Poezi nga Nizar Qabbani
Verës
u shtriva në breg
me mendjen tek ti;
t’i kisha thënë detit
ç’ndjeja për ty,
do të braktiste brigjet e veta
guaskat e veta
peshqit e vet
e do t’më ndiqte pas.
Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com
Poezi nga Nizar Qabbani
Verës
u shtriva në breg
me mendjen tek ti;
t’i kisha thënë detit
ç’ndjeja për ty,
do të braktiste brigjet e veta
guaskat e veta
peshqit e vet
e do t’më ndiqte pas.
Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com
Poeti sirian Nizar Kabbani, gjatë qëndrimit në Bagdad vitin 1962, u ftua të recitojë disa nga poezitë e tij gjatë festivalit të poezisë arabe.
Teksa recitonte poezitë e tij, poetit i shkojnë sytë tek një vajzë irakiene tek të njëzetat, bukuria e të cilës e dehu. Sytë e tyre u takuan disa herë, për t’ia lënë vendin zemrave më pas. Pas prezantimit të poezive të tij, Nizar Kabani pyeti për të dhe ia mësoi dhe emrin, Belkis Ravi dhe i gjeti edhe adresën.
Ajo jetonte me familjen në lagjen Adhamija, në një vilë luksoze, me pamje nga lumi Tigris.
Vajti dhe kërkoi dorën e saj, por tradita arabe sipas të cilës familja e refuzon fejesën e vajzës me djemtë që kanë flirtuar me të, bëri që i ati ta refuzojë.
Nizar Kabani u kthye zemërthyer në Spanjë ku punonte në ambasadën siriane. Megjithatë, imazhi i fytyrës së ëmbël të Belkisës i mbeti i gdhendur thellë në kujtesë. Arriti të vendosë dhe korrespondecë me të dashurën e zemrës, sigurisht fshehurazi të atit të saj fanatik.
Pas shtatë vitesh ai u kthye përsëri në Irak për të marrë pjesë në një konkurrs poezie, ku prezantoi kasiden e tij për Belkisën, e cila preku ndjenjat e dëgjuesve. Të gjithë e kuptuan se ajo i kushtohej një histori dashurie të thellë dhe ku ndër të tjera thoshte:
…
Plagë me dy këmbë kam mbetur
Forcat e mia më janë tretur
Plagët e mia, si të imam Husejnit janë
Zemra e shpirti, pikëllimin e Qerbalasë kanë
Prej kohësh dëshpërimi më shoqëron
Të paktë janë shokët e kohës tonë
Të dashurit e bregut të lumit si i kam
Dashamirët vallë si janë?
Këtu, dikur, një princeshë dashurie pata
Më humbi e shtrenjta, siç vdiret dita nga nata
Ku është ajo fytyrë e Adhamijas, plot nur kur e kundron
Ku është ajo që vetë qielli e xhelozon.
Sindibad detari, i rrënuar nga detrat jam
Sytë e të dashurës time, portin e vetëm kam
Historia dhe poezia e tij i mbërriti në vesh vetë presidentit të Irakut, Ahmed Hasen Elbekr, i cili u prek dhe menjëherë dërgoi ministrin e rinisë, Shefik Kemali dhe zv e ministrit të jashtëm, si shkues për të kërkuar dorën e vajzës për poetin. Vetëm atëherë i ati e pranoi poetin Nizar Kabani për dhëndër dhe çifti u martua vitin 1969. Martesa e tyre zgjati deri në vitin 1981, ku e shoqja mbeti e vrarë nga shpërthimi i ambasadës së Irakut në Bejrut, gjatë trazirave që patën përfshirë Libanin.
/ElmazFida/ KultPlus.com
Poezi e shkruar nga Nizar Kabbani.
Shtomë dashuri, dashuri shtomë ti,
O më e ëmbla krizë e times çmenduri.
Shtoma mbytjen zonja ime,
Vërtet deti më thërret,
Shtomë vdekje përmbi vdekje,
Më ringjall nëse më vret.
O më e ëmbla vajzë mes vajzave të universit,
Më dashuro.
O ti që për ty dashurinë dogja,
Mes krahëve më shtrëngo.
Nëse strehim prej meje kërkon ti,
Do të të strehoj në dritën e syve të mi.
Dashuria jote për mua është hartë,
Hartë është për mua dashuria jote.
Asnjë kuptim më nuk ka,
Harta e kësaj bote.
Jam kryeqyteti më i vjetër i dëshpërimit.
Jam gjurma e plagës së Faraonit.
Jam pluhur, pluhur që shtrihet,
Si i pëllumbit fluturim,
Prej Bagdadit deri në Kinë.
O harabel i zemrës sime,
O prill i shpirtit tim,
O rërë e detit,
O shpirt i shpirtit,
O pylli me ullinj,
O shije bore,
O shije zjarri,
O aromë dyshimi, e njëkohësisht besimi.
Kam frikë,
Kam frikë nga errësira,
Të lutem më ndriço.
Kam frikë,
Kam frikë nga e panjohura,
Të lutem më mbro.
Kam ftohtë,
Kam ftohtë e më mbulo.
Rri pranë meje e këndo,
Se që kur linda,
Vatan ku të mbështes kokën s’po gjej.
Një dashuri mikeje kërkoj,
Të më marrë, e prapa diellit të më hedhë.
O ndriçuesja e jetës sime,
Ti më freskon.
Je kandil për bletën time,
Rrugën i’a tregon.
Atje ku erë limoni kundërmon më ço.
E me krehër fildishi krihi flokët,
Më ledhato.
Për ty spirancën e ngrita,
Shtëpinë dhe të afërmit i lashë.
Damarët i preva,
Letërnjoftimin e grisa,
Këtë botë e braktisa.
Shtomë dashuri,
Dashuri shtomë ti.
O më e ëmbla krizë,
E times çmenduri.