Jemi lodhur nga debatet politike, asnjë emision për pikturën

Nga Ilir Muharremi

Shpirti kërkon dëfrim, ahengje të ngrohta vere, sikur te impresionistët, perëndimi i diellit në prespektivë, copëza e diellit që duket si një top i kristaltë me shumë ngjyra, nga drita dhe reflektimi. Aty në horizont teksa perëndon kjo copë e vogël diamanti plot ndriçim. Unë çaloj nga kjo jetë mistike me probleme realiste që veç mendja i kalkulon e shpirti bëhet se i kupton.  “Kemi arti për të mos vdekur nga e vërteta” thoshte Friedrich  Nietzsche. Po e vërtetë. As arti nuk krijon pa të vërtetën, nuk abstenon, nuk i largohet.  Nietzsche gjithçka largon nga kjo botë, me vetë faktin që shpik mbinjeriun nga njeriu për të qenë një supernjeri. Ndjehet filozofia këtu e të jetuarit si një kufomë mbi këtë horizont artistik të kësaj copëze të diellit për të cilën shumë shkrimtarë shkruan libra, piktorë kompozuan piktura e zbuluan metoda të reja e gjithmonë të reja.

Klod Mone piktor francez, pikturoj perëndimin e diellit në pikturën e  tij që edhe lindi impresionizmi. Impresion klithi një kritik kur e vështroj pikturën në të cilën dielli ndodhet në sfond si një copë e vogël e kuqe, reflektimi vërehet në sipërfaqe të ujit, ndjehet ritmi i diellit teksa largohet për të ardh mbrëmja, sikur ai lëviz në pikturë bie gradualisht në horizont aty ku deti bashkohet me qiellin. Vërtetë piktura zgjon ndjesi, kurreshtje, ekstazë por edhe katarsis. Të gjithë në këtë univers solidarizohen me pikturën, artin, me veten e tyre, shpirtin, zgjimin e çdo klithme njerëzore që ndjehet përbrenda, se vetëm arti e shfaq, është shumë personal, intraverz për nga përshkrimi, arti dhe vetëm arti, prapë kështu klithte Nietzsche. Po, mirëpo sot arti zvogëlon kapacitetin, propagandën nëse rreshtohet te imponimi politik.

Në emisionet tona dominon politika. Politika, kindapon mendjen  çdo natë, veshët nga zhurmimi i palaçove të cilët mendojnë, analizojnë, veprat, debatet, batutat, qëndrimet e politikanëve dhe shtetit, nga subjekti dhe parimi njerëzor në rolin e njeriut të urtë dhe paqedashës, netural, mundohen të japin mendime. Emisionet i nënshtrohen akutaltetit në vend, garojnë kush më shpejt kap ndërgjegjën në fluturim të aktuales, e kush nga mysafirët ose analistët ngirtë zërin ose rrapëllon tavolinën, është më i aftë në frekuencën e lartësisë së zërit. Audienca ndjenë eufori dhe kënaqësi në polemika, zjarr, kundërshtime, rrahje, bile rrahjet bëhen brenda disa minutash të famshme.

Njeriu i etur për dhunë, kënaqësi, defrim ndjenë nga kjo. Fituesi mban stafetën nga ngritja e zërit, vështrimi i mprehtë, besimi në mosdijen e tij, informata të cekta.  Më bukur është ajo që e ndjej sesa ajo që e shkruaj. Vlera e artit dëshmon edhe më veprën e piktorit Gustav Klimt e cila u shit hiç më pak se 99 milion euro.

Nuk kemi emisone për art, veçanërisht për pikturën, vlerën e pikturës, autorët tonë vendor. Emisionet tona më shumë janë të ngarkuara me debate politike me fjalime të gjata të pakuptimta, të tepërta. Fjalime për ta humbur kohën. Çdo natë koka dhe sytë ngufaten nga debatet zhurmuese politike, analistët politik, thujase kemi lindur me politikën, jetojmë për politikën dhe vdesim politikan. Debate për artin janë vetëm një hije, ose e kundërta jemi shumë të kulturuar nuk kemi nevojë debate për artin.

Pse janë të rëndësishme debatet për artin? Me art garantohet një mbijetëse e shëndoshë. Qetësi shpirtërore, kuptim i lirë pa limite, stil në veshje, mendim konkret, rezultate shkencore të mirëfillta. Mësojmë për hijeshinë, realitete e rëndomta, tej konkretës, ndonjëherë realitetin e dhunshëm, transformimin e brendshëm të njeriut, ngacmimin e kujtesës, emocionet, rilindjen e pikturave, jetesën e artistëve, jetën dhe veprat, jeta si diçka më e rëndësishme se veprat. Psikologjinë përmes artit, terapinë si lehtësim përmes artit. Shërimin e njeriut përmes artit. Gjithçka është art, por jo çdo imtësi është vepër arti. Të mësuarit e sistemeve botërore filtrohen përmes veprave të artit. Përshembull, piktura “Hamalli” e artistit të ndjerë Muslim Mulliqi (ikonë e artit shqiptar) të flitet më shumë për rrënjën, shkakun e kësaj pikture. Hamalli personazh i trajtuar gjatë studimeve kur ishte Mulliqi në Beograd. Hamalli, zanatçinjë, njerëz të përvuajtur, figura është e pikturuar mbrapsht, sheh nga telajo në një sfond që është pak i kaltër në të bardhë. Mbrapa është gjithçka e errët e tij. Të vazhdohet për jetën e Mulliqit, në sfond të vendosën edhe pikturat e tjera për të cilët do të debatohet, të flitet sidomos për ato konceptuale të tij “Pushtimi i hapësirave të reja”. Një natyrë e tillë e emisioneve do të ndikojë në freskimin e mendjes së audiencës, njohurinë për rrënjët e artit tradicional, të mësuarit e të dalluarit të pikturës origjinale me reproduksionin, që është një fenomen negativ i shfaqur te ne sidosmos te shtresa e pasur, të cilët muret i kanë të vërshuara me reprodukime. Çka është piktura origjinale? Autorësia apo vlera e veprës? A është arti në krizë në Kosovë? Disa nga tituj grishës, të cilët do zgjonin kurreshtje për eksplorimin e thellë të artit.

Kemi nevojë më shumë për emisione për artin e pikturës sesa debate politike./KultPlus.com

Anija e dashurisë

Nga Ilir Muharremi

Barka gjigande përplaset mbi valë të detit, shkuma e valëve futet dhe nën këmbët e mia. Ndjej aromën e kripës e cila më ngulitet në mushkëri. Lëkundja e anijes është përkëdhelëse, luhatëse, duket sikur i gjithë universi merr frymë në të njëtjën kohë edhe ti me të. Rruga shkon në drejtim të hënës përmes reflektimit të dritës mbi tallaze dhe arrinë gjer në qiell. Nuk m’u morrën mendët sepse kjo është anije mbi tallazet e dashurisë. Drita në anije dobësohej, drita në fillim ishte e fortë, ishte dritë fillestare si çdo fillim i ëmbël, i pashëm, i bukur, tash është e zbehtë, mezi po i shohë yjet dhe qiellin e veshur me re. Po e rrëfej fillimin, e anijes.

Ishte plot ahengje, dehje, muzikë, jetë, si një cigan kam qenë, plot muzikë, dëfrim, i mbushur me jetë. Ah kjo anije! Violina ngulfatë dhimbjen time, lotët shterin zërin tim, tash afër meje parakalojnë shpirtrat e zbrazët sikurse gota e shterur. E nisem dashurinë si në gjysmë errësirë, jo që ishim të verbër, por i besonim pëlqimit, ndezjes dhe shkrepjes së zjarrit, ishim zjarr e dikur u bëm tym. E mbaj mend, në muzg, qielli kuqëlonte, dielli ishte minimizuar në sfond, bashkohej me detin, edhe natyra ishte e bashkuar edhe yjet vallëzonin pastaj, muzika kumbonte në kupë të qiellit, sepse unë dhe ti ishim ngjitur në katin e dytë të anijes, dhe trupat tonë puthiteshin, lëkurat u bënë një lëkurë, aromat e gjen njëra tjetrën, buzët thaheshin nga fryma që fryente atë natë, ishim të dehidruar nga dashuria. Sytë, hunda dhe forma e kokës rrumbullake e vogël, ishte ëmbëlsia ime dhe gjithmonë gjurmoja në vete përse me pëlqente një kafkë e tillë. Ndoshta se me buzët e mija e përbija gjithë kafkën tënde, dashuria është ushqim dhe sundim, luftë, gjueti duke kap prenë më të dobët se ti si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht dhe më tregoni se kush u dashurua në kulçedrën? Nga zjarri dhe shpirti i saj Don Zhuani ikën.

Dashuria jonë ishte si anije që kurrë nuk fundosej dhe nuk do të fundoset. Unë e ti gjithmonë do të kujtojmë hijet tona dhe konturet tona. Të kujtohet kurr më the që unë mund të shpërndaj dashuri për gjysmën e botës? Ishim të furnizuar me dashuri, besonim në armëpushimin tonë dhe paqen, shpesh herë integronim mentalitete të ndryshme, kjo na kushtoi në thyerjen tonë, e atëherë anija theu qetësinë absolute, hëna vërshoi dritën e mërrolur me çerpikun e saj derdhi lotin e dhimbjes, ndërsa yjet u shuan disa sekonda, kurse fryma preku faqen time sikur brisku i rrojës. Duart e mija kishin përthekuar barkun tëndë, ndjeja melodinë e zorrëve dhe kjo muzikë është pa hile sepse nga uria bën zhurmë, aty e kuptova që me dashuri i ngopë zorrët e barkut.

Ktheve kokën, preke me hundën tënde të vogël buzët e mia, sytë i mbylla, m’u shfaq një errësirë e plotë, ngeli portreti yt me fytyrë rrumbullake që ndriçonte. Buzët i shkumuam dhe tallaset u bën më të ashpra, ca stërlaka prekën gojën tonë, gjatë puthjes dashuria jonë ishte kripë e kripur si loti.

Dashuria e fortë, e përjetshme edhe në var, në të njëjtën kohë vuan sepse plotëson kërkesat e jetës për t’u fuqizuar, e ne dytë e provuam këtë, e shijuam. “Sa herë që mbyllë sytë gjatë puthjes, kujton dikë tjetër”, kështu më the nën gjithë këtë shtrëngatë natyrore. A t’i besoj apo jo? Ende nuk kam fakte për këtë.

Tregimet tona u përputhen, por më shumë shikimet dhe heshtjet. Dhimbjet më shumë na shkojnë për shtati. Të dashuruarit nuk janë si breshkat që më shekuj e vuajnë dashurinë. E vuajnë sepse e duan që dashuria as diellin dhe as hënën të mos e shikoj. Të mos kërkoj baticen dhe zbaticen sepse atë e gjen në mushkëritë, zemrën, trupin dhe shkëlqimin e syve të mij. Koha nuk ndyrshoi shumë, sepe gjurmon realitetin shekullor të shpirtit tonë. Vetëm edhe një ditë në anijen tonë mbi tallaze të kriposura. Zot, jepna disa çaste bile, ta shijomë njëjtë. / KultPlus.com

Dashuria nuk është vetëm një fjalë

Nga Ilir Muharremi

Dashuria nuk është veç një fjalë e thjeshtë që përsëritet njëjtë në letër, në këngë, por është përkëdhelje, diçka e vogël, miniaturë sidomos nën tingujt e muzikës dhe shiut apo duart kur shtrëngohen dhe buzët pucen. Është diçka e thellë, përtej çdo logjike. Duart shpesh në dashuri shtrëngohen, ose pamjet krijojnë një energji brendësie që vetëm ekzistenca në atë çast ka mundësi ta kuptoj. Dashuria është diçka hyjnore që as vet Zoti nuk e di, por edhe ai dashuron. Dashuria nuk ka nevojë të kuptohet por të ndjehet dhe në mungesë të asaj që e do ajo bëhet më e zjarrtë të gërryen përbrenda. Çdo kile të saj dashuron, kjo është dashuri. Dashuria tejkalon artin sepse arti i servilet dashurisë. Nuk është dashuria e thjeshtë si çdo shkronjë në vord ose Facebook. Shkronjat e saja nuk janë shkronja, por ekstazë, delirë, pamje, natë plot yje, buzë, seks, shtrëngim, parajsë dhe në portet e përjetësisë dashuria ka mbjellë rrënjë.

Kur trupi të dhemb dhe fytyra merr pamje tjetër, kjo është dashuria. A mund të shkruhet gjatë për dashurinë? Po, kur ajo bëhet dhembje sepse atëherë fiton fuqinë më të madhe dhe çdo gjë e rraskapitur dhe e dhembshme është më përkëdhelëse për njerëzit.

Dikush tretet në vetmi sepse dashuron e nuk e shfaq. Lufton me muret, yjet, çaste e kaluara bashkë. Ecën rrugicave dhe shijon ajrin dhe dritat sikur në çastet me të dashurën. Ai duhet ta dij se dashuria është energji e cila përçohet dhe hyn brenda muskujve dhe gjakut të secilit. Dashuria nuk është vetëm femër dhe mashkull është ajër, kafshë, mik, vëlla, motër, nënë dhe baba. Dashuria ka vetëm një identitet të veçantë: identifikon atë më të voglën. Këtu fshihet sekreti i saj. Të dashurosh nuk je humbës edhe pse nuk dashuron njeriun e duhur. Jeta më vonë tregohet e sinqertë me ty, mos u brengos.

Dashuria është tradhti sepse je i tradhtuar por edhe ti tradhton. Bëhet dhimbje dhe lutesh netëve të vona pa gjumë që kjo dhimbje të shndërrohet në borë e të shkrihet brenda natës. Lutesh që era e madhe të fryn sonte dhe të shkundë çdo fletë nga pemët dhe dhimbjet e tua të marrin të njëjtën kahje. Gjallë të mbanë një shpresë për një bukuroshe ose dashuri tjetër që ta zëvendëson këtë dashuri. Eh! Të ishte dhembja kaq e thjeshtë sa një stuhi ta largoj. Nuk është, rrënjët i ka në mendje dhe shpirt. I gjori shpirti sa heq nga mendja e dashuruar.

Dashuria bënë që ti të flasësh më gotën e mbushur të verës. Dashuria të bën pijanec dhe çdo natë ti nuk e di se për këndë dehesh. Dehesh dhe nuk e di se për çfarë. Në dehje ende më shumë e dashuron sidomos kur kujton çastin kur bashkë jeni dehur. E kupton se për ty askush tashmë nuk mërzitet vetëm kjo gotë e mbushur me verë dhe kujtim dashurie. I vetëm më gotën plot dhe vuajtjen ekstrem. Mendon se asnjëherë nuk do ta gjesh tjetrën, por dehesh që të afrohesh me të. Gabim. Jeta vendos për ty dhe çdo ditë dielli lind ndryshe. Mos u brengos.

Të tjerët nuk e kuptojnë rënkimin tënd shpirtëror. Flasin për zëvendësimin e saj, e bëjnë, e ti deshesh çdo natë. Dehja të afron më shumë me të.

Një natë dimri, acar i fortë, dehesh, dhe përkundësh mbi këmbët tua çalë, këmbë të një pijaneci tradicional si Dionisi. Groposesh në greminë duke e kërkuar vdekjen dhe bashkohesh më vdekjen. Nuk mundohesh të dalësh nga ajo greminë për të jetuar, rreth teje nuk ka gjurmë, gishtërinjtë dhe thonjtë nuk janë të baltosura,  tashmë je puthur me të dhe kurorëzuar me vdekjen, pijaneci i dashuruar dhe njeriu i mirësisë.

Charles Bukowski thotë: “Dashuria në një farë mënyre është sikur shikon një mjegull kur zgjohesh në mëngjes përpara se të dalë dielli. Shfaqet vetëm për pak kohë dhe pastaj largohet… dashuria është një mjegull që zhduket me të parin agim të realitetit.” Pastaj Ulliam Shekspir dashurinë e vendos në mendje e jo në sy, ngaqë mendja gjykon kurse syri ngopet. Fjodor Dostojevski: “Çfarë është ferri? Unë pohoj që është vuajtja e të qenit i paaftë për të dashur.” Paulo Koelo: “Dashuria është një forcë e egër. Kur mundohemi ta kontrollojmë, ajo na shkatërron. Kur mundohemi ta burgosim, ajo na skllavëron. Kur mundohemi ta kuptojmë, na lë me ndjenjën e humbjes dhe paqartësisë.” / KultPlus.com