Një djalosh i ri në bibliotekë

(Fragment nga intervista e studiuesit amerikan me origjinë kubane, Enriko Mario Santi me Oktavio Paz)

OKTAVIO PAZ: Kam qenë shtatëmbëdhjetë, tetëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë vjeç. E po mirë, kjo ishte rinia, deri në njëzet e ca vjeç. Kam lexuar shumë. Ama, po ashtu, qysh fëmijë kisha lexuar klasikët spanjollë. Veprat teatrale të Kalderonit, të Lope de Vegas dhe të Tirsos. Në atë periudhë kam lexuar shumë, nga ndikimi i brezit të 27-s; kam lexuar Góngorën, por më vonë renda pas Kevedos, i cili m’u duk mjaft interesant.

ENRIKO MARIO SANTI: “Asgjë nuk më zhgënjen / bota më ka magjepsur.” Kjo është deviza jote e madhe që e përsërit shpesh në atë epokë të parë.

OKTAVIO PAZ: Ka një problem, që është: në atë epokë kam lexuar një seri poezish, që, në të vërtetë, formojnë vetëm një poezi që tani quhet Herakliti Kristian, në imitim të asaj të Davidit. Por në versionin që kam lexuar unë, që gjithashtu ishte korrigjuar prej Kevedos, quhet Lot të një pendestari. Për mua ishte një zbulim. Sigurisht, ti e krahason këtë poezi me poezitë e mëdha të asaj kohe, me Fabula e Polifemit dhe Galateas, por  poezia e Góngorës është më e përsosur dhe është një nga poemat më të mëdha të shekullit XVII. Nuk ka një rregull të përgjithshëm që në një poezi, përsosmëria, bukuria e pastër apo hijeshia të jetë ajo që mund të na prek më shumë. Ka të tjera gjëra. Për shembull, në poezinë latine vargjet nuk kanë përsosmërinë e Horacit apo të Virgjilit, por kanë  ndonjë notë thellësisht personale, thellësisht moderne që na prek më shumë.

Mbi të gjitha, Erza Pound na jep një variant pak a shumë të një poezie që nuk është një përkthim, por, le të themi, një rikrijim. E njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua me rastin e Kevedos. Tërë jetën kam pasur një dialog me Kevedon.

ENRIKO MARIO SANTI: Vazhdon të të duket se është poeti i parë modern?

OKTAVIO PAZ: Po. Mendoj se te Lot të një pendestari, apo Herakliti Kristian, shfaqet ajo që më duket esenciale: vetëdija e dashuruar me vetveten. Pra, ky që është një vend i zakonshëm kristian, te Kevedoja ka një pezmatim që do të jetë çdo herë më i pastër, çdo herë më i qartë, çdo herë më përfundimtar, te pasardhësit, mbi të gjitha, në shekullin XIX. Për shembull, është te Bodëleri: vetëdija e së keqes.

ENRIKO MARIO SANTI: Ashtu siç zbulon poezinë moderne, zbulon, heshtazi, një rrënjë hispanike moderne, që nuk është saktësisht bashkëkohore, por ama është moderne.

OKTAVIO PAZ: Kevedoja është një nga shkrimtarët e paktë klasikë spanjollë që ma ka dhënë këtë modernitet. Por është shumë e çuditshme: në Spanjë poetët e tjerë nuk e kanë lexuar Kevedon siç e kam lexuar unë, domethënë, nga i njëjti këndvështrim. I vetmi që mund t’i afrohet leximit tim është Neruda, veç jo saktësisht në të njëjtën mënyrë.

ENRIKO MARIO SANTI: Po ashtu edhe Borhesi. Borhesi i kundërvihet gongorizmit së epokës, përmes rileximit të Kevedos.

OKTAVIO PAZ: Le ta themi, asgjë më shumë se një çikë miop. Borhesi ka parë te Kevedoja një retorik të madh, një konceptor të madh. Për shembull, leximi i tij i sonetit për Dukën e Osunas. “Dhe epitafi i tij hëna e përgjakur…” Gjë e mrekullueshme, por është retorike, një imazh retorik. Për mua e rëndësishme nuk është kjo. Është një poezi për zilinë, për fatin e heronjve. Kjo ka hedhur rrënjë qysh me fatin e Scipion Afrikanit. Por, aspekti i mirëfilltë moral i Kevedos, nuk i interesoi Borhesit, ashtu siç nuk i interesoi as aspekti i mirëfilltë metafizik.

ENRIKO MARIO SANTI: Është interesante. Mund të bëhej një antologji se si e lexojnë Kevedon OKTAVIO PAZ, Borhesi dhe Neruda. Secili ka Kevedon e vet. Paz, leximin moral dhe metafizik; Borhes, leximin retorik; Neruda, leximin pasionant.

OKTAVIO PAZ: Po ashtu ka prekur edhe vdekjen.

ENRIKO MARIO SANTI: Gjithashtu vdekja është pjesë e këtij pasioni. Po Lesama Lima (Lezama Lima), si e ka lexuar?

OKTAVIO PAZ: Leximi i Lesama Limës është disi si edhe ai i Borhesit. Ajo çka i intereson, mbi çdo gjë, është sistemi metaforik, i cili është i dallueshëm, apo jo? Mua më ka habitur pa masë, për shembull, se Kevedoja flet për të qeshurën, flet për shkrepëtima, për “qeshje të kërmëzta”. Ka një varg që, në një farë mënyre, mund të kishte qenë i Góngorës. Sigurisht, po flasim për prirjen poetike, për tundimin revolucionar, por do të ishte mirë të flisnim edhe për tundimin fetar, i cili ngatërrohet me atë metafizik dhe me filozofinë. Pra, edhe për këtë më ka interesuar Kevedoja, sepse është një poet fetar, në mënyrë negative. Domethënë, unë nuk do të mundja të aspiroja për të pasur madhështinë e San Huan de la Krusit (San Juan de la Cruz)¹², që është poet i lidhjes me Zotin. Por Kevedoja është poeti i shkëputjes nga Zoti. Dhe është një poet shumë modern, i cili mua më ka prekur thellë, ndoshta për arsye personale, për biografinë time intelektuale, nëse ti e do kështu.

Veç kësaj, është një temë tjetër thelbësore, në poezinë time dhe në jetën time: femra.

ENRIKO MARIO SANTI: Si për çdo të ri, apo jo? Është mjaft interesante prania apo shfaqja e femrës.

OKTAVIO PAZ: Bridhnim pa reshtur nëpër rrugët e Meksikos në kërkim të femrave, duke pritur femrën, e cila kurrë nuk donte të dukej, ose më mirë do të dukej në kthesë te qoshja, apo kur të hipnim në tramvaj.

ENRIKO MARIO SANTI: Domethënë, ju ishit bërë surrealist  pa e ditur, sepse kjo është e para pyetje që i bën vetes Andre Breton¹³te Nadja.

OKTAVIO PAZ: Gjetja.

ENRIKO MARIO SANTI: Që, në të vërtetë, nuk është një çështje letrare, por një çështje jetësore.

OKTAVIO PAZ: Jetësore, atë po them. Kështu pra, ndarja nga Zoti për Kevedon nuk është thjesht çështje letrare, aty ka një dimension human.

ENRIKO MARIO SANTI: Gjithmonë, kjo është interesante. Pasi kemi njohur shumë shkrimtarë, pasi të kemi shkruar edhe vetë ne poezi, zbulojmë se poezia e vërtetë është ajo që bazohet në këto përvoja të thella jetësore.

OKTAVIO PAZ: Por nuk mjaftojnë përvojat

ENRIKO MARIO SANTI: S’mjaftojnë, është e vërtetë.

OKTAVIO PAZ: Veç, pa to, ka thjesht retorikë. Borhesi përdor këto përvoja ngaqë provoi tundimin e identitetit të vet, domethënë, fabulën e pasqyrës: kush jam unë? Po ashtu edhe tundimin e përjetësisë dhe të infinitit. E gjitha kjo qe vendimtare tek ai. Te Neruda qenë të tjera gjëra. Në rastin tim, mendoj se mund të themi se qenë ca gjëra të rinisë sime: revolucioni, ideja se mund të ndryshonim botën, heroizmi. Dhe, është e qartë, ideja e vdekjes, e shpirtit tim të vdekshëm në këtë botë.

Përktheu: Bajram Karabolli / KultPlus.com