Ambasadori britanik: Shumë i zhgënjyer që s’u miratua Kodi Civil, të respektohen të drejtat e njeriut

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott është shprehur shumë i zhgënjyer me mosmiratimin e Kodit të ri Civil, i cili do ta rregullonte çështjen e bashkëjetesës mes personave të gjinisë së njëjtë.

Abbott ka shkruar në Twitter se është me rëndësi që gjuha në Kodin Civil dhe në debat, t’i respektojë të drejtat e të gjithë njerëzve.

“Shumë i zhgënjyer që Kodi Civil nuk u miratua dje. Është e rëndësishme që gjuha, në Kod dhe në debat, të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë kosovarëve, përfshirë LGBTI+, në përputhje me Kushtetutën”, shkroi Abbott.

Të mërkurën dështoi të miratohet në Kuvendin e Kosovës Projektkodi Civil i cili do t’i hapte rrugë martesave mes personave të së njëjtës gjini.

Nga 61 deputetët që morën pjesë në votim, 28 deputetë kanë votuar pro, 29 kundër dhe 4 deputetë kanë abstenuar.

Për këtë, një grumbull qytetarësh janë mbledhur sot para Kuvendit për të protestuar./ KultPlus.com

Ambasadori Abbot do ta përkthejë në anglisht librin “Kangë Popullore Erotike” të Vlora Nikçit

Artistja e njohur shqiptare, Vlora Nikçi, ka bërë të premten promovimin e librit të saj “Kangë Popullore Erotike” në librarinë “Dukagjini” në kryeqytet.

Mes shumë të ftuarish, Nikçin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe figura të rëndësishme të diplomacisë kosovare.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ishte gjithashtu pjesë e mbrëmjes, ku vazhdoi promovimi i librit të parë erotik shqiptar.

E ky libër mesa duket është gati që edhe të përkthehet në anglisht nga ambasadori Abbott dhe këtë e ka bërë të ditur vet autorja e librit.

Vlora përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook, ka shkruar se “Kangë Popullore Eoritke” do të vijë tashmë edhe në anglisht.

“Nder i veçantë është për mua dhe librin, që përkthimin e tij në gjuhën angleze do ta bëjë Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Abbott. Përmes këtij përkthimi, do t’i japim rast botës të na njohë më mirë”, ka shkruar ndër të tjera Nikçi në Facebook.

Vëllimi i dytë i “Kangë Popullore Erotike” u promovua të premten, gjashtë muaj pas atij të parit./KultPlus.com

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott pjesë e projektit “Let’s meet our ambassadors through books”

Libraria “Dukagjini” dhe Shtëpia Botuese kanë kënaqësinë t’ju njoftojnë se po fillojnë projektin më të ri, “Let’s meet our ambassadors through books”.

Takimi i parë do të mbahet të hënën, më 27 shtator, në orën 14:00, ku i ftuar do të jetë Shkëlqësia e tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Ambasadori do të flasë për librat që kanë ndryshuar botëkuptimin e tij dhe e kanë formësuar intelektualisht.

Vendet janë të limituara, duke pasur parasysh rrethanat epidemilogjike, andaj të gjithë ata që duan të marrin pjesë, duhet të nxitojnë që të dërgojnë një e-mail në: [email protected] / KultPlus.com

Nicholas Abbott uron Albin Kurtin për fitoren: Unë pres që të punoj me qeverinë tuaj

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë e re të vendit, e cila do të udhëhiqet nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

E pas kësaj fitoreje ka reaguar edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott i cili ka thënë se pret të bashkëpunoj me qeverinë e re.

“Urime Albin Kurti për zgjedhjen tuaj si Kryeministër. Unë pres që të punoj me ju dhe qeverinë tuaj për shumë nga prioritetet që do ti ndajmë bashkë”, ka shkruar ambasadori./ KultPlus.com

Nicholas Abbott për Dua Lipën: Ti po e bën Mbretërinë e Bashkuar dhe Kosovën krenare

Në skenën e madhe të Grammy Awards, këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e nominuar në gjashtë kategori, u nderua me çmimin Grammy për albumin më të mirë në zhanrin pop, duke lënë mbrapa artistët si: Justin Bieber, Lady Gaga, Harry Styles dhe Taylor Swift, shkruan KultPlus.

Performanca e saj në skenë, veshja dhe energjia e saj u përfol mjaft shumë dhe u pëlqye nga publiku, ndërsa kujtojmë kritikat e mëhershme për prezencën e saj në skenë dhe kërcimit të saj gjatë performancave.

Por, ajo këtë herë dukshëm mahniti fansat e saj dhe pjesëtarët e Grammy, ku u përcollë me urime të përzemërta nga shumë figura të njohura.

Së fundmi, është Nicholas Abbott, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, i cili përmes një postimi në facebook ka uruar artisten shqiptare, Dua Lipa për çmimin e fituar, duke thënë: “Urime Dua Lipa për suksesin në Grammy, ti po e bën Mbretërinë e Bashkuar dhe Kosovën krenare. Urime”.

Kujtojmë që ditën e djeshme, urime e vlerësime të tilla, Dua mori edhe nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili përgëzon artisten duke thënë se është inspirim për të rinjtë tanë dhe ambasadore e shtetit tonë. Si dhe nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani e cila e uroi Duan për çmimin duke thënë se ajo është inspirim jo vetëm për vajzat shqiptare por edhe të huaja. / KultPlus.com