Nikolla Jorga, historiani i përmasave të mëdha evropiane

Historiani i madh rumun me origjinë shqiptare, Nikolla Jorga, i njohur edhe si burrë shteti, është një nga figurat më të shquara të Rumanisë. Ai lindi në Botoshani të Rumanisë, në vitin 1871, nga një familje zejtarësh muratorë.

Të dhënat mbi prejardhjen e tij i kemi nga vetë N. Jorga, i cili në njërën nga veprat e tij të shumta, na thotë se gjyshi i tij i quajtur Jorgo, në shek. 19, me trastën e muratorit në krahë, erdhi nga Shqipëria, ndoshta nga treva korçare e Gorë-Oparit, dhe u vendos në Rumani duke ushtruar mjeshtërinë e muratorit.

Njeri i talentuar, me një kujtesë dhe vullnet të jashtëzakonshëm për punë, ai u bë shumë shpejt shkrimtar i njohur, publicist, gojëtar, politikan dhe historian i përmasave të mëdha evropiane. Ai shkroi një bibliotekë me libra, që, sipas disa njoftimeve bibliografike, arrijnë në qindra vëllime vëllime, 12.755 artikuj publicistikë dhe 4963 informacione. Drejtoi mjaft gazeta e revista dhe trajtoi probleme në të gjitha gjinitë dhe fushat e historisë së letërsisë dhe shprehej në të gjitha gjuhët evropiane.

Si historian, ai sundoi historinë e mirëfilltë, atë kombëtare dhe botërore. Ai shkroi historinë e popujve të Ballkanit, duke u ndalur në atë të Shqipërisë dhe sidomos tek ajo e popullit rumun. Vepra kryesore e tij mbetet “Historia e rumunëve”, e shkruar në 10 vëllime gjatë viteve 1935-1939, që përfshijnë kohët më të hershme deri në vitin 1939.

Qe profesor i historisë në Universitetin e Bukureshtit, u bë doktor “Honoris Causa” i shumë universiteteve evropiane, anëtar i Akademisë Rumune të Shkencave, si dhe i disa akademive shkencore të huaja. Për dy vjet me radhë (1931-1932), Nikolla Jorga ishte edhe President i Kuvendit të Lartë të Rumanisë.

Njeri me përgatitje të lartë në fushën e historisë, si njohës i shumë gjuhëve të huaja, ai përgatiti dhe botoi shumë vëllime me burime dokumentare historike, monografi shkencore, me një shtrirje të gjerë kohore mbi historinë ekonomike, arsimore, ushtarake, politike etj. të Rumanisë, studime dhe punime sintezë mbi historinë e Rumanisë, të shteteve të Ballkanit dhe të historisë në përgjithësi etj.

Për historinë e popullit shqiptar, N. Jorga dha një ndihmesë të vyer. Në vitin 1915-1916, ai botoi në Bukuresht në gjuhë të huaj, disa vëllime me titull: “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shek. 15”, ku paraqet një material të pasur mbi luftën antiosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së ndritur të Skënderbeut.

Në kuadrin e kësaj pune të madhe kërkimore, në vitin 1915, ai zbulon në Bibliotekën Laurentiana të Firences, dokumentin e parë të shkruar të gjuhës shqipe, “Formulën e Pagëzimit” (viti 1462) të shkruar nga bashkëpunëtori dhe këshilltari i ngushtë i Skënderbeut, kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli.

Më 1919, ai botoi në gjuhën franceze në Bukuresht, veprën: “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar” dhe një vepër tjetër në Paris, më 1925, me titull: “Histori e shteteve të Ballkanit deri në vitin 1924”, ku çështjet e historisë shqiptare zënë një vend të dukshëm.

Vepra e Jorgos, e këtij dijetari të shquar, që bëri aq shumë për historinë e Shqipërisë, paraqet një interes të veçantë.

Në shenjë mirënjohje dhe respekti për ndihmesën, njohjen dhe propagandimin e historisë amtare, mbreti i shqiptarëve A. Zogu, në vitet ’30-të, i fali këtij shkencëtari të madh patriot, një truall dhe një banesë në qytetin e Sarandës, të cilën N. Jorga nuk e shfrytëzoi, por e la amanet, me testament, që banesa të kthehej në muze arkeologjik në shërbim të historisë amtare të kombit të vet të lashtë, të cilit i përkiste. Si demokrat liberal që urrente diktaturën, në moshën 69-vjeçare, ai u vra në vitin 1940 nga forcat fashiste rumune të “Gardës së hekurt”, të cilat e masakruan duke e therur në mënyrën më barbare, kur ishte duke dhënë mësim në qytetin verior të Bukureshtit, në Sanaia./Hejza/KultPlus.com

551 vjet më parë lindi Nikolla Koperniku, një nga astronomët më të shquar evropianë

Nikolaus Kopernikus (Koperniku), polonisht: Mikołaj Kopernik (lindi me 19 shkurt 1473 ne Thorn (sqt.: Torn) Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg) u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjës së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një botëkuptim të ri pas mesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom, jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtarak.

Kombësia e Kopernikut që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra. Një gje por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithsisht Nikolaus Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikołaj Kopernik. Koperniku ishte biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak, kështu që ai formalisht njihet si polak.

Jeta

Koperniku, biri i një tregtari, lindi më 1473 në Poloni në qytetin Torni. Në Krakov dhe shumë universitete ai studioi matematikën, astronominë, teologjinë, drejtësinë dhe mjekësinë. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Koperniku në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën ajgëtuese të tij. Kopereniku e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i ofruan një të tillë.

Koperniku ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori:në kundërshtim me idetë e pranuara deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar, dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Koperniku arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga planetet që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë e thjeshtë është parimi themelor i “pikëpamjes kopernikiane për një nga miliona trupat e tjerë qiellorë. Koperniku në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë përfundimisht.

Sot ende, anipse Koperniku vërtetoi që kjo nuk ishte e vërtetë, ne themi “ngritja”, apo “ulja” e diellit në fillim dhe në fund të ditës.

Zigmund Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij: herën e parë, kur Koperniku nuk e pranoi tokën si qendrën e universit dhe e dyta kur Darvini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikut mendohej se dielli dhe yjet iahin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë, vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Koperniku pati një ndikim aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një lavdi të atillë. /KultPlus.com