Më 10 qershor të vitit 2010 u nda nga jeta nobelisti portugez José Saramago

Bujar Meholli

José de Sousa Saramago ka lindur në Azinhaga të Portugalisë, më 16 nëntor 1922. U zhvendos në Lisbonë me familjen në moshë të re, dhe i braktisi studimet universitare për shkak të vështirësitë ekonomike; filloi të merret me punë të ndryshme. Ai në fakt ka punuar si farkëtar, projektues, lektor, përkthyes, gazetar, gjersa u punësua në mënyrë të përhershme në një Shtëpi Botuese, ku punoi për dymbëdhjetë vjet si redaktor letrar.

Romani i tij i parë, “Toka e mëkatit”, i vitit 1947, nuk do të ketë një sukses të madh në Portugalinë obskurantiste të Salazarit, diktatorit ndaj të cilit Saramago nuk e ka ndaluar luftën, duke u përballur me censurën sistematike të shkrimeve të tij gazetareske. Në vitin 1959 ai u regjistrua në Partinë Komuniste Portugeze, ku vepron në fshehtësi, duke ikur gjithmonë nga kurthet dhe intrigat e Pidës famëkeqe, policisë politike të regjimit. Në fakt, duhet të theksohet se për të kuptuar jetën dhe punën e këtij shkrimtari, nuk mund të injorojmë angazhimin e vazhdueshëm politik në çdo aktivitet.

Në vitet gjashtëdhjetë, ai u bë një nga kritikët më të mëdhenj të vendit nëpërmjet edicionin të ri të revistës “Seara Nova” dhe më 1966 publikon përmbledhjen e parë të poetike “Poezi të mundshme”. Më pas bëhet drejtor në një Shtëpi Botuese dhe nga 1972 deri 1973, ishte redaktor i shtojcës kulturore dhe editoriale të gazetës “Diario de Lisboa”, gjer në shpërthimin e të ashtuquajturit Revolucioni i Karafiltë në vitin 1974. Saramago botoi librin poetik “Ndoshta lumturia”, 1970, kronikat “Për këtë dhe botën tjetër”, 1971, “Bagazh udhëtar”, 1973, “Mendime që DL kishte” 1974, drama, novela dhe romane. Saramago (zëvendës kryeredaktor i gazetës “Diario de Noticias” më 1975 dhe shkrimtar me kohë të plotë) e çliron letërsinë portugeze nga kompleksi i mëparshëm dhe krijon një brez post-revolucionar.

Në vitin 1977, Saramago publikoi romanin e gjatë me titull “Manual i pikturës dhe kaligrafisë”, ndjekur nga “Një vend i quajtur Alentejo,” i 1980, fokusuar në revoltën e popullit të rajonit në lindje të Portugalisë. Por me “Përkujtimorja e manastirit” të 1982-ës, më në fund arrin suksesin e shumëpritur. Në gjashtë vite botoi tri veprat me ndikim të madh (përveç Përkujtimores, “Viti i vdekjes së Richard Reis” dhe “Rafti i gurtë”) duke marrë vlerësime të shumta nga kritika. Vitet nëntëdhjetë e kanë shenjtëruar atë në skenën ndërkombëtare me “Rrethimin e Lisbonës” dhe “Ungjillin sipas Jezusit”, e më pas me “Verbërinë”. Në vitin 1998, duke ngjallur polemika sidomos nga Vatikani, ai u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi.

José Saramago vdes më 18 qershor, 2010 në banesën e tij në Lanzarote, në qytetin e Tías, në Ishujt Kanarie. /KultPlus

6 këshilla që ju ndihmojnë të shkruani sipas John Stainbeck

John Stainbeck është fitues i çmimit “Pulitzer” dhe “Nobel” për letërsinë.

Në një nga letrat e përfshira në librin “Stainbeck : një jetë mes letrash” të shkrimtarit dhe aktorit Robert Wallsten , ndër të tjera ai paraqet gjashtë këshilla që sipas tij ndihmojnë në një proçes të suksesshëm të të shkruarit.

Harrojeni mendimin apo frikën se nëse do ta përfundoni ndonjëherë punën tuaj dhe hiqni dorë nga ideja e të shkruarit 400 faqe në një kohë të shkurtër . Të shkruash nga një faqe për çdo ditë ndihmon më tepër dhe do të surprizoheni kur të përfundoni.

Hidhni gjithçka në letër duke shkruar lirshëm dhe sa më shpejt të jetë e mundur . Mos korrigjoni dhe rishkruani asgjë deri në momentin që i gjithë proçesi të përfundojë. Rishkrimi në moment ,zakonisht bëhet shkak për humbjen e besimit në punën tuaj ,çka me shumë mundësi do të sillte ndërprerjen e saj. Rishkrimi gjithashtu ndërhyn në rrjedhën dhe ritmin që vjen si shkak i një lidhjeje të pandërgjegjshme me materialin .

Harrojeni idenë e “audiencës” tuaj anonime që në radhë të parë do tju friksojë dhe në radhë të dytë,ndryshe nga teatri, këtu nuk egziston. Kur shkruani ,audienca juaj është një lexues i vetëm . Do të shtoja se ndonjëherë është mirë t’i drejtoheni një personi real ose imagjinar .

Nëse mendoni se një pjesë apo frazë kërkon më shumë punë,kalojeni dhe vazhdoni më tej. Kur të përfundoni mund t’i riktheheni dhe me siguri duhet ta keni gjetur arsyen e ngecjes ,ose do të arsyetoni se është më mirë të shmanget.

Kujdes me ngjarjet tuaja më të dashura . Ndonjeherë mund të zgjateni më tepër nga sa është e nevojshme dhe mund ta ngarkojë më shumë nga çduhet rrëfimin. Kjo do të sillte prishje të linearitetit apo harmonisë me të cilën lidhen pjesët .

Nëse do të përdorni dialogë , kujdesuni që t’i thoni me zë të lartë teksa shkruani . Vetëm kështu mund ta përçoni idenë e bashkëbisedimit./KultPlus.com

Greta 16 vjeçare nominohet për çmimin Nobel për Paqe

Ajo e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi Greta Thunberg, themeluese e lëvizjes “Youth Strike for Climate”, është nominuar për çmimin Nobel për Paqe, vetëm një ditë para aksionit më të madh global për ndryshimet klimatike.

16 vjeçarja e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi, por që prej atëherë ajo ka inspiruar nxënës e studentë në të gjithë botën. Greva e të Rinjve për Klimën fton nxënësit që çdo të premte të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë për ndryshimet klimatike.

Deputeti socialist norvegjez, Freddy Andre Ovstegard, deklaroi se veprimi i Thunberg është një kontribut i madh për paqen.

“Ne e kemi nominuar Greta Thunberg sepse nëse ne bëjmë asgjë për ndryshimet klimatike, kjo do të bëhet shkaktare për luftë, konflikte dhe refugjatë”, tha ai. Përmes Twitter, Greta u shpreh falënderuese për këtë nominimin e saj. “Jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse për këtë kandidimin. Nesër ne do të bojkotojmë mësimin për të ardhmen tonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të jetë nevoja”, shkroi ajo.

Bojkotimi i mësimit, ndryshe si greva apo protesta për ndryshimet klimatike, pritet të ndodhë në 1,659 qytete në 105 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë qindra mijë nxënës e studentë. / KultPlus.com

Maryse Conde merr çmimin zëvendësues të Nobelit në Letërsi

Shkrimtarja nga Guadalupe, Maryse Condé disa herë e cituar për Nobelin, u shpall sot fituesja e çmimit të ri në letërsi, me titullin nga ”Akademia e Re” pas polemikave mbi skandalin e lëvizjes #MeToo që çoi në shtyrjen për një vit të çmimit Nobel në Letërsi.

‘Në veprat e saj, me një gjuhë koncize, Maryse Condé përshkruan efektet shkatërruese të kolonializmit dhe kaosin e periudhës postkoloniale’’, ishin vlerësimet e artikuluara nga institucioni gjatë shpalljes së çmimit në Bibliotekën Publike të Stokholmit.

E lindur në shkurt 1937 në Pointe-à-Pitre (Guadalupe), Maryse Condé ka publikuar rreth 30 romane me tematikë mbi skllavërinë dhe Afrikën, si dhe pjesë teatrale dhe ese.

Akademia Suedeze u përfshi nga skandali i lëvizjes #MeToo në vjeshtën e vitit 2017, kur 18 gra akuzuan publikisht bashkëshortin francez të një anëtare të Akademisë për ngacmim dhe përdhunim./KultPlus.com

Fjalimi emocionues i Nënë Terezës në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel

“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.

Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.

Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!

Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?

Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .

Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?

Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.

Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!

Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.

Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë.
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.

Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.

A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?

Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.

Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.

Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.

Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.

Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.

Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.

Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.

Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.

Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen.
Zoti ju bekoftë!”, kishte thënë Nënë Tereza./ KultPlus.com

Fituesi i Nobelit tregon se si e shkroi “The remains of the day” për katër javë

Përktheu Daut Dauti

Shumë njerëz duhet të punojnë me orar të gjatë. Kur bëhet fjalë për shkrimin e romaneve, duket që pajtueshmëria thotë se pas katër orëve, apo kështu disi, të shkrimit të pandërprerë, zë vend puna që ka vlerë më pak se mundi. Unë, pak a shumë, gjithmonë jam pajtuar me këtë pikëpamje, por pasi që vera e vitit 1987 po afrohej, u binda se ekzistonte nevoja për një qasje drastike. Lorna, gruaja ime, u pajtua.

Deri në atë moment, pasi që e kisha lënë punën e përditshme para pesë viteve, do t’ia dilja mjaft arsyeshëm që ta mbaja një ritëm të balancuar të punës dhe produktivitetit. Por, vala e parë e suksesit tim publik, që erdhi pas romanit tim të dytë, solli me vete shumë shqetësime. Propozimet për zgjerimin e karrierës, ftesat për darka dhe festa, atraksioni për udhëtime jashtë vendit dhe grumbujt e letrave, të gjitha i kishin dhënë fund punës sime të “duhur’. Gjatë verës së kaluar e kisha shkruar një kaptinë hyrëse për romanin e ri, por, tashti, gati pas një viti, nuk kisha shkuar më tej.

Dhe, kështu, unë dhe Lorna bëmë një plan. Për një periudhë katër javore, unë do ta pastroja ditarin e takimeve në mënyrë të rreptë dhe të vazhdoja me diçka që disi në mënyrë misterioze e quajtëm “Përplasje’. Gjatë Përplasjes nuk do të bëja gjë tjetër pos të shkruaja nga ora 9:00 para dite deri në orën 10:30 të mbrëmjes, nga dita e hënë deri të shtunën. Do ta kisha pushim një orë për drekë dhe dy për darkë. Nuk do t’i shikoja letrat, e lëre më t’i lexoja, dhe nuk do të shkoja as afër telefonit. Askush nuk do të vinte në shtëpi. Lorna, përkundër orarit të saj të zënë, për këtë periudhë do ta merrte edhe hisen time të kuzhinës dhe punëve tjera. Në këtë mënyrë, siç shpresonim, unë jo vetëm që do të kryeja më shumë punë kuantitative, por edhe do ta arrija një gjendje mendore në të cilën bota ime fiktive do të ishte më reale se kjo aktualja.

Atëherë isha 32 vjeç dhe sapo kishim dalë në një shtëpi në Sydenham, në jug të Londrës, ku për herë të parë në jetën time kisha dhomë të posaçme të punës (dy romanet e para i pata shkruar në tavolinë të kuzhinës). Dhoma e punës në fakt ishte një lloj ormani i madh në gjysmë pushimoren e shkallëve dhe nuk kishte derë. Por, unë isha në qejf pasi që kisha hapësirë ku do t’i shtrija letrat përreth sipas dëshirës dhe se nuk do të më duhej t’i mblidhja në fund të çdo dite. I ngjita grafikët dhe shënimet në tërë murin me lëvore dhe fillova shkrimin.

Në mënyrë fondamentale, kështu është mënyra se si u shkrua “The Remains of the Day’. Gjatë tërë “Përplasjes” shkruaja dorëlirë duke mos u kujdesur për stilin e as për diçka që pasdite krijonte kontradiktë në tregimin e themeluar gjatë atij mëngjesi. Qëllimi ishte që thjeshtë të nxirrej ideja në sipërfaqe dhe të rritej. Fjalitë e tmerrshme, dialogjet e shëmtuara, skenat që çonin askund – i lija të qëndronin dhe vazhdoja lëvrimin.

Ditën e tretë, gjatë pushimit tim të mbrëmjes, Lorna kishte vërejtur se unë po sillesha çuditshëm. Të dielën e parë dola jashtë shtëpisë në qendër të Sydenhamit dhe në mënyrë të pandërprerë vëzhgoja – kështu më ka thënë Lorna – faktin se rruga nuk ishte e ndërtuar në nivel të njëjtë, kështu që njerëzit që zbritnin poshtë rrugës dukeshin sikur ecnin mbi njëri-tjetrin kurse ata që ngjiteshin, dihatnin dhe i jepnin zor me tërë forcën. Lorna merakosej që unë kisha edhe tri këso javësh të mbetura, por ia shpjegova se isha shumë mirë dhe se java e parë kishte qenë e suksesshme.

U mbajta për katër javë dhe në fund, pak a shumë, e kisha tërë romanin përpara: natyrisht që kërkohej shumë më tepër kohë që të shkruhej siç duhet, por depërtimi i rëndësishëm i imagjinatës, i tëri ishte bërë gjatë “Përplasjes”.
Duhet të them se nga koha kur fillova “Përplasjen” kisha konsumuar një sasi substanciale të “hulumtimit”: libra nga dhe për shërbëtorët britanikë, për politikën e brendshme dhe të jashtme në mes dy luftërave, shumë pamflete dhe ese të kohës, përfshirë një të Harold Laskit për “The Dangers of Being a Gentleman”. I kam bastisur raftet e librarive lokale të librave të dorës së dytë (Kirkdale Books, ende duke përparuar në mënyrë të pavarur) për udhërrëfimet në lidhje me fshatrat angleze nga vitet 1930-ta deri në vitet e 50-ta. Vendimi se kur duhet të fillohet me shkrimin e romanit – të fillohet me kompozimin e vet tregimit – gjithmonë më duket shumë i rëndësishëm. Sa duhet dikush të dijë para se të fillojë të shkruaj prozë? Është e dëmshme të fillohet shumë herët, njësoj sikur që është kur fillohet shumë vonë. Mendoj që me “Remains’ kam pasur fat: “Përplasja” erdhi mu në momentin e duhur, kur unë dija mjaft.

Kur e kujtoj këtë, i shoh të gjitha llojet e influencave dhe burimet e inspirimit. Ja ku janë dy nga ato më pak të njohura:

1) Në mesin e viteve të ‘70-ta, si tinejxher, e kam parë një film me titull “The Conversation”, një triler në regji të Francis Ford Coppola-s. Në të, Gene Hackman e luan rolin e një eksperti monitorues që shkon te njerëzit të cilët dëshirojnë t’i incizojnë bisedat sekrete të të tjerëve. Hackman, në mënyrë fanatike, dëshiron të bëhet më i miri në fushën e tij, “Përgjuesi më i madh në Amerikë”, po gradualisht kaplohet nga ideja se incizimet që ua jep klientëve të tij të fuqishëm mund të çojnë në pasoja të errëta, përfshirë vrasjet. Besoj që karakteri i Hackamanit ka qenë modeli i hershëm i shërbëtorit Stevens.

2) Mendova që e kisha kryer “Remains”, por një natë e dëgjova Tom Waits-in duke e kënduar këngën e tij “Ruby’s Arms”.

Është një baladë për një ushtar që e lë të dashurën duke fjetur në mëngjesin e hershëm për t’u larguar me tren. Asgjë e pazakonshme në këtë. Por, kënga këndohet me një zë të vrazhdë të një lloj udhëtari amerikan të pastrehë, i cili është tërësisht i pafamiljarizuar me shfaqjen e emocioneve publikisht. Dhe vjen një moment kur këngëtari deklaron se zemra e tij po thyhej dhe kjo është prekëse gati e padurueshme për shkak të tensionit nës mes vetë sentimentit dhe një rezistence të madhe që shprehet qartazi kundër mposhtjes.

Waits e këndon rreshtin me katarzë madhështore sa që mund ta ndjeni jetën stoike të një burri të fortë që shkapërderdhet para një trishtimi të madh. E dëgjova këtë dhe e ndërrova vendimin që e kisha marrë që Stevens të mbetej siç e kisha planifikuar, si vendim i vështirë deri në fund. Vendosa që vetëm në një pikë – të cilën duhet ta zgjedhja me kujdes – mbrojtja e plogësht do të plasaritej dhe kështu romantizmi tragjik i fshehur do të shfaqej pjesërisht.(Marrë nga Telegrafi.com: https://telegrafi.com/kazuo-ishiguro-si-e-shkrova-remains-day-per-kater-jave/)/ KultPlus.com

Triumfi i Andriqit dhe mohimi i Kadaresë

Shkruan: Bajram Mjeku

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, u spekulua shumë se sponsor i shkrimtarit serb, Ivo Andriq për Nobelin ishte shefi i Jugosllavisë komuniste, Josip Broz Tito. Në fakt, raportet e Josip Brozit me Andriqin ishin të ngrira për bindje politike. I pari komunist, i dyti monarkist me prirje shoviniste. Ky i fundit, Josip Brozin e injoroi deri në përbuzje, përkundër fuqisë politike që kishte shefi i Jugosllavisë komuniste gjatë 35 vjetëve të sundimit të tij.

Josip Broz u përkushtua që për Nobelin të promovonte një shkrimtar tjetër, mikun e tij Miroslav Kërlezha. Synimi i tij nuk u realizua kurrë. E kundërta e Andriqit, kroati Kërlezha shkruajti në mënyrë afirmative për shqiptarët dhe i vlerësoi jashtëzakonisht mirë.

Gjatë dy viteve sa kam jetuar në Oslo, nuk kam mundur të kuptoj miqësinë e madhe serbe me shtetet skandinave, në veçanti me Mbretërinë norvegjeze. Një mbrëmje dhjetori të vitit 2000, isha mysafir i dramaturgut norvegjez, Erling Kittelsen. Oslo, në prag të ndërrimit të mileniumeve dhe festave të Krishtlindjeve ishte dekoruar aq bukur, sa gjithë jetën do t’më ndjell magjia e saj.

Dramaturgu Kittelsen gjatë bisedës thoshte se gjithë ajo që dinte për letërsinë shqiptare ishte shkrimtari Ismail Kadare, pasi kishte lexuar disa nga romanet e tij. Derisa shëtisnim, u gjendëm përballë godinës së mrekullueshme Nobel Peace Center. Ishte rast i mirë të flitnim për Andriqin dhe çmimin prestigjioz, të cilit i ishte ndarë tre vjet para se të lindja unë. Siç asnjëherë nuk mora përgjigje për miqësinë serbe me popujt skandinavë, nuk mora përgjigje as për Andriqin dhe Çmimin Nobel për letërsi që iu dha atij.

Kur Evropa në gjysmën e dytë të shekullit njëzet shquhej për të drejta e liri njerëzore, projektuesi i elaboratit për zhdukjen e shqiptarëve u laurua me Nobel. Ndodhi në dhjetor të vitit 1961, kur në Pallatin e Akademisë suedeze në Stokholm, Ivo Andriqit, Nobelin për letërsi ia dorëzoi anëtari i Akademisë suedeze, dr. Anders Esterling. Edhe në pesë dimrat e ardhshëm, bashkëkombësi i tij, ministri famëkeq i Punëve të Brendshme në Federatën jugosllave Aleksandar Rankoviq, vriste e torturonte mijëra shqiptarë në Kosovë sipas elaborateve të Andriqit.

Komiteti i Nobelit, shpalli dje mbasdite laureatin e ri të Çmimit për Letërsi, shkrimtarin britanik Kazuo Ishiguro. Kumtesa e shkurtër e Akademisë thotë: “Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2017 i jepet autorit anglez Kazuo Ishiguro, i cili te romanet me fuqi të madhe emocionale, ka zbuluar honin nën ndjesinë tonë iluzore të lidhjes me botën”.Pak orë para se të shpallej emri i fituesit të ri, Ismail Kadare i dëshpëruar tha se jam mësuar të mos e marrë këtë çmim. Kadare e di që e ka të vështirë këtë triumf. Udhërrëfyesi më i madh i gjithë shkrimtarëve që krijuan në epokën e kampit komunist, mbetet shkrimtari i madh rus, disidenti Aleksandar Solzhenjicin. Ky i fundit fitoi Nobelin për letërsi në vitin 1970, derisa kundërshtonte zemrën e perandorisë komuniste dhe gjithë jetën e kaloi në kampin më mizor të botës në Gulagun siberian./KultPlus.com

Ukaj: Me çmimin Nobel apo jo, vepra e Kadaresë rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore

Sot është ndarë çmimi Nobel për letërsi. Ndonëse u tha e u shpresua shumë që ky çmim të shkojë për shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare, kjo gjë nuk ndodhi as kësaj radhe, shkruan KultPlus.

Ishte shkrimtarit britanik Kazuo Ishiguro të cilit i është ndarë çmimi prestigjioz për letërsi Nobel.

Por edhe pse jo fitues i këtij çmimi, të paktën jo edhe kësaj radhe, Kadare mbetet shkrimtari më i pëlqyer dhe më i lexuar shqiptar.

Shkrimtari dhe publicisti, Ndue Ukaj, përmes një statusi në Facebook është shprehur se edhe pse jo fitues i Nobelit, Kadare rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore.

“Me Çmimin Nobel apo jo, vepra e Kadaresë rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore. Aty ku nuk depërtohet nëpërmjet kulisave të kafeve ku turfullohet e llafoset kundër gjithsecilit, por në saje talentit të jashtëzakonshëm letrar”, shkruan Ukaj. / KultPlus.com

Fituesit e mundshëm të çmimit Nobel për paqe

Në mes të favoritëve janë UNHCR, gazeta turke “Cumuriyet”, “Helmetat e bardha”, si dhe një organizatë humanitare nga Siria. Janë paraqitur edhe Trump, Merkel, Putin, Chirac.

Instituti për hulumtim të paqes nga Oslo ka publikuar se favoritët e sivjetmë janë negociatorët e marrëveshje nukleare të Iranit nga viti 2015.

Edhe pse emrat e të nominuarve janë ruajtur si sekret në 50 vitet e kaluara, Instituti për hulumtimin e paqes nga Oslo, ka dal me listën e vet të favoritëve. Në të janë, përveç nënshkruesve të “paqes nukleare iraniane”, edhe UNHCR dhe komisionari i lartë Filippo Grandi, për shkak të punës së tij në krizën e refugjatëve në Siri dhe Afganisitan. Kjo agjenci tashmë dy herë ka fituar Çmimin Nobel për paqe, transmeton gazetametro.net.

Në vendin e tretë është gazeta turke “Cumuriyet” dhe ish redaktori i saj për shkak të luftës për liri të medieve dhe konfliktit me presidentin turk Erdogan.

Këshilli i Nobelit ka pranuar 213 nominime për kandidaturë, që është numri i dytë më i madh prej vitit 1901, kur është dhënë për herë të parë. Vitin e kaluar në Këshillë ka arritur numri rekord i nominimeve – 376.

Në mes të kandidatëve janë edhe “Helmetat e bardha”, Donald Trump, Kisha ortodokse bullgare, Vladimir Putin, Jacques Chirac, si dhe Papa Françesko. Nëpër medie u përmend edhe kandidimi i Angela Merkel’it.

Një prej on line bastoreve më të njohura në Angli, “William Hill” shanse më të mëdha i jep Papës Françesko, dhe menjëherë pas tij gjendet kancelarja gjermane Angela Merkel. / KultPlus.com

Profili i fituesit Nobel për letërsi që mposhti Ismail Kadarenë

Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2017 ka shkuar për shkrimtarin britanik, Kazuo Ishiguro, i cili sipas Akademisë Suedeze, me romanin e tij “Mos më lër të shkoj”, është konsideruar si një nga romanet me fuqi të madhe emocionale.

Stili i tij i shkrimit u përshkrua nga sekretarja e Akademisë, Sara Daniusi, si një përzierje e novelistes Jane Austen, novelistit gjerman Franz Kafka si dhe atij francez Marcel Proust, raporton Insajderi.

Ishiguro, ka lindur në Nagasaki në Japoni. Ndërsa kur fituesit i Nobelit mbushi pesë vjet, familja e tij u shpërngul në Britani të Madhe. Ai u diplomua në Universitetin e Kentit në vitin 1978 dhe përfundoi masterin në Universitetin e Anglisë më 1980.

Akademika ka vlerësuar se temat e laureatit të letërisës Kazuo Ishiguro për vitin 2017, janë të lidhura me kujtesën, kohën dhe vetë-mashtrimin.

Novela e fundit e Ishiguros “The Buried Giant” e botuar në vitin 2015, flet për harresën që lidhet me harresën, historinë e të tashmes dhe fantazisë ndaj realitetit.

Ndërsa në romanin “Never Let Me Go” të botuar në vitin 2005, Ishiguro, ka prezantuar një ndjenjë të ftoftë me punën që ka bërë.

Po ashtu libri i tij “The White Countess” u shfaq edhe në ekrane, në vitin 2005 nga regjisori James Ivory. Po ashtu edhe romani “Never Let Me Go”, në vititn 2010 u bë film nga regjisori, Mark Romanek, ku luajtën aktorët, Carey Mulligan, Keira Knightley dhe Andrew Garfield.

Ishiguro pas marrjes së çmimit ka thënë për BBC-në se fitimi i këtij çmimi është një nder madhështore, sepse kjo do të thotë se jam në gjurmët e autorëve më të mëdhenj që kanë jetuar.

“Bota është në një moment shumë të pasigurt dhe shpresoj që të gjitha çmimet Nobel të jenë një forcë për diçka pozitive në botë siç është në këtë moment”, ka vazhduar fjalimin e tij, Ishiguro.

Salman Rushdie, një mik i autorit, ka thënë për “The Guardian” se i uron mikut të tij për çmimin e fituar.

“Shumë urime për mikun tim të vjetër, punën e të cilit unë e kam dashur dhe admiruar, ai është një shkrimtar mjaft i mirë dhe sigurisht nuk e meriton mospërfillje”, ka thënë Salman Rushdie.

Ishiguro ka përfunduar shtatë romane dhe disa skenarë, tregime dhe këngë.

Duke shpenzuar pjesën më të madhe të jetës së tij në Britani, 62-vjeçari ka hedhur poshtë krahasimet me autorë të tjerë japonezë, duke thënë në një intervistë në vitin 1990.

Në garë kanë qenë Don DeLillo i Amerikës, Margaret Atëood e Kanadasë, poeti i lindur në Siri, Adonis, romancieri japonez Haruki Murakami, shkrimtari nga Kenya, Ngugi Wa Thiong’o, Amos Oz dhe David Grossman të Izraelit, Claudio Magris i Italisë, Ismail Kadare i Shqipërisë dhe Michel Houellebecq i Francës.

Vitin e kaluar, çmimi Nobel për Letërsi iu kishte dhënë, këngëtarit dhe kompozitorit Bob Dylan. / KultPlus.com

Ky është filmi që është bazuar në romanin e nobelistit Kazuo Ishiguro, i nominuar edhe për Oscar (VIDEO)

Ishiguro shkrimtari britanik, i cili qysh i vogël kishte shkuar nga Britania në Japoni, sapo është shpallur fitues i çmimit prestigjioz Nobel, shkruan KultPlus.

Përpos romaneve që kanë marë çmime të shumta, Ishiguro ka shkruar edhe skenarë për filma dhe për televizione. Mirëpo, romani “The Remains of the Day”, i cili u botua në vitin 1980 dhe ka marë çmimin Man Booker Prize, më pas është shndërruar edhe film, po me të njëjtin titull, dhe sikurse që ka pasë sukses si roman, edhe si film ka bërë jehonë, duke u nominuar edhe për çmimin Oscar. Në këtë film kanë luajtur aktorët e njohur Anthony Hopkins dhe Emma Thompson./KultPlus.com

Këtu mund të përcillni drejtpërdrejtë ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel (VIDEO)

Edhe pak minuta na ndajnë prej ceremonisë së ndarjes së çmimit Nobel për letërsi, shkruan KultPlus.
Edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare është njëri ndër favoritët që mund të jetë fitues i këtij çmimi të madh./KultPlus.com

Washington Post: Ismail Kadare favorit kryesor për çmimin Nobel

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është në mesin e favoritëve kryesorë për ta fituar Çmimin Nobel për Letërsi, shkruan Washington Post.

Industrialisti suedez Alfred Nobel e themeloi çmimin për letërsi në emrin e vet dhe pati thënë në atë kohë se do të dëshironte që çmimi ta njohë “personin i cili do të prodhojë në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejtim ideal”.

Ndërkohë, nesër, Akademia e Suedeze do ta shpallë fitues atë që e konsideron se e ka plotësuar kriterin e “idealit” për laureat 2017.

Romancieri, dramaturgu dhe eseisti kenian, Ngugi wa Thiong’o është favoriti kryesor, sipas shumë bastorëve, ndërsa menjëherë pas tij radhitet favoriti shumëvjeçar Haruki Murakami, transmeton Express.

Në mesin e favoritëve tjerë të fortë është edhe Ismail Kadare, Amos Oz, Adonis and Don de Lillo./ KultPlus.com

Është konfirmuar dita se kur do të ndahet çmimi Nobel për Letërsi

Akademia suedeze ka njoftuar për ditën se kur do të bëhet publike fituesi i çmimit për Letërsi, shkruan KultPlus.

Edhe këtë vit emri i Ismail Kadaresë shihet të jetë në rrethin e ngushtë për të qenë më në fund nobelist, kurse gazeta suedeze “Dagens Nyheter”, ka shkruar se Kadare ka shansë të fitojë Nobelin.

“Akademia Suedeze do të njoftojë të enjten, më 5 tetor, në ora 13:00, emrin e fituesit”, thuhet në një komunikatë të shkurtër./KultPlus.com