Alberina Haxhijaj
Mbrëmë është dhënë premiera e filmit “Një tregim Prishtine”, në kuadër të PriFilm Fest. Festivali do të vazhdojë me shfaqjen e filmave edhe sonte për të përfunduar edicionin e 10-të me ndarjen e çmimeve nesër mbrëma, shkruan KultPlus.
Regjisori frymëzimin mund ta marrë nga çdo gjë që e rrethon, madje edhe përgjatë një ecjeje të zakonshme në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Në fakt ky ishte edhe fillimi i frymëzimit për filmin “Një tregim Prishtine”, realizuar nga regjisorja Burbuqe Berisha.
Regjisorja dhe skenaristja në këtë film vënë përpara publikut vështirësitë që hasin prindërit për të gjetur fonde të mjaftueshëm për të shëruar fëmiun e tyre duke ndërlidhur rreth kësaj teme edhe elemente të tjera të cilat tregojnë realitetin e hidhur në Kosovë.
“Një tregim Prishtine”, paraqet një realitet të Prishtinës shprehet skenaristja e filmit Getoarbë Mulliqi Bojaj.
“Jam intrigu jashtëzakonisht prej temës pasi që vazhdimisht shohim raste të tilla, kemi në familje e në mesin e miqve. Një skenar i tillë shkruhet me një frymë, këtë edhe e kam bërë. Pastaj pas draftit të parë së bashku me regjisoren jemi takuar kohë pas kohë duke ndryshuar gjëra që i kemi parë të nevojshme”, tregoi skenaristja.
Filmi ka në fokus jetën e Aurorës dhe Benit të cilët për të gjetur paratë për trajtim e vajzës së tyre Fionës, jashtë vendi, ballafaqohen me pjesën e errët të botës dhe përballen me beteja të ndryshme. Jeta e tyre e qetë dhe e lumtur merr kthesë drastike dhe ndërron tërësisht. Mirëpo pikërisht kjo gjendje e rëndë emocionale e tyre vë në pah edhe problemet që ka shoqëria kosovare.
Regjisorja Burbuqe Berisha tregoi se ka shfrytëzuar shumë situata pikërisht nga realitetit duke i bërë pjesë të filmit të saj. E tillë është edhe personifikimi i “Kushës”, zyrtarit që i ofron ndihmë Benit në këmbim që ai të vrasë dikë për të.
“Gjatë kohës kur është menduar për film, Ministria e Shëndetësisë është përballë me afera shumë të mëdha. Kështu që mjafton një zyrtar i thjeshtë me e degradu krejt sistemin siç e kemi edhe në film e që diçka e tillë ndodh edhe te ne. Pra kemi dashur që të tregojmë një realitet i cili është faktit por duke mos ndërhyrë te asnjë parti pasi që ky është një problem i përgjithshëm ku dikush e ka fituar një vend punë edhe atë pozitë e keqpërdorë”, u shpreh regjisorja.
Sigurisht që ajo që e ka bërë të veçantë këtë film është pikërisht Fiona, vajza e qiftit të cilin e portretizoi aktorja e re Artiola Hamdijaj, ajo i ka rrëmbyer zemrën regjisores që në bisedën e parë.
Për aktoren Teuta Krasniqi ky film do të mbetët një ndër filma e saj të preferuar pasi që sipas saj ky rol është më së afërmi me Teutën e vërtetë.
“Ndjehem e privilegjuar sepse që në momentin kur ka filluar që të shkruhet skenari, është shkruar me idenë që të luaj edhe unë. Kjo ka qenë ndjenjë shumë e mirë por edhe përgjegjësi e madhe pasi që nuk kam dashur që ta zhgënjejë regjisoren apo skenaristen”, u shpreh ajo.
Roli i babait, i cili ndodhet para dilemës se a mund të vritet një njëri për të shpëtuar vajzën, e ka vënë në shumë dilema aktorin, Donat Qosja .
“Nuk e di sesi do të reagoja po të isha në një situatë të atillë si në film dhe gjithë fajin për barrën që kam në film mund të ja lë skenaristes dhe regjisores. Pyetja që më së shumti ja kam bërë vetës në këtë film është se qysh e vret njeri një person kur nuk dëshiron me e vra, çfarë ndjenje, çfarë emocioni mundet me të zgju pikërisht kjo situatë. Këto dilema më kanë shqetësuar gjatë gjithë kohës dhe besoj që e kanë bartë një emocion të veçantë te personazhi që e kam pasqyruar”, u shpreh aktori Qosja.
Për aktoren Aurita Agushi ajo që fshihet pas gjithë këtij filmi është që njerëzit të jenë më njerëzor dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.
“Ajo që bartë ky film brenda vetës besoj që është humaniteti, e që jo vetëm te ne por në gjithë botën ka filluar që të zbehet. Sikur harrojmë që çdo gjë që i ndodh dikujt mund të na ndodh edhe neve. Në gëzime mund të jemi së bashku mirëpo ana më humane është që t’i gjendemi afër një personi kur ka nevojë për ne”, u shpreh ajo.
Premiera e filmit mbrëmë është vetëm hapi i parë i rëndësishëm i këtij filmi. Sipas producentitr Agron Vula ekipi tashmë janë duke shikuar për mundësit që filmi të jetë pjesë edhe e festivale të tjera ndërkombëtare. Mirëpo sipas tij buxheti ka qenë shqetësues dhe e ka vërë në dyshim realizimin e filmit.
“Kemi arritur që me një buxhet shumë të vogël ta realizojmë filmin. Ajo që ka rëndësi është që gjithë filmi është shqiptar dhe është filmi i parë që e kemi realizuar tërësisht në Kosovë. Realizimi i këtij filmi më të vërtetë ka qenë sfidë dhe njëherë edhe patëm heq dorë. Ajo që na ka shty për ta realizuar filmin ka qenë skenari dhe puna e palodhshme e ekipit të filmit”, theksoi Vula.
Filmi “Një tregim Prishtine” është në mesin e filmave të cilët janë në garë në kuadër të Programit Garues Ballkanik – ‘Honey and Blood’, në PriFilm Fest./ KultPlus.com