Flonja Haxhaj
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua monologu ‘Nikolin Gurakuqi’ nga autorja Floriana Odhise Paskali. Ky promovim i organizuar nga Opera e Kosovës solli për publikun e prishtinës monologun i cili flet për jetën artistike dhe kontributin e çmuar të regjisorit Nikolin Gurakuqi në fushën e teatrit dhe muzikës, shkruan KultPlus.
Nikolin Gurakuqi është një emër i njohur në botën e artit shqiptar. Ai ka vënë në skenë më shumë se 80 vepra operistike, duke lënë një gjurmë të thellë në skenën muzikore shqiptare. Gurakuqi, përveç regjisorit, është njohur edhe si pedagog në Universitetin e Arteve, si poet, si skenograf dhe si shkrimtar i librave.
Monologu i Floriana Odhise Paskalit u përqendrua në jetën artistike dhe shumë dimensionale të Gurakuqit dhe pasqyroi një portret të shkëlqyeshëm të tij. Paskali zbërthente rrugën e tij të suksesit si regjisor, duke treguar se si ai arriti të sjellë frymën e re në skenën operistike shqiptare dhe të ndikojë në formimin e brezave të rinj të artistëve.
Paneli i diskutimit në këtë promovim ishte i përbërë nga vetë Floriana Odhise Paskali, autore e monografisë, Nikolin Gurakuqi, protagonisti i monologut, Leonardo Voci, piktor, Edmond Doko, dirigjent, dhe baritoni Ylber Gjini. Diskutimi u fokusua në ndikimin e Gurakuqit dhe familjes së tij në krijimin e themeleve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri.
E kësaj ngjarje ua shtoi veçantinë prezenca e korit të fëmijëve ‘Okarina’ të cilët nën dirigjimin e dirigjentes Elikona Hysaj – Shala hapën këtë promovim nën interpretimin e këngës së kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi.
Me këtë promovim, e para fjalën e mori profesoresha e muzikës, Besa Luzha, e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën në këtë takim pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës.
“Muzika është një art i cili pasqyron të gjitha ndjenjat. Dhe ku ka më bukur se në këtë ditë një institucion që është komplet në bërthamën e tij siç është Opera e Kosovës, të organizojë një takim të tillë me një doajen të artit operistik siç është Nikolin Gurakuqi. Për veprën dhe krijimtarinë e tij të bujshme për të cilën do të flasim sot këtu”, vazhdoi Luzha e cila në vijim ia kaloi fjalën vetë autores së librit, Floriana Odhise Paskalit.
E autorja Paskali, fillimisht ndau me publikun lidhjet që ajo i ka me Gurakuqin, e më pas edhe arsyen se përse vendosi ta bëjë këtë libër.
“Me Nikolinin njihemi për shumë vite, kemi qenë bashkë në të njëjtën kohë studentë dhe sigurisht që e kam ndjekur në të gjitha eventet. Viteve të fundit miqësia jonë është përmirësuar akoma më tepër nëpërmjet familjeve tona dhe erdhi komplet rastësisht që unë duhet të shkruaj këtë libër. Nikolin Gurakuqi është një artist shumë dimensional dhe në operën shqiptare, mbiemri Gurakuqi ka lënë një gjurmë shumë të madhe, është një gjurmë të cilën e filloi i ati dhe Nikolini e çoi më përpara, dhe kur flitet për historikun e operës shqiptare, patjetër që Gurakuqi ka zënë një kënd shumë të rëndësishme”, tha Paskali, duke shpjeguar më tutje rëndësinë e familjes Gurakuqi në historinë e operës shqiptare.
“Përveç aktivitetit të tij regjisorial, Nikolini ka një aktivitet tjetër e që është si pedagog në Universitetin e Arteve ku ka nxjerrë një plejadë të artistëve të rinj, shumë prej të cilëve edhe sot debutojnë në operën shqiptare. Gjithashtu, përveç si pedagog, ne gjatë historisë së librit kemi vendosur të përfshijmë edhe disa skenografi të tij. Po ashtu, një kapitull të veçantë kemi vendosur t’i kushtojmë edhe jetës së tij artistike sepse gjithmonë ato emocionet pas shfaqjeve me miqtë e tij dhe artistë të mirënjohur që kanë ardhur në Shqipëri, pra është një pjesë e rëndësishme e jetës së tij me miqtë dhe dashamirët e artit të tij”, u shpreh më tutje Paskali, duke folur për përmbajtjen e librit të saj.
I pranishëm në mesin e folësve ishte edhe piktori, Leonardo Voci, i cili përveç fjalëve e vlerësimeve të larta për regjisorin Gurakuqi, tregoi edhe ndërlidhjen e një piktori dhe një regjisori të veprave operistike.
“Risitë artistike gjithmonë e gjejnë forma të ndryshme bashkëpunimi. Ajo që na lidh mua me profesorin Gurakuqi përveç lidhjes familjare është se unë kam qenë një ndjekës shumë i afërt i gjithë veprimtarisë së profesorit në pothuasje çdo vepër që e ka vënë në skenë. Ajo që më ka bashkuar me profesorin Gurakuqi është edhe inspirimi që më ka dhënë ai sepse në çdo bisedë më ka dhënë një shkollë në vete profesionalisht”, tha Voci, duke shpreguar me tutje se çdo bisedë me Gurakuqin fillon dhe mbaron me artin.
Më pas, në skenë u ngjitën sërish kori i fëmijëve ‘Okarina’, që dhuruan emocione të mëdha tek të pranishmit me interpretimin e tyre.
Në vazhdim, moderatorja e këtij takimi, Besa Luzha, ia dha fjalën dirigjentit Edmond Doko, e i cili rrëfeu përvojën e tij me regjisorin Gurakuqi.
“Dimensioni i Nikolin Gurakuqit është një dimension shumë i gjerë. Gjithë këto aktivitete të Gurakuqit dëshmojnë se ai një karakter shumë të fortë për të përballuar këtë ngarkesë. Për kulturën shqiptare por edhe rajonale do të jetë unikale dh jo thjesht sasia por nga cilësia e veprave skenike”, u shpre Doko në fjalimin e tij dhe në vlerësimin mbi karakterin profesional të Nikolin Gurakuqit.
Ndërkaq, fjala iu dha edhe baritonit dhe mjeshtrit të madh, Ylber Gjinit, i cili ndau me të pranishmit punën e përbashkët me regjisorin Gurakuqi, një punë kjo që e ka zanafillën qysh në vitet e 90-ta.
“Karriera ime fillon me maestron Gurakuqi që në vitet e 90-ta. Në atë kohë filloi edhe karriera regjisoriale e tij, unë fillova karrierën si solist i operas. Unë kam ardhur me ‘La Traviatën’ fillimisht dhe kemi vazhduar me të tjerat. Nikolin Gurakuqit i flet vetë puna, sepse ai solli risi, sepse krahas tradicionales dhe klasikes futi edhe modernen, ishte koherent me çdo gjë që bëhej në të gjithë botën dhe ishte i përgatitur me gjithçka”, tha Gjini duke folur për aftësitë regjisoriale të Gurakuqit, të cilën ai e quan shkencë në vete.
Ndërkaq, ju kujtojmë që Nikolin Gurakuqi është një emër i shquar në fushën e muzikës operistike dhe jo vetëm. Ai njihet si regjisori i risive, e kjo për shkak të metodave të reja që ai ka aplikuar gjatë vënieve në skenë të operave./KultPlus.com