Delegacioni nigerian intensifikon betejën njëshekullore për artefaktet e Beninit

Nga Deutsche Welle

Përgatitjet për ndërtimin e Muzeut Edo të Artit të Afrikës Perëndimore (EMOWAA) në Benin City, në Nigeri, janë në vlugun më të madh. Muzeu do të shpalosë veprat e artit nga e dikurshmja mbretëri e Beninit, që ndodhej në Nigerinë e sotme, por që ende mbahen në koleksione ndërkombëtare. Po ashtu muzeu do të qëmtojë edhe historinë e bujshme, që i përshkon këto artefakte me rastin e rikthimit të tyre në Nigeri, si dhe nënvizon udhëtimet e tyre gjithandej globit.

Por për nigerianët, EMOWAA do të bëjë shumë më shumë sesa vetëm hapjen e një ekspozite për rikthimin e artit të rrëmbyer gjithandej botës: hapja e muzeut do të shënojë fundin e më shumë se 100 vjetëve përpjekje për rikthimin e këtyre veprave historike të artit.

Kjo do të simbolizojë edhe spikatjen e identitetit kulturor të Nigerisë, thotë Abba Isa Tijani, drejtor i Komisionit nigerian të Muzeve dhe Monumenteve (NCMM): “Shumë nigerianë dhe veçmas populli i Edos, që janë të afërt me këto objekte, nuk i kanë parë kurrë në jetën e tyre. Që ata të kenë qasje fizike në këto objekte, t’i shohin ato – është vërtet një e arritur e madhe”.

Tijani është pjesë e delegacionit nigerian që erdhi në Berlin gjatë javës për të diskutuar hollësitë e rikthimit të thesareve nigeriane të artit nga koleksione të ndryshme gjermane. Delegacioni, që përveç Tijanit përfshinte edhe ministrin nigerian të Kulturës Lai Mohamed, është takuar në Berlin me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Mass, atë të Kulturës Monika Grütters e zyrtarë të tjerë të lartë.

Bisedimet janë përqendruar në mundësinë e rikthimit të të ashtuquajturave bronze të Beninit. Këto janë bronzet me famë botërore dhe skulpturat e tunxhit që ishin marrë prej pallatit të Beninit gjatë një shpedite ndëshkimore të Perandorisë Britanike më 1897. Pastaj ato arritën në Gjermani në fillim të shekullit të 20-të nëpërmjet ankandeve të ndryshme të mbajtura në Londër. Kështu, Gjermania pa dashje siguroi koleksionin e dytë më të madh në botë të këtyre bronzeve.

Përveç faktit që këto artefakte ishin marrë me forcë, nuk ka kurrfarë dyshimi që fuqitë kolonialiste evropiane kanë gjak në duart e tyre si pjesë e kontekstit kolonial të padrejtësisë. Dhe në Gjermani, askush nuk e vë në pikëpyetje këtë; edhe ekspertët e muzeve e politikanët pajtohen që këto objekte duhet të rikthehen në vendin e tyre të origjinës.

Por ishte një proces i gjatë derisa u arrit një ujdi. Thuajse në fillim të shekullit të kaluar, mbretëria e dikurshme e Beninit kishte bërë kërkesë zyrtare për rikthim – por pa ndonjë sukses. Intelektualët afrikanë e vijuan këtë luftë përsëri gjatë viteve ’70, por kërkesat e tyre ranë në veshë të shurdhër në Evropë.

Vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Burkina Faso, më 2018, shënoi një pikë kthese, teksa ai njoftoi se Franca do të rikthente thesaret e saj të artit kolonial. Kjo përftoi valë tronditëse edhe në Gjermani, ku kriticizmi u bë më i zëshëm për Humboldt Forum në Berlin, meqë muzeu po planifikonte të shpërfaqte disa nga bronzet e Beninit në një ekspozitë hapëse. / koha.net / KultPlus.com

Adoleshentes nigeriane i ofrohen 19 bursa prej mbi 5 milionë dollarësh nga ShBA-ja e Kanadaja

Se dituria është e çmueshme dhe për të ofrohen shpërblime të mëdha na dëshmon edhe shembulli i një vajze 17-vjeçare nga Nigeria, të cilës i janë ofruar 19 bursa të plota nga universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Victory Yinka-Banjo, vajzë 17 vjeçe që e ka përfunduar shkollën e mesme, ka marrë oferta të bursave që gjithsej vlejnë më shumë se pesë milionë dollarë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express, përcjell KultPlus.

“Është një ndjenjë goxha e pabesueshme. Aplikova në shumë shkolla, sepse as nuk mendova se ndonjëra do të më pranonte”, deklaroi nigeriania për televizionin e njohur amerikan.

Ndonëse ende e re, ajo është e angazhuar si mësimdhënëse në Universitetin e Lagosit. Yinka-Banjo mori oferta për bursa nga Kolegji i Harvardit, Universiteti Brown, Universiteti Princeton dhe Kolegji Yale, në mes universitetesh tjera.

Adoleshenjta madje mori oferta edhe nga Instituti i Masaçusetsit për Teknologji, që njihet si një ndër institucionet më presitigjioze në botë për arsimin e lartë. Përpos këtij instituti, ajo mori oferta edhe nga Universiteti i Stanfordit, Universiteti “Johns Hopkins” dhe Universiteti i Virgjinias.

Në Kanada, vajza nga Afrika mori oferta për financim të shkollimit nga Unviersiteti i Torontos dhe Universiteti i British Columbia-s./gazetaexpress/KultPlus.com

Atletja 8 muajshe shtatzënë fiton medaljen e artë

Një atlete shtatzënë ka fituar një medalje të artë në Festivalin Kombëtar të Sporteve.

Aminat Idrees, 26 vjeç nga Nigeria, e cila është tetë muaj shtatzënë, fitoi në kategorinë Mixed Poomsae në Taekwondo, në një garë që u cilësua vërtet “frymëzuese”, transmeton KultPlus.

“Është një privilegj i madh për mua. Vendosa ta provoj pasi të stërvitesha dy here në ditë dhe … ndihem vërtet mirë,” tha ajo.

“Para se të mbetja shtatzënë, gjithmonë më ka pëlqyer stërvitja, kështu që nuk ndryshoi asgjë me shtatzëninë,” shtoi Idrees.

Sidoqoftë, jo të gjithë e kanë parë frymëzuese pjesëmarrjen e saj në lojëra, disa e kanë kritikuar për shkak të fazës së përparuar të shtatzënisë.

 Idrees tha se shumë nga kritikët e saj nuk janë në dijeni të formave të ndryshme të Taekwondo.

“Shumë njerëz nuk e kuptojnë se çfarë është Taekwondo në të vërtetë. Unë mendoj se kjo është një rrugë për të edukuar njerëzit për këtë. Taekwondo ka dy degë: sportin luftarak dhe Poomsae – e cila është një kombinim taktik i lëvizjeve kundër sulmeve imagjinare në Taekwondo, ” tha 26-vjeçarja.

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, kryetari i komitetit organizues të Festivalit Kombëtar të Sporteve, Philip Shaibu, tha se Idrees u lejua të merrte pjesë në lojëra pas ekzaminimit mjekësor. / KultPlus.com