Nita Deda jep dorëheqje nga DokuFest-i

Nita Deda është dorëhequr nga pozita e Drejtoreshës së Festivalit DokuFest.

Përmes një njoftimi për media nga faqja zyrtare e DokuFest-it, Deda vetëm falënderohet për bashkëpunimin por nuk theksohet arsyeja e dorëheqjes.

“Nita i është bashkuar DokuFest-it në edicionin e vitit 2010 në pozitën e koordinatores së DokuTv për të vazhduar punën e saj në krye të Komunikimit dhe si Organizatore e DokuNights deri në vitin 2016, kur përveç këtyre detyrave mori përsipër detyrën e Drejtoreshës së Festivalit”, thuhet në njoftim.

Për një dekadë të tërë, thuhet në njoftim, Nita ka kontribuar në rritjen e vazhdueshme të festivalit si dhe sukseset në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

“Përgjatë drejtimit të festivalit nga Nita, DokuFest ka hulumtuar dhe adresuar tema të rëndësishme sociale e politike si Korrupsioni, E Ardhmja, Reflektimi, E Vërteta, të përkthyera në kampanja poetike ndërtuar mbi mesazhe të aktivizmit dhe rebelimit të cilat kanë rezonuar në publikun vendor dhe ndërkombëtar. Programi i DokuNights i ko-kuruar nga Nita, përgjatë viteve solli në Kosovë një spektrum të gjerë të artistëve botëror dhe vendor, të cilat në skena të ndryshme të DokuNights kanë sjellë shprehjet më radikale artistike, interpretuar përmes mediumeve të reja eksperimentale apo atyre folklorike. DokuFest falënderon Nitën për kontributin e saj të jashtëzakonshëm përgjatë këtyre viteve dhe i uron sukses në projektet e saj”, përfundon njoftimi./KultPlus.com

Kumbaro: Dokufest, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë

Sot në Tiranë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 17 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 03-11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, tha se DokuFest ka sjellë gjithmonë tema të fuqishme, dhe është shndërruar në ngjarjen më të rëndësishme kulturore në botën e artit shqiptar.

“DokuFest është pa dyshim një ngjarje kulturore shumë e rëndësishme kombëtare. Në mos, në botën e filmit, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë në botën e artit shqiptar me një rreze veprimi ndërkombëtare, dhe jo vetëm rajonale”, tha Kumbaro.

Organizatorët e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë), Veton Nurkollari (drejtor artistik), Eroll Bilibani (drejtor ekzekutiv) dhe Samir Karahoda (programer i filmave nacional dhe te shkurtë) prezantuan më gjerësisht temën dhe programin e sivjetmë.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale, do të ketë përformanca, punëtori dhe panele të ndryshme, që synojnë do ta shndërrojnë Prizrenin në pasqyrë, përmes temës së Reflektimit.

DokuFest në po të njëjtën ditë, do të shfaqë disa filma të përzgjedhur në Amfiteatrin e Tiranës nga ora 20:00. / KultPlus.com

Zbukurimi i nuses kosovare një traditë një mijë vjeçare, besohet se largon syrin e keq (FOTO)

Nita Deda së fundi ka marë pjesë me prezantimin e projektit “Nusja jonë” në Documenta 14, që është duke u mbajte mes Gjermanisë dhe Greqisë, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht pas këtij prezantimi, faqja zyrtare e kësaj ngjarje të madhe kulturore ka plasuar një tekst mbi këtë realizim, të shkruar nga Laura Preston, e cila jep detaje mbi realizimin e këtij projekti që ishte realizuar qysh në vitin 2011, bashkë me Yll Çitakun.

Documenta 14, përpos që ka bërë publike këtë tekst, e ka ilustruar edhe me disa fotografi të këtij projekti, duke vënë theksin se kjo punë është realizuar në fshatin Lubinjë të Kosovës, i populluar nga goranët.

Po sipas këtij shkrimi thuhet se zbukurimi i nuses në këtë formë, është një traditë që në ditën e dasmës, duke vënë fokusin te zbukurimi i saj, të shmangin syrin e keq, dhe në të njëjtën kohë besojnë që ky ritual mund të ndjellë edhe lumturinë dhe shëndetin.

Poashtu potencohet se punën në zbukurimin e nuses, që në këtë rast ishte Nita Deda e ka bërë Aziza Shefiragiç, e cila konsiderohet të jetë një ndër gratë e fundit që e njohin këtë ritual.
Puna e bërë atëherë në Nita Dedën kishte zgjatur gjatë gjithë ditës. Filmi “Nusja jonë”, nga Nita e Ylli synon të ruaj këtë akt të veçantë të trashëgimisë kulturore, për të sjellë më pas vëmendjen në ritual. /KultPlus.com

Nita Deda dërgon nusen kosovare në “Documenta 14” në Gjermani

Në Documenta 14, që është duke u mbajtë tash e sa muaj në mes të Greqisë dhe Gjermanisë, do të prezantoht edhe një ndër projektet më të rëndësishme shqiptare, shkruan KultPlus.

“Nusja Jonë” apo “Our Bride”, i realizuar në vitin 2011 nga Yll Citaku dhe Nita Deda do të prezantohet në Kassel të Gjermanisë.

Ky projekt do të prezantohet në kategorinë Parliament of Bodies. “Nusja Jonë”, para audiencës gjermane do të shfaqet më 10 shtator, nga Nita Deda dhe Adama Szymczyk./KultPlus.com