Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së akademikut të ndjerë, Tahir Emrës.
Ministri Çeku përmes këtij telegrami është shprehur se piktori dhe akademiku Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit dhe se vepra e tij do të vazhdoj të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.
“Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme. Vepra dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë në historinë e kulturës sonë kombëtare, si frymëzim për brezat e ardhshëm.
Ngushëllimet me të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, thuhet në telegramin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e vdekjes së shkrimtarit Abdullah Sidran, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.
Kryeministri Kurti ka thënë se puna e autorit Sidran do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.
Më poshtë gjeni telegramin Kryeministrit drejtuar familjes Sidran:
E dashur familje Sidran,
Me respekt të thellë për personalitetin dhe figurën e Abdullah Sidranit, i prekur dhe i pikëlluar nga largimi i tij, ju drejtohem me fjalët më të sinqerta të ngushëllimit.
Abdullahu juaj i dashur, i nderuar dhe i respektuar ndër breza, la gjurmë të pashlyeshme. Kontributi i tij në kulturën, letërsinë dhe artin boshnjak është i pamatshëm, ndërsa fjalët dhe veprat e tij do të mbeten për të gjithë ne, që patëm privilegjin ta njihnim dhe ta ndiqnim punën e tij.
Z. Sidran ishte më shumë se një artist i talentuar; ai ishte shpirti i Sarajevës, një zë që artikulonte të vërtetat e thella të njerëzimit tonë të përbashkët. Veprat e tij, nga “Sahbaza” te “Lotët e nënave të Srebrenicës”, lanë gjurmë të thella në skenën e artit dhe kulturën e Ballkanit dhe më gjerë.
Biseda jonë e fundit, në të cilën diskutuam politikën, Sarajevën dhe rëndësinë e librave dhe të leximit, do të mbetet në kujtesën time si një dëshmi e përkushtimit të tij të palëkundur ndaj drejtësisë dhe besimit në fuqinë e fjalëve, se ato ndryshojnë botën për mirë. Ishte një bisedë, që konfirmoi admirimin tim për gjenialitetin e tij poetik dhe aftësinë e tij për të ndriçuar skutat e errëta të realitetit tonë përmes vargjeve të tij.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal shpreh ngushëllimet më të thella për ju dhe të gjithë admiruesit e punës së tij. Kujtimi i Abdullah Sidranit do të jetë i gjallë përmes të gjithë juve dhe përmes veprës së tij, e cila do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së kryevalltares shqiptare Liljana Cingu, shkruan KultPlus.
Ansambli Shota përmes një shkrimi në facebook ka thënë se vallëzimi i saj, ndër vite shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat.
“Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona me lajmin e humbjes të ikonës së valles shqiptare, të madhes Liliana Cingu, Lili.
Vallëzimi i saj, shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat. Një ndjenjë humbjeje e thellë për kulturën dhe artin shqiptar.
Ne artistët e AKKV “Shota” ndajmë dhimbjen dhe ngushëllojmë familjen, miqtë dhe kolegët e saj në këtë moment të vështirë.
U prehtë në paqe, Lili!”, është thënë përmes një shkrimi në Facebook nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot një telegram ngushëllimi familjes Kabashi pas ndarjes nga jeta të artistit të kombit, Mirush Kabashi.
Në letrën e tij, Kurti shkroi se Mirush Kabashin do ta kujtojë gjithmonë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe në skenë, plot pasion e përkushtim, të cilat të përfshinin emocionalisht e ku ishte e pamundur të mos ndjeje rrëqethje e trazim emocional.
Ai shtoi se aktori i mbi 100 roleve në teatër dhe filma, me punën dhe veprat e tij, do mbetet përjetësisht një thesar në kulturën e kombit shqiptar. Përveç artistit, ato janë gjurmët e një aktivisti të shumë kauzave sociale e një zëri të fortë të çështjes kombëtare.
Përmes këtij telegram ngushëllimi, kryeministri i ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta, të Qeverisë dhe mbarë popullit të Republikës së Kosovës.