Netflix do ta prodhojë dokumentarin për jetën e të ndjerit Nipsey Hussle

Platforma digjitale Netflix, e ka fituar të drejtën për ta prodhuar një dokumentarë të ri mbi jetën e reperit të ndjerë, Nipsey Hussle.

Filmi i ri, i cili do të realizuat nga regjisorja e nominuar për Oscar, Ava DuVernay, ka kohë që është pritur nga publiku derisa për realizimin e tij, ishte zhvilluar një garë e ashpër mes dy kompanive, Netflix dhe Amazon, transmeton Koha.net.

Sipas portalit “Deadline”, Netflixi e ka fituar këtë luftë ofertash duke e propozuar një shumë të majme të hollash për filmin, i cili do të drejtohet dhe prodhohet nga DuVerney.

Dokumentari të cilit ende nuk i është vënë një titull, është bashkëpunim mes kompanisë së regjisore “ARRAY” dhe kompanisë së të ndjerit Nipsey Hussle, “Marathon Films”.

Nipsey Hussle u qëllua për vdekje në mars të vitit 2019, jashtë dyqanit të veshjeve “Marathon” në një lagje të Los Angelesit. Ai ishte kujtuar dhe nderuar nga një numër i madh i yjeve të muzikës si: Rihanna, Drake, Bruno Mars, Pusha-T dhe të tjerë.

Pas vdekjes së reperit, familja e tij e ka themeluar fondacionin “Neighborhood Nip Foundation”, një iniciativë e cila ka për qëllim ta nderojë kujtimin e tij dhe t’iu ofrojë mundësi talenteve të reja në muzikë.

Hussle po ashtu u nderua në formë të veçantë në ceremoninë e sivjetme të ndarjes së shpërblimeve “Grammy”, e cila u mbajt në muajin janar, me ç’rast yje të shumtë si, Meek Mill, John Legend dhe DJ Khaled, u bënë bashkë për ta festuar jetën dhe karrierën e reperit. Gjatë mbrëmjes, ai po ashtu u shpërblye me çmimin e parë “Grammy”. / KultPlus.com

Vritet reperi Nipsey Hussle

Reperi amerikan, Nipsey Hussle, është vrarë jashtë një dyqani rrobash në Los Angeles, bëjnë të ditur mediat e atjeshme.

Los Angeles Times bën të ditur se në muzikantin është shtënë me disa plumba dhe është shpallur i vdekur me të arritur në spital. Ai ishte 33 vjeçar.

Në përleshjen me armë zjarri jashtë dyqanit Marathon Clothing në jug të Los Angelesit kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë.

Nipsey Hussle (Foto: Amanda Edwards/Getty Images/Guliver)

“Nuk kemi asnjë të dyshuar tash për tash dhe do t’u japim detaje të tjera kur t’i kemi ato”, është thënë në njoftimin e Departamentit të Policisë në Los Angeles.

Rihanna ka qenë ndër yjet që janë shokuar me lajmin dhe e kryeson listën e atyre që kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e reperit. / KultPlus.com