Shumë shpejt Universiteti i Prishtinës do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale.
Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni. Ndërkohë, ekspertët thonë se studentët duhet të vetëdijesohen për denoncimin e rasteve.
Universiteti i Prishtinës, për herë të parë do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale në këtë institucion të lartë të arsimit. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni, e cila theksoi se në kuadër të rregullores për parandalimin e ngacmimeve seksuale, së bashku me prorektoren, Njomza LLullaku, dhe me mbështetjen e menaxhmentit, janë përgatitur pyetjet dhe janë në përfundim të metodologjisë së hulumtimit, ku fokus i pyetësorit janë studentët.
“Nuk do të kenë as emër e as mbiemër. Neve na duhen vetëm të dhënat nga terreni, për të parë gjendjen faktike. Po bëhet një hulumtim për herë të parë për sa i përket kontekstit të ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Do të ketë edhe një raport final, ku besoj se deri në muajin qershor do të realizohet. I kemi formuar grupet punuese, të cilët do të punojnë për të mbledhur të dhënat dhe për ta çuar deri në fund këtë kauzë dhe ta vërtetojmë nëse është fenomen i dukshëm në UP”, tha ajo.
Hyseni, bëri të ditur se që nga viti i kaluar e deri tani janë raportuar pesë raste të ngacmimeve në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë, sqaroi se me rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet, përcaktohen edhe procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla.
“Për vitin 2022, ka qenë numri katër, ndërsa në vitin 2023 kemi një rast. Këshilli i Etikës ka marrë tri vendime, ndërsa në procedurë janë dy. Gjithashtu është edhe vendimi i senatit të Universitetit të Prishtinës për rastin e fundit ndaj profesorit Betim Bejta”, tha ajo.
Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion.
“Ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion të arsimit të lartë, dhe atë jo të fshehur diku në sirtarë të njësive akademike, por të dukshme për të tërë komunitetin e universitetit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo student të jetë i vetëdijesuar për denoncimin e ngacmimeve seksuale. Aktivitetet vetëdijesuese duhet t’i synojnë vetë studentët, duke i fuqizuar të njëjtit për identifikim, reagim dhe denoncim të menjëhershëm të ngacmimeve seksuale”, tha ai.
Policia e Kosovës, në një përgjigje përmes adresës elektronike, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i rasteve nga vepra penale “Ngacmimi Seksual” për vitin 2022 ishte 91.
Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ekziston rregullorja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet. Kjo rregullore përcakton rregullat materiale, procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla. Në marrjen e vendimeve dhe masave disiplinore në procedurën për shqyrtimin e denoncimeve për ngacmim apo ngacmim seksual, Këshilli i Etikës zbaton këtë rregullore, Statutin e Universitetit të Prishtinës, Ligjin për Arsim të Lartë, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin e Punës dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore të zbatueshme./ KultPlus.com