Ëndrra: kaosi i vlefshëm

Nga Ibrahim Berisha

Ti mund të takosh një polak dhe të bëhet se gjykon drejt nëse mendon se ke takuar një katolik të devotshëm. Kur takon një birmanez mund të gjykosh drejt se ke takuar një budist po të devotshëm. Kur takon një grek ti gjykon drejt se ke takuar një ortodoks të devotshëm, kur takon një arab të bëhet se gjykon drejt se ke takuar një mysliman, por kur takon një shqiptar, ti mund të pretendosh vetëm se ke takuar një besimtar të devotshëm. Madje jo sall mysliman, katolik apo ortodoks.

Edhe mund ta ketë mirë, kur thotë, Karl Shmit, teorik politik gjerman, konservator: Unë jam një idealist. Nuk e di ku po shkoj, por jam në rrugë. A kishte gabuar rrugën, Karl? Biografët nuk e gjykojnë, por as ai nuk e gjykon veten, pse kishte besuar, mund edhe gabueshëm, në ideologjinë fashiste. Prandaj e thotë thjesht: Unë jam një idealist.

A është e mjaftueshme të jesh idealist? Nuk jemi njerëz që mund të pranojmë konfliktin me primesa mistike, thënë thjesht, as që ato t’i mundim, shkruan Vajt. Nëse ndodh që një individ e ka kandrrën e gërryerjes së përhershme, të motivuar pavarësisht nga lloji i primesave ideologjike, kjo mund edhe të pranohet, së paku, si arsye. Por, kur një mendim dhe veprim turbo bëhet subkolektiv, pavarësisht nga lloji, atëherë  çfarë do të thotë ai? Ai e prekë shkasin. Arsyeja apo shkasi, në këtë rast, janë iluzione? Apo të dyja ngapak janë iluzione? Ndërsa njeriu pa iluzione, cili do të ishte? Ka mundësi kjo të jetë, atë që e thotë Volteri, nëse njerëzve do t’u marrim iluzionet, cila kënaqësi do t’u mbetej atëherë?

  …

Nëse Franca është një shembull i shtetit komb (francez) apo kombit shtet (Francë), pra identifikim i plotë i nacionit me shtetin, Greqia, Rusia dhe Serbia janë identifikim ekstrem i ortodoksisë me shtetin. Më mirë thënë, identifikim ekstrem i shtetit me ortodoksinë.  Përkatësisht, ideologjia është vetë shteti. Miti për ideologjinë megaortodokse është vetë shteti. Nga këtu do nxjerrë edhe projektin ideologjik Megagrek dhe Megaserb që nga shek. XIX. Edhe kjo pranohet pa shumë zhurmë. Projekti i tyre vazhdon.

Por, pse fyhen kaq shumë shqiptarët për shkak të besimeve të tyre? Para shumë vjetëve, thuaja student, kisha hulumtuar prejardhjen e presionit të vazhdueshëm gjeopolitik, jo veç propagandë, për shqiptarët që i projektonin si pjesë e kulturës lindore, si “vetëdije islamike”, “fundamentalizëm islamik”, nuk  e kisha pasur shumë bindës mendimin se kjo bëhej jo për shkakun e ditës së keqe sot, por për shkakun e ditës më të keqe nesër. Bëhej për shkakun se nuk dëshirohej të ekzistonte një esencë që do të identifikonte shqiptarët, qoftë me shtetin, qoftë me kombin dhe që ai identifikim të ishte legjitim, pastaj jo vetëm për shqiptarët.

Andaj, kjo mungesë e hetuar, ishte përdorur qartë kundër vetë shqiptarëve me plot probleme jo vetëm të shkaktuara nga faktorë objektivë, por edhe nga fatkeqësi subjektive. Shqiptarët kishin më shumë besime, por asnjërin, as islamizmin, as katolicizmin dhe as ortodoksinë nuk i kishin bërë ideologji kombëtare. E kishin shtetin mjaft të vogël, por e kishin vizatuar si pjesërisht identifikim me kombin (qoftë edhe të vogël). Madje, këtë konsekuencë fare mirë e kishte dëshmuar qëndrimi moral që u mbajt gjerësisht, por jo gjithaq nga institucionet dhe kjo vërehet edhe sot.

Mund të pretendohet se e tëra kjo kishte një motiv shtesë për investuesit e krijimit të konfuzionit që dëshirojnë paqartësinë e përhershme për të trazuar këtë rajon. Në radhë të parë, edhe qeveritarët serbë në Beograd, po edhe qeveritarët rusë në Kremlin, siç u pa hapur edhe nga pranvera e sivjetme shkasin dhe qëllimin i kanë të pandryshuara.

Pse aq shpesh te shqiptarët kërkohet Tjokroamintoja? Dua të sqaroj se Tjokroamintoja  që merret si një luftëtar i shenjtë, si një themelues shpirtëror i “islamizmit politik”, thoshte se “islami është simbol nacional”. Nuk është shumë aktualizues fakti se doli një frymë e tillë identifikimi, po kaq edhe frymëzimi, në mes të një besimi dhe të një tejnacioni. Por, është kureshtja që të vërteton se ky “fundamentalist foshnjor”, që ishte indonezian dhe, ai kërkonte një ekzekutim politik shumë më të gjerë se sa ishte fryma e tij. Por, po kështu trendi i besimeve politike, nuk ishte krijuar në monoteizëm. Ishte edhe më parë.

Tashti, atje ku nuk mbërrin besimi, atje mbërrin politika. Politikës i duhen të gjithë ndikuesit socialë e kulturorë. Prandaj, ti mund të takosh një polak dhe të bëhet se gjykon drejt nëse mendon se ke takuar një katolik të devotshëm. Kur takon një birmanez mund të gjykosh drejt se ke takuar një budist po të devotshëm, kur takon një grek ti gjykon drejt se ke takuar një ortodoks të devotshëm, kur takon një arab të bëhet se gjykon drejt se ke takuar një mysliman, por kur takon një shqiptar, ti mund të pretendosh vetëm se ke takuar njërin nga besimtarët e devotshëm. Madje jo sall mysliman, katolik apo ortodoks.

Nëse ke gjykuar në të parë se ke takuar një islamist të devotshëm, atëherë nuk ke gjykuar drejt. Flas vetëm për përmasën e paragjykimit, stereotipizimit, me të cilin është ndërtuar, apo është provuar të ndërtohet opinioni karshi shqiptarëve dhe, i cili opinion i amputuar efektshëm përmes propagandës, pastaj është dëshiruar të bartet edhe në raportet më komplekse politike dhe gjeopolitike. Referohet vazhdimisht si burim ndëshkimi dhe mosbesimi qytetërues!

Prandaj, njeriu nuk duhet të brengosemi kur shohim se thyhet ajo, për të cilën e dimë se ishte vetëm iluzion, thotë Ramon Rije. Ky iluzion, në kuptimin enciklopedik na paraqitet si gjykim a pamje reflektuese, apo thënë më thjesht si lajthitje, por ushqyese me perceptime iluzore njëngjyrëshe. Ndërsa bota është ëndërr shumëngjyrëshe. Prandaj, shohim sot një kaos të vlefshëm, qoftë edhe si ëndërr, kjo pasi , referuar Zhozef Kembellit, mitet janë ëndrra publike. Por, bota është e mirë, mbi të gjitha, nëse është humane. Madje plotësisht humane. Apo qoftë edhe vetëm një aspiratë? / KultPlus.com

Përsëri: Optimizmi apo pesimizimi?

Shkruan: Ibrahim Berisha

Optimizmi nuk është as i mirë as i keq. Është edhe i mirë edhe i keq. Optimizmi i shprehur i shqiptarëve në Kosovë në fillim të shekullit XXI do parë në kontekstin e tendencës së largimit nga e kaluara trishtuese dhe jo si vizion i qartë për të ardhmen. Po, sot optimizmi për të lënë masivisht Kosovën?

Nuk ishte gjithaq befasi kur në krye të piramidës së optimizmit botëror, menjëherë mbas luftës (2000), u ngjit “populli” i Kosovës. Cili ishte ky “popull”? Një popull, të cilit po i hapej dritarja e plotë e lirisë së shpresuar, kësaj mungese të përhershme. Por, kuptohet se edhe atëherë nuk do të thotë se e gjitha ishte një vlerësim i përpiktë, apo se të gjithë e kuptonin se çfarë do të thoshte optimizmi dhe çfarë pesimizmi. Apo e tëra ishte vetëm një lojë përqindjesh bërë nga hulumtues e metodologjistë, siç bëhet shpesh me nxjerrjen e rezultateve të vlerësimit të opinionit sipas trendit. Rezultati atëherë u përpi nga shumica “entuziaste” si një realitet frymëzues që korrespondonte aktivisht me të ardhmen “më të bukur në këtë rruzull”. Mbas pak vitesh, populli më optimist i botës, ia lëshoi vendin një lideri tjetër dhe ra në të dytin vend duke befasuar edhe të gjithë ata që dinë çfarë është habia, sepse ende provonte krenarinë post-robëri, çlirimin edhe më shumë, dimension ky ekzistencial. Thënë shkurt: nuk kishte shumë faktorë që e bënin një shqiptar në Kosovë të jetë më optimist se një amerikan, një gjerman apo një japonez, madje as menjëherë mbas luftës dhe nuk ka as sot njëzetë e sa vjet mbas saj. Kuptohet, sociometria e amerikanit për optimizmin është diç tjetër nga ajo e shqiptarit, por jo aq e ndryshkur sa të përziej kaq shumë idealitetin me realitetin.

Botëkuptimi i dikurshëm folkloriko-patriotik i njerëzve që ishin të lidhur aq shumë për vendin dhe i besonin tepër të ardhmes së tyre në te, ka ndryshuar kaq shumë. Aq sa sot nga Kosova qytetarët çdo minutë në të gjitha format provojnë të ikin nga kryet këmbët në Perëndim, Amerikë, Australi, Kanada… Çfarë do të thotë kjo? Mijëra kërkesa për vizë në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, pastaj në Ambasadën Zvicerane – këta numra tregojnë gjendjen e pritjes për të lëvizur. Do kujtuar, se trendi është i kahershëm: nga tetori 2014 deri në mars 2015, shifrat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të BE-së, Eurostat, kanë shënuar se rreth 75,000 qytetarë nga Kosova kanë migruar në BE. Optimizmi, pra, ka edhe një përbërës, dhe ai është ardhja e çastit për të ikur nga ai – edhe nga vendi. Është optimizmi specifik apo keqkuptimi i kuptimit të drejtë të fjalës për të cilën lidhet ky përcaktim?

Po, çfarë në të vërtetë është optimizmi? Ua ka sqaruar të intervistuarve dikush përpara se t’ua kërkojë përgjigjen? Të mos rrahesh, të mos burgosesh kot, të ecësh i lirë, a është kjo masë e vlerësimit për optimizmin? Natyrisht, jo. Studiuesja Lauren Berlant në librin Cruel Optimism, e përkufizion optimizmin si ambicie, edhe pritje, diçka që njeriu e dëshiron. Kjo dëshirë lehtë mund të bëhet pengesë për perspektivën e optimistit. Këto lloje të marrëdhënieve optimiste, sipas saj, në thelb nuk janë të poshtra. Ato bëhen të poshtra vetëm atëherë kur objekti që ju tërheq aktivisht kthehet në pengesë. Optimizmi mund të përjetohet si gjithçka përfshirë edhe si asgjë.

Fjala ka prejardhje nga latinishtja (optimus- më i miri). Sqarimi i këtij qëndrimi jetësor d.m.th. se optimisti sheh me sy të mirë gjithçka që ndodh përreth tij dhe lidhur me të. I sheh dhe i konsumon të gjitha me syzet më të mira. Por, filozofët kanë ecur më tej duke kërkuar zvogëlimin e dhimbjes në botëkuptimin se struktura e jetës është në esencën e saj e mirë. Kundrejt tyre, filozofi Niçe shkruan se optimizmi psikologjik është “belbëzim i cekët”, është “shenjë e shkatërrimit”. A është vërtetë optimizmi i pabazuar “belbëzim i cekët” apo “shenjë e shkatërrimit”? Shenjë e shkatërrimit gjithsesi, se të shikosh me optimizëm dhe të shkosh poshtë, kjo është e keqe. Ende më e keqe është kur ti e sheh se shkon teposhtë dhe ata në sociograme të thonë, jo, ti nuk je në rregull, se nuk shkon poshtë, por po ngrihesh, ne e shohim ngritjen tënde të rrufeshme, madje je i pari ndër më të parët! Dhe mbahu se kështu është mirë- ti je optimist, je më i miri, në fakt. Këtu duket është problemi i kënaqjes së blerë me pak iluzion.

Se, optimizmi do të bie në mënyrë drastike në popullin lider optimist kjo nuk do të jetë befasi. Befasia është se çfarë do ta zëvendësojë optimizmin e popullit lider. Kontradiktat për optimizmin ishin thënë që më 2004, kur: « Afro 33 % të njerëzve (në Kosovë) mendojnë se gjatë 6 muajve të ardhshëm, situata ekonomike e familjeve të tyre do të përkeqësohet, ndërsa vetëm 10% mendojnë se situata e tyre ekonomike do të përmirësohet. Vetëm 3 % të respondentëve mendojnë se mundësitë aktuale për punësim janë të kënaqshme, ndërsa 79 % mendojnë se ato nuk janë të kënaqshme ». Kjo është e mjaftueshme për të definuar dimensionin antropologjik të optimizmit shqiptar-kosovar. Nuk ka mundësi përcaktimi, nuk ka alternativë, ka vetëm një trend. Pritje për të ndryshuar, por si e çka? Pa ndonjë shenjë se diç shpejt mund të ndryshojë dhe e tëra në një çast të kthehet në pesimizëm dhe pesimizmi ka mbas revoltë dhe revolta ka mbas pasojën dhe pasoja ka mbas sërish objektin e fundit-optimizmin fatkeq. Por, çfarë ka ndodhur ndërkohë. Në hulumtimin e fundme 2007 lidhur me optimizmin e popujve për vitin 2008 përpara Kosovës ishte vetëm Hong-Kongu. Në vitin 2016 “Kosova nuk është askund ndër vendet më optimiste”. Madje në vitin 2019 ka vazhduar humbja e shijes optimiste duke ia lëshuar vendin shijes pesimiste: nga 90 për qind optimist, në 56 për qind, edhe tutje vazhdoi me këtë trend.

Informacioni e përcakton besueshmërinë e gjykimit. Pikërisht qasja antropologjike e optimizmit. Po kështu, edhe shkallën e besimit dhe të vlerësimit për vetveten – çfarë je dhe çfarë dëshiron të jesh: optimist – më i miri apo pesimist – më i keqi. Sa më pak përgjegjësi të kesh për të ardhmen tënde, aq më optimist mund të jesh. Kjo është një e thjeshtë sqaruese. Duke parë nga e kaluara “populli” flet për të ardhmen. Jemi më mirë seç kemi qenë dhe vetë ky krahasim, i bënë të trishtohen po menduan se bëhet më keq, d.m.th.se bëhet më keq se tani. E kur më keq dihet çfarë mund të jetë, kurrsesi as nuk mund e paramendojnë.

Prandaj, mund të jetë një nga përgjigjet: Optimizmi nuk është as i mirë as i keq. Është edhe i mirë edhe i keq. Optimizmi i shprehur i shqiptarëve në Kosovë në fillim të shekullit XXI do parë në kontekstin e tendencës së largimit nga e kaluara trishtuese dhe jo si vizion i qartë për të ardhmen. Madje do parë si konfuzion idesh dhe ndjenjash për të ardhmen. Një ndrojtje më shumë, se sa heqje dorë për të marrë gjithë përgjegjësinë e plotë për veten. Është vështirë të sqarohet dimensioni politik, qytetar, antropologjik etj. i mos-optimizmit pasues, përkatësisht i lëvizjes kaq drastike, rënie kjo nga lartë-poshtë. Pse të jesh realist a pesimist? Pesimisti shikon nga dritarja e së sotmes të ardhmen (ky është populli pesimist i edhe i së ardhmes së Kosovës). Optimisti e shikon nga e nesërme të kaluarën. Nuk çanë shumë krye për të ardhmen (ky duket është populli optimist i djeshëm i Kosovës) që po do t’ia lë vendin “popullit realist“, i cili të ardhmen edhe e koncepton si përgjegjësi të plotë për vetëveten. / KultPlus.com

Zoja: Dreqi nuk na ha

Tregim nga Ibrahim Berisha

Ke përhap’ rrëfimi i Zogut më herët, kanë dal’ do kërpudha fort të bukura në strehë e bark mali në lindje të Prishtinës.

Mbi dushkun e tharë kanë shpërthy’ e nën myshkun e butë e të lëngshëm janë fshehë bishtat e tyre të pacënueshëm.

Unë, Zoja dhe Keli, me shtatë tetor, dolëm për me tubu’ barkkuqe, ose thënë ndryshe, kërpudha të njeriut.

Ecim unë dhe Zoja dhe Keli, nëpër do rrape të këqija, me qeset e najlonit, unë në xhepa të pantallonave, Zoja nën xhemperin e zi, e Keli në fëshfaren që nuk e lëshon nga dora.

Ecim pa fol’, po mbush’ frymë, në ankth, deri në arrëz të fytit. Frymë që kurrë nuk të ligështon plotësisht, përkundrazi, të jep pak forcë dhe të shtyn mos të ndalesh në kërkimin e kërpudhave të dobishme për qenien me zhvillim më të lartë, njeriun.

Ushqejnë, shërojnë dhe helmojnë, flet përgjumshëm Keli, shtrirë në dushk mbas tre orë kërkim. Më mirë mos ta gjejmë asnjë.

Të frikshme, por ma kujtojnë si çadrën, e plotëson Zoja.

Po frika, pse, i trimëroj.

Kërpudhat e njeriut, a janë, cilat janë, më bezdis prapë Zoja.

Thënë shkurt: Janë si si çadra e Merlin Monros, e dini si duket ajo?

Nuk flet më. Ajo mendon se e përbuz, por unë kam mendjen e pakthyeshme në si çadrën e Merlinit.

Në filmin para vdekjes, Merlin mban atë çadër, kur shiu mundohet ta mbulojë e ajo sado që do, nuk i ikën përmbytjes me duart e lidhura në dorëz.

Të gjitha kërpudhat janë si çadër, më bezdis sërish Keli, më pret nga mendimet e lira.

Të gjitha kërpudhat janë si çadër dhe ti mjafton t’i gjesh nëse, vërtet, i gjen ndonjëherë.

Keli ha senduçin me mish pule. Pi ujë. Shikon nga pozita ratë, qiellin e zbardhur me re. Ku të shkon mendja, si çadër?

Pa rrënjë fare, ia kthej. Janë me vija të holla nën harkun e bardhë.

Do bjerë shi, thotë Zoja.

Po të gjitha kërpudhat janë me vija të holla dhe hark të bardhë, vazhdon Keli pa ia nda shikimin qiellit.

Janë me bisht pak më të trashë se gishti i dorës, e sqaroj.

Po shumë lloje të kërpudhave janë me bisht më të trashë se gishti i dorës, flet Zoja.

Është koha, ecim prapë, kërkojmë ngado.

Me tema bisede të pakryera ecim nëpër mal. Kërkojmë kërpudha.

Më në fund, shkoi dita, flet mërzitur Zoja. Nuk e duroj ditën boshe.

Më mirë bosh se të mos kthehemi fare. Erdh çasti të them: E mira, kthehemi!

Duarthatë, flet lënduar Keli. Shkuam kot ditën e shtunë. Shikon Zojën i zhgënjyer.

Zoja ka një ide befasuese: Blejmë kërpudha në marketin Ama.

Keli nuk thotë as po as jo.

Fjalë goje, mendoj.

E vërteta, nuk si e pse. Por u përhapë befas rrëfimi i Zogut, kanë dal’ do kërpudha fort të bukura në strehë e bark mali në lindje të Prishtinës.

Ndodhi sot, me shtatë tetor. Dolëm unë, Zoja dhe Keli, gjithë ditën kërkuam, por nuk gjetëm një barkkuqe, një të vetme kërpudhë njeriu. Kërpudha helmi kishte plot mbi dushkun e thatë e nën barin e njomë.

Në të kthyer duarthatë, shiu na rrahu për faqe.

Nuk më hiqej mendjes si çadra e Merlinit, nga pëlhura poliester, me dorëze plastike, me tetë brinjë të bëra nga fibër e fortë.

Zoja e lagur deri në palcë, kur po ndeheshim, me gishtërinjtë e mpiksur preku flokët e Kelit, tha: Ne jemi vetë kërpudha, por nuk ka kush të na kërkojë dhe as të na gjejë. Dreqi nuk na ha. / KultPlus.com

Habia

Tregim nga Ibrahim Berisha

Në bodrumin, që më vonë dy katet sipri tij do të shndërrohen në Muzeun e Revolucionit, ishin kompleti i librave të Platonit.

Duhej pritur një orë në radhë për të zënë vendin pasi të siguroje numrin lejues nga bibliotekistja Hanife. Të kaloje te skedat e shkruara kujdeshëm me makinë shkrimi Olivie.

Pastaj skedaristja Lume, me zë të plotfqishëm, në ditën e tetëmbëdhjetë, më tregon: Nuk ka më në skedë libra të Platonit.

Një erë myku mbushte sallën e leximit. Siç me sheh skedaristja me dhembshuri kur dal për të marrë frymë në holl?

Po, të shoh si fëmijë, më tha kur e pyeta pse më shikon e habitur.

Por, a nuk thoshte Sokrati se i ndershmi mbetet gjithmonë fëmijë, i përgjigjem.

Më shikon ende më e habitur.

Ti më dukesh shumë i habitur, më thotë me mirësjellje.

A nuk thoshte Sokrati se mençuria nis nga habia, i përgjigjem.

Gjitha të mirat nuk bien bashkë në një dorë, ndahen më shumë të këqija te njëra dhe më pak të mira te tjetra, pse më thotë as nuk e marr vesh.

Kur zbres, ulem në karrige, mendoj: Gjithmonë, kam mendjen, se mua më takon më shumë të arsyetoj, të provoj t’u ikë, por aq sa provoj e mundohem, bie më shumë në pashmagshmëri. Jam i mbuluar nga kuptimet që më shkaktojnë keqkuptime që s’më lënë të fle, këtë dua të them pa e fshehur. Kështu, po mundohem të kthehem te131 kuptimi i idesë që më ndjek dhe sprovës që ndesh në secilën faqe të mugët.

Sado që nuk lë përshtypje se jam plotësisht ime frymë, madje edhe bëhem i dashur porsa shoh një njeri me të cilin nuk kam pasur rast të flisja asnjëherë më parë, pra, unë arsyetoj atë që thotë edhe Dioni në arsyetimet e tij, për siraguzasit: ne jemi shumë të dashur për të huajt.

Dioni nuk thotë se ata janë të mirë, por vetem thotë: janë të dashur. Ndjejnë dashuri për gjthkënd që arsyeton, lavdërohet Dioni. Por, ai nuk e kupton se kjo dashuri me shkëlqim për të huajt, është mosbesim, pasiguri, madje, urrejtje po kaq agresive për vetveten.

Goditje e pamëshirshme kundër të pafuqishmit. Nuk dua të flas më gjatë për këtë që thotë Dioni: sirguzasit janë shumë të dashur. Thotë Dioni, kanë shumë dashuri, porse ata duhet të kenë edhe shumë urrejtje.

Mbreti Dionis kishte dyshuar pse fjalë të mira thuhen vetëm për njeriun e vdekur, kur ai nuk dëgjon më dhe kot thuren lavde të parëndësishme për të. A nuk e bëri këtë Platoni vetëm pas vdekjes së Sokratit?

Kjo zgjat një ditë, në ceremoninë e varrimit, kur të afërm e të njohur vrapojnë, duke lënë punët e tyre, për t’i bërë nderën e fundit duke parë orën për të ikur me diellin se në çfarë pike të qiellit është. Pastaj nis harresa, duke mbetur kujtesë e strukur vetëm në mendjen dhe dashurinë e më të kuptueshmëve.

Dioni këtë e di, por ai kërkon i uritur për të gjetur thesarin e habisë derisa erdhi gjykimi nga Mbreti Dionis, burri i motrës, çuditur me miqësinë e tij komplotiste me Platonin. / KultPlus.com

Ha edhe mbaje hidhërimin

Tregim nga Ibrahim Berisha

Ulen në sofër gjyshja, baba, nëna, dy motrat dhe tre vëllezërit. Rri te dera, as brenda as jashtë, hidhëruar sa nuk ngris kokën për t’i parë.

Mospërfillja këputet herë-herë nga zëri lutës i nanës: Eja ha djali im.

Jo, përgjigjem kryeposhtë.

Edhe më i hidhëruar vazhdoj: Nuk dua të ha.

Ata të gjithë më shikojnë me gojën plot pite. Edhe qeshen. Ua urrej qeshjen ironike. Edhe talljen në shikimet e tyre.

Baba nuk thotë asnjëherë: Eja, ha!

Edhe kjo më hidhëron dhe më trishton pakufishëm.

Gjyshja është më e mira, me pamjen e butë e joshëse, më thotë: Eja ha djali im!

Le thotë baba, se kur t’i kërcasin zorrët, i bien ndërmend lutjet. Por atëherë do të jenë vonë.

Jam hidhëruar dhe nuk do të ha asnjëherë, mendoj.

Nuk e përfillin hidhërimin tim.

Përse jam i hidhëruar, nuk më pyet asnjëri.

Unë jam shumë i hidhëruar, shtrihem në prag.

Vjen gjyshja, por nuk më qorton.

Më kapë përdore.

Eja ha djali im, thotë.

Jo, i them.

Pse, pyet ëmbël.

Sepse jam shumë i hidhëruar.

Mua më mundon pikëllimi i saj. Vetëm ajo më do. Pas pushimit të mundishëm, ma zgjatë dorën e vogël e të ngrohtë.

Më tërheq lehtë.

Mos harro djali im, të thotë gjyshja: Eja ha, po hidhërimin mbaje.

Edhe të ha edhe ta mbaj hidhërimin. Nuk kam forcë të zgjidh dilemën. Çfarë të bëj? / KultPlus.com

Memorizimi: Personalizimi dhe protagonizmi

Nga Ibrahim Berisha

Jo secili kujtim personal mund të bëhet histori kolektive. Po krizat e shoqërisë janë raste historike për të personalizuar të kaluarën dhe në emër të saj, për të keqpërdorur të sotmen. Edhe për të shndërruar historinë në histeri.

Protagonistët, qofshin ata dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, krijues apo vrojtues të tyre, kur dalin të komunikojnë me publikun, ndërtojnë variantin e vetdëshirueshëm, i cili domosdoshëm, rrëfimtarin e vë në rolin qendror, rreth të cilit duhet të sillet gjithçka. Një tendencë kjo e mundshme për ndryshimin e epiqendrës së ndikimit dhe rolit personal në të kaluarën, për të ndërtuar ndikimin e padiskutueshëm në të sotmen. Ndodhë kështu ndryshimi i roleve historike: personalja e përgjithshmja. Thënë me fjalët e shkrimtarit dhe aktivistit amerikan, James Baldwin, njerëzit janë të robëruar nga historia dhe historia është e robëruar nga ata. Një robëri e dyfishtë kjo që flet për pamundësinë e çlirimit nga mashtrimi i kovertuar në krenari fiktive.

Variantet e zgjedhura për “interpretim” në të tilla rrëfime pasohen me kronologjitë, të cilat përjashtojnë mundësinë për të vërtetuar dëshminë. Evokimi e pragmantizon historinë cilësore, ngase nuk mund të përballojë kriterin e vërtetësisë dokumentare. Të tilla momorime me tepër përngjajnë në miksturë proverbash, legjendash, gojëdhanash dhe afshe romantike, të cilat duan të formojnë kultin dhe mitin e rrëfimitarit apo protagonistit referencial. E kuptueshme, ndërtuesit e historive të tilla, ushqehen me copëza të vogla të të pavërtetave. Pretendohet se gjysmë të vërtetat janë mjet më se i mjafteushëm që i ofrohet publikut. Por, nga kjo nuk duhet pritur falenderimin. Në këtë kontekst, po t’i referohemi Benjamin Franklin, gjysmë e vërteta shpesh është një rrenë e madhe. Është e ditur se për të krijuar promovuar histori, shumë herë fare nuk janë të nevojshme të vërtetat, faktet, argumentat, por rrenat e mëdha dhe lakuriqe.

Kjo pamje është shumë e pranishme, e vërteta, në botimet jo vetëm mbas vitit 1999, si pretendohet shpesh. Personalizmi i historisë strukturoi përmbajtjet kryesore të promovimit dhe propagandimit të liderëve, lidërthëve, personaliteteve strukturore, madje edhe të shumë ngjarjeve “historike”. As në botimin e varianteve të zgjedhura të ngjarjeve dhe proceseve të këtyre decenieve të fundit, tregime plot këto, nuk plotësohet kriteri kritik, ai që është më themelori, në mënyrë që një rrëfim të bëhet i qëndrueshëm, mbase i besueshëm, paraprakisht duke pasur një hulumtim të plotë që mund të vërtetojë e faktojë saktësinë e të publikuares. Kështu publiku në këto vite të fundit ka lexuar e dëgjuar shumë variante për një ngjarje, duke mos mundur asesi ta përcaktojë cilësinë dhe sasinë e kontekstit të së vërtetës. Ky është grepi joshës: Pas historive të vogla a të mëdha, pasojnë fjalët, rrëfimet. Fjala komunikon një kuptim, qofë e shkruar apo e folur, por nuk dmth se ajo është një e shprehur e vërtetë. Njëjtë është edhe me domumentin, që duhet lexuar dhe kuptuar saktësisht. As të gjitha dokumentat nuk thonë të vërteta.

Edhe gjithë procesi i decenieve të fundit në Kosovë, krijoi shansin e madh ai që ka diç për të thënë apo ai që dëshiron diç të thotë, të duket në publik me variantin e historinë e interpretimit personal. Të ndodhurat personale paraqiten si ngjarje kolektive. Në këtë frymë shprehur, me mendimin e antropologutRichard Jeninks, e kaluara reflekton individualen si kujtim, ndërsa kolektiven si histori. Do kuptuar se jo secili kujtim mund bëhet histori kolektive.

Është andaj e natyrshme për publikun shqiptar vërshimi i evokimeve, dorëshkrimeve dhe dëshmive, intervistave, vetintervistave etj., të cilat inkorporojnë në mënyrë mekanike fragmente të rrëfimeve, të cilat qëndrojnë ndërmjet synimit mirëkuptues për të glorifikuar diç dhe tendencës nënçmuese për të krijuar iluzion të zgjatur qoftë për veten-autorin qoftë për ngjarjen. Në të tilla rrëfime mund të vërehet se kujtimi kolektiv duket një shfaqje që mbetet në suazat e pos-traumës personale. Ato mund të jenë edhe me përvojat e pakëndshme që nuk pranohen si reale, të ndodhura, por të riorganizuara për të arritur efektin, qoftë edhe përkohësisht. Në të tilla rrëfime, mashtrimi mbulohet me të pavërteta dhe gjysmë të vërtetat, të cilat nuk i beson as vetë subjekti rrëfyes si të vërteta të plota, ndërsa këtë nuk e beson as vetë shkruesi, i cili nuk synon vërtetësinë, por plotësimin e kërkesës së rrëfimtari-kryeprotoganistit për t’u paraqitur në dritën më të madhe. Dmth një hero i papërsëritshëm.

E pavërteta publike ka një përvojë solide. Ka pasur shumë histori të ideologjizuara, shpifje e glorifikime personazhesh, data të ndryshuara, mashtrime rrëfimtarësh, fshehje e prerje fotografishë, retushime dhe dizejnime, rishkrime CV-ish, humbje dokumetash e faktesh dhe jo pak madje edhe halucinacione. Rrëfimtarët në këto memorizime nuk paraqiten ata që ishin dhe ashtu siç ishin, me të mirat dhe të këqiat, por si figura perfekte, të pagabueshme dhe lucide. Në rrëfimet e instrumetuara fshehen të gjithë ngjarjet, proceset, të cilat nuk i ndihmojnë ndërtimit të figurës krejtësisht reale të protagonistit kryesor që ngjyroset krejt me të bardhë. Edhe kur nuk ka një “kundërshtar” ai krijohet dhe ngjyroset me më të zezën për të nxjerr pamjen e protagonistit-vetvetës krejt të bardhë. Amputimi e konspiracioni duket sikur përcjell dramën memorizuese.

Në jo pak paraqitje “publicistike” e “fejtonistike” nga protogonistë sporadikë, periferikë, po e mundshme edhe thelbësorë, nuk ofrohen fakte-dokumenta, të cilat janë të vetmit dëshmues të së vërtetës lidhur me një ngjarje, një proces a një person a personalitet. Dokumenti lë mundësinë që të përmbyten të gjitha variantet e zgjedhura të rrëfimtarëve, pavarësisht se në një periudhë krize të opinionit, ai kërkon së paku fjalë të besueshme.

Kur vërshojnë glorifikimet dhe kontrakturat mistifikuese personale, është e kutpueshme, se pason heshtja e qasjeve, shkrimeve dhe paraqiteve kritike. Mbase kështu duket të jetë më mirë, qoftë edhe përkohësisht, për t’mos shkatërruar iluzionin e të funksionuarit të paqes publike.

Paraqitjet e tilla në të parë rastësore, por në esencë të paramenduara, natyrisht për një kohë jo të shkurtër, mundësojnë amnistinë keqpërdoruese të së kaluares dhe krijojnë konfuzionin, okupimin mbase edhe burgosjen e realitetit të dikrushëm për nevoja të të sotmes. Kjo e rigjallëron historinë romantike që është shumë e pasur dhe padrejtësisht madje, e mbulon ende jo pak me pluhur historinë reale, kritike, mbetur kjo dukshëm edhe sot e kësaj dite peng i saj. A nuk e ka thënë moti këtë aq thjeshtë filozofi Fridrih Hegel: Historia ka tendencën e përsëritjes: herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë. E mundur kaq lehtë të vazhdohet të luhet një lojë e tillë humoristike? Mbase po, edhepse e pabesueshme dhe e pajustifikueshme, pikërisht për shkak të përsëritjes së historisë si farsë e krenarisë, ku e vërteta, farsë janë ata që duan të jenë historia vetë. / KultPlus.com