Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis do të organizojë më 10 dhjetor, 2021 panel diskutimi “Rregullorja kundër Ngacmimit Seksual në UP u aprovua. Si të vazhdojmë në 2022”.
Ky aktivitet, që mbahet në kuadër të Fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, do të realizohet në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga ora 11:00-14:00.
“Duke e marrë parasysh rëndësinë e kësaj rregulloreje dhe zbatimin e saj në parandalimin dhe adresimin e ngacmimeve seksuale ky panel diskutimi do të shërbejë si platformë për studentët/et, profesorët/et, dhe aktivistët/et dhe anëtarët e komunitetit të adresojnë ngacmimet seksuale dhe të kuptojnë sfidat dhe mundësitë e adresimit të rasteve të ngacmimit seksual, identifikimin e sjelljeve ngacmuese, kornizat ligjore në Universitetet e tyre dhe në Kosovë lidhur me ngacmimin seksual dhe pasojat që dalin nga ngacmimi seksual, gjithashtu do të diskutohet për hapat të cilët duhet të ndërmerren në implementimin e rregullores për vitin 2022”, thuhet në njoftim të Artpolis.
Diskutimi do të drejtohet në këto pika kryesore:
· Rëndësia e aprovimit të Rregullores për studentët, stafin akademik, jo-akademik dhe administrativ të UP-së
· Cilët janë hapat që duhet ndjekur tash, pas aprovimit të Rregullores?
· A duhet kjo Rregullore të zgjerohet dhe të vlejë për të gjitha Universitetet në nivel vendi, nga niveli qendror?
· Si të gjejë zbatim kjo Rregullore dhe si të monitorohet në mënyrë të rregullt ky zbatim?
Pjesë e këtij paneli janë përfaqësues/e të institucioneve arsimore, profesorë universitarë e përfaqësues të organizatave të përfshirë në përpilimin e Rregullores. /KultPlus.com