PriFest prezanton filmin përmbyllës të programit kryesor garues

PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë – do ta mbyll programin garues të filmit të metrazhit të gjatë në edicionin e 15-të të festivalit, me shfaqjen e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, të regjisorit Gentian Koçi dhe producente Blerina Hankollari, përcjell KultPlus.

Drejtori i festivalit Fatos Berisha shprehi gëzimin e tij që Programi Garues i filmave Ballkanik do të mbyllet me një koproduksion të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Jam shumë i lumtur që sivjet do ta hapim dhe mbyllim programin garues me filma që janë koproduksione me Kosovën”, tha ai. “Për më tepër, këta filma veç se janë dëshmuar me premiera botërore në festivale të kategorisë A”.

Shfaqja e “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” demonstron përsëri përkushtimin e festivalit për të sjellur para publikut filma që festojnë trashëgiminë e pasur kinematografike të rajonit.

Ky film është përzgjedhur për ta përfaqësuar Shqipërinë në Oscars.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është produkt i një bashkëpunimi mbresëlënës ndërmjet Shqipërisë, Portugalisë, Greqisë dhe Kosovës. Në film luajnë aktorë të shquar si Edgar Morais, Rafael Morais dhe Drita Kabashi, aktore me origjinë nga Kosova e cila po luan për herë të parë në një film në gjuhën shqipe.

Disa prej aktorëve tjerë nga Kosova që luajnë në film janë Shkumbin Istrefi, Hajat Toçilla dhe Alban Goranci. Producent kosovar i filmit është Liridon Cahani.

Ky film është përkrahur nga Qendrat Kinematografike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Filmi e dërgon audiencën në një udhëtim emocional në Tiranën e sotme. Agimi dhe Gëzimi, dy vëllezër binjakë identikë në të tridhjetat, që nuk dëgjojnë që nga lindja, jetojnë nën të njëjtën çati. Ana, e dashura e Gëzimit, një vajzë tejet e hareshme, i viziton ata shumë shpesh. Një mbrëmje, Agimi në timon, duke u kthyer në shtëpi bashkë me Gëzimin, kur papritur shikimi i tij turbullohet. Për pak sa nuk ndodh një aksident fatal! Tek okulisti, disa ditë më vonë, dy vëllezërit zbulojnë se për shkak të një sëmundjeje shumë të rrallë gjenetike, ata do të verbohen me shpejtësi të ndryshme, por në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme. Të zhytur ngadalë drejt një errësire të heshtur e të padurueshme, në pamundësi për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe me botën, me Anën të vetme përkrah tyre, dy vëllezërit duhet të marrin së bashku një vendim të fortë rreth një filxhani kafeje, me këpucë të reja veshur.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” e pati premierën botërore në programin kryesor garues të Tallinn Film Festival.

PriFest ka kënaqësinë ta prezantojë premierën kosovare të “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” në edicionin e 15-të. PriFest do të vazhdojë me përkushtim ta promovojë kinemanë kosovare dhe rajonale, si dhe filmbërësit e saj.

Nga 12 deri më 17 shtator, PriFest do të shfaq një përzgjedhje të shkëlqyeshme të filmave, kështu që ruani datat dhe ejani ta shijojmë së bashku mrekullinë e filmit. / KultPlus.com