Muzeu Historik Kombëtar ka pasqyruar përmes një video një nga thesaret që mbart ky muze, relievin me figurën e Nikes, Perëndeshës së Fitores, gjetur rastësisht nga Ugolini, në bregun pranë derdhjes së kanalit të Vivarit, gjatë vitit 1928-1929. Ky reliev sipas studiuesve dyshohet se mund të lidhet me një monument ende të pazbuluar.
Stili, punimi dhe lloji i veçantë i mermerit dëshmojnë për prejardhjen atikase të relievit që datohet në gjysmën e dytë të shekullit V para Krishtit.
Relievi paraqet Niken, perëndeshën e fitores, me qëndrim triumfal dhe me flatra të hapura. Dora e majtë e saj mbështetet mbi tropajon, shenjë e fitores, formuar nga parzmore armike vendosur mbi shkëmb. Dora tjetër mban palat e hitonit, derdhur hijshëm mbi trup në stilin e skulptorit të famshëm athinas të shekullit V para Krishtit, Fidias. Skena vazhdonte në të dy anët e pllakës duke qenë pjesë e frizit të një monumenti, siç tregojnë pjesët anësore për kapjen me ganxha metalike dhe plumb. /KultPlus.com
Jo shumë larg nga Portland, në Oregon, në 1,4 kilometra katrorë do të gjeni katedralen e sportit dhe kështjellën e kapitalizmit. Aty ndodhet shtëpia e Nike, kompania më e madhe e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve sportive me shitje që arritën në 30 miliardë dollarë vetëm vitin e kaluar. Gjithçka nisi 51 vite më parë, nga ideja e një sportisti të quajtur Phil Knight. Sot ai është 79 vjeç dhe është ndër njerëzit më të pasur në botë.
Knight është një personazh shumë interesant: kontrovers, i paparashikueshëm dhe një konkurent i ashpër që me atë sloganin “Just Do It” krijoi një stil të ri biznesi duke ia “marrë mendjen” njerëzve anë e mbanë botës.
Kur ai njoftoi se do të hiqte dorë nga drejtimi ekzekutiv i kompanisë dy vite më parë, Knight vendosi të tregojë të gjitha ato që ai i quan “ide të çmendura” në biznes nëpërmjet një libri të titulluar “Shoe Dog”.
“Idetë e mia kanë qenë të çmendura për botën, por asnjëherë për mua. Ato kanë qenë gjithmonë një burim shprese”, thotë Knight.
Në Universitetin e Oregonit ai erdhi si një atlet 17-vjeçar. Ndoshta nuk ishte më i shpejti, por nuk ka dyshim se ishte më i zgjuari.
“Erdha këtu në moshën 17-vjeçare me shumë paqartësi, por këtu takova Bill Bowerman. Gjithmonë e them se nëse nuk do të ishte Bill Bowerman, nuk do të isha as unë”.
Bowerman ishte trajneri i Phil Knight, i cili ishte i fiksuar pas modifikimit të atleteve. Gjithmonë griste ato të vjetrat për t’i dhënë një formë tjetër, duke i bërë sërish funksionale.
Pak vite më vonë, ndërsa po ndiqte studimet për administrim biznesi në Stanford, Knight hartoi një plan biznesi për ndërtimin e një fabrike atletesh në Japoni, pasi atje krahu i punës ishte më i lirë.
“Qëkur e shkrova, besoja se do ta arrija. Dhe në fakt ajo që bëra nuk ishte shumë e ndryshme. Ai plan vetëm sa u zgjerua dhe u përmirësua.”
Pas diplomimit, Knight e vuri planin e shkruar në zbatim, duke bindur një kompani japoneze të prodhimit të atleteve që t’i jepte atij distribucionin për Shtetet e Bashkuara. Knight filloi t’i shiste atletet në SHBA, por jo në një dyqan dhe as në një supermarket. Ai i shiste ato në bagazhin e makinës.
“Njerëzit thoshin shpesh se ‘Hej, e keni dëgjuar që Knight po bën një master në Stanford? Ai po mëson si të shesë atlete japoneze!’ Ishte një shaka që bëhej në atë kohë. Por pavarësisht kësaj unë doja ta provoja dhe isha i vendosur ta provoja.”
Në vitin 1971, kompania e vogël importuese e atleteve arriti të kryente 1,3 milionë dollarë shitje dhe falë një inovacioni të Bowerman, i cili eksperiementoi me pajisjen e ëmbëlsirave waffle, u krijuan atletet e famshme të stilit waffle, me gomën e dhëmbëzuar.
“Menduam se ky stil mund të ishte një inovacion dhe donim ta tregtonim nën emrin tonë. Menduam ta quanim kompaninë “Dimension Six”. Përse kështu? Sepse janë pesë dimensione dhe ne donim të ishim të gjashtët, pra diçka ekstra. Por asnjë nuk e pëlqeu idenë. Fatmirësisht një punonjës propozoi një emër tjetër: Nike, perëndia greke e fitores”, thotë Knight duke rrëfyer për fillimet e kompanisë Nike, megjithëse e pranon se vetë nuk pëlqeu as emrin dhe as logon.
Marketingu nuk ka qenë kurrë një pikë e fortë e Knight. Në të vërtetë ai i urren reklamat, por shpejt kuptoi se nëse sportistët e famshëm vishnin atletet e tij, shitjet rriteshin me disa herë. Tenisti rumun Ilie Nastase ishte emri i parë i njohur që nënshkroi me Nike. Atë e ndoqi John McEnroe deri sa një 21-vjeçar nga Universiteti i Karolinës së Veriut i eklipsoi të gjithë. “Revista Fortune shkruajti një artikull se si Nike humbi gjithë ato dollarë duke paguar për një lojtar të ri basketbolli”, tregon Knight. Në të vërtetë, Nike e pagoi Michael Jordanin rreth 250,000$ vitin e parë edhe pse nuk kishte luajtur asnjë ndeshje në NBA deri atë ditë.
Brandi “Air Jordan” u be kaq popullor dhe njerëzit në mbarë botën i donin ato. Pjesa tjetër e historisë është e njohur. Phil Knight sot është ndër njerëzit më të pasur në botë. Pasuria e tij sipas revistës Forbes është 26,6 miliardë dollarë, duke qenë miliarderi i 16-të në SHBA.
“Paratë nuk ishin kurrë arsyeja që më shtyu të shisja atlete, por tani që i kam dua t’i përdor sa më mirë. Që nga koha kur fëmijët e mi u bënë të pavarur në jetë, shumicën e fitimeve të kompanisë i kam dhënë për bamirësi”, shpjegon Knight.
Donacioni i fundit ishte ai i 500 milionë dollarëve për kërkimet mbi kancerin. Gjithashtu edhe Universitetit të Stanfordit, aty ku nisi gjithçka, i ka dhuruar gjysmë miliardi dollarë.
Por nëse do të kishte mundësi të zgjidhte një jetë tjetër, a do ta bënte?
“Jo. Ndihem i bekuar. As nuk mund të imagjinoja një jetë më të mirë.”/Tiranapost.al / KultPlus.com