Resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë, gati për këtë sezon (VIDEO)

Në Nivicë, 30 km larg Tepelenës falë programit të Rilindjes Urbane kanë marrë jetë agrobujtinat e para.

Një ndër to është dhe investimi i parë i huaj në turizëm, “Campnivica”, projekt i një grupi investitorësh suedezë që është gati të çelë sezonin turistik.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky investim i investitorëve suedezë.

“Mirëmëngjes ja edhe resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë që po bëhet gati të çelë dyert këtë sezon”, tha Rama.

Ky investim synon ta kthejë Nivicën në një destinacion të turizmit elitar përmes një resorti të cilësisë së parë 100% ekologjik.

Qendra e Nivicës në 2018-ën është ndërtuar krejtësisht nga e para falë një projekti të mbështetur nga qeveria shqiptare. Sheshi i fshatit është shtruar komplet me gurë, ndërkohë që godinat dykatëshe, edhe ato të ndërtuara krejtësisht me gurët e Nivicës, i kanë dhënë një tjetër frymë fshatit që ka filluar të rigjallërohet.

Fshati Nivicë është pjesë e njësisë administrative “Kurvelesh”. Ndodhet 750 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Këndrevicës, 2100 metra të lartë. Në Nivicë ilirët në shekujt e IV-II para erës së re ndërtuan një kala si gjenezë e qytezës së më vonshme. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb me lartësi 80 deri në 100 m. Pozicioni strategjik dhe kalaja bëri që ky vendbanim të ishte qendra e dytë me rëndësi e fisit ilir të Amantëve.  Më tej vijnë kanionet e Nivicës. Ujëvara me lartësi 220 metra është ndër më të lartat në Europë. / atsh / KultPlus.com

22 artistë të huaj vendosin rezidencën e artit në Nivicë

22 artistë dhe aktorë nga Spanja, Italia, Rumania dhe Turqia kanë vendosur rezidencën e tyre të artit në fshatin Nivicë në Malet e Kurveleshit.

Kjo është hera e parë që grupe artistësh të huaj vizitojnë komunitete kaq të thella malore në Shqipëri, ndaj kjo ngjarje kulturore vlerësohet me një impakt të madh për këtë zonë.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare theksoi se “ky eveniment bëhet me mbështetjen e Projektit Kulturor Europian”.

“Përmes organizimit të këtyre evenimenteve ne synojmë krijimin e produktit turistik mes zonave malore dhe atyre bregdetare”, tha Tare.

Për rreth 1 javë, artistët e huaj po jetojnë në shtëpitë e banorëve të Nivicës, duke mbledhur legjenda dhe rrëfenja, të cilat më pas i inkorporojnë në interpretimin e tyre.

Tare solli si shembull trupën e Teatrit “Astragali” të Leces, e cila në performancën e djeshme të titulluar “Rrënojat rrethore të Borges”, përfshiu edhe legjendat lokale nga banorët e Nivicës.

Tare tha se “projekti do të vazhdojë edhe vitin tjetër me të njëjtin koncept, duke synuar që këto aktivitete të shtrihen gjatë gjithë sezonit, madje edhe me teatër shëtitës nga një komunitet në një tjetër, përmes rrugëve antike”.

Teatri “Astragali” i Leces, një grup artistësh nga Kostanca me pjesë të poetit romak Ovidit dhe Universiteti i Madridit me një teatër-valle me maska, po interpretojnë këtë javë në sheshin e restauruar të fshatit Nivicë./ ata