Gushti i nji qyteti zhurmaxhi

Poezi nga Rozafa Shpuza

Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue
zhumhurin qytetas
që klithë me za krejet prej altoparlantesh shakshi,
t’varun si kurbanë modernë tallavash.
Kori i stonuem i tellallëve s’ka të tashme
veç përshkon si rruzat në filispajë
të shkuemen deri tek e ardhmja.
Kalimtarët frymojnë si n’jerm
n’qasje të mirazheve t’zhegintuna
teksa kalamenden pergjatë pjacës
te dekorueme me grrila brinjthyem.

Unë jam ajo radioja zaçjerrë
me dy butona frekuencash
me kode t’fashituna kaherë,
që sillen papra’ në kërkim
të nji stacioni qe m’pret qyshkur / KultPlus.com

‘Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Rrëfim n’vetë t’parë

N’jetë erdha at’ verën e rreshkun
që u njom prej ujnave të zgrip-lindjes
e u trand prej ulërimave amësore
të denja për nji arie perfekte.
Im atë m’njiti emën legjendash,
kurse nana m’dha cicë deri sa nisa me ndenjë taaa…
Anipse qava n’kupë t’qillit,
gjyshja kambënguli me m’lidhë n’shpërgaj
e kambët m’i zhyti n’sheqer kur lindi im vëlla.
U rrita me marsh paradash e brohorima t’mnershme
e për mbarësi më hodhen uje diten e parë të shkollës.
Çdo verë lava n’oborr qylymin me thakë t’grimë tejet
tue kërcye zbathët sipër tij
si n’ceremonitë pagane.
Ndër fletore matematike shkruva ditar
e për dashnorët naivë përdora iniciale
që tash kot lodhem me i çkodue…
Ju recitova poezi nxanësve t’nji shkolle ndër male
diku mes reales dhe absurdes
mandej i qindisa n’gjergjef tana dëshirat
si me dashtë me i ba zapt n’atë rreth t’tendosun
si nofllat para vajit…
Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira
prejse i druhesha joshjes se mirazheve
t’krijueme prej flakës së tyne t’rrejshme.

N’jetë edha at’ verën e rreshkun
njajtë me këtë t’simjetshmen
kur gjinkallat konkurrojnë me kangtaret e afisheve t’shkyme
e une shuej etjen me krriklla kabahe birret
n’lokalin me nji shkronjë mangut n’tabelë… / KultPlus.com

‘Frymojmë me ritëm dashnish të pamujtuna’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Na

Vijmë prej qytetesh t’largëta
destinue me na tërhekë kah vedi
me hov zbaticash kryeneçe.
Rrugtojmë kithtaz me stacionet vetmitare,
që na joshin me farfurina kallpe
e kureshtje udhëtarësh të përgjumun
caqe t’fatit tonë endacak.
Frymojmë me ritëm dashnish të pamujtuna
sa herë zgripmotet na fusin ndër morsa mëdyshjesh
që s’jena të zot me i kapërdi…

Tekemramja,
çojmë me fund nji gotë
ndër tavolina t’zhurmshme
me disa karrige bosh aty-këtu
e prore stivojmë dëshira në pazellin absurd
të kalendarit rishtak… / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

‘Hapat ikacakë i fikin dashnitë si bisht cigaret me filtër të kafshume’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mbramjeve,
qyteti ka trajtën e nji gruaje
paksa të kërrusun nga pritja,
me shkulme thinjash ndër tamtha
e make-up të errët,
nergut me fashitë rrathët poshtë syve.
Hapat ikacakë i fikin dashnitë
si bisht cigaret me filtër të kafshume
prej buzkuqit 24-orësh.
Stacionet e periferive
zbrazen me ritmin e tradhtive
t’destinueme me plasaritë shpirtna,
sa herë thembrat e statujës,
atje n’sheshin ku flirtuem nen çader,
përmjerren prej qejve rrugaçë.

Në t’zbardhun,
qyteti ka trajtën e avullit
që ngutshëm shprazet prej flegrash
tue mjegullue andrrat që s’mbërritën
me pritë agun… / KultPlus.com

‘Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun a ma t’trishtë n’botë’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Sonata e pritjes

Pritja s’ka formë
krejt si mirazhet e nji rruge t’zhuritun zhegut.
Pritja s’ka peshë
njajtë me tymin e cingareve që pij papra’
n’ate lokalin ku reklama pulson nervoze
shkulme verdhacuke drite.
Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës
që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun
a ma t’trishtë n’botë.
Pritja m’shfaqet e tjetërsueme
kur e ndryj me drynjt e varun
n’uren e dashnive t’pamujtuna.
Pritja i pergjet tabares së nanës
që e ruej n’raftin me dru arre,
anipse tejat e kanë qindisë me fantazina surreale.
Pritja nuk ngutet
prejse asht e sigurt se gjithqysh m’gjen n’vendtakim.
Pritja perlotet e zgjatet si hije muzgu
sa here e largoj prej vedit.
Pritja asht tufa thinjave nder tamtha
qe edhe pse i lyej te parukierja e lagjes
e di mire se janë aty, gati me u rishfaqë.
Pritja ka trajten e orës prej rane
ku sekondi ka vleren e nji jete
kesisoj e kam var n’qafë si medaljon
me shpresë se ka me kthy kohën qe m’ka grabitë… / KultPlus.com

‘Ky asht veç skeleti i kukllës që pret me veshë tesha t’reja prej teprica imagjinatash që i preva prej revistash t’ndalueme’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Për nji kukull pecash

Prej shisës rrumeqe
që shtyn dimnin në qoshk t’oborrit
këpus dy krande cullake
e i lidh kryq me fill t’kuq.
Ky asht veç skeleti i kukllës
që pret me veshë tesha t’reja
prej teprica imagjinatash
që i preva prej revistash t’ndalueme,
me gërshanën e krastijes.
Ngutem me ia vizatue tiparet
me nji laps plumç-thyem
që kajherë mënon me fiksue buzëqeshjen,
prejse dora s’më bindet
e boja hapërdahet mbi fytyrën
e sajume me nji monedhë
që im atë ma pat falë
ditën kur ra bora e parë.
Tash kuklla asht gati me pritë vjetin rishtak
e mue s’më mbetet tjetër
veç me kthye fletën e mbrame të kalendarit.

(vëllimi poetik “Nana i qindiste kryq dimnat”) / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

“Vjetë për vjetë ju ve nji lak n’qafë ditëve që m’duhet me pritë”

Poezi nga Rozafa Shpuza

Pritjen teme
t’copëzueme n’pazëllin e nji kalendari pagojc
e vjerri vjetë për vjetë n’vjegcën
e ngujueme n’plasat e murit t’odës pa tavan.
N’vjegcë
përshkohet si rruza n’pe ditëlindja rishtake…
Përvjetë
thuejse i njajti ritual,
pos qirit që shtohet mbi tortë
që, gjithqysh,
s’asht i zoti me i ba ballë
frymës që shprazet kur tham nji dëshirë.
N’qasje të lavjerrësit
n’vjegzë përkunden pritmënitë
qysh kur nana m’endi pëlhurën e ardhmënisë
e deri sot,
kur pritjen e vjerri përhanshëm
si tana ritualet pagane t’nji dasme,
kur orizi i hedhun mbi vel
bahet oguri i tana mirësive.

Vjetë për vjetë
ju ve nji lak n’qafë ditëve që m’duhet me pritë
e nisem shkujdesun dikutek
pa destinacion të paracaktuem rrugtimi… / KultPlus.com

‘Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna’

‘Pa lajmërue’ nga Rozafa Shpuza

Ti, s’ke pse veshë tesha
marrun hua prej stinësh të përdala,
s’ke pse hupë nën maska tinzare
sajue për gosti hijenash,
s’ke pse pret biletë linjash strikte
plot e përplot me andrra t’frigueme.
N’valixhe s’ke pse ngarkon
peshqeshe lidhun ny me kordele rrencake.
Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet
ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna,
as pellgjet s’ke pse i shkapërcen
me rujtë pa lagë çorapet
që nana t’i bani gati për udhë.
Ti vetëm hajde,
ashtu si vjen malli, pa lajmërue… / KultPlus.com