Valentini i shejt’

Poezi nga Naime Beqiraj

Ai âsht krahu i hapun
E zemra e hapun
Pamendja, e dhanmja
Me pranu tjetër
Prej qetsis’ s’vrame

Valentin i Shejt’ âsht kur zgiedh gzim
Krimi kur bâhet parafjalë
Ta tërhjek dritën mrapsht
E vdek zemrën gjysa gjysa

E mban t’papeng t’thanmen
E panistume
Ajo e shqiptumja
Që e dini veç ju t’dy
Pa e ndi as buza

Fryma âsht, ajrin e egër
Me ta prê
Mos me u thâ ftyra
Mandej t’ftoftës shpirtit
E maskës që s’mbron

Ậshti i fortë âsht, lkura
Majat e gishtave
Që bâjnë mija udhë
E kthehen mbrapsht
Me lan vend për krah tjetër

Valentin i Shejt’ je edhe ti
Kur e kupton pafundsisht
Që me luftu ki
Me i fitu t’gjitha humbjet

Ai âsht skena e madhe
E ushqyme me sende t’vogla
Fal me shembje t’rânda
Motmotet me aj’r psher’timash

Janë zbardhjet e t’dillit
Net e panjoftuna
Hjekja e tutës me ec mbi akull
Kcimet prej s’nalti n’terr

Me mâ t’bukurën gjuhë
Ai âsht ajo, ngrit’ pa u majt
Me e marr durimin për veshi
Me u zhyt e me u përly
Nis para hijes s’vet

Ajo âsht ai
Me mbrri para zemrës, njejt si koha
S’âsht miku yt ma i mirë
Por mâ shumë
Zâni që t’vjen kur s’e thrret
Dhurata që s’e pret

E pakuptueshmja e âmbël
Kuptimi që t’deh
Tuj u kalamend
Me u shfaq pijetar
Ni dorë hutimi
Fantastiku e shkujdesi

Edhe përngjamje, si di vet
Kur koha ka me ju bâ bineq
I veshni ndëgjimet e njeni tjetrit
Si k’mishat, jastekt’

Valentin i Shejt’ âsht puthja
E vjedhun n’shi
Ni dorë vaj e ni jetë psallm
Parajsa për me kundërshtu
E falja pa asni ngjyrë, kusht

Valentin i Shejt’ âsht
Buza e përvajshme
E liria e synit n’ecje
Prap si ngushllim
Me i dhanë leje
Me shku / KultPlus.com

Daut Berisha – Mjeshtri i pikturës, i pashpërblyer në atdhe

Nga Naime Beqiraj

Dy herë e kisha parë. Një herë në Korzon e Pejës duke ecur në drejtim të Grykës së Rugovës. I gjatë, i hollë, i drejtë… Mund të jenë ndoshta njëzet vjet, ose edhe më shumë. I kisha parë pikturat e tij, jo aq shpesh sa kisha lexuar për të por më shumë kisha dëgjuar rrëfimet e përshtypjet e piktorëve e artistëve të Pejës që në rininë time të hershme për dy pejantë e famshëm në Paris: Daut Berisha dhe Ehat Musa. Kisha lexuar një poezi brilante të Sabri Hamitit për Berishën, kisha dgjuar rrëfimet e Ibrahim Rugovës për miqësinë e tyre që nga fëmijëria, vizitat dhe ndejat e gjata në studion e piktorit në Paris. E atë ditë vere në Pejë, teksa e shihja me ecjen gracioze, mu hidh me i dal para e me e lut për një intervistë kur të ketë mundësi. Mu duk vetja e pa përgatitur, ndaj hezitova. Po të më thoshte: po, urdhëro gazetare e re. Unë e papërgatitur…

Kisha folur vite më pas me kolegen time Fellanxën dhe djalin e saj Nak Berisha (nipi) të cilit piktori i kishte vënë emrin dhe më kishin premtuar që në rastin e parë kur Berisha vjen në Kosovë ta realizojmë intervistën pasi të isha përgatitur mirë. Ajo intervistë nuk u realizua asnjëherë dhe më vjen shumë keq.

Herën tjetër, para 17 vitesh në ngricë janari. Prisnin në radhë në ambientet e Kuvendit të Kosovës për t’i bërë nderim Presidentit Rugova. Daut Berisha para nesh i shoqëruar nga ish deputetja Samije Zeqiraj. Në duar mbante lule të freskëta. Policja që fliste në gjuhën serbe, e ndaloi. Kurse dy gra të ish ministrave me minifunde së bashku me burrat e tyre, edhe ato me lule, por u lejuan. Berisha ju drejtua polices por ajo serbisht as nuk deshti me e ndëgju. Ndërhyra për t’i treguar kush ishte ky njeri. Piktori u kthye pas. U mundua t’i përmbajë lotët. Policja me arrogancë i tha përsëri serbisht: nuk lejohen me lule. Piktorit i mbeti fjala në grykë. Mu duk se e pashë portretin e tij Gjergj Kastriotit të cilin ja kishte dhuruar Presidentit Rugova nën kronizën e thellë të të cilit spikacnin sytë shprehës. Piktori kishte ardhur nga Parisi për ta nderur mikun e rinisë e të fëmijërisë dhe me hiret e kryeqytetit botëror të artit, ishte përulëse që bashkë me trupin e shpirtin të vendoseshin lulet. Nuk mund të bëja një hap para e të lija pas njeriun që zihej në shpirt nga ky refuzim. Me dhimbjen për humbjen e Presidentit dhe me lotët që mundohej t’i përbinte Daut Berisha, rëndesa e ditës ishte dyfishuar.

Daut Berisha, pa bujë, pa ceremoni shterpe, i vetmuar, ashtu siҁ ishte tërë jetën – eci drejt amshimit. Ne do të jemi më të varfër pa peshën artistike të këtij njeriu. Kush ja diti vlerën do ta mbajë në shpirt pengun: si nuk ju organizua një ekspozitë, nuk ju shpreh mirënjohje as në Prishtinë, as në Pejë. Asgjë nuk bëmë për këtë njeri të madhe. Jemi mosmirënjohës. Nuk e di nëse e kemi merituar në artin e kulturën tonë një vlerë si Daut Berisha./ KultPlus.com