“Vajtimi”, poezia e trishtë e Viktor Hygosë

“Vajtimi” është një ndër poezitë më të bukura të Viktor Hygosë, kushtuar boshllëkut që lë pas humbja e një personi të dashur. Që nga mungesa fizike, e deri tek ajo shpirtërore më së shumti në rrethin familjar, autori ka shkruar një elegji për vdekjen, e cila përjetohet si një ngulja e një thike të ftohtë drejt e në shpirt. Padyshim kjo elegji ndihet më shumë e dhimbshme nga ata që e kanë përjetuar një humbje aq të madhe, sa ajo e një familjari apo miku mjaft të dashur. Nga vargu në varg, dhimbja bëhet edhe më e fortë, teksa autori mundohet të  kalojë nga e përgjithshmja (mungesa në natyrë) tek e veçanta (mungesa më e madhe që ndihet në familje).

“Vajtimi”

O shtigje ku lirshëm valëvitet bari,
Lugina, kodra e ti pyll që oshëtin!
Çfarë është me ju e gjithë kjo heshtje varri?!
Për atë që iku e jo më nuk ka kthim!

Po pse kjo dritare tash vonë rri e mbyllur?
Dhe pse ky kopsht rri i heshtur e i shkretë?
O shtëpi, ku është i zoti që gjithmonë miqtë i ka pritur?
“Di vetëm që s’është e kurrë më s’do të jetë”.

E ti qen besnik, kush për ty do kujdeset?
S’ka dorë të të ushqejë më, këtu njeri s’ka.
Fëmija i gjorë qan e kërkon të atin
e vejushë e zezë e qan e mallkon fatin.

Si iku ai kështu në errësirë?
O dhimbje që godet pareshtur pamëshirë!
Ku shkoi vallë? S’përgjigjet asnjëri,
Veç zërit tim të trishtuar, një dhimbje, elegji… /bota.al/ KultPlus.com

Shprehje të papërsëritshme nga Viktor Hygo

“Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet, dhe për të cilën nuk mund të heshtësh.”

“Kur një grua është duke të folur, dëgjo atë që po thotë me sytë e saj.”

“Djalë, vëlla, baba, i dashur, shok. Ka hapësirë në zemër për të gjitha dashuritë, ashtu sikurse ka hapësirë në qiell për të gjithë yjet.”

“Jeta është lulja, për të cilën dashuria është mjalti.”

“Iniciativa është të bësh gjënë e duhur, pa ta thënë kush.”

“Kur diktatura është fakt, atëherë revolucioni bëhet një e drejtë.”

“Një ferr inteligjent, do të ishte më mirë se sa një parajsë idiote.”

“Ndrysho mendimet, por mbaju parimeve; ndrysho gjethet, por lëri të paprekura rrënjët.”

“Buzëqeshja e gëzimit është më pranë lotëve, se sa të qeshurës.”

“40 është mosha e vjetër e rinisë; 50 është mosha e re e pleqërisë.”

“Shpirti ka iluzione, ashtu si zogu që ka krahë; ai mbahet pas tyre.”

“Reagimi – një varkë që shkon kundër rrymës, por që nuk e pengon rrymën të vazhdojë të rrjedhë.”

“Ka baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre. Por nuk ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.”

“Qëndresa – sekreti i të gjithë triumfeve.”

“Kurioziteti është një prej formave të guximit femëror.”

“Ka një spektakël më të madh se sa deti, dhe ai është qielli; ka një spektakël më të madh se sa qielli, dhe ai është brendia e shpirtit të njeriut.

“Për të krijuar të ardhmen, nuk ka asgjë më të mirë se sa një ëndërr.”

“Kafsha është injorante për faktin që di. Njeriu është i vetëdijshëm për faktin që është injorant.”

“Njerëzimi nuk është një rreth me një qendër, por një elips me dy pika qendrore, nga të cilat faktet janë njëra dhe idetë tjetra.”

“Shpresa është fjala që Zoti e ka shkruajtur në ballin e çdo njeriu.”

“Trishtimi është një frut; Zoti nuk e vendos atë mbi degë që janë shumë të brishta për ta mbajtur.”

“E qeshura është Dielli që dëbon dimrin nga fytyra e njeriut.”

“Shoqëria është një republikë. Kur një individ përpiqet të ngrihet mbi të tjerët, ai ulet poshtë prej masës, ose përmes talljes, ose përmes shpifjes.”

“Sa herë që një mik të thotë që dukesh i ri, të jesh i sigurtë se po plakesh.”

“Askush më mirë se një grua, nuk di të thotë gjëra që janë njëkohësisht të buta dhe të thella.”

“Ai që hap një shkollë, mbyll një burg.”

“Çfarë është historia? Një jehonë e të kaluarës në të ardhmen; një refleks i të ardhmes në të kaluarën.”

“Asgjë tjetër në botë… as edhe të gjithë ushtritë, nuk janë më të fuqishme se sa një ide, të cilës i ka ardhur koha.”

– Victor Hugo / KultPlus.com

“Të uroj…”

Nga Viktor Hygo

…Uroj që kur të jesh i ri, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Dhe kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë.

Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.
Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz të palumtur, të depresionuar dhe të patrajtuar mirë.

Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që dëgjohet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.
Dhe pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Dhe të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë.
Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.

E, nëse je mashkull, të uroj një femër të mirë përkrah, e nëse je femër, të uroj një mashkull të mirë. Dhe ta doni njëri – tjetrin nesër, dhe ditën pas të nesërmes. Dhe kur të dy të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ja nisur ditës tjetër nga e para…./ KultPlus.com

“Në këto shtëpi ku nuk hyje, në fakt kishe hyrë përditë, në këto pllaka të rrugës ke lënë një pjesë të trupit, të gjakut dhe të zemrës sate”

Shkrimtari i njohur francez Viktor Hygo vazhdon të mbetet ndër shkrimtarët më me rëndësi në letërsinë botërore, madje ka shumë prej kritikëve e studiueseve të letërsisë që e konsiderojnë edhe si ‘Babai i romantizmit’, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell një fragment nga libri “Të mjerët” i Hygos.

“Për sa kohë që vete e vjen nëpër vendin tënd të lindjes, të duket se rrugët janë të rëndomta, se dritaret, pullazet e dyert nuk janë asgjë për ty, se muret janë të huaja, se pemët janë pemët e para që të zë syri, se shtëpitë ku ti nuk hyn, s’kanë të bëjnë me ty, se pllakat e rrugët ku ecën, janë gurë. Më vonë, kur nuk je më aty, atëherë e kupton se këto janë të dashurat e tua, se ke mall për këto pullaze, këto dritare e këto dyer, se këto mure janë bërë të domosdoshme, se këto pemë janë të dashurat e tua, se në këto shtëpi ku nuk hyje, në fakt kishe hyrë përditë, dhe se në këto pllaka të rrugës ke lënë një pjesë të trupit, të gjakut dhe të zemrës sate. Të gjitha këto vende, që njeriu s’i shikon më, që nuk do ti shikoj ndoshta kurrë ruan ninëzën në kujtesën e vet, marrin një hijeshi të dhimbshme, i rikthen ndërmend melankolinë e një fanitjeje; ia bënë tokën të shenjtë, të dukshme…”KultPlus.com

Letra frymëzuese e Viktor Hygos: Nëse nuk të duan, atëherë tregohu i shkathët të harrosh

Nga: Viktor Hygo

Të uroj…

Pikë së pari, të uroj dashuri. Dhe duke dashur, uroj të të duan.

Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë tregohu i shkathët për të harruar. Dhe pasi të kesh harruar, uroj të mos pendohesh. Uroj vërtetë që kjo mos të të ndodhë, por nëse ndodh dhe ti harron, shpresoj të mos zhytesh në dëshpërim. Të uroj të kesh shumë miq. Edhe nëse ata janë të këqinj ose të parëndësishëm.

Uroj të kesh miq të guximshëm dhe të vërtetë. Dhe uroj që një prej tyre të jetë më i besueshmi. Por sepse jeta është në këtë mënyrë që është, të uroj armiq. As shumë, por as pak. Një numër i ndërmjetëm, që të të bëjë të pyesësh veten për të vërtetat dhe siguritë e tua. Dhe le të jetë mes tyre njëri që do jetë i drejtë, që të mos ndihesh kurrë i sigurtë në idetë e tua.

Uroj të jesh i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm. Dhe në momentet e tua më të këqija, kur të mos kesh asgjë, ajo dobishmëri të të mbajë në këmbë. Në proporcion me të, të uroj të jesh tolerant. Jo me ata që bëjnë gabime të vogla, sepse kjo është shumë e thjeshtë, por me ata që bëjnë gabime të mëdha, të cilat nuk mund të zhbëhen.

Përdore mirë tolerancën tënde që të bëhesh shembull për të tjerët. Uroj që kur të jesh i ri, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Dhe kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë. Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.

Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz të palumtur, të depresionuar dhe të patrajtuar mirë. Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që dëgjohet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.

Dhe pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Dhe të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë. Të uroj gjithashtu, të kesh pará, sepse duhet të jemi praktikë. Dhe të paktën, një herë në vit, t’i vendosësh përpara teje e të thuash “Këto janë të miat.”. Kështu, do kuptohet se kush zotëron kë. Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.

Së fundmi, nëse je mashkull, të uroj një femër të mirë përkrah, e nëse je femër, të uroj një mashkull të mirë. Dhe ta doni njëri – tjetrin nesër, dhe ditën pas të nesërmes. Dhe kur të dy të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ja nisur ditës tjetër nga e para. Nëse të ndodhin të gjitha këto, atëherë nuk të uroj asgjë më tepër se kaq. /KultPlus.com