Një poemë për miqësinë sublime
Letër e Lasgush Poradecit për Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin (Graz, 22 shkurt 1930)
“Sot më zotëron shpirtin letra jote e dytë. Në atë letër ti më lajmëron, i dashur Dhimitraq, se ke në mënt të vish kësaj vere në Poradec: Pra zemra ime u shërua. Pas dhjetë vjetësh humbje, do kem gazin e bukur të të shoh prapë, të shihemi prapë…
I shtrentë Dhimitraq, mirë, shumë mirë do bësh, do këputnja një copë qiell, do sbrisnja disa yj të ndritur e të lehtë mi baltën që na rëndon kaq brutalërisht në shpirt, sikur ta vinje në vepërim atë mëndje, atë qëllim aq të shenjtëruar…
Eja, pra, dhe mos u vono aspak! Llazari të pret me krahët hapur. Kur të piqemi, kur të të puth në ballë, jo vetëm njerëzia do çuditen, jo vetëm gurët do dridhen, po dhe Zoti vetë më të madh të Tija, do t’a bëjë buzën në gas… Do t’a bëjë buzën në gas, sepse me pjekjen t’onë do ndjejë dhe Ay, një Tepër-Lumtëri, me gjith që vetëm për një moment, se Drita që Ay pati ndezur për ndritjen, shpëtimin, lumtërimin e së KEQES njerëzí nuk e ka shterur mburimin fare…
Eja pra i dhemshur shok sa më shpejt Atje ku e ka urdhëruar Zoti që të piqemi bashkë. Eja t’a vrasim DJALLIN e Shqipërisë, e shqipëtarëve. Do më gjesh atje, që në ditën e parë, buzë liqerit t’onë të adhuruar. Do më gjesh, ashtu siç e di, ashtu sikundër të isha vetja jote vetë: shpirt i vetëm i etuar për Dritë dhe përparim, dyke patur rreth e përqark skëterrën, prapanikërinë, trurin e çuknavitur të një vëndi, të një populli të mjerë po të dashur, i cili po bën MËKATËN, sepse NUK DI Ç’BËN… Eja t’i themi atë që kemi për t’i thënë…”
(Lasgush Poradeci, Vepra IV. Korrespondencë Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli. Përgatitur për shtyp nga vajzat e Poetit, Kostandina Gusho dhe Maria Gusho. Shtëpia Botuese albPAPER, Tiranë, 2010, f. 27-28/ Letër e përzgjedhur nga Prof. K. Jorgo) / KultPlus.com