Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Erih Maria Remark padyshim që është njëri nga romancierët më të shquar gjerman, i cili la pas vetes një krijimtari të pasur që e përbëjnë romanet kryesisht rreth luftës dhe tmerreve të luftës, të cilat i përjetoi ai vetë.
Si një anti-nazist i përbetuar, Remarku, si dhe autorë të tjerë do të persekutohen nga regjimi i kohës, madje do t’ju digjen librat nëpër sheshet kryesore të Gjermanisë.
Remarku është bërë i njohur në mbarë botën me romanet e tij, po ashtu edhe i suksesshëm – është romani “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” që u bë film, për ta fituar çmimin Oskar më pas.
Disa nga romanet e tij më të njohura janë “Qielli nuk ka preferenca, “Harku i triumfit”, “Një natë në Lisbonë”, të cilin po e rekomandojmë sonte.
Remarkut në vitin 1967 i jepet “Medalja e vlerave më të larta” nga Republika e Gjermanisë.
Romani “Një natë në Lisbonë”, i cili, qysh nga botimi i tij i parë në vitin 1963, është përkthyer në shumë gjuhë dhe ka qenë pareshtur një bestseller, të rrëmben që nga faqja e parë e gjer në faqen e fundit me përshkrimin tejet prekës të mundimeve të pasosura e të fatit tragjik të atyre njerëzve që morën rrugët e mërgimit për të shpëtuar nga mizoritë e nazizmit.
Lisbonë, kryeqyteti i Portugalisë, rripi i fundit i tokës evropiane, ku ende në vitin 1942, nuk kanë arritur hordhitë naziste. Pas peripecish pa fund, aty kanë pasur fatin të mbërrijnë shumë njerëz që kërkojnë dëshpërimisht të gjejnë një mundësi largimi dhe një vizë për në ShBA.
Një prej këtyre emigrantëve është Jozef Shvarci, i cili prej disa ditësh ka arritur të marrë për veten dhe bashkëshorten e tij, Helenën, vizat për të shkuar në Botën e Re dhe dy bileta për në anijen që është gati për t’u nisur.
Por Shvarci nuk ka aspak ndërmend të niset dhe rastësisht gjen një tjetër të arratisur, që ndërkaq ka humbur çdo shpresë të shkojë në Amerikë. Fare thjeshtë, Shvarci i propozon t’i japë pasaportën e tij dhe të gruas, së bashku me biletat e udhëtimit, me kushtin e vetëm që ai të mësojë historinë e tij.
Sigurisht që i panjohuri pranon dhe lexuesit i jepet mundësia të dëgjojë rrëfimin e një nate të gjatë, dhe më bukur akoma, të lexojë romanin që është pak ta quash një kryevepër. Një histori e mrekullueshme dashurie, që ka në sfond dhimbjet e shpirtit njerëzor që u largohet barbarive naziste.
“Ia kisha ngulur sytë anijes tërë drita që ishte ankoruar në Taho, afër Molit. Po bëhej një javë që isha në Lisbonë dhe prapë s’po mësohesha dot me ndriçimin e shkujdesur të këtij qyteti. Në vendet nga vija unë, natën qytetet dukeshin si miniera qymyri, dhe një fener në atë errësirë ishte më i rrezikshëm se kolera në mesjetë. Unë vija nga Evropa e shekullit të njëzetë! Atë anije, që ishte vapor pasagjerësh, po e ngarkonin. E dija që do të nisej të nesërmen në mbrëmje. Në dritën e vrazhdë të llambave elektrike të zhveshura po stivonin në të katër anët arka me mish, peshk, konserva, bukë e zarzavate; hamejtë shpinin në bord bagazhet, ndërsa një vinç ngrinte arka e dengje pa u ndier, thua se nuk peshonin fare. Anija po përgatitej për lundrim si Arkë e Noes. Dhe një arkë e tillë ishte vërtet. Të gjitha anijet që largoheshin nga Evropa në ata muaj të vitit 1942, arka të tilla ishin. Mali Ararat qe Amerika, dhe ujërat ngriheshin nga dita në ditë. Qysh prej kohësh patën përmbytur Gjermaninë e Austrinë dhe kishin hyrë thellë në Poloni e në Pragë; Amsterdami, Brukseli, Kopenhaga, Osloja e Parisi qenë fundosur tashmë; qytetet e Italisë po binin erë ujërash të qelbura; as Spanja s’po e ndiente veten të sigurt. Bregu i Portugalisë ishte streha e fundit për ata që i kishin drejtësinë, lirinë e tolerancën më të shtrenjta se atdheun e jetën. Kush nuk nisej dot që këtej për të dalë në “dheun e premtuar” të Amerikës, ishte i humbur. Do të robtohej për një vizë hyrjeje e daljeje gjithnjë të mohuar, për leje pune e qëndrimi të paarritshme, do të dergjej nëpër kampe internimi, do të dërrmohej nga burokracia, nga vetmia, nga vendi i huaj dhe nga indiferentizmi i tmerrshëm e i përgjithshëm ndaj fatit të individit, çka është përherë rrjedhojë e luftës, e frikës dhe e mjerimit. Asokohe njeriu s’ishte asgjë, pasaporta e vlefshme ishte gjithçka.”
Fragment nga romani:
Ishte marramendja e të mërguarit në formën e saj të kulluar, zbrazëtira në stomak, lëmshi në grykë dhe dhimbja në rrënjët e syve. Ajo që njeriu, për pesë vjet me radhë, është përpjekur ta varrosë, ta harrojë e t’i largohet si një të sëmuri nga kolera, nxjerr krye prapë: kujtimi vdekjeprurës, kanceri i shpirtit, që mbërthen imigrantin! U orvata të shpëtoja nga kjo lëngatë. Si edhe më parë, u ktheva të sodisja tablotë e paqes e të qetësisë, tablotë e Sislejt, të Pisaros e të Rënuarit; rrija me orë të tëra në muze…, por tani efekti ishte i kundërt. Këto piktura nuk më qetësonin më, përkundrazi, ato nisën të thërrisnin, të kërkonin, të më kujtonin një vend të pashkretuar akoma nga gërbula e murrme, të më kujtonin disa mbrëmje nëpër rrugë, mbi muret e të cilave lulëzonin jargavanët, buzëmbrëmjet e praruara të qytetit të lashtë, kambanoret e blerta, rreth të cilave silleshin fluturim dallëndyshet…, dhe gruan time.
Jam njeri i zakonshëm dhe nuk kam cilësi të veçanta. Me time shoqe kisha jetuar katër vjet, siç është zakon të jetohet, pa vështirësi, rehat, por jo me ndonjë pasion të madh. Pas muajve të parë, marrëdhëniet tona ishin bërë ajo që quhet një martesë e mirë, një lidhje ndërmjet dy njerëzve që pranojnë se respekti i ndërsjellë është bazë për një bashkëjetesë të qetë. Nuk na vinte keq për mungesën e ëndrrave. Të paktën, kështu më dukej mua. Ishim njerëz të arsyeshëm dhe e donim njëri-tjetrin.
Por gjithçka ndryshoi: nisa ta qortoja veten që kisha bërë një martesë aq të rëndomtë. Kisha humbur aq shumë gjëra. Përse kisha jetuar? Ç’po bëja tani? Fshihesha dhe rroja me të keq. Gjer kur do të vazhdonte kështu? Dhe si do të përfundonte? Do të shpërthente lufta, dhe Gjermania do të fitonte. Ishte i vetmi vend i armatosur gjer në dhëmbë. Ç’do të ndodhte më pas? Ku do të fshihesha po të më mbetej akoma kohë e frymë? Në ç’kamp do të vdisja urie? Pas ç’muri do të më shembte përtokë ndonjë plumb pas zverkut, po ta kisha këtë fat? /KultPlus.com