Liridon Mulaj boton romanin më të ri “Provinca”, rrëfehet periudha jo e denjë e historisë tonë kolektive

Era Berisha

I lindur në Fushë-Arrëz, poeti dhe shkrimtari i njohur, Liridon Mulaj gjithnjë e më tepër po i vendos rrënjët e tij të thella mu në pykën e letërsisë shqipe. Shumë dashamirë të librit janë të njohur me krijimtarinë e Mulajt në poezi e prozë, dhe si në secilën herë, ai është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit e kritikët. Është autor i tre veprave të mrekullueshme si: “I pakuptuari”, “Kërkohet një vrasës” dhe “Mos harro të më kujtosh”. Tanimë, vepra e tij e katërt sapo ka dalë në dritë. Bëhet fjalë për romanin e tij më të fundit që vjen nën titullin “Provinca”, shkruan KultPlus.

Dhe u bë qetësi ngado, një qetësi që i përngjet ngjitjes në mal, me heshtje të pezullt dhe maja tē thepisura vargmalesh që shfaqen mbi tisin pa ngjyrë të ajkës së mjegullës. Pastaj ti e gjen veten në majën më të lartë. Nën vete ke shtresat e bardha të atmosferës dhe pikla që çukisin nga poshtë si sqepa qeniesh nënujore, e shndërrohen në rrathë që hapërdahen. Ti nuk don të kthehesh më prapa, dëgjon ca si tinguj të vagullt. I thua vetes, mamaja ka vdekur. Bashkë me të, dhe ajo copëz e jetës sime që më lidhte me provincën, e shkëputur tashmë përgjithmonë. Më pas, tingujt në formë jehonash qërohen dhe ti dëgjon zërin e fqinjës që të ngushëllon për mamanë dhe shpall me zërin e saj të çjerrë fundin e dinastisë sonë. Ajo qan dhe flet për kujtimet tona, a thua se ka qenë aty tërë jetën tonë. Ajo është vajtoca e dramës sonë që mallkon padrejtësinë e jetës dhe përsërit me logore: “Jo, nuk është e drejtë!”. Po çfarë ka qenë ndonjëherë e drejtë në jetën tonë, e pyes unë. Ajo vë re përhumbjen time dhe pushon së qari. Një formë ngërdheshjeje qesharake i është stampuar në fytyrë. Unë përsëris se e tërë jeta jonë ka qenë një padrejtësi, madje krejt ekzistenca e provincës është një mallkim në të cilin thyejnë qafën ëndrrat e fëmijëve.”

Është vetëm një pjesë e shkëputur nga romani “Provinca” të cilën autori e ka publikuar në rrjetet sociale. Me këtë, ai ka thumbuar kureshtjen e shumë letrarëve. Duke filluar nga titulli, përshkrimi origjinal e tejet unik i natyrës dhe fuqia e gjuhës, autori na fut brenda jetesës në provincë, aty ku padrejtësitë e panumërta gjejnë vendin e tyre në qoshet e shpirtrave të çdo fëmije.

Në një intervistë për KultPlus, shkrimtari Mulaj ka rrëfyer detaje që nisin nga ideja për romanin “Provinca”, ka ndarë me ne preokupimet si krijues, sfidat në përditshmëri, qëndrimet e tij letrare, procesin e të krijuarit dhe anët e “errëta” të tij. Njashtu, nuk ka munguar as edhe bisedimi rreth rëndësisë së gjuhës, prurjeve të reja letrare, suksesit të tij që sa vjen e shtohet, e deri tek projektet e radhës. Pra, në çdo shkronjë dallohet një dashuri e dëlirë për letërsinë shqipe e jo vetëm.

Kur kemi të bëjmë me autorë të tillë, një intervistë e tillë mund të ju dhurojë një hap drejt veprës së një shkrimtari që nuk e keni përjetuar ende, apo thjesht, do të ua shtojë përkushtimin e juaj ndaj krijimtarisë së tij.

KultPlus: “Provinca” është libri juaj i katërt me radhë. Na tregoni se si erdhi ideja për ta krijuar dhe sa kohë mori deri në botim?

Liridon Mulaj: Vizitat e rralla në qytezën time të lindjes në këto 20 vitet e fundit, më krijonin gjithmonë një lloj pështjellimi dhe konfuzioni në lidhje me ndryshimet e pakta sociale, ekonomike dhe historike, ndryshime të cilat si efekt kishin lëvizjet e mëdha demografike.

Popullsia zhvendosej drejt qyteteve të mëdha dhe zëvendësohej me të tjerë banorë nga fshatrat përreth duke u kthyer kështu në një hinkë që rridhte thuajse gjithmonë. Në kaq vite sa herë kthehesha atje, ngjante sikur gjithçka ishte e palëvizshme, e ngrirë në një maskë që i jepte qytezës një pamje hibride deri diku të frikshme. Pra, shtohej degradimi e njëkohësisht dhe qasja dekadente ndaj të ardhurve, një efekt zinxhir që e ndjek njeriun e provincës kudo.

Provincat shqiptare në 30 vite emigracion kanë parë zhbërjen e tyre në kuptim të plotë të fjalës, kështu dhe unë vendosa të ndërtoj historinë e një djaloshi i cili e urren provincën ku ka lindur, për arsyet të cilat i përmenda më lart, varfëria, urrejtja, lufta për mbijetesë që pasojnë përbuzjen, represionin dhe përjashtimin e të dobëtit nga mjedisi ku mbijeton më i forti. Dhe jo i forti në kuptimin triumfalist të fjalës, por më i forti që në provincë nënkupton më maskarain, më të poshtrin dhe më të ligun. “Vilmonti” është personazhi kryesor, djaloshi me probleme të thella të shëndetit mendor, shkaktuar nga mjedisi shoqëror që e rrethon.

KultPlus: Titulli është gjithmonë pjesa më e bukur dhe shpeshherë edhe më e vështirë në procesin e krijimit. Pse pikërisht “Provinca”?

Liridon Mulaj: Romani është i ndërtuar në formën e një rrëfimi ku në qendër është Provinca, rrëfim i cili ndërpritet nga disa tregime në formën e intermexos ku po ashtu gjendet një personazh që vjen nga provinca por që mund të jetë episodik ose kryesor, varet nga trajtesa. Provinca si psikozë, si kompleks apo dhe qëndrim, pra ‘Provinca’ si identitet.

KultPlus: Në lajmërimin për botimin e librit ju keni ndarë një pjesë, ku mësohet për vdekjen e nënës dhe padrejtësitë e jetës. Na tregoni saktësisht mesazhin që e ngërthen në vete ky roman?

Liridon Mulaj: Një vepër letrare ndërtohet si dëshmi e një realiteti pa rënë në mediokritetin e moralizimeve. Këtë bën dhe ‘Provinca’. Tenton të rrëfejë një periudhë të historisë sonë kolektive e cila për hir të së vërtetës nuk është e denjë por që është e jona dhe duke qenë e tillë meriton të rrëfehet si e tillë.

KultPlus: Çdo krijues përballet me sfida që bëhen pjesë e përditshme e jetës. Po për ju, cilat janë sfidat më të mëdha që i hasni si shkrimtar?

Liridon Mulaj: Sfida ime e vetme është të jem në lartësinë e duhur për të merituar leximin dhe marrjen në konsideratë nga lexuesi të asaj çfarë shkruaj. Dua të jem shkrimtar që lexohet dhe kërkohet. Kjo është sfida ime dhe besoj e çdo shkrimtari.

KultPlus: Keni deklaruar se letërsia juaj ndikohet nga ngjarjet dhe karakteret, e jo nga leximet. Me çfarë ndikimi jeni duke u përballur për momentin?

Liridon Mulaj: Për momentin po mendoj të shkruaj një roman ku në qendër ka një histori dashurie. Ngjan e çuditshme paska si sipërmarrje por besoj se duhet bërë. Pa rënë në patetizma, mendoj se romanet e tilla do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e lexuesve. Duhet thyer me çdo kusht miti i trendëve në letërsi, të cilat e trajtojnë letërsinë si fushatë mode apo fushatë marketingu. Letërsia e mirë pavarësisht subjektit dhe stilit është gjithmonë në modë.

KultPlus: Procesi i të shkruarit është njëkohësisht sa i veçantë aq edhe i lodhshëm. Çfarë ndjeni ju personalisht në ato momente?

Liridon Mulaj: Ndjej frikë, shumë frikë. Përgjegjësi, dhe thuajse gjithmonë një ndjenjë kotësie për atë që shkruaj. Dhe në fund më vjen shumë turp. Ky fenomen njihet dhe si “terrori i fletës së bardhë”. Mandej e mbledh veten dhe ia nis e shkruaj sërish duke menduar se do të jetë koha ajo që do të vlerësojë ose jo ato që shkruaj.

KultPlus: Gjuha është fuqi. Sa është e rëndësishme që të shprehurit e juaj të ketë ndikim tek lexuesi?

Liridon Mulaj: Gjuha është instrumenti me të cilin konkretizojmë pikëvështrimet tona si shkrimtar. Kadareja ka një teori për këtë ku thotë se kemi kaq shumë ngjarje dhe ndodhi dhe kemi vetëm 36 shkronja për ti shprehur ato. Gjuha është thelbësore në një vepër letrare.

KultPlus: Si i vlerësoni ju prurjet e reja letrare që botohen vazhdimisht nëpër librari dhe sa kanë rëndësi ato tek lexuesi i sotëm?

Liridon Mulaj: Në Shqipëri dhe Kosovë po krijohet një brez i talentuar shkrimtarësh. Secili shkruan në stilin e tij dhe ka qasjen e tij të veçantë. Shkrimtarët e rinj sot po shkruajnë surrealizëm, romane historike, realizëm magjik, pra kanë rrokur lloje të shumta zhanresh për tu prezantuar. Por përtej zhanreve, po shkruhet mirë, dhe kjo ka më së shumti rëndësi. Kjo i bën mirë së tashmes dhe sigurisht së ardhmes së letërsisë shqipe.

KultPlus: Si duket nga ana juaj, suksesi i juaj letrar dhe sa përmbushës është ai për ju?

Liridon Mulaj: Nëse quhet sukses të arrish të shesësh një tirazh brenda dy viteve, të të jepet mundësia në mediat kryesore të flasësh për letërsinë, të shkosh anekënd Shqipërisë të prezantosh letërsinë tënde, të përkthehesh në disa gjuhë brenda pak viteve dhe të besohen misione për përçimin e letërsisë tek të rinjtë, atëherë po unë jam shkrimtar i suksesshëm.

Kjo nuk do të thotë se kam rënë në vetëkënaqësi, përkundrazi, ndjenja e kotësisë është gjithmonë aty. Gjithsesi në mjedisin tonë letrar plot mëri dhe inate, etalonët e suksesit janë individuale ku secili është një gjeni i radhës. Të shohim. E thashë dhe më lart, koha është gjykatësja më e rreptë.

KultPlus: Për fund, a jeni duke punuar në ndonjë libër të radhës?

Liridon Mulaj: Kam në plan ribotimin, thuajse rishkrimin e romanit tim të parë “Kërkohet një vrasës” i botuar 5 vite më parë dhe një vëllim me poezi. Nuk dua ta lë pas dore poezinë. Ka qenë porta ime hyrëse në letërsi.

Kujtojmë se me datë 31 tetor, duke filluar nga ora 17:00, në Sallën Unesco të Muzeut Kombëtar, do të promovohet romani “Provinca” i shkrimtarit Liridon Mulaj. / KultPlus.com

‘Ti vogëlush nuk i njeh rranjët e tua’

Poezi nga Liridon Mulaj

Ti vogëlush
nuk i njeh rranjët e tua,
me fasada baroku je
rrit e ndër streha të bardha
të Europës, belbëzove tingujt
e parë të panjohun për ne.
Nuk të vranë zingjirët e kolonizimit ,
e as rrethprerjet e detyrueme ,
tradicionale , me gjase rite krejt
idiote.
Kurbat e statistikave,
nuk ta zbehen lumtuninë,
e mbi ne gjithmonë Zoti pati nji emen.
As lindjen e mesme nuk e dijte,
globit i re vizë aty ku lapsi
yt i zi, si gjaku i yne , ndaloi.
Në Algjeri, Marok, Shqipni, Berlin
apo Athinë.
kudo ku besohet jeta post vdekjes.
E prapë në gjuhën e parë mu gjegje:
” Merci” kur ti putha duart.
Terrorit nuk i dhamë emen as kombësi,
se njeriu qe vret njeriun
asht vetja kundër
vetes,
i kredhun në pasqyrën e së shkuemes.
“Allahu Akbar”
“Santa Maria”
“Jesus Christo”
“Nel nome del padre , del figlio,
e dello spirito santo”
E ne njisoj kjajmë,
e po njisoj vrasim
në ajrin e trandun ,
në tokën e mysët
e nën të njëjtin qiell,
përsërisim vetveten:
“Allahu Akber versus Dio”
Ne , të zhbamunit e Babelit,
me gjuhen, ndërruem dhe shpirtin… / KultPlus.com

Pse shkruaj?

Nga Liridon Mulaj

Ekziston pyetja e përbotshme dhe themelore e cila na cyt qysh prej se brënda nesh, thellë në zemër ndjejmë rrahjet e para ndryshe. Ato rrahje të cilat na trandin me forcë dhe papushim drejt pasionit dhe dashurisë sublime. Pyetja e cila rrekemi ti përgjigjemi herë pas here pa dashur kurrë ti japim një përgjigje përfundimtare, të bindur se kjo përgjigje nuk ekziston e se çdo tentativë drejt fundit të saj është e kotë.

Po cila është kjo pyetje që mundon shpirtin e çdokujt që rreket të shkruajë qoftë dhe dy rreshta krijmtari. Që shkund themelin e ekzistencës qe na e mbush jetën me dogma e teori të cilat orientuar nga meterializmi, nuk janë aspak motivuese për krijuesit? Pyetje të cilën ia drejtojmë vetes pas çdo zhgarravine të hedhur në letër? Përse shkrujamë? Cfarë na shtyn të shkruajmë? Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, atëherë kur nisa të shkruaj vjershat e mija të para , përgjigja të cilën i jepja vetes ishte: Shkruaj për të rënë në sy të mësuesve dhe për tu bërë i njohur brenda rrethit të shkollës dhe gjithashtu për të dalë i pari në konkurset e përmuajshme letrare nga të cilat pas njëfarë kohe nuk mu lejua të merrja pjesë.

Shkaku? E fitova për 4 muaj me rradhë dhe nuk kishte më kuptim të isha pjesë e tij. Por gjithsesi sërish shkruaja, për të shpalosur botën timë fëmijërore. Atë botë të madhe por dhe të vështirë në të cilën vuanim dhe lumturoheshim duke qëndruar në qoshin e saj, si një kokrrizë rërë në shkretëtirën e paanë dhe përvëluese. Dhe ashtu shpesh i pushtuar nga ethet e të shkruarit, s’kishte natë (zakonisht shkruaja në darkë dhe fshehtas, veprim të cilin ma diktonte mentaliteti i asaj kohe ku ata që krijonin ishin kryesisht qënie të brishta dhe jo të denja për shoqërinë e gjallë) që nuk grisja faqe të tëra fletoresh mbushur me vargje dhe rrokje herë strikte e herë të lira.

I grisja ato vargje të cilat në fillim më bindeshin e mandej e humbnin fillin, grisja vargjet që i bindeshin numrit të rrokjeve e më pas nuk më rimonin. Ose pas shëtitjeve pothuajse me orë të tëra nëpër dhomë( imagjino të vish vërdallë për orë të tëra në një dhomë tre me tre mbushur me krevate prej llastiku, rafte të stërmëdha prej druri jo të latuar me dyer të shqyera e të rëna si kocka pleqsh e më një sërë objektesh të panevojshme si makina qepëse e prishur që shpesh përdorej si tavolinë, një tavolinë e vogël prej qelqi ku sipër saj qëndronte prej vitesh një statujë e krishtit të kryqëzuar apo ca furka për tjerrje leshi të zhytura nën krevate me bishtat e zgjatur që shpesh pa e pasur mëndjen thyenim qafën duke u penguar në to) e pasi nuk gjeja dot fjalën e duhur që rimonte, ulesha dhe me nerva të tendosura grisja të gjithë fletoren copë e çikë.

Kështu jemi ne, të çmëndur sigurisht dhe anormalë. Dhe çdokush që mendon të kundërtën për veten , duhet ta dijë që nuk është shkrimtar madje guxoj te konstatoj se nuk ka për t’u bërë asnjëhrë nësë çmenduria e tij nuk arrin caqet gjatë asaj kohë të cilën ia kushton shkrimit. Shkrimi është një akt revolucionar , një akt kryengritjeje i qënies sonë të brishtë dhe të vetmuar. Një akt guximi i cili na shtyn t’ia përshfaqim botës brendinë tonë nëpërmjet të shkruarit.

Është kjo mënyra me të cilën ne zgjedhim të përfaqësohemi, të komunikojmë dhe të njihemi në shoqëri. Të shkruarit është përgjigja e pyetjeve që na mundojnë, që na përndjekin. Është qasja jonë ndaj çdokujt dhe parashtrimi që ne i bëjmë vetvetes para njerëzimit. Është rradha e të treguarit dhe të rrëfyerit me qetësi e të gjitha pasojave dhe shkaqeve që i sjellin këto pasoja për të cilat në përditshmëri ne heshtim dhe duke heshtur, refuzojmë ti themi apo t’i komentojmë. Është dora e zgjatur drejt secilit prej jush, si formë leje për të thënë e treguar atë çka kurrë dhe në asnjë formë tjetër nuk do ta kuptoni.

Pra sërish lind pyetja pse shkruajmë në këtë botë të sunduar nga materializmi dhe interesi material? Si shkrimtar i ri e kam dhe unë një përgjigje. Përgjigje e cila lindi ditën kur lexova një roman dhe pasi e mbylla ndjeja si dreqi që t’lija gjithçka pezull, dhe t’ia rifilloja sërish, dhe ashtu bëra. E lexova atë roman tre herë me rradhë dhe s’pata të ngopur ashtu siç mushkëritë e njeriut kërkojnë oksigjenin pas një zhytjeje të gjatë nën ujë.

Dhe ajo ndjenjë e mrekullueshme të cilën e përjetova pas atij leximi u kthye në qëllimin e jetës sime dhe gjithashtu në përgjigjen e pyetjes sime se përse shkruaja, për ta bërë lexuesin të ndjejë të njëjtën nevojë ( e theksoj leximi është nevojë mbi dëshirë) të cilën ndjeva unë pasi mbylla kapakët e atij romani. Përse pra shkruaj unë sot? Shkruaj për të magjepsur lexuesin, shkruaj për të mos e lënë vetëm dhe nëpërmjet aktit të vetmuar të të shkruarit të sakrifikoj për lumturinë e tij.

Shkruaj për t’u ndjerë i rëndësishëm, sigurisht. Shkruaj për të zbrasur brendine time nga mijëra brenga e përjetime të shkuara. Shkruaj për të qënë një pikëtakimi, nyje lidhëse e metafizikës dhe reales. Shkruaj për të krijuar botën që dua. Atë jo perfekten, absolutisht por padyshim atë që unë kam si vizion, ku vuaj si dreqi, dashuroj si fëmijë, rrëzohem ngrihem e lumturohem në çaste jo të qarte e përsëri vuaj sa herë botës sime i nevojiten dramat .

Ja përshmbull, në një copëz nga romani i ri që kam në dorëshkrim shkruaj kështu – “Rrëmbeja vështrime të panjohurish e ndërtoja me ta skena madhështore miqësie. Diku në një plazh, rreth zjarrit. Tridhjetë apo dyzet veta, të gjithë të qeshur e me dëshira të fshehura nën tinguj. Luaja në kitarë, ndërkohë një flokëkuqe me lëkurën e brishte e sytë e bukur, këndonte diçka si pa zë.

Dëfreja si njeriu më i lumtur në botë. I gëzohesha jetës teksa ndjeja butësinë e saj kuptimplotë. Rehatinë e të qënit i pranuar. Më pas, gjithcka shembej. Fytyrat fshiheshin pas udhëve të largëta e ndiqnin gjurmët për ku ishin nisur. Ndërkaq unë përfundoja duke kafshuar pëllembët. Si masë e ngurtë , mbushur me iluzione, shpirti më zbrazej mbi imazhe të turbullta , mbi kitarë, rërë. Mbi lekurën e brishtë , mbi sytë e kaltër të imagjinuar. Gjithcka thërrmohej mbi dëshpërim” Dua të them se , ja për këto shkruaj, për të arritur atje ku nuk mundem dot ndryshe. Shkruaj për të sistemuar në kujtesë ,gjithë ato vite mes kohërash të rremujta. Shkruaj për ti dhënë drejtimim e duhur , jetës sime dhe për t’i dhënë asaj një kuptim . Shkruaj sepse të krijosh, të njeh me njerëz të mrekullueshëm.

Njerëz me të cilët të bashkon ideali i të krijuarit , njerëz me të cilët na bashkojnë kokat tona të zgjatura në ajër mes mendimesh dhe figurash letrare të jashtëzakonshme. Sepse brënda botës së letërsisë, edhe zhgënjimet janë si një tregim i shkurtër. Shkruaj sepse kam tre botë brënda vetes që presin të dalin në dritë.

Shkruaj pasi metaforat e mija nga mënyra sesi i krijoj, shpesh më ngjajnë me një balerinë që në majë të gishtave ecën mbi një litar ku mjafton një fjalë e vënë gabim e gjithçka prishet. Kjo më ndodh sa herë frymëzimi e mund arsyen e në gjendje hipnoze, dora shkruan komanduar nga zemra. Një fije e hollë ndan madhêshtinë nga patetitizmi , letërsinë nga zhargoni i përditshëm dhe unë shkruaj pikërisht për të mos e lejuar këtë. Shkruaj sepse fundja, e ndjej se nuk di të bëj asgjë tjetér më mirë e mes jetë-vdekjes shpirtërore në këtë botë të ngurtë, unë vetëm kur shkruaj, arrij të ndjej se po jetoj, se jam i gjallë. / KultPlus.com