t’qohesh ki me u dhunu prej ktij vendi!!

Faturat që t’vijnë te dera si listë dëshirash për babadimrin t’duhet me i zgjedhë cilat me i pagu sot e cilat me i shty për mujin tjetër se rroga nuk të del me i përballu krejt shpenzimet, ti nënpaguhesh e të duhet me duru edhe të padinjitetshmen prej shefit, se s’ki zgjidhje tjetër mbijetese.

– Kur t’del prej dere takohesh me kojshinë që çdo natë i bërtet grusë t’vet pse s’ka gatu edhe ta përplas para kamve kesen e bërllogut tu e kru gjyksin me lesh e tu t’pa shtrembt pse po ja lshon sytë.

Rrugës i sheh dy polic tu ndalë çika për mos vendosje t’maskës ama kshtu’ ja’u lypin veç instagramin.

Pak ma tutje krejt çka ninë prej dy djemve t’ri 17-18 vjeç osht qysh e kishin “asish” njanën që asht kah gutet me nxanë 3-shin.

E pak pa mbrri n’punë nji nanë i bërtet çikës t’vet pse u rrxu se ajo ke shumë nxanë tu ba selfie n’shesh e krejt afër oborrit të shkollës i ninë nxansat’ tu u dertu para testit se mësusi ju ka thanë që ka me i ngelë se nuk ka vakt me i pytë ka 3 herë.

Këtu të dhunon prindi, të dhunon shefi, të dhunon kojshia, të dhunon nji i ri me lugë t’kafes n’gojë, t’dhunon mësusi e të dhunon krejt aparati i kalbun shtetnor që ndërrohet çdo dy vjet.

Ky vend, nuk t’jep kurrfarë ndjenje tjetër pos dëshirës me ikë prej ktuhi, me u zhdukë, se qëtu s’rritet as fmija, as shpresa, as vullneti, kurgja hiç.

I njëjti vend, ta vnon në dyshim secilën ndjenjë njerëzore që e ki përmrena teje se çka n’dreq mundesh me kriju këtu pos ndjenjës së neverisë n’secilin hap që e shkel se as jetesë të dinjitetshme s’të le me bo.

Ky vend, të përdhunon për ditë, pa pushim n’çdo lloj mënyre, ta fyen intelegjencën, të zh’burrënon e të bon me lujtë mendsh.

(Shkrimi është marrë i plotë nga Majkovci pa ndërhyrje nga redaksia.) / KultPlus.com