Saldana kërkon falje për rolin e Nina Simones

Aktorja Zoe Saldana ka kërkuar falje që ka luajtur në rolin e Nina Simone në një film biografik të vitit 2016, i cili u kritikua shumë.

Ylli i Marvelit, e cila ka prejardhje domenikane e puertorikane, vendosi një hundë protezë dhe përdori grim me ngjyrë të errët për rolin e saj. Trashëgimtari i Simones refuzoi ta miratojë filmin, kurse vajza e këngëtares vuri në pikëpyetje trupën e zgjedhur Në një intervistë të fundit, e cila u transmetua live në Instagram, Saldana tha: “Nuk do të duhej ta luaja Ninën kurrë. Do të duhej të bëja çdo gjë me të gjithë fuqinë që kisha me avantazhet që gëzoja para 10 vjetëve, të cilat ishin avantazhe të tjera, por megjithatë kisha avantazhe, përcjellë KultPlus.

Do të duhej të bëja çdo gjë duke e përdorur fuqinë time, që një grua e zezë ta luante këtë rol, gjë që pritej normalisht”.

Në një shkrim në faqen zyrtare të Nina Simone-s më 2012, vajza e këngëtares, Simone Kelly, shkroi: “Unë e dua Zoe Saldanan, ne të gjithë e duam Zoe-n…Që nga Avatar deri të Colombiana, i kam parë këta filma disa herë”.

“Por, nuk është secili projekt për gjithkënd. Dhe e di se çfarë do të mendonte nëna ime. Thjesht, nuk ma kap truri”.

Filmi i quajtur Nina u përqesh nga kritikët dhe ka rangim rreth 2% në uebfaqen e rishikimeve Rotten Tomatoes.

Saldana, e cila kishte luajtur edhe në Guardians of the Galaxy dhe në dy filmat e Marvel’s Avengers, tha se Simone “ka merituar më mirë”.

“Atë kohë mendova se kisha lejen (që ta luaja rolin e saj) sepse isha grua e zezë,” tha Saldana. “Dhe unë jam. Por kjo ishte Nina Simone. Dhe Nina kishe një jetë dhe një rrugëtim që do të duhej të ishte – dhe duhet të jetë – i nderuar deri në detajin më të imët sepse ajo ishte një njeri detajist”. Me emocione, Saldana shtoi: “Për këtë unë them: Më falni. Më falni. Sot di më mirë dhe kurrë nuk do ta bëj më atë”.

“Ajo është një nga njerëzit tanë të mëdhenj dhe dikush duhet ta marrë këtë rol. Dikush tjetër duhet ta tregojë historinë e saj.”
Pendimi i Saldanas për rolin shënjon një hyrje nga komentet e saj paraprake duke e mbrojtur pjesën e saj të filmit.

Më 2013 ajo i tha revistës “Latina”: “Më lejoni t’ju them, nëse Elizabeth Taylor mund të bëhet Cleopatra, edhe unë mund të bëhem Nina. Më falni. Nuk ka lidhje se sa reagime do të marr për të. Unë do ta nderoj dhe respektoj komunitetin e njerëzve me ngjyrë sepse kjo jam unë.

Në një tjetër intervistë për Allure në vitin 2016, ajo tha: “Nuk ka ndonjë mënyrë që të jeni e zezë. Ju nuk ia keni idenë se kush jam unë. Unë jam e zezë. Po rris burra të zinj. Mos mendoni se mund të më shikoni dhe të më drejtoheni me kësi lloj përbuzjeje”.

Por, në kohën kur filmi doli, trashëgimtari i Nina Simones shkroi në Twitter: “Ju lutem hiqeni nga goja emrin e Ninas. Për gjithë jetën. Shpresoj se njerëzit do të fillojnë ta kuptojnë se kjo është e dhimbshme. Është zemërthyese, e neveritshme, dërrmuese.”

Nina Simone ka qenë një këngëtare e nderuar dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e njohur për këngët si Feelin’ Good, I put A Spell On You dhe I Loves You, Porgy. Ajo vdiq më 2003, në moshën 70-vjeçare. / KultPlus.com