Isaiah Berlin: Filozofia duhet të na e mësojë vet-njohjen

(Intervistë me filozofin Isaiah Berlin, 1976 BBC)

Më poshtë mund të lexoni pjesë nga intervista me filozofin Isaiah Berlin. Në këtë pjesë, Berlin flet për rolin dhe rëndësinë praktike të filozofisë, si ajo ka ndikuar përgjatë historisë njerëzore dhe si mund të ndikojë në të ardhmen. Intervistues është filozofi anglez Bryan Magee, i cili gjatë viteve të 70-ta të shekullit 20, kishte realizuar një cikël intervistash me filozofë dhe studiues të filozofisë, për ta bërë filozofinë më të kapshme për publikun.

Intervista

Bryan Magee: Z. Berlin, a mund ti renditni disa arsye, pse dikush duhet të interesohet për filozofinë, në rast se nuk ka pasur mundësinë të njihet me të përgjatë procesit të edukimit, apo në përgjithësi gjatë jetës së tij?

Isaiah Berlin: Si fillim, kjo pyetje është intersante madje edhe në vetvete. Por, për ata që nuk pajtohen me këtë, më duhet të them se, filozofia i trajton dhe analizon në mënyrë kritike, supozimet apo pohimet, mbi të cilat shumë besime të zakonshme të përditshmërisë (opinione) kanë bazamentin, apo gjejnë mbështetjen e tyre. Bëhet fjalë për besimet, për të cilat njeriu nuk është se ka shumë dëshirë që ti gërmojë, sepse njerëzit thjesht nuk duan që mendimet dhe besimet e tyre të analizohen. Njerëzit fillojnë e ndihen jo komod në rast se i detyrojmë që në mënyrë kritike të analizojnë bazamentin, fundamentin e besimeve të tyre. Dhe pikërisht në lidhje me këtë, një nga detyrat themelore të filozofisë është analiza e mendimeve, besimeve apo analiza mbi të ashtuqujtuarën “mendje e shëndoshë”. Kjo detyrë e filozofisë, duket shumë e pasigurtë dhe në të njejtën kohë edhe shumë e komplikuar. Filozofët duke bërë një punë të tillë, provojnë tu mësojnë njerëzve vet-njohjen (self-knowledge). Shpesh her, duke bërë një punë të tillë, ata u tregojnë njerëzve në mënyrë mjaftë iluminuese, se çfarë ata besojnë dhe pse ata besojnë një gjë të caktuar? Dhe kjo paraqet një detyrë mjaft esenciale për filozofinë.  

Magee: Pajtohem plotësisht me juve. Kur mendimet tona të zakonshme bëhen objekt analize dhe kritike, ndihemi si të thuash jo fort rehat me veten. Madje, kjo mund të arrijë deri në pikën sa të krijohet edhe një lloj rezistence ndaj analizave të tilla. Pse mendoni se ndodh kjo rezistencë tek njeriu, kur ai ballafaqohet me kritikën e mendimeve të tij? 

Berlin: Së pari, mendoj se njerëzit nuk e kanë fort qejf kur analizohen tej mase, dhe së dyti, supozoj se, vet akti i të analizuarit e përjashton njëfar mënyre një lloj jete apo një qasje të caktuar mbi të jetuarit. Kjo është shumë e dukshme: Ta zëmë se njeriu është duke jetuar në një mënyrë të caktuar, ashtu si ai mendon se duhet të jetojë, dhe papritur ai ballafaqohet me pyetje të tilla si: Pse je duke vepruar kështu? A je i sigurtë se qëllimet që i ke vendosur vetes për jetën tënde, janë qëllimet e tua të vërteta? A je i sigurtë se veprimi jot nuk e kundërshton në një farë mënyre një lloj besimi moral që mbase ju duhet ta përqafoni? Apo, a jeni të sigurtë se disa nga vlerat dhe parimet tuaja, janë në kundërthënie me disa vlera dhe parime tjera dhe ju nuk jeni duke u përballur me këtë fakt?

Sepse ndonjëherë, kur zhytesh në dilema, je aq i frikësuar të ballafaqohesh me mendimet tua sy më sy, saqë ti i shmangesh përballjes dhe kërkon përgjegjësinë diku tjetër: tek shteti, tek mësuesit, tek shkolla, apo tek ndonjë grup apo komunitet ku ti bën pjesë. A mos vallë do të ishte më e udhës që ti vet personalisht, ta marrësh përgjegjësinë mbi supet e tua? Kjo mendoj se i shqetëson njerëzit, i mbush me antkh, dhe si rjedhojë në mënyrë të pavetëdishme dhe shumë të natyrshme zë fillin rezistenca për të cilën folët ju.

Në lidhje me këtë, ne duhet të kemi parasysh një gjë. Ky aspekt i kritikës-analizës, i ka dy anë të medaljes: Nga njëra anë, nëse të gjithë njerëzit do të ishin ‘intelektualë skeptik’, dyshues për çdo gjë, dhe në mënyrë të detajur të analizonin çdo mendim apo veprim të tyrin, ne do të përfundonim në një skepticizëm të skajshëm dhe jeta praktike do të ishte thuajse e pamundur. Nuk është e nevojshme që çdonjëri të ketë qasje të tillë kritike dhe skeptike ndaj jetës. Për këtë arsye, meqë filozofët e kanë si të thuash ‘profesion’ këtë lloj qasje kritike, është detyra e tyre që të merren me këtë punë. Por, ana tjetër e medaljes, na tregon qartë se, nëse këto gjëra (pohime, besime, opinione) nuk shqyrtohen, por lihen djerrë, atëherë shoqëritë bëhen të ngurta dhe të mbyllura. Besimet kthehen në dogma, imagjinata shtrembërohet, intelekti bëhet steril. Shoqëritë prishen si rjedhojë e mbështetjes së tyre në dogma, pa i dyshuar fare ato. Nëse imagjinata do të trazohet, nëse intelekti do të funksionojë, supozimet duhet të vihen në dyshim, supozimet duhet të sfidohen. I gjithë ky mozaik duhet të shikohet vazhdimisht, dhe jo nga shumë njerëz dhe as me intesitet të lartë, por megjithatë, mjaftueshëm sa për të mbajtur shoqërinë në lëvizje. Shoqëria lëviz me një farë shkalle ‘paricide’, ku fëmijët, në tërësi, vrasin, nëse jo baballarët e tyre, të paktën besimet e baballarëve të tyre dhe arrijnë në besime të reja. Dhe kështu ndodh zhvillimi, ky është progresi.

Magee: Mendoj se shumë njerëz hyjnë në filozofi, duke dashur tu tregohet se si të jetojnë, ose duan të marrin një shpjegim të botës, shpjegim të jetës ose diçka të tillë. Dhe më duket se, të hysh me atë dëshirë në filozofi, është heqje dorë nga përgjegjësia jote personale. Askush nuk duhet të synojë, që dikush apo diçka, t’ia mësojë sekretin e të jetuarit. Askush nuk duhet të synojë për gjetjen e përgjigjeve të gatshme dhe përfundimtare. Përkundrazi, është punë tjetër nëse dëshiron të kesh një sqarim të jetës, sqarim të çështjeve që të preokupojnë. E gjithë kjo, duhet të bëhet me qëllimin e vetëm: Vetëm njeriu apo individi vet, duhet të marrë vendime autonome dhe të jetë përgjegjës mbi veprimet dhe jetën e tij.

Berlin: Është shumë e dhimbshme kjo që po thua, dhe unë pajtohem plotësisht. Shumica e njerëzve duan të pasurohen me përgjigje të gatshme. Në lidhje me këtë, më kujtohet një fakt mbi shkrimtarin rus Ivan Turgenev: Kur Turgenev fliste për veprat e tij, ai thoshte se arsyeja pse ato nuk ishin aq te dashura për lexuesin sa mund të ishin potencialisht, lidhet me faktin se lexuesi rus i shekullit 19, dëshiron ti tregohet se si të jetohet, dhe qartazi kërkon të dijë kush është heroi e kush idioti, horri. Por Turgenev nuk e tregon këtë. Tolstoi, Dostojevski dhe shumë të tjerë e bënin një gjë të tillë. Ta zëmë, në veprat e Dickens-it fare lehtë mund të hetosh kush është i miri dhe kush jo. Turgenev thotë: unë vetëm sa i pikturoj qeniet njerëzore ashtu si janë, unë nuk e udhëzoj lexuesin, dhe as nuk e lë të kuptohet se në cilën anë qendroj unë. Dhe kjo e irriton lexuesin, e bezdis atë, e lë pezull dhe njeriu për nga natyra e urren këtë gjendje. Nuk është detyrë as e filozofit e as e shkrimtarit ti orientojë njerëzit si të jetojnë. Detyra e tyre është ti ballafaqojnë me mundësi, ti hapin njerëzit karshi jetës. Detyra e filozofit është ti tregoj njeriut për zgjedhjet që ai ka bërë, dhe pavarësisht se çfarë ka zgjedhur ai të bëj me jetën e vet, me besimet e tij, ai duhet të zhytet në to dhe të përshihet i tëri me përgjegjësi të plotë.

Magee: Më duket e pabesueshme, se si të ashtuquajturit njerëz të thjeshtë, mendojnë se kritika të tilla nga filozofia, janë thjeshtë abstrakte, madje e konsiderojnë atë edhe si një aktivitet shterp. Nëse nuk provon të dalësh nga kthinat e opinioneve tua ekzistuese, sidomos në fushën e moralit, politikës dhe fushës sociale, njeriu mbetet një i burgosur i cilësdo doktrine që ka përqafuar. Njeriu bëhet i burgosur i modeleve ekzistuese dhe modeleve të kohës së tij. Dhe sigurisht, këto ide filozofike që po diskutojmë, kanë pasur një ndikim shumë të madh në jetën praktike. Këtu kam parasysh Revolucionin Amerikan, Revolucionin Francez, Revolucionin Rus, ndikimin mbi religjionet anembanë botës, apo qoftë edhe mbi qeveritë Marksiste respektive. Këto janë vetëm disa shembuj, se si idetë filozofike, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe të dukshme, kanë ndikuar konkretisht mbi jetën qenieve njerëzore. Pra, pikëpamja se kjo qasje e filozofisë, në dukje të parë abstrakte, nuk ka fare lidhje me jetën reale, më duket se është vetë pa lidhje me jetën reale, dhe thellësisht joreale.

Berlin: Ta kujtojmë poetin e madh gjerman Heine, i cili thoshte: Mos e nënvlerësoni filozofin përgjatë studimeve të tij. Ai është shumë i fuqishëm dhe madhështor. Mos e mendoni atë si të ishte një mësues i butë dhe pa ndikim, i shqetësuar vetëm me punët e tij triviale. Nëse Kanti nuk do ja priste kokën Zotit, me shumë mundësi as Robespier nuk do ja priste kokën mbretit. Metafizicienët e mëdhenjë gjerman-Fihteanët(J. Fichte), Shilingasit (F. Schelling), apo të tjerët, janë njerëz që një ditë nuk do të ndalen nga frika ose nga ndjekja e kënaqësisë, dhe do të shkatërrojnë shumë monumente të civilizimit tonë. Kur ky zemërim i madh metafizik do shpërthejë në botë, Revolucioni Francez do të duket thjesht një lojë fëmijësh, e kështu me radhë. Fuqia e ideve filozofike dhe metafizike është shumë e madhe.

Përktheu: Ardian Batusha/virtualsophists/KultPlus.com