Tingëllima e parë shqiptare dhe autori arbëresh Nikollë Keta

Autori i tingëllimës (sonetit) së parë shqiptare është Nikollë Keta.

Ai ishte një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo. Keta ka lindur në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (1710-1765).

Më 1777 Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqisht.

Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç’e reshti, si zogu rep në folee.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.

Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi
Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei

E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”

*

(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.

Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.
Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,

Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.) / KultPlus.com