Sot, pak orë para ngjarjes së promovimit në Harvard Faculty Club që filloi në orën 5:30, “Kosova” e Buxhovit iu dorëzua zyrtarisht Zv.Drejtoreshës së Bibliotekes së Universitetit të Harvardit, Elizabeth Kirk.
Në një diskutim të përemertë bashkë me autorin Buxhovi, botuesin Tafilaj nga Jalifat Publishing e bashkëbotuesin Abdullahu, Kirk shprehu falëmderimin më të sinqertë për pranimin e librave në fjalë.
Në vatrën më të famshme të diturisë e të kërkimeve akademike nga sot edhe historia e Kosovës në tri volumet e përkthyera e botuara në Anglisht (bashkë edhe me një kopje të librit “Maqedonia” në Anglishtë poashtu) do të jenë e çasshme për shkollarë e studentë, profesorë e hulumtues nga e gjithë bota që frekuentojnë Universitetin e Harvardit.
Imazhi i Republikës sonë të re ndërtohet më së miri përmes shkencës e fakteve, përmes përkushtimit e punës vetmohuese!
Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.
“Krenar që në universitetin tim nga ku kam magjistruar para fiks 15 viteve, kemi kaq shumë respekt e çasje!”, ka shkruar tutje Bislimi në rrjetet sociale. / KultPlus.com
(Forcat nacionaliste shqiptare nga radhët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si dhe ato të Ballit Kombëtar iu kundërvunë ripushtimit të Kosovës dhe të Maqedonisë nga partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë .- Formimi i “Shtabit Suprem Ushtarak” në Anamoravë, mbajtja e Kongresit themelues të Nacionaldemokrates Shqiptare NDSH në Tanushë të Kopilaçës dhe bartja e qendrës së lëvizjes në Shkup. – Vendimi i “Shtabit Suprem Ushtarak” për t’u tërhequr në Greqi, dobësoi krahun ushtarak të Lëvizjes, por jo edhe rezistencën e mëtutjeshme në formë të luftës guerile si dhe veprimtarinë politike të NDSH-së nën platformën për luftën për krijimin e Shqipërisë së bashkuar, demokratike dhe perëndimore).
Nga Jusuf Buxhovi
Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) 1945-1947 lindi në rrethanat dramatike nëpër të cilat po kalonte bota shqiptare në prak të përfundimit të luftës antifashiste, me ç’rast ajo u ballafaqua me sfidat ekzistenciale, të cilat i vinin në njërën anë nga raporti i forcave të luftës, ku e majta dilte fituese dhe me këtë përcaktonte edhe sistemin shoqëror mbi baza ideologjike, dhe në tjetrën nga sferat e interesit të fuqive të mëdha me të cilat Jugosllavia si shtet ruante integritetin territorial të para shkatërrimit, gjë që edhe realitetin shoqëror dhe politik shqiptar të viteve të përbashkëta (1941-1945) e kthente në gjendjen e ndarjes që ia kishte përcaktuar Konferenca e Londrës dhe konfirmuar ajo e Paqes në Paris.
Në këto rrethana bota shqiptare ndodhej dyfish e hendikepuar: e ndarë në dy shtete, ndërsa e bashkuar ideologjikisht në sferën lindore. Kjo e dyta e kthente në kthetrat sllavokomuniste me pasoja të rënda dhe të paparashikuara. Sepse, ripushtimi i Kosovës dhe viset e tjera shqiptare, që për disa vite kishin jetuar në rrethanat e një bashkimi, u lidh me terrorin shtetëror. Filloi qërimi i hesapeve me inteligjencën shqiptare, patriotët si dhe forcat tjera, që luftonin për një ardhmëri të përbashkët, demokratike dhe perëndimore. Ishte kjo një luftë me të cilën synohej rrënimi i gjithëmbarshëm i vetëdijes historike të Shqiptarëve si popull i lashtë, që i kishte takuar qytetërimit perëndimor dhe hapësirës së tij.
Duke mos u pajtuar me këtë gjendje me të cilën atyre u rrënohej qenia si popull dhe qytetërim, forcat nacionaliste shqiptare, të cilat kishin qenë të lidhura me shtetin e bashkuar shqiptar, pa marrë parasysh se në çfarë rrethanash ishte krijuar ai, duke e konsideruar atë si të drejtë që u takonte kurdoherë për të cilën duhej luftuar pareshtur, iu kishin kundërvënë ripushtimit partizan të Kosovës dhe të viseve shqiptare në Maqedoni, e me këtë edhe vendosjes së komunizmit qysh në çastet e para të largimit të ushtrisë gjermane dhe paralajmërimit të futjes së forcave partizane shqiptare dhe jugosllave ngaqë e dinin fare mirë se çfarë po i përgatitej atyre dhe Shqipërisë.
Kështu, Ushtria Shqiptare dhe forcat e tjera patriotike në kuadër të Forcave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të cilat edhe deri më atëherë vëmendjen kryesore e kishin përqendruar në mbrojtjen e vendit nga pushtimet sllavo-komuniste, ndonëse të shkapërderdhura, kishin bërë luftimet e para me partizanët jugosllavë që depërtonin nga verilindja (Presheva dhe Karadaku) dhe juglindja (Maqedonia). Ngjashëm ishte vepruar edhe në Pollo-gun e Maqedonisë (nga Shkupi, Kërçova e deri në Dibër), kur forcat nacionalliste kishin rikthyer hapësirën që deri më atëherë e mbanin të pushtuar forcat bullgare, të cilat, kishin vazhduar me terrorin kundër popullatës shqiptare. Luftimet e para do të zhvillohen në Anamoravë dhe Luginën e Preshevës në tetor të vitit 1944 për të vazhduar edhe gjatë nëntorit dhe dhjetorit, kur një pjesë e rëndësishme e forcave të shkëputura patriotike, do të bashkohen rreth frontit të përbashkët të rezistencës kombëtare. Kjo do të ndodhë në Anamoravë me formimin e “Shtabit Suprem” nën drejtimin e Adem Gllavicës, i cili mori përsipër drejtimin e luftimeve në Gjilan, Ferizaj dhe pjesët e tjera të Anamora-vës, në mënyrë që e gjitha në prill të vitit 1945 të kthehet në një lëvizje të gjerë të rezistencës kombëtare nën platformën politike të “Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila tashmë e kishte shpallur hapur luftën për një Shqipëri të bashkuar, të lirë dhe demokratike.
Andaj, nuk ishte e rastit që ideja për një organizim të përbashkët politiko-ushtarak, që do të udhëhiqte lëvizjen e rezistencës shqiptare, të vinte njëherësh nga Shkupi dhe Anamorava, ngaqë pikërisht këtyre pjesëve, krahas ndarjes Kosovë-Shqipëri në përputhje me atë që kishte sjellë Konferenca e Londrës, e Parisit e që e kishte konfirmuar ato ditë edhe Jalta, Shqiptarëve në përbërje të Ju-gosllavisë “së re e demokratike”, u vinte edhe një ndarje tjetër: nën Maqedoninë dhe nën Serbinë. Ndarja në republikat simotra shfaqej edhe më e rëndë, ngaqë ajo prekte themelet e etnisë shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore, e cila nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej kishte qenë qendër shpir-tërore dhe politike e Shqiptarëve në luftë për pavarësi kombëtare, ku Prizreni dhe Shkupi njësoj kishin ushqyer idetë e bashkimit shqiptar dhe të shtetësisë së tij. Në rrethanat e reja, Prizreni kthehej në qendër të një province (obllasti) nën Serbi, ndërsa Shkupi, qyteti më i madh shqiptar nga antikiteti, mesjeta dhe gjatë kohës së Perandorisë Osmane qendër e Vilajetit të Kosovës ku edhe kishte qenë epiqendra e zhvillimeve historike (1878-1912) që kishin sjellur pavarësinë e Shqipërisë, kthehej në qendër të shtetësisë të një kombi politikisht të formuar (Maqedonas), me detyrë që ta shuante identitetin shqiptar nga aty me anën e metodave të dhunës politike dhe shtetërore (privimi nga arsimi kombëtar, heqja gjuhës shqipe në administratë, stimulimi i emigrimit për në Turqi, sforcimi i turqishtes e të tjera) deri në shuarje të tyre fizike në të.
Si reagim ndaj kësaj gjendjeje, kur në Kosovë, Karadak dhe pjesët e tjera të Maqedonisë Perëndimore forcat patriotike nga radhët e Divizionit IV shqiptar dhe ato të Ballit Kombëtar po luftonin kundër njësive partizane dhe terrorit të tyre, në Shkup, i cili pas kapitullimit të forcave bullgare dhe larimit të atyre gjermane, për disa kohë kishte qenë në duart e ballistëve shqiptarë, gjatë muajit mars të vitit 1945, u shfaq “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila, luftës së filluar kundër ripushtimit jugosllav dhe për bashkimit shqiptar duhej t’i jepte një platformë të qartë politike. Ndaj, si e tillë, u themelua në shtëpinë e Hysniqemal Ejupit, në të cilën morën pjesë: Azem, Marana, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Hysniqemal Ejupi, Nebi Jonuzi dhe Nuredin Ibrahimi. Sipas organizatorëve, NDSH, në rrethanat e ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe ndarjes së saj midis Maqedonisë dhe Serbisë, si synim kryesor kishte bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera me shumicë shqiptare me Shqipërinë.
Që kjo të sendërtohet, NDSH dhe drejtuesit e saj u zotuan sa më shpejtë të vendosin lidhje vëllazërore me nacionalistët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët ishin të shumtë por pa një qendër drejtuese. Në kuvendin themelues, po ashtu, u tha se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ngritjes nacionale te Shqiptarët, me çka do të zgjerohet dëshira dhe vullneti i tyre për bashkim kombëtar.
Themelimi i ONDSH-së dhe programi i saj kombëtar nuk mbeti i pavërejtur. Nacionalistët shqiptarë, të cilët e kishin gjithnjë e më të qartë se pushteti popullor komunist po zhvillonte një veprimtari të hapur kundër Shqiptarëve dhe qenies së tyre, filluan t’i bashkohen asaj, veçmas pas copëtimit të hapësirës së tyre në shumë pjesë (Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës). Bie në sy se krahas nacionalistëve të devotshëm që nuk pajtoheshin me ripushtimin sllavo-komunist dhe ndarjen që sillte ai, do të jenë ish partizanë, pastaj prefektë komunash dhe të tjerë të përfshirë në radhët e nacionalçlirimtares, por të zhgënjyer nga mashtrime e saj, që do t’i bashkohen organizatës. I tillë ishte Rexhep Dauti nga Tanusha, i cili ishte komandant policie në Tanushë, Mulla Hajdar Kurteshi nga Kumanova – ish komisar politik i aradheve ushtarake të Sylë Hotlës, Mehmet Bushi, oficer – ushtarak dhe oficer në Tetovë e Gostivar, Jetish Vishi nga Vitia e Gjilanit e shumë të tjerë nga Maqedonia Perëndimore, Anamorava dhe Karadaku i Shkupit.
Masivizimi i shpejtë i ONDSH-së në Maqedoni si dhe ndërlidhja me Kosovën bëri që pjesët e ndryshme të rezistencës kombëtare në Kosovë dhe Maqedoni të ndërlidheshin ushtarakisht dhe politikisht, në mënyrë që lufta e tyre të jetë sa më e suksesshme. Kështu, në gusht të vitit 1945, “Shtabi Suprem i Kosovës” i drejtuar nga Adem Gllavica ftoi një takim të përfaqësuesve të njësive të kryengritësve shqiptarë dhe të organizatave të NDSH-së. Takimi u mbajt në Tanushë të Kopilaçës, më 15-16 gusht, midis Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit.
Komiteti i NDSH-së Shkupit, i cili ditë më parë edhe nga Hysen Tërpeza kisht marrë një ftesë për kongresin e përbashkët, për në Tanushë të Kopilaçës nisi Qemal Skënderin, Mexhid Zymberin, Rexhep Dautin dhe Xhemal Fazli Ferën.
Krahas përfaqësuesve të Shkupit në këtë tubim ishin edhe: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, prof. Ibrashim Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi – Vitia, Din Hoxha nga Kaçaniku, Qazim Sefa nga Llugaxhia, Qazim Soba, Hajriz Kajolli e të tjerë. Mbledhja mbajt në shtëpinë e Zylbehar Beqiri Ajvazi.
Hysen Tërpeza, bëri të ditur për lidhjet e vendosura me Komitetet e NDSH-së në Gjilan, Prishtinë, Prizren dhe së fundit edhe me atë të Shkupit. Në Kongres folën edhe Adem Gllavica, Luan Gashi dhe prof. Ibrahim Kelmendi, të cilët shpalosën platformën mbi të cilën duhej të zhvillohej veprimtaria kombëtare, qëllimi i së cilës është kundërshtimi i vendosjes së diktaturës sllavo-komuniste, mospranimi i copëtimit të trojeve shqiptare si dhe lufta për bashki-min shqiptar në një shtet demokratik dhe të lirë.
Kongresi emëroi Shtabin e Përgjithshëm të luftës me në krye Hysen Tërpezën në përbërje të të cilit ishin edhe Luan Gashi, Bajrush Xhakli (komandant i batalionit të dytë në malet e Presedelit), Rexhep Okllapi (komandant i batalonit të tretë në malet e Keçekollës), Shaban Haliti (komandant i batalonit të katërt), Syl Hasip Hotla (komandant i batalonit të pestë për Kumanovë e rrethinë) dhe Din Hoxha (komandant i batalionit të gjashtë). Në Shtabin e luftës ishte edhe Adem Gllavica i ngarkuar për propagandë. U vendos që prof. Ibrahim Klemendi të delegohet për propagandë në Shkup, ku NDSH do ta kishte selinë, kurse Luan Gashi do të kryente të njëjtat detyra në pjesët midis Suharekës dhe Prizrenit. Kongresi caktoi edhe komandantët e katër zonave operative.
Në fund, Kongresi doli me udhëheqjen e re të NDSH-së në krye me patriotin Halim Orana nga Gjilani. Qemal Skënderi u zgjodh zëvendëskryetar dhe Azem Marana sekretar i organizatës. Anëtarë të KQ të NDSH-së u zgjodhën: Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tërshana. Kongresi miratoi disa dokumente si “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare” me pesë pika:
Liri dhe pavarësi të plotë me të drejta vetëqeverimi në bazë të vullnetit të shfaqur lirisht;
Nën tokat shqiptare kuptohet krejt vendet, ku banojnë Shqip-tarët, në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush është pushtuar;
Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinjë, as kundër partive politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore dhe me armë do të përpiqet t’i arrijë idealet shekullore të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetë sundues në shtet të vet me kufij etnik;
Mbasi të vendosën kufijtë etnik, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve siç janë ato: strategjik, ekonomik, politik, etj… në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr Shqiptarët që do të mbesin jashtë kufijve në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen jashtë;
Në kohë paqeje, Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshme, ashtu edhe të atyre të jashtme, ndërkombëtar t’ua organizua për regjim me të vërtet demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanik.
Pas përfundimit të punimeve të Kongresit, të gjithë të deleguarit në qendrat e veta iu rrekën punëve për themelimin e komiteteve vendore të NDSH-së, të cilat duhej të marrin përsipër realizimin e vendimeve të marra në Kongres. Komitetet vendore të NDSH-së u themeluan në të gjitha rrethet e vendit, të cilat ishin të lidhura me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup.
Shema organizative që e lidhur me qendrën në Shkup kishte arsye praktike, por edhe strategjike, me anën e të cilave synohej që të ndërlidhej puna e lëvizjes me karakterin e saj kombëtar, ku Shkupi si qendër kundërshtonte jo vetëm ndarjen që u ishte bërë Shqiptarëve në dy pjesë (Serbi – Kosova dhe Maqedonia Perëndimore në Maqedoni), por edhe demonstronte unitetin politik dhe shpirtëror në përputhje me të drejtën historike dhe etnike të tyre.
Kongresi i bashkimit në Tanushë të Kopilaçës si dhe platforma politike që u aprovua aty për veprim ushtarak dhe politik në të gjitha pjesët drejt sendërtimit të synimeve të përcaktuara: bashkimi kombëtar si dhe lufta kundër komunizmit krijoi një atmosferë mobilizimi te grupet e shkapërderdhura, por njëherësh ngriti gatishmërinë e pushtetit komunist jugosllav dhe atij shqiptar “në luftë të pakompromis kundër reaksionit” dhe “shërbëtorëve të tyre”, që rëndom identifikoheshin si “kuislingë”, meqë kështu fshiheshin aspiratat dhe qëllimet e njëmendta siç ishte bashkimi kombëtar dhe lufta kundër komunizmit. Kështu, në Maqedoni dhe Kosovë, pushteti ushtarak, i cili nga fillimi kishte goditur pamëshirshëm gjithçka shqiptare, kishte filluar operacionet e gjera në ndjekje të pjesëtarëve të NDSH-së dhe të strukturave të tyre politike dhe ushtarake, që përhapeshin në të gjitha anët. Kreu i NDSH-së në Shkup, konkretisht prof. Ibrahim Kelmendi do t’i kundërpërgjigjet me hapjen e degëve të organizatës në të gjitha qytetet e vendit si dhe të shtrirjes së nëndegëve të tyre në thellësi si dhe me venien e lidhjeve me përfaqësuesit e huaj në Maqedoni, ku me interes shfaqeshin ata anglezë dhe të Turqisë.
Lidhjet e para me përfaqësuesin e konsullatës britanike në Shkup si dhe me atë turk u vunë me anën e një letre që u ishte drejtuar diplomatëve anglezë dhe atyre turq, ku njoftoheshin me qëndrimin e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës rreth bashkimit me Shqipërinë dhe se për këtë arsye “mijëra shqiptarë janë duke luftuar me shpresë të madhe se do të kenë përkrahjen e Perëndimit, posaçërisht nga faktori anglo-amerikan”.
Krahas këtij njoftimi të përgjithshëm, konsullit turk i ishte bashkangjitur edhe një njoftim tjetër në të cilin i bëhej me dije për veprimet përçarëse të pushtetit jugosllav, me anën e të cilave popullsia turke, jo vetëm që po mbështet politikën jugosllave ndaj Shqiptarëve, por disa aktivistë të saj janë vënë në shërbim të verbët të saj duke bërë çmos që ata të deklarohen turq.
Profesor Ibrahim Kelmendi kërkon nga konsulli turk që të shqyrtojë seriozisht këtë çështje dhe të ndikojë te eksponentët e pushtetit jugosllavë të heqin dorë nga kjo politikë, e cila mund të jetë e dëmshme për të dy popujt. Por, në vlugun e këtyre aktiviteteve politike, që po ndërmerrte prof. Ibrahim Kelmendi nga Shkupi për masivizimin e NDSH-së, gjë që kjo edhe do të shfaqet me suksese të konsiderueshme, hetohet rënia e aktivitetit ushtarak si dhe tërheqja nga veprimtaria e kundërvënies së armatosur regjimit komunist jugosllav në përputhje me vendimet e Kongresit të Tanushës, kur edhe ishte themeluar Shtabi Suprem Ushtarak bashkë me zonat operative. Kjo kishte ndodhur pasi që Hysen Tërpeza komandant i Shtabit të Përgjithshëm në përputhje me një vendim që kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm në fillim të tetorit në Tanushë, me anën e një letre, njoftonte qendrën e Shkupit për tërheqjen e Shtabit Ushtarak drejt Greqisë. Në këtë letër kërkohej nga prof. Kelmendi që të jepej pëlqimi i qendrës së NDSH-së për këtë veprim, i cili arsyetohej me qëndrimin që ishte marrë nga kërkesa që ushtarakëve (Adem Gllavicës dhe bashkëpunëtorëve të tij) u ishte drejtuar nga Mit’had Frashëri dhe Muharrem Bajraktari që ata të kalonin në Greqi për të hyrë në shërbim të planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe rrënimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, kurse “çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit në dy vendet fqinje, Shqipërisë dhe Jugosllavisë”.
Qendra e NDSH-së në Shkup nuk do të pajtohet me këtë vendim. Komiteti Qendror i saj do të reagojë me qëndrimin se do të luftohet deri në përmbushjen e idealeve kombëtare. Ngjashëm reagoi edhe Mulla Idrizi nga Gjilani, i cili me disa njësi ndodhej në pjesët e thella të malësisë së Karadakut. Ai kërkonte që të hiqej dorë nga arratia, sepse “nuk ka me shkue gjatë”.
Edhe përkundër thirrjes së KQ të NDSH-së si dhe të Mulla Idrizit dhe disa patriotëve të tjerë që gjendeshin nëpër njësitë guerile dhe luftonin për aq sa mundeshin, forcat kryesore ushtarake të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm, nga tetorit i vitit 1945 e deri në dhjetor, mori rrugën e vështirë dhe të rrezikshme të tërheqjes për në Greqi, rrugë kjo të cilën shumë prej tyre nuk do ta arrijnë, ngaqë do të jenë forcat jugosllave që do t’u vihen pas dhe hap pas hapi do t’i ndjekin duke u sjellë humbje të rënda, me ç’rast disa njësi do të shuhen fare.
Nëpër të tilla pusi do të vritet edhe Mefail Shehu – Zajazi, i cili mori rrugën për në Greqi me mbi 100 luftëtarë, por ra në një pritë partizane bashkë me shumë luftëtarë, të cilët ishin duke pritur që të bashkoheshin me njësitë tjera që kishin marrë këtë rrugë.
I fundit që do të niset për në Greqi ishte grupi i Hysen Tërpezës dhe Hasan Kabashit. Këtë rrugë ata e morën nga gjysma e nëntorit. Atyre iu bashkuan edhe grupe të tjera që vepronin në Zhegoc, Kopilaçë të Ferizajt dhe Kaçanik. Me largimin e njësive kryesore ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm për në Greqi bashkë me ushtarakët e rëndësishëm që i drejtonin ato (fjala është për oficerë të shkolluar), filloi të bjerë edhe intensiteti i rezistencës së armatosur ndaj regjimit sllavo-komunist, i cili kishte filluar të vendosej në Kosovë dhe në Maqedoni në përputhje me realitetet e Jugosllavisë komuniste, realitet ky që etninë e deriatëhershme shqiptare të shkëputur nga trungu i saj në vitin 1912, tash e ndante në dy pjesë: në atë brenda republikës së Maqedonisë si pjesë e federatës jugosllave dhe në krahinën “provincën” e Kosovës nën Serbi. Kjo ndarje, bëhej edhe më e rëndë për Shqiptarët ngaqë Shkupi, qytet antik dhe kryeqendër e Vilajetit të Kosovës bashkë me Tetovën, Gostivarin dhe pjesët e tjera të Pollogut, shkëpute-shin nga Kosova, qendër kjo graviteti e botës shqip-tare nga Kriza Lindore e këndej, me çka në rrethanat e reja që të dy pjesët margjinalizoheshin së tepërmi, që si do të shihet, për Beogradin dhe Shkupin diktatura komuniste do t’iu ofrojë mundësi të shumta që të vazhdohet politika e tyre të njohur antishqiptare e pasqyruar nëpërmes asimilimit dhe e shpërnguljes së tyre për në Turqi.
Por, si do të shihet, edhe përkundër largimit të krahut ushtarak në Greqi dhe Gjermani, NDSH-ja nuk do të pushojë veprimtarinë e filluar. Degët e saj të shkapërderdhura në Kosovë dhe Maqedoni do të vazhdojnë të ruajnë frymën e rezistencës kombëtare qoftë me veprimtari politike, qoftë edhe me përdorimin e luftës guerile në disa pjesë të vendit, e cila do të jetë e pranishme edhe gjatë dy viteve të ardhshme përkundër përgjigjes së ashpër që do ta marrë nga regjimi komunist, i cili krahas pushkatimit të militantëve, mbushi burgjet me gjithë ata intelektualë shqiptarë që nuk ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e mashtrimit të ri ideologjik nën parullat e vëllazërim-bashkimit.
(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 399-406) / KultPlus.com
Besnik Mustafaj: “Një sagë e vogël”, roman. Tiranë, 1995.
Të kalosh çaste leximi me romanin “Një sagë e vogël” të Besnik Mustafaj, do të thotë të përjetosh thuajse deri në mizori dramën e madhe tronditëse të burgut në tri pamje, që autori, në parathënien që mund të merret edhe si prolog, i quan “tri nyje” te një fatumi, ngaqë hija e burgut ka rënduar vazhdimisht si në ankth i verbër, i pakuptueshëm, që megjithatë vetë rrëfimi në tri pjesë, i viktimave të tre brezave, e zbërthen dhe e bën tejet “të kuptueshme” deri aty saqë të krijohet pamja e një rrethi vicioz, ku në Shqipërinë e shekullit të fundit, jeta paraqet burg dhe burgu jetë! Ky dimension tepër tragjik, nëpërmes dramës së tre gjeneratave të viktimizuara, shfaq anamnezën më të thellë të kësaj problematike në letërsinë tonë nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria e regjimeve të satrapëve dhe diktaturave, tematizimi i së cilës nuk është se nuk është prekur, por rëndom nga dioptria e ndonjë “disidence”, e pragmatizmave ideologjike ose e ndonjë “hakmarrjeje” e të viktimizuarve, e parë nga këndvështrimi personal, nuk ia ka nxjerrë në pah dimensionin e saj jashtë dramave të vërteta dhe të thella, që e kanë ngarkuar shoqërinë shqiptare me fatkeqësi, pasojat e të cilave edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të ndjehen.
Këndvështrimi i Mustafajt, nuk është i fokusuar vetëm te diktatura dhe mekanizmat e saj të njohur, ku burgu paraqiste një mjet i pashmangshëm për mbajtjen po edhe për krijimin e njeriut të zhvlerësuar deri në palcë, pa identitet dhe dinjitet elementar madje, ku i përcaktohet çdo gjë, edhe jeta intime. Përkundrazi, autori përcaktohet që “saga e burgut” fillimisht të kapet nga dimensioni socio-etik për te ai socio-politik për t’u përmbyllur me atë jetësor gjithnjë si pasojë e lidhur me shkakun. Kjo qasje shfaq edhe karakteret në raport me burgun po edhe atë që shfaqet si “mentalitet i burgut”, i cili, në rastin e parë, siç ngjet me gjyshin e Lulit Omer Hutën, ka të bëjë me trimërinë si virtyt i shoqërisë patriarkale, që megjithatë bie në kundërshtim me normat dhe rendin që i imponon shteti autoritar çastin që ai shfaqet si kapërcim nga njëra gjendje shoqërore në tjetrën, pra nga ajo e pushtimit tek shteti, ku kundëthëniet e çlirimit me lirinë vazhdojnë në planin e brenshëm. Ndërsa në rastin e dytë, viktimizimin e nipit dhe mbesës (Lulit dhe Lindës), lidhet me kohën e diktaturës, jo nga ndonjë fajësi e tyre, por me konceptin e njohur të mbikëqyrjes së individit deri te përmasat absurde dehumanizuese, që për nga pasojat, ua kalojnë edhe atyre të Gulagut, pra ku vuajtja fizike përdoret si mjet për disiplinim dhe shkatërrim në masë!
Por, ajo që është veçori e kësaj sage “të vogël” për nga faqet por të madhe për nga trajtimi, të veçantë nga rrëfimet e ngjashme dhe madje krejt të ndryshme, ka të bëjë me dimensionin e një të vërtete, të paparë ose të anashkaluar, se “jeta e burgut” kthehet në “burg të jetës” dhe, madje, dimensioni i dytë, përfshinë edhe mekanizmat e saj të brendshëm deri aty sa edhe ata, të identifikuar thellësisht me të, çastin që ai mungon, qoftë edhe te kohët kalimtare, ndjehen viktima “të lirive”! Personazhi i Hyqmet Hidit, gjyshit të Lindës, një gardiani me stazh nga burgu i mbretit te ai fashist, mungesa e burgut, kur ai do të thyhet pas kapitullimit të fashizmit dhe ikja e të burgosure nga ai, do t’i kthehet në një opsesion deri aty sa jetën pa burg dhe të paburgosur si dhe shtetin pa burg, ta marrë për fatkeqësi personale po edhe shoqërore, gjë që paradigma e kësaj fatkeqësie, bashkë me ato të viktimave anbllok të diktaturës, veprës i jep një fuqi të jashtëzakonshme pasqyruese, që atë e radhit ndër veprat më të realizuara të letërsisë shqipe. / KultPlus.com
Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, ka kujtuar Referendumin për Pavarësi të Kosovës më 26 shtator të vitit 1991, të cilin e ka vlerësuar si akt sublim të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Përkujtesë historike: 26 shtator 1991 REFERNDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS – AKT SUBLIM I VULLNETIT POLITIK TË POPULLIT TË KOSOVË Më 26 shtator të vitit 1991, me vendimin e Kuvendit të Kosovës nga mbledhja e 22 shtatorit dhe në përputhjer me Kushtetutën e Kaçanikut të aprovuar më 7 shtator 1990, është mbajtur Referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur. Në këtë ditë, qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992. Qeveria e Beogradit edhe pse përdori represionit të madh policor ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk ishte më gjendje ta pengojë Referendumin. Si e tillë, kjo ditë historike mbetet themel i shtetformimit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008. / KultPlus.com
(Në kujtim të monumentit më të madh kulturor shqiptar, që u vra mizorisht më 2002).
Në kafenenë “Te Rrema”, për vite të tëra, kishin pirë kafenë e mëngjesit. U pëlqente të uleshin në tavolinën skaj dritares, nga, si në pëllëmbë të dorës, shihej pjesa më e madhe e qytetit që shtrihej kundruall Kodrës së Diellit, ku Pallati i dikurshëm i “Rilindjes”, që ngrinte krye sa më lart për të treguar hijeshinë dhe elegancën e vet në atë fushgropë, tash i lënë shkretë dhe i përdhosur me lloj-lloj reklamash, mbizotëronte gjithë atë fushëpamje, së cilës i kishte humbur harmonia.
Dhe, në atë kënd me soditje tepër pikëlluese, pirja e kafesë përherë shoqërohej me ndonjë bisedë rasti, nga ato që merreshin si çështje kote, siç ishte shpjegimi i ëndrrave, ankesat për gjumin e parehatshëm të natës, për t´u sjellë pastaj te ndonjë ndeshje futbolli që jepej në ekran ( të shumtën nga ato të ligës gjermane) dhe të ngjashme, ku mund të kishte vend për çmos, por jo edhe për gratë dhe politikën.
Që të mos flisnin rreth grave dhe politikës, që moti kishin rënë në ujdi, ngaqë prej vitesh bënin jetë vejanësh (njërit i kishte vdekur gruaja shumë herët, ndërsa tjetrit i kishte ikur me një kushëri, diku jashtë, dhe e kishte lënë me borxhe deri në fyt). Kjo vlente edhe për ato që i merrnin si përçapje të pavlefshme politike, sepse që të dy kishin qenë gazetarë shumëvjeçarë të rubrikës së kulturës në të përditshmen “Rilindja”, ku ishin rritur dhe e kishin pasur pjesë jete të pandashme, me të cilën krenoheshin, por që me mbylljen e saj, që e shihnin si një vrasje me paralajmërim, që i ishte bërë, jo vetëm nga moria e mediokërve, që për arsye të njohura silleshin vërdallë nëpër të dhe që prisnin t´u vinte çasti t´i hakmerreshin ( ata përherë ishin ndjerë inferiorë kundrejt elitës së saj profesionale, e cila me të drejtë kishte gëzuar edhe trajtimin e elitës shoqërore që në çaste vendimtare do t´u prijë proceseve të ndryshimeve historike, nëpër të cilat ishte kaluar) – por edhe ngaqë ajo në kohët kalimtare, që do të vinin më pas, ngjashëm do të shihet me smirë edhe nga ata, të cilët kishin dëshiruar që kalimtaren ta mbanin sa më gjatë, mundësisht përgjithmonë, sepse vetëm ashtu rrinin në atë syprinë të sipërfaqshme, në ç’mënyrë edhe përfitonin. Dhe, ishte e natyrshme që një gazetë e vlefshme, me autoritet dhe traditë, do t´u pengonte të krijonin ato opinione të rreme, siç i kishin krijuar, pa ngurruar edhe të vetëshpalleshin ata që nuk ishin, të vetëdekoroheshin dhe të përhapnin broçkulla të panumërta, që zotëronin skenën politike dhe kishte rrezik që, në saje të gazetave, të cilat me parashtesa e prapashtesa të shtypit të lirë dhe atij gjithëkombëtar, që mbinin si kërpudhat pas shiut, të kthehej e gjitha në një farsë tragjikomike të mashtrimit me anën e imitimit të idealeve të nëpërkëmbura, të cilat jo vetëm që nuk ishin përmbushur, siç thuhej me mburrje vend e pa vend, por ato edhe më tutje mbeteshin të hapura e, madje, për ta edhe të shpërfillura…
Por, të pije kafe në një kafene përherë të mbushur me të tillë që qejfin e kafesë përherë e mëlmonin me thashethemet rreth grave dhe me përçapje politike nga më të pabesueshmet, ku secili dinte më shumë se tjetri dhe ishte në gjendje t´u jepte aty për aty përgjigje që të gjitha çështjeve, qofshin edhe të atilla që u duhej edhe një jetë e tërë studimesh, ishte pak e vështirë. Këtë e dinin fare mirë që të dy gazetarët e dikurshëm të “Rilindjes”, të cilët ishin të vetëdijshëm se duke përjashtuar nga bisedat e tyre gratë dhe politikën, nuk bënin asgjë tjetër veçse ikjen e kohës dëshironin ta fshihnin disi me ato që më së shumti u mungonin, e kjo paraqiste një sjellje të panatyrshme, po që ata nuk dëshironin ta ndryshonin, pikërisht pse ashtu shfaqnin një mospajtim të brendshëm ndaj humbjeve të pakthyeshme, që njëherësh paraqiste një kundërshti ndaj atyre që në të vërtetë ndodhnin dhe me të cilat ata, jo vetëm që nuk pajtoheshin, por, për më tepër, as nuk dëshironin të kishin të bënin. E gjithë kjo i sillte në një gjendje që shumica e të tjerëve t´i shikonin ndryshe: si të çekuilibruar nga dëshpërimi, e madje edhe të krisur fare, por që askush nuk ua vinte veshin, ngaqë merreshin si fatkëqij që nuk kishin qenë në gjendje, ose nuk kishin ditur t´u përshtateshin rrethanave të reja ( krejt njësoj), fatin e zi të të cilëve, si për gjithçka tjetër, e merrte përsipër koha, e cila një ditë do t’i vilte nga kjo botë për të mos qenë më dhe për t’i vendosur në labirintet e harresës…
Dhe, dita që ata nuk do të ishin më, sado tragjike, do të vinte sikur të ishte e paralajmëruar, meqë edhe njëri edhe tjetri do të gjenin vdekjen në të njëjtin vend dhe në të njëjtën mënyrë, mu në të hyrë të kafenesë “Te Rrema”, ku ata për vite të tëra, në të njëjtën tavolinë, që kapte shikimin kundruall Bregut të Diellit, ku Pallati i dikurshëm i “Rilindjes”, i lënë shkretë, edhe më tutje mbizotëronte gjithë atë pjesë që i kishte humbur harmonia, pinin kafenë e mëngjesit dhe bënin ato bisedat e rëndomta, nga përjashtoheshin gratë dhe politika, por që vdekja e të parit kishte ndodhur nga përplasja e drejtpërdrejtë e një makine, që asnjëherë nuk ishte shpjeguar si duhej, pse kishte dalë nga ana e djathë në të majtë (kur nuk kishte pasur ndonjë makinë tjetër që t´i vinte nga ana tjetër, si dhe hamendje të ngjashme) me ç´rast ai ishte qëlluar për vdekje, ndërkohë që tjetri, po ashtu kishte vdekur thuajse nga po ai aksident, nga pasojat e vërtitjes së makinës në shtyllën elektrike, me ç´rast ajo ishte shkëputur dhe e kishte qëlluar për vdekje.
Fatkeqësia e tyre, që gjatë gjithë viteve të fundit i kishte bashkuar kafja e mëngjesit në kafenenë “Te Rrema”, ditën kritike, kur nuk do t´ia dilnin të pinin kafenë e pritur, ngaqë ishte shfaqja e asaj makine që thuajse pa shkak kishte kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën dhe me shpejtësi të madhe ishte përplasur aty ku para kafenesë kthesa e rrugës merrte një kah të ashpër, dukej sikur të kishte qenë një kurdisje tragjike e fatit, që as ata, po qe se do të pyeteshin, nuk do ta kundërshtonin, sepse nuk mund të merrnin me mend ndonjë fund tjetër përveçse të përbashkët, sy botës dhe të rrufeshëm, që i kursente prej mundimeve të sëmundjeve dhe veçmas prej pleqërisë, e cila u kishte trokitur në derë, por që në ato rrethana të jetës pa dinjitet, pushtetin e saj nuk e donin. Këtë madje do ta bëjë të ditur edhe pronari i kafenesë, i cili ishte ndër të paktët që kishte pasur mirëkuptim po edhe nderim për mysafirët e përhershëm, jo vetëm pse dikur kishte qenë lexues i tyre dhe ua kishte vlerësuar shkrimet, por edhe pse ata ishin të vetmit që kafenë nuk e pinin për qejf dhe të përcjellë me gjithfarë thashethemesh, siç ndodhte me shumicën e myshterinjve, por e pinin për ta ngushëlluar njëri-tjetrin në pritje të asaj që do t´i gjente dhe e dinin se ishte e pashmangshme, me çka mund të nxirrej përfundimi se ishin pajtuar vullnetarisht…. Këtë mendim madje pronari i kafenesë ua kishte thënë edhe hetuesve, kur kishin kërkuar prej tij të dinin se mos myshterinjtë kishin shfaqur shenja të ndonjë prirjeje vetëvrasëse, me çka atij sikur i kishte lindur dyshimi se dikush dëshironte t´i linte fajtorë në vend se të hulumtonte gjithë të vërtetën e tragjedisë, që kishte ndodhur sy botës.
“Nuk ka qenë vetëvrasje, por vrasje”, kishte thënë ai.
Dhe, për ta forcuar këtë bindje kishte treguar diçka nga biseda e fundit, të cilën e kishin bërë ata një ditë më parë, derisa pinin kafe dhe që e kishte kapur kur ai që do të qëllohej i pari nga vetura dhe do të mbetej në vend i vdekur, kishte folur për një ëndërr, që nuk ishte i sigurt në ishte ëndërr e mirëfilltë apo ankth ( kjo as që kishte rëndësi), por që në atë ëndërr apo ankth ishte shfaqur një veturë e kuqe e një marke gjermane (e njëjtë me atë që të nesërmen do ta qëllonte) dhe madje ia kishte mbajtur mend edhe numrin e targës ( ishte targë e njëjtë me atë të veturës që e kishte qëlluar), ndërkohë që ai tjetri e kishte shënuar me gisht në telvenë e kafesë, por që kishte thënë se vetura e ëndrrës apo ankthit, e cila do të shfaqet të nesërmen, për habi, drejtohej pa njeri…
Biseda e tyre e mëtejme, që ua kishte përshkruar hetuesve, kishte qenë kjo:
“Epo, këto i kanë ëndrrat. Sepse, po të mos u mungonte diçka, atëherë nuk do të merreshin për të tilla, por si realitete…”
“Kam përshtypjen se nuk ishte ëndërr, meqë çdo gjë ishte në përputhje me realitetin”.
“Po të ishte ashtu, atëherë sot nuk do të ishe këtu. Nuk do të pije kafe”.
“Kush e di. Mund të jetë kjo kafeja e fundit?…Pse jo…”
“Mund të jetë, siç kanë qenë që të gjitha deri më tani dhe këtu nuk ka asgjë të papritur”.
“E, pra, paralajmërimi është paralajmërim…”
“Duhet të kuptohet drejt…”
“Duhet, posi…”
“Duhet…”
“Sepse, nuk vjen kot…”
“Por, ç´e do që atij nuk mund t´i iket…”
“Këtu duhet parë çështjen e të pashmangshmes…”
“Ah, le të vijë sa më parë…”
“Le të vijë…”
“Le të vijë…”
“Ne po e presim…”
“Po pra. Po e presim…”
Në fund, pronari i kafenesë i kishte deklaruar policisë se kishte përcjellë ndarjen e tyre të heshtur me një parandjenjë frike, siç kishte parë dhe përcjellë edhe atë që kishte ndodhur të nesërmen para syve të tij dhe nuk kishte qenë në gjendje t´u besonte, pse ndodhjen e asaj ngjarjeje pikë për pikë e kishte dëgjuar një ditë më parë prej tyre. Dhe, kjo kishte bërë që në mendje t´i ngatërrohej fare ngjarja me paralajmërimin, sa të mos jetë në gjendje të shpjegonte, kur, në të vërtetë, kishte ndodhur e njëmendta? Një ditë më parë?…Atë ditë?… Apo, qëmoti?…
(Nga libri me tregime “Jeta lakuriqe”, Prishtinë 2009) / KultPlus.com
Pjesë nga intervista e Jusuf Buxhovit dhënë shërbimit rus tëRadios Evropa e Lirë
Jusuf Buxhovi është historian dhe publicist nga Prishtina, i njohur më së shumti jashtë ndër shkrimtarët e gjuhës shqipe të Kosovës, autor i bestsellerit postmodern të Ballkanit “Nata e shekujve”, “Koloneli i vdekjes”, “Kujtimet e zonjës von Braun”, “Kodi i dashurisë”, “Libri i Gjakovë “,” Janiqeri i fundit “. Romani i tij “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botuar në vitin 1982 dhe shumë herë i ribotuar, i përkthyer në vitin 2010 në Francë me titullin “Kush i bën ballë murtajes, i shpëton edhe djallit”, ka provokuar një debat të gjallë në qarqet intelektuale pariziane. Por, debate shumë më të nxehta intelektuale si dhe provokime ka ngjallur “Kosova” e Buxhovit në pesë vëllime, e para vepër në studimin e albanologjisë rreth historisë së Ballkanik nga antikiteti i hershëm e deri në fund të shekullit XX. Në opinion u shfaq një shumëllojshmëri komentesh – nga ato entuziaste e deri te kritikat e ashpra që erdhën nga Serbia, Shqipëria, po edhe Kosova, Ballkani dhe më gjerë.
Buxhovi hedh përpara një hipotezë shkencore të guximshme, duke nxjerrë etnogjenezën e popullit shqiptar nga Pelasgët e lashtë, të cilët, sipas disa versioneve, banonin edhe në këto hapësira edhe para tre mijë vjetësh dhe si tö tillë ishin djep i qtetërimit antik që me pa të drejtë u atribuohet grekëve të sotëm . Kështu, Buxhovi i konsideron shqiptarët më të moshuarit nga kombet ekzistuese evropiane, duke insistuar në vazhdimësinë e qëndrimit të shqiptarëve (ose paraardhësve të tyre) në hapësirën e Kosovës (Dardanisë antike) gjatë gjithë historisë së rajonit. Vendosjen e shtetit serb në Kosovë në shekullin XX (nga luftrat ballkanike e këndej), Buxhovi e quan pushtim. Por, periudhën e Titos, me theks nga Plenumi i Brioneve e këndej, për shqiptarët e Kosovës, e konsideron gjithashtu një periudhë të rëndësishme të zhvillimit shkencor, arsimor dhe kulturor. Në këtë mënyrë, nga këndvështrimi historik dhe zhvillimet politike shtetformuese, Buxhovi Kosovën e quan Qendër të zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Kur deklaron kështu Buxhovi, duket se kjo nuk i pëlqeu shumë Tiranës.
Historiani i suksshëm Buxhovi, kombinon gazetarinë (në kohët jugosllave thuajse një çerek shekulli ishte korrespondent i gazetës në gjuhën shqipe “Rilindjua” nga Prishtinë në Gjermani) dhe aktivitetet shoqërore. Në vitet 1980-1990, Buxhovi ishte shumë aktiv në radhët e opozitës intelektuale kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, gjë që jo rastësisht ishte edhe bashkë-themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që ishte në krye të rezistencës jo të dhunshme institucionale ndaj politikave shtypëse të Beogradit.
Ashtu si pothuajse të gjithë shqiptarët e Kosovës, Buxhovi përshëndeti pavarësinë e vendit të tyre, por mbeti njëri ndër kritikët e ashpër të kalasës politike, e cila doli nga radhët e guerilës, që sipas tij, shumë prej tyre, shfrytëzuan pushtetin për qëllime private – pasurim e të tjera, gjë që i bënë dëmë vendit dhe kauzës së shtetësisë së saj.
Shkrime për historinë e e Kosovës në përbërje të asaj shqiptare ka pasë edhe përpara, por shumica e librave në këtë temë janë të njëanshme në aspektin ideologjik ose politik. Puna e Buxhovit (versioni i tij në gjuhën angleze në tre vëllime) shfaqet e shkruar nga një këndvështrim shqiptar dhe në përpupthje me kritere objektive shkencore pse ai flaki klishetë ideologjike dhe ato të limiteve nga historia e Beogradit nga të cilat vuajnë librtat paraprake. Si kthesë të rëndësishme në këtë drejtim Buxhovi e konsideron punën e madhe të historianit britanik Noel Malcom, në vitet 1999 me librin “Kosova: një histori e shkurtër”, me të cilën, thotë, iu hap rruga demistifikimit të historiografisë serbe rreth shqiptarëve.
– Noel Malcolm ka shkruar një libër të mirë, veçanërisht i rëndësishëm, që erdhi në një kohë kur klasa politike në Serbi po ia hapte rrugën politikës së njohur nacionaliste dhe luftënxitëse të Sllobodan Millosheviqin – tha Jusuf Buxhovi. – Së pari Malcolm tregoi se qasja e historianëve të fundit komunistë të Kosovës është jo-shkencore. Megjithqë Malcomi sjell disa argumente dhe konkluzione që kundërshtojnë mitomaninë serbomadhe rreth Kosovës dhe shqiptarëve, stereotipi i Kosovës si “tokë serbe” nuk është shkatërruar sa duhet. Puna ime, megjithatë, konsiston që miti serb për Kosovën të demistofikohet në tërësi, si një gënjeshtër historike për qëllime hegjemoniste, që ka prodhuar shumë fatkeqësi në këto hapësira jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët.
Por, Buxhovi, thotë se përkundër këtyre demistifikimeve, mitologjia mbetet një ngarkesë e madhe në vetëdijen e ballkanasve. Atë sikur e bën edhe më fuqishme “karizma e komunizmit”, paçka se zhvillet e para njëzet vjetësh, me ndryshimet e mëdha atë e hoqën nga skena politike. Te ne në Kosovë, thotë Buxhovi, komunizmi u shkatërrua ndër të parët, por mentaliteti komunist është ende këtu. Ende ka një trashëgimi të vështirë staliniste ndër shqiptarët, por edhe tek të tjerët. Ajo vrehet veçmas te mbetjet e kruzhoqeve marksiste-leniniste, shumë prej të cilëve kanë ardhur në pushtet me ndihmën e tranzicionit dhe në emër të pluralizmit demokratik! Nuk përjashtohet mundësia që “hibridi i Kremlinit” të ketë serish kokën te qendra oligarke e Putinit dhe projektet “rreth kriminalitetit ndërkombëtar”, kur dihet se lëvizjet e tilla globale (të djatha ose të mjata), përherë janë drejtuar nga njëra qendër botërore (Vashington ose Moskë)?
“Këtyre çështjeve i dedikohet romanit im i fundit “Dosja B”, vepër kjo që brenda një kohe pati tre botime dhe hë për hë ndodhet në top listën e librave më të shitur të vendit. Ky libër flet për zhgënjimin ndaj një “fuqie të re”, e cila nën flamurin e demokracisë kombëtare, me metoda kriminale, ka ardhur në pushtet”.
Në realitet, sipas Buxhovit, kjo “fuqi e re”, shumë prej të cilëve lidheshin me krahun komunadues të luftës (krah politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), përkundër faktit se morën pjesë në një luftë të drejtë, pas luftës, u përfshinë në politikë kriminale, siç ndodhi me strukturat e ngjashme në Shqipëri dhe Serbi.
– Sa e madhe është shkalla e mosmarrëveshjes shkencore mbi historinë e Kosovës? A ka historianë serbë me të cilët ju mund të zhvilloni një dialog të frytshëm për çështjet e diskutueshme?
J. Buxhovi: Në Serbi ka shumë e shumë historianë objektivë, të cilët i ka anashkaluar politika hegjemoniste. Fjala është për dijetarë dhe shkencëtarë të cilët lidhen me traditën objektivite në albanologji dhe historiografi. Nësë nund të thuhet se në shekullin XIX, themelet e shkencës së albanologjisë u vendosën nga gjermanët, shumë shkencëtarë serbë dhe jugosllav më vonë ndoqën këtë traditë edhe përkundër faktit se shkolla serbe e historisë ka vuajtur gjithmonë nga idetë hegjemonike në të. Këtu mund të përmenden emrat e studiuesve të njohur serbë dhe jugosllavë që i ndihmuan shumë ablonologjisë si Milan Budimir, Shuflaj, Tucoviq, Aleksandër Shtipqeviq, N. Garashanin, Banjac, Katiqiq , Papazogllu e të tjerë. Punën e tyre edhe unë citoj në librin e tim dhe e vlerësoj si të rëndësishme. Kjo ka të bëjë, sidomos me periudhën e historisë së lashtë dhe mesjetës së hershme, deri në kohën në shekujt VI-VII kur në Ilirik shfaqen sllavët. Për fat të keq, në 20 vitet e fundit, sikur u janë mbyllur rrugët këtyre zhvillimeve pozitive. Përkundazi, gjërat kanë marrë kah të kundërt: shumë shkencëtarë janë kthyer në sherbëtorë të politikës ditore.
– Ti shkruan romane, kërkime historike dhepo ashtu me profesion mbeteni gazetar. Çfarë për ju është parësore:letërsia,gazetaria apo historia?
J. Buxhovi: Me pak fjalë – unë jam dhe mbetëm krijues, emancipimi i të cilit u zhvillua në hapësirën e ish Jugosllavisë, kryesisht në gjuhën serbokroate dhe më vonë edhe atë gjermane. Asokohe, shumë nga burimet e rëndësishme dhe librat mund të gjendeshin vetëm në gjunë serbo-kroate. Pra, fillet e emancipimit tim, por edhe të brezit tim lidhen me këtë gjuhë. Kjo bëri që ne ta njohim mirë letërsinë dhe kulturën serbe, mbase shpesh edhe më mirë se shumica e serbëve. Por, më kohë, krijuesit tanë, hapësinën jugosllave dhe realitetin e saj shoqëror dhe politik, veçmas pas plenumit të Brionve, pra atë nga vitet 1970 e këndej, kur me ndryshimet e atëhershme kushtetuese u zgjeruan të drejtat e Kosovës, filluan ta shfrytëzonin për një emancipim të përgjithshëm politik dhe shoqëror, drejt një barazie me republikat tjera prej nga e ka burimin edhe kërkesa për republikën e Kosovës, e shfaqur haptas në demonstatat e nëntorit të vitit 1968. Meqë Jugosllavia asokohe, krahasuar me regjimet tjera komuniste, ishte një vend liberal, kjo kanalizoi edhe orientimin tonë politik, nëpër të cilin do të kalojë rrugëtimi ynë i shtetndërtimit. Pra, pa reformat kushtetuese të Titos të viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta dhe përkushtimit të klasës politike shqiptare që ato të shfrytëzohen sa më shumë për t’u avancuar pozita e shqiptarëve aty ku mundej, pra të largimit të saj nga tutela serbe drejt federatës jugosllave, rruga e Kosovës për pavarësi do të ishte edhe më e vështirë.
– Me sa di unë, në mesin e viteve 1970 ju keni marrë pjesë në krijimin e libretit të veprës së parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, në temën e luftës anti-turke të popullit shqiptar. Si e mbani mendkëtë punë?
J. Buxhovi: Epo, natyrisht që nuk mund ta quaj veten një shkrimtar profesionist i librave të operës. Kompozitori Rauf Dhomi, një shok gjenerate, më pyeti për ta bërë këtë punë. Autroi i muzikës kishte parasysh një vepër që lidhej me këtë problematikë. Meqë kisha nëpër duar tregimet e shkrimtarit shqiptar Milto S. Gurra, i propozova diçka të tillë, me të cilën ai u pajtua. Duhej që fabula e tregimit të kthehej në vargje, gjë që pas një kohe edhe u krye. Opera, së pari e paraqitur në vitin 1978 në Prizren, me rastin e kremtimi të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare , me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Shqipëria, në kuadër të programit të bashkëpunimit kulturor me Jugosllavinë. Një vit më vonë, në Tiranë, opera u luajt nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë, me shumë sukses. Si e tillë, kjo vepër mbetet, ndër të parat e muzikës shqiptare.
– Në Ballkanin Perëndimor, në dekadën e fundit janë në modë trendët “për gjuhët e reja”, ndër të cilat tani janë dhe ajo boshnjake dhe malazeze. Gjuha shqipe, për aq sa dimë, u standardizua së fundi në fillim të viteve 1972, bazuar në dialektin jugor, atij toskë, ndërsa në Kosovë flitet dialekti gegë. Besohet se dialekti toskë “fitoi” sepse erdhi nga jugu i Shqipërisë, prej ngaishte elita komuniste e Tiranës. Pse edhe Kosova nuk duhet të ketë gjuhën e vet, kur dihet se ju flisni një dialekt tjetër, që është anashkaluar?
J. Buxhovi: Që të heqen moskuptimet si ai që “Kosova duhet ta ketë gjuhën e vet”, duhet thënë se Kosova e ka gjuhën e vetë dhe ajo është gjuha shqipe, ku gegnishtja, si dialekt është pjesë e saj ndonëse jo gjithaqë i prezentuar në të. Ndërsa sa i përket gjuhës së standardizuar, duhet thënë se ajo u arrit në vitin 1972, në Tiranë, një konventë e veçantë, me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve të të gjitha trevave gjuhësore shqiptare , ku u miratua një standard i përbashkët letrar për të gjithë shqiptarët. Mesiguri se asokohe dhe më vonë ka pasë dilema se cila duhet të jetë baza e standardit të një gjuhe, por kjo nuk e konteston nevojën që shqiptarët duhet të kishin një gjuhë të përbashkët, e cila duhej të mbështetej diku. Në çdo gjuhë duhet të jetë një bazë e unifikuar qoftë edhe e njëanshme ose e rastësishme pa përjashtuar këtu edhe aspektet politike ose “lokalsite”. Reformatori serb Vuk Karadzic, në fund, gjithashtu, mori si bazë vetëm një të folme të rrudhur të gjuhës serbe, atë të një krahine të Bosnjes (Tershiq), të pazakontë për zona të tjera të banuara nga serbët dhe kroatët. Vendimi i vitit 1972, pa dyshim paraqet një fitore të madhe shoqërore, kulturore dhe politike të shqiptarëve, me të cilin ata u unjisuan në përputhje me synimet e tyre kombëtare. Me këtë u përjashtua edhe mundësia e përçarjes në grupe të ndryshme, sipas programeve të huaja. Sigurisht, gjithmonë do të ketë të kënaqur dhe të pakënaqur në këtë rast, por duhet pasë parasysh se gjuha është e gjallë dhe ajo duhet të lejojë mundësi për reforma të vazhdueshme, me çka edhe dialekti gegë të pjesmarrë në këtë proces, veçmas kur kihet parasysh se gegnishtja ka një fjalor të pasur dhe fonetikisht është e rrënjosur në histori me veçoritë (foljet njërrokëshe dhe paskajorja me operatorët aktivë në shqipe nga gjendja e pasive në gjuhët tjera), që atë e nxjerrin si fundament të gjuhësisë së përgjithshme që lidhet edhe me sanskritishten. Gjuha standarde ka për detyrë që të unifikojë gjuhën dhe veçoritë e saj t’i kthejë në një thesar të përbashkët kulturor kombëtar, gjë që këtu, ka vend për plotësime dhe ndryshime të vazhdueshme sidomos tash kur shqiptarët gjenden në një pozitë tjetër shoqërore dhe politike nga ajo e viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar kur politika diktonte disa procese qofshin ato edhe kulturore. Natyrisht se shkrimtarët ndihen më të lirë në këtë drejtim. Ata mund ta pasurojnë gjuhën me trajtat dialektore dhe veçoritë tjera, pa marrë parasysh çfarë parashtron standardi si dhe dogma e tij. Në të vërtetë kështu edhe ndodhë. Në veprat e mia letrare ruaj paskajoren e gegnishtes dhe disa forma të tjera dhe ato thuajse “po rikthehen sërish” . Ndërsa në veprat historike i përmbahem standardit gjuhësor.
– Shqiptarëte Kosovës, i takojnë kombit shqiptar, apo një etnie kosovare, që mund të kthehet në identifikim të ri shtetëror deri te “kombi kosovar”?
J. Buxhovi: Para së gjithash unë jamë shqiptar, i takoj kombit shqiptar dhe si shkrimtar, me veprat e mia, ndjehem pjesë e kulturës së gjithëmbarshme shqiptare. Sigurisht se shqiptarët e Kosovës, me disa veçori etnike, dalin paksa “me ndryshe” nga ata të jugut shqiptar, dhe kjo është fare e natyrshme. Këto “ndryshime” etnike duhet parë si të natyrshme, veçmas kur lidhen me zhvillimet e caktuara shoqërore dhe politike, po edhe kulturore siç ishin ato gjatë perandorisë osmane, kur vilajetet shqiptare paraqitnin një pjesë të identiteteve rajonale. Por, këto “identitete” ndiqnin edhe kahun e “nënidentiteve” lokale , ku, ta zëmë, një pejan ishte ndryshe nga gjakovari, siç ishte ndryshe shkodrani nga shkupjani dhe të ndryshme dhe siç vazhdojnë të jenë “ndryshe”… Këto diversitete, megjithatë, janë laryshi të brendshme kulturore, që e pasurojnë identitetin e përgjithshëm shqiptar. Ndaj, ato do të ekzistojnë edhe në rrethanat e dy shteteve shqiptare: Kosovës dhe Shqipërisë, gjë që ekzistenca e tyre nuk është arsye për të ndarë kombin në dy, aq më pak që prej tij të krijohet kombi “kosovar” pasi që kemi edhe shtetin e Kosovës si një realiet të ri shoqëror dhe politik, që shikuar historikisht, paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Pra, nuk duhet ngatërruar përkatësia shtetërore me atë kombëtare. Sepse, shqiptarët do të mbesin shqiptarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, siç do të mbesin serbët serbë edhe në shtetet tjera jashtë shtetit serb pa marrë parasysh se dikush do të të dëshironte që, në përputhje me paragrafet alogjike të pakos së Ahtirasit rreth qytetarisë, komponenten shtetërore të Kosovës ta lidhte me identitetin e “kombit kosovar”, si një “zhvillim të natyrshëm” që prodhon realiteti i kontratës së qytetarisë me shtetin…
Megjithatë, realietet politike në Ballkan janë të tilla se tashme kemi dy shtete shqiptare në të: Kosovën dhe Shqipërinë shfaqen si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë dhe se qytetarët e tyre të jetojnë në shoqëri demokratike, siç është e rëndësishme që të gjitha shtetet e dala nga republikat e ish Jugosllavisë të lënë prapa përgjithmonë konfliktet ushtarake dhe gjakderdhjet e shumta. Sepse, historia e ish-Jugosllavisë, edhe pse ishte me dhunë dhe hegjemonizëm serbomadh dhe unitarist, veçmas koha e Millosheviqit, megjithatë ajo ishte edhe një kohë e një emancipimi pozitiv kulturor jugosllav, nëpër të cilin kemi kluar edhe ne shqiptarët si qytetarë të RSFJ-së. Pra, pasi që këto realiete kanë ndryshuar, ne duhet të bëjmë përpjekje që si shtete, me anën e ndërveprimit kulturor, të afrohemi dhe të bashkëpunojmë që hapësirës së dikurshme t’i kthehet lira, paqja dhe demokracia. Dhe kjo vlen jo vetëm për Kosovën, por edhe për zona të tjera të federatës së mëparshme.
– Por, idea e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet mbetet opsion i shumicës së shqiptarëve? Si e shihni ju këtë?
J. Buxhovi: Kjo ide është legjitime nga aspekti kulturor, shoqëror dhe historik edhe pse shikuar nga këndvështrimi politik ajo është ideologji e tejkaluar e shekullit të kaluar, që mund të thuhet, se pas realiteteve të reja, ia ka lëshuar vendin unionit të shteteve shqiptare. Por, tash për tash, hapi më i rëndësishëm yni është forcimi dhe stabilizimi i shtetit të Kosovës dhe i faktorizimit të mëtutjeshëm të Shqipërisë në konfigurimet rajonale, përfshi BE-në dhe NATO-n. Vetëm pasi që kjo të kryhet mund të shkohet një hap tutje, por gjithnjë në rrethana demokratike dhe në bashkëpunime me miqtë tanë SHBA-të dhe NATON, e ku, siç thashë, si opsion shfaqet unioni i shteteve të barabarta shqiptare. Por, edhe në rrethanat tona, kufijtë ndërshqiptar janë fare të parëndësishëm. Asgjë nuk na pengon për të udhëtuar në Shqipëri, për të tregtuar dhe për të bashkëpunuar me Shqipërinë. Pra, për ne, tash për tash, në vend të përhapjes së tezave nacionaliste që rëndom përhapen nga politikanë të dështuar, të lidhur me skemat e btrëndshme kriminale të jashtme dhe të brendshme dhe të etshëm për pushtet të kësaj natyre, është më e rëndësishme të ndërtojmë një shoqëri demokratike, të bëhemi qytetarë të lirë të Ballkanit dhe të gjithë Evropës, ku mund të gjendemi bashkarisht.
– Më thuaj, ka të paktën një serb, që shtetin e Kosovës e sheh si të vetin?
J. Buxhovi: Nuk e di. Ndoshta është politika hegjemoniste e Beogradit, e cila edhe sot e gjithë ditën luanë me idenë e një Serbi të Madhe, ajo që parandalon çdo mundësi të tillë. Kjo ka një efekt negativ në politikat tona, sepse edhe në Kosovë ka kriminelë të mjaftueshëm, të cilët shpjegojnë veprimet e tyre shkatërruese për shqiptarët duke manipuluar “me rrezikun serb”. Është e qartë se serbët do të jenë në gjendje të ndihen rehat në Kosovë vetëm nëse ata vërtetë marrin pjesë në jetën politike dhe shoqërore të vendi dhe respektojnë ligjet e shtetit në të cilin jetojnë. E di që shumë serbë ndjehen në Kosovën e sotme keq, por edhe shqiptarët mund të thonë të njëjtën gjë, meqë në pushtet sot janë edhe kriminelë dhe nacionalistë të të gjitha ngjyrave që manipulojnë shumanshëm dhe bëjnë çmos që shteti i Kosovës të dështojë.
Natyrisht se në këto rrethana, intelektualit krijues, siç është rasti im, nuk i mbetet tjetër pos të mbrojë reputacionin krijue si shkrimtar dhe historian, edhe pse dikur isha i angazhuar në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Meqë nuk kam interesa të caktuara në politikë, dua të kritikoj edhe miqtë tanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët prioritetet e angazhimit të tyre në Ballkan më shumë i vendosin kah stabiliteti se sa demokracia. Ju nuk mund të keni një hajdut dhe bandit për partner vetëm sepse me anën e tyre mbani nën kontroll gjendjen! Kjo logjikë, për fat të keq, ende vlen në Kosovë dhe në Maqedoni, ngaqë atje, më me dëshirë bashkëpunohet me parnterë “të besueshëm”, qofshin edhe kriminelë, se sa me intelektualët që duan lirinë dhe demokraci dhe jo gjithnjë pajtohen me ato që ofrohen. Dhe, përderisa do të jetë kështu, këtu nuk do të ketë qytetarë të lirë, as serbë e as shqiptarë…
– A jeni i sigurt se reputacioni i shkrimtarit dhe historianit mund t’ju mbrojë? Orhan Pamuk – një fitues i çmimit Nobel, u detyrua të largohet nga Stambolli, pasi pranoigjenocidinqë u ushtrua ndaj armenëve në Perandorinë Osmane. A nuk keni frikë?
J. Buxhovi: Nuk do të tërhiqja paralele me Turqinë dhe realitet e saj politike. Pikëpamjet e mia, ndjenjat e mia janë të një krijuesi me reputacion të gjatë intelektuaë dhe krijues, që me të drejtë shqetësohet për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Pra, si të tilla ato janë legjitime dhe korrespondojnë me pjesën më të madhe të qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë kthyer në peng të elitave kriminale politike dhe ndihamçarëve të tyre nga jashtë, që siç e thashë më parë, që pushtetin e kthyen në mjet për ta plaçkitur vendin. E di se qëndrimi im kritik mund t’u pengojë këtyre strukturave mafioze dhe kriminale dhe padronëve të tyre të fuqishëm nga jashtë, por nuk çaj kokën për to, e as që do të ma ndalin zërin tim kritik në mbrojtje të një projekti historik, siç është liria, demokracia dhe përkatësia jonë qytetërimit perëndimor, me të cilin lidhet qenia jonë edhe si njerëz…
– Ta ndryshojmë temën: cila është literatura moderne shqiptare e Kosovës?
J. Buxhovi: Ajo ndan fatin e letërsive të gjitha vendeve post-komuniste si dhe të tranzicionit, ndonëse ajo nuk e pat ngarkesën ideologjike të përmasave socreliste, siç ndodhte në vendet tjera dhe vepmas në Shqipëri. Megjithatë, realitetet e reja, ato të tranzicionit të çoroditur, që po ndodhin te ne, në njëfarë mase pasqyrohen edhe në letërsi, gjë që mund të thuhet se ajo ndodhet shumë afër realitetit aktual. Personalisht, si shkrimtar, në dy-tri veprat e mia të fundit, (Dosjën e hapur dhe Dosjen B), merrem shumë me këtë realiet të trishtë. Si të tilla ato janë shumë kritike, pasi që ndryshimet politike jo vetëm që nuk sollën lirinë e pritur, por ato abuzuan edhe me idealet e saj, gjë që sot më shumë se kurrë, nga një frustrim, hetohen edhe nastolgjitë edhe për “kohët e vjetra”. Në të vertetë, ne po jetojmë në një kohë të ngjashme me atë që ndeshet në romanet e Gabriel Garcia Marquezit, ku edhe idetë e mëdha shihen të diskredituara nga metodat e papërshtatshme të zbatimit të tyre. Njerëzit që erdhën në pushtet, të interesuar vetëm për pasurim personal, shkelën idealet e shtetit të lirë të Kosovës. Kështu, që shumë nga “çlirimtarët” e djeshëm u kthyen në pushtues të sotëm!Ndodhi kështu ngaqë ata i dehi pushteti dhe paraja… Ajo i përçudnoi aq saqë disa prej tyre u kthyen edhe në mafiozë dhe vrasës madje. Natyrisht se letërsia nuk mund t’i shërojë këto deformime as t’i ndryshojë njerëzit e pushtetit, por mund të ndikojë në vetëdijen e përgjithshme drejt ndryshimit të gjendjes, që njerëzit të kuptojnë cili është mashtrimi, cili është heroi, e cili vrasësi, i cili vazhdon të mbetet në kuadër të skemave të caktura historike, të cilat, te ne kanë sjellë tragjedi të prëseritshme, siç janë ato ideologjike ose religjioze… Dhe, siç u pa, lufta e fundit dhe ato që ndodhën gjatë këtij tranzicioni, nxorën në pah edhe sindromin ideologjik të puçeve të brendshme me metoda revolucionare në një raport absurd kur disa nga patriotët të dëshmuar gjatë rezistencës insitutcionale , por edhe luftëtarë aktivë gjatë rezistencës së armatosur, u desh të vriten mbi këto baza, siç ndodhi edhe pas luftës së dytë botërore, kur fitoi komunizmi… Në fakt, te ne mund të flitet edhe për fitoren e ndërgjegjes revolucionare, të ngjashme me atë që mund të hetohet edhe te proza e Isaac Babelit dhe te Pasternaku. Andaj, nuk është e habitshme që tranzicioni te ne u përcoll edhe me kriminalizimin e ndërgjegjes së një pjese të mirë të elitës politike, e cila rrënoi thuajse çdo vlerë, së cilës i ndihmuan edhe disa intelektualë vazalë, të cilët me vetëdshirë hoqën dorë nga morali intelektual… Dhe meqë jetojmë në një ambient të tillë, nuk është e habitshme që gjëja më e rëndësishme është “modeli i njeriut të suksesshëm” me çdo kusht, paçka se ai, siç ndodh me personazhet e Markezit nga bota e Makondos, mund të jetë një kriminel, që me duar të pista dhe me magjinë e mashtrimit arrin të gjitha! Kësaj gjendje, iu desh, në radhë të parë , inskenimi i “kultit të heroizmit të rremë”, shpallja e shumë patriotëve “tradhëtarë” si dhe rrënimi i arsimit me anën e shitjes së diplomave dhe marifetet tjera, ku matrapazët dhe të padijshmit fitojnë pushtet të plotë. Nuk është ngushëlluese që kjo epidemi murtaje ndodh sot kudo, meqë Kosova është një vend i vogël dhe pasojat janë rrënuese…
-Çfarëmund të pritet tash e tutje prej jush: më shumë letërsi apo historiografi?
J. Buxhovi: Shkruaj pareshtur në dy drejtime: në letërsi dhe në historiografi, edhe pse qasja është e ndryshme. Te unë ato sikur ndërthurën, si uji me bukën, ku ato plotësohen pareshtur. Hë për hë, po merrem me edhe me dy vëllime të tjera të “Kosovës”, ato që kanë të bëjë me kohën e protektoratit ndërkombëtar dhe të shpalljen së pavarësisë, në mënyrë që projekti im historik të përmbyllet. Por, nuk do të resht të plotësoj konceptin tim për shkatërrimin e gënjeshtrës historike serbe rreth Kosovës dhe shqiptarëve, të mbështetur në mitomani. Do të vazhdoj edhe me letërsinë, meqë ajo mundëson që krijuesi të çlodhet nga pragmatizmi shkencor, e ku edhe realiteti i zymtë, zëvendësohet me atë të imagjinatës së pakufijshme…
A keni ndonjë idhull letrar? Dëshironi të shkruani si dikush?
J. Buxhovi: Çdo shkrimtar duhet të jetë një model i vetvetes, që si individaualitet dallohet nga të tjerët. Për mua, një model i tillë shëmbëllesë paraqesin shkrimtarët latinoamerikanë: Marquez, Ernesto Sabato, Borges si dhe shumë gjermanë (Getë, Man, Hesse e deri te Gras). Në filozofi parapëlqej Schopenhauerin dhe Nietzsche. Nga shkrimtarët bashkëkohorë gjithsesi se Orhan Pamuku paraqet një vlerë të veçantë. Edhe letërsia ruse, me interpretimin e praktikës së totalitarizmit komunist dhe dramës së tij, po ia del të ruajë namin që e kishte nga klasicizmi.
– Letërsia shqipe sot në botë njihet kryesisht nga shkrimtari Ismail Kadare në saje të romaneve “GjeneraliUshtrisë së vdekur”, “Dimrit tëmadh” dhe “Prillit të thyer”?
J. Buxhovi: Kadare, një shkrimtar shumë i mirë, ka një problem kur e konsideron veten disident, gjë që nuk është e vërtetë. Kadare ka shkruar dy ose tre libra të shkëlqyer, por pjesa tjetër e tregimeve dhe romaneve të tij është hija e trashë ideologjike, që atë do ta ndjek përherë pa marrë parasysh deklarimet e tij si dhe sukeset, që arrin jashtë, e të cilave ne u gëzohemi. Letërsia shqipe ka edhe shkrimtarë të tjerë të rëndësishëm, për shembull, postmodernistin Kasem Tribishina, Ben Blushin dhe të tjerë, të cilët kanë sjellë një frymë të re në letërsinë tonë.
Sheh Alia i Teqesë së Madhe assesi ta merrte veten nga ato që po ndodhnin pas shpërthimit të parë, kur hyqymeti kishte filluar bartjen e të sëmurëve për në Shkukëz, ku dihej se do të përfundonin në gropat e gëlqeres. Tha se nëpër disa mëhallë ishin shfaqur bashibozukë që pengonin grithjën si dhe ndihmën për krahëthatët. Lam Mula, po ashtu tha se çështjen e kishte shtruar gjatë një takimi që kishte me kajmekamin. Por, ai ia kishte kthyer se Paria e shehrit kishte faj për këtë, ngaqë nuk ishte treguar e përkushtuar ndaj fermanit. “Hilja ndaj hyqymetit ua hapë rrugën hileve të tij ndaj miletit”. Rremë Kusari, bëri me dije se zullumit të bashibozukëve po i ndihmojnë disa hyzmeqarë të hyqymetit, që mezi kanë pritur fermanin. She Alia i Teqesë së Madhe, pohoi ato që tha Rremë Kusari dhe shtoi se e keqja më e madhe është se shumë prej tyre shfaqen si myhibë të tarikateve të ndryshme, ndonëse nuk kanë as dinë e as iman. “Është vështirë t’u ndalet turri, ngaqë dyert e tyrbeve dhe të teqeve, si shtëpi të zotit, përherë janë të hapura për të gjithë. Por, ç’e do qe edhe aty bëjnë punën e dreqit… I ligu e shfrytëzon edhe murtajën për hesape të veta…” Ato që thanë Sheh Alia, Lam Mula e Rremë Kusari, nuk më nxunë gafil, ngaqë hyqymeti gjithnjë ka futur egjrën në grurë… Kjo, madje, ma shtoi shpresën se kundërvënia jonë ndaj murtajës, me anën e grithjes po e bënte të vetën…Andaj, priteshin gjithëfarë marifetesh, deri te lufta vëllavrasëse… “Kajmekami, ka me bo çmos murtajën për me e mbajë sa më gjatë… Ndryshe i shkon koka…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)