Kryeministri Albin Kurti i është gëzuar lajmit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ngritur për disa vende më lartë në Webometrics.
Në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se UP-ja ka shënuar rritjen më të lartë ndonjëherë, por edhe ka përmendur mundësitë e transferimit e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik
“Universiteti i Prishtinës me ngritjen më të madhe dhe renditjen me të lartë në Webometrics ndonjëherë. Ky lajm i mirë i shtohet lajmit tjetër të ditëve të fundit, që me rastin e miratimit të Statutit të ri të Universitetit, për herë të parë, anëtarë të personelit akademik që janë në marrëdhënie të rregullt pune në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë, sipas renditjes së ‘Times Higher Education World University Rankings’ ose ‘QS World University Rankings’ do të kenë mundësi transferimi në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik”.
“Sipas statutit të ri, ‘kërkesa për transferim bëhet me propozimin e rektorit, dekanit ose këshillit të njësisë akademike përkatëse dhe miratohet nga senati.’ Kështu, kandidatët e interesuar, që e plotësojnë kriterin e mësipërm, mund të shprehin interesin te cilido prej këtyre autoriteteve, pra rektori, dekani ose këshilli i fakultetit përkatës”, ka thënë Kurti.