‘Një vrasje e vogël aksidentale’, komedia nga trupa teatrore e Mitrovicës në skenën e Gjirokastrës

“Një vrasje e vogël aksidentale” komedia e Jean Pierre Martinez u ngjit në skenën e teatrit të Gjirokastrës nën interpretimin e teatrit të Mitrovicës nën regjinë e Marigona Bekteshit.

Shfaqja, një komedi e pastër e bazuar në marrëdhëniet e komplikuara të dashurisë mund të shihet edhe si një eksplorim humoristik i fuqisë së gjuhës. Gënjeshtra të vogla por të shumta që shkaktojnë ngjarje me pasoja shkatërruese. Regjisorja e shfaqjes u shpreh shumë e kënaqur me mikpritjen e shfaqjes.

Komedia që pati ritëm dhe dinamikë interesante solli  situata plot humor brenda një çifti ku gënjeshtrat e njërit zbulojnë sekretet e tjetrit. Vepra njëherazi një tragjedie qesharake – ose një komedi dramatike ka të bëjë me fuqinë e rrezikshme që kanë deklaratat e vërteta dhe të rreme për të ndryshuar realitetin, herë për mirë e herë për keq. Një shaka e vogël  e pafajshme i tërheq personazhet e kësaj drame në mënyrë të pakontrollueshme duke i çuar ata nga një mbrëmje e qetë në shtëpi në një situatë surreale dhe shumë të rrezikshme.

Shfaqja ka udhëtuar më parë në Vlorë dhe trupa pritet të interpretojë edhe në disa qytete të tjera. Ky ishte shkëmbimi i dytë mes teatrove të Gjirokastrës dhe Mitrovicës./topchanel/KultPlus.com