Trupa profesionale e Noa Dance Theatre Co, sjell premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, komedinë “Megalomani” drejtuar dhe konceptuar nga Robert Nuha, përcjell KultPlus.
Nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore, teknikave më të fundit të dansit, kombinimeve të gjuhës së trupit, fjalës, pantomimës, shfaqja “Megalomani” shpërfaqë situatat në format komike, në të cilat trajtohen fenomenet e madhështisë, pushtetet absolute, absurditetet e po këtyre fenomeneve si dhe pasojat e saj.
Tendenca e shfaqjes është që të ngrijë disa pyetje rreth këtyre fenomeneve destruktive dhe shpeshë-herë të rrezikshme për individin por edhe për shoqërinë.
Çfarë na bën Megaloman?
Çfarë shkakton Megalomania?
Cili është ndikimi i fenomenit Megaloman tek ne?
A kemi ne përgjegjësi si shoqëri për efektet e drejtpërdrejta dhe anësore që shkakton Megalomania?
Shfaqja vjen premiere ditën e martë, më 13 qershor, ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Në kuadrin e vazhdimësisë së bashkëpunimit të trupës profesionale të Noa Dance Theatre me degën e koreografisë pranë Kolegjit AAB, kjo shfaqje vjen edhe si manifestim i diplomimit të gjashtë studentëve të cilët në këto 3 vite të studimit në degën e koreografisë, kanë arritur të zhvillohen dhe të vijnë në nivelin e duhur profesional për të qenë pjesë edhe e komunitetit artistik të Kosovës por edhe të përfshihen në shumë procese profesionale si është kjo e fundit që me këmbëngulje e përkushtim vetëmohues kanë arritur të japin kontributin artistik të nevojshëm e të domosdoshëm për një mbyllje të dinjitetshme të studimeve.
Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha, Ibrahim Tusha janë gjashtë koreografët e ardhshëm të skenës artistike të Kosovës për të cilët kontributi i tyre do të jetë i dobishëm dhe i domosdoshëm në skenën koreografike vendore dhe më gjerë. / KultPlus.com