Psy rikthehet në muzikë me albumin e tij të nëntë pas një mungese pesëvjeçare

Këngëtari nga Korea Jugore, Psy, më së miri i njohur për hitin e vitit 2013, “Gangnam Style”, do të rikthehet me muzikë të re pas një mungesë pesëvjeçare.

Në mëngjesin e së martës, artisti 44-vjeçar e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ta bërë të ditur rikthimin e shumëpritur në skenën muzikore.

Psy zbuloi se albumi i tij i nëntë me titull “Psy 9th”, do të lansohet në treg më 29 prill të këtij viti, raportoi të martën portali “NME”.

Në klipin e postuar në Instagram, që është xhiruar në një koncert të këngëtarit në vitin 2013, ai dëgjohet duke folur për faktin se i ishin dashur 10 vjet për ta shkruar hitin global, “Gangnam Style”. Kështu, duke bërë shaka, ai u thotë fansave të pranishëm se ndoshta do t’i duhen edhe dhjetë vjet tjera për ta lansuar një këngë të ngjashme.

Në vitin 2017, Psy e lansoi albumin e tij të fundit pjesë e së cilit ishin edhe këngët, “I Luv It” dhe “New Face”. Një vit më vonë ai u largua nga labeli me të cilin kishte bashkëpunuar për shumë kohë, “YG Entertainment”. Në fillim të 2019-s, këngëtari e themeloi kompaninë e tij incizuese, “P Nation”, e cila nga atëherë ka nënshkruar kontrata bashkëpunimi me disa artistë të njohur nga Korea Jugore.

“Gangnam Style” mbetet suksesi i madh i karrierës së këngëtarit Psy. Kënga deri më tani i numëron më shumë se 4.3 miliardë klikime në platformën muzikore YouTube. / KultPlus.com

Dua Lipa me dy nominime për çmimet “NME”

Është bërë e ditur lista e plotë e të nominuarve të sivjetmë për çmimet “NME”, dhe e nominuar në dy kategori të rëndësishme të mbrëmjes është edhe këngëtarja kosovaro-britanike, Dua Lipa.

Ylli i muzikës pop, ka arritur të fitojë nominim në kategoritë, “Kënga më e mirë në botë” dhe “Kënga më e mirë britanike”, për hitin e saj të fundit “Don’t Start Now”, raporton Koha.net.

Lajmin për këtë sukses, Lipa e ka ndarë edhe me 38 milionë ndjekësit e saj në Instagram.

Në mesin e yjeve të tjerë të nominuar për këto shpërblime janë: Slowthai, The 1975, Yungblud, Billie Eilish, AJ Tracey, FKA twigs, Lizzo, Cardi B, Charli XCX, Foals, Stormzy dhe Lana Del Rey.

Çmimet “NME” i nderojnë më të mirët në muzikë, film, televizion dhe kulturë, ndërsa ceremonia e ndarjes së shpërblimeve do të mbahet më 12 shkurt të këtij viti, në arenën “O2 Academy Brixton” në Londër. / KultPlus.com

Dua Lipa nominohet për tre çmime në “NME Awards”

Pas Brit Awards, në të cilën u nominuar për pesë çmime, këngëtarja me prejardhje shqiptare Dua Lipa ka konfirmuar se është në garë edhe për tre çmime në “NME Awards”.

Ajo ka konfirmuar se është në garë për Solo artistin më të mirë në Britani, këngën më të mirë dhe videon më të mirë, transmeton Koha.net.

“Jam në garë për tre çmime ‘NME Awards’ përfshirë Solo artistin më të mirë në Britani, këngën më të mirë dhe videon më të mirë. Mund të votoni në www.nme.com/awardsvote”, ka shkruar Dua Lipa./ KultPlus.com