Murakami apo Ulitskaya për Nobelin e Letërsisë

Çmimi Nobel për Letërsinë 2023 do të shpallet të enjten, më 5 tetor në orën 13:00.

Parashikuesit rrallë kanë pasur të drejtë për shkrimtarët, të cilët mund të fitojnë çmimin e lakmuar të Akademisë Mbretërore Suedeze.

Me rregullore, emrat janë sekret dhe lista e ngushtë, duke u shqyrtuar nga juria, është e blinduar.

Pra, të hamendësosh se kush do të fitojë do të mbetet një detyrë e pamundur.

Ndërsa ka filluar numërimi mbrapsht, thuhet se fitues mund të jetë një autor ukrainas si Andrej Kurkov, i cili së fundmi publikoi ”Bletë gri”.

Në vorbullën e të preferuarave janë edhe shkrimtari japonez, Haruki Murakami, i cili është ngritur në krye të faqeve britanike të basteve, por edhe shkrimtarja dhe skenaristja ruse Lyudmila Ulitskaya, gruaja e parë që fitoi çmimin rus ”Booker” në 2001, autore e librit ”Ëndrra e Jakovit” dhe e ”Midis trupit dhe shpirtit”, pa harruar shkrimtarin kinez Can Xue, pseudonimi i Deng Xiaohua, i cili botoi së fundmi ”Dialogje në qiell”.

Gjithashtu në pritje janë edhe shkrimtari amerikan, Thomas Pynchon dhe shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse.

Ndërkohë, edhe Laszlo Krasznahorkai, i konsideruar nga kritikët si shkrimtari më i rëndësishëm hungarez i gjallë dhe australiani Gerald Murnane, pak i njohur, janë te preferencat kryesore.

Rikthehen këtë vit kandidatët e shumtë për fitore, si Salman Rushdie, autori i ”Vargjeve satanike”, i cili u sulmua më 12 gusht 2022 në festivalin letrar ”Chautauqua” në Nju Jork, apo shkrimtari i madh rumun Mircea Cartarescu si edhe fituesja dy herë e çmimit ”Booker”, Margaret Atwood.

Shkrimtari i diskutueshëm Michel Houellebecq dhe Emmanuel Carrere mbeten në renditje.

Milan Kundera, i cili vdiq më 11 korrik 2023 dhe Cormac McCarthy, i cili ndërroi jetë më 13 qershor 2023, të cilët ishin ndër kandidatët për fitore prej një kohë të gjatë, nuk do të mund të fitojnë më.

Në vitin 2022, shkrimtarja franceze Annie Ernaux mori çmimin Nobel për Letërsinë, duke e çuar numrin e grave në 17 nga 118 fitues.

Fituesi më i ri është Rudyard Kipling, i cili ishte 41 vjeç kur fitoi çmimin Nobel për Letërsinë, në 1907.

Më e moshuara, Doris Lessing, e cila ishte 88 vjeçe kur mori çmimin në vitin 2007./ atsh / KultPlus.com

Pasi fitoi çmimin Nobel, Albert Camus shkroi një letër të mrekullueshme për mësuesin e fëmijërisë

Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje vjen nga Albert Camus, njeriu me dhuntinë e miqësive të rralla, që e kaloi jetën duke mësuar si të jetonte me një qëllim dhe duke kërkuar kuptimin e lumturisë dhe dashurisë.

Kur Camus nuk ishte as një vjeç, i ati u vra në betejë gjatë LIB. Ai dhe i vëllai u rritën nga një mama analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, kushte ku nuk mund të pretendohej  një e ardhme e ndritur, por si provë e asaj që mund të ndodhë kur arsimi nxit potencialin më të mirë të një njeriu duke fisnikëruar shpirtin, një mësues, Louis Germaine, pa te Albert-i i ri diçka të veçantë dhe ndërmori detyrën për të nxjerrë një thelb të konsoliduar  dhe një qëllim nga ai djalë, detyra e çdo mentori të mirë. Nën krahët e mësuesit të tij, Camus i i hodhi poshtë letrat e errëta që i kishin ngecur në duar dhe filloi të shndërrohej në gjeniun e ardhshëm që të gjithë e njohim.

Tridhjetë vjet më vonë, Camus u bë njeriu i dytë më i ri në botë që kishte fituar çmimin Nobel, që iu dha për “seriozitetin e sinqertë” të punës së tij, që “ndriçon problemet e koshencës së njeriut.” Pak ditë pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë të njerëzimit, Camus bëri të njohur ndikimin e mësuesit të tij me ka “seriozitet të sinqertë” në një letër të mahnitshme, që është përfshirë në faqet e fundit të librit të tij The First Man.

19 nëntor, 1957

I dashur Zoti Germain,

Po i lë emocionet e forta të këtyre ditëve të qetohen pak para se t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Mua, sapo më kanë dhënë një nderim shumë të madh, që as e kisha kërkuar dhe as isha përpjekur ta merrja, por kur e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas mamasë sime, ishit ju. Pa ju, pa dorën plot dashuri që ju i zgjatët atij djali të vogël të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto, nuk do kishte ndodhur. Unë nuk para bëj shumë nga këto lloj falënderimesh, por të paktën ky më jep mundësinë t’ju tregoj çfarë keni qenë dhe çfarë ende jeni për mua dhe t’ju siguroj që përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që vutë në të, jeton ende te një prej nxënësve të vegjël, i cili, pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, nuk ka ndaluar kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemrën time.

/ KultPlus.com

‘Jam pasioni i heshtur, në vatër pa oxhak, në luftë pa shpatë’

Poezi nga Hermann Hesse (Nobel, 1946)

Jam një yll

Jam një yll në universin qiellor,
Që vëzhgon dhe përçmon botën,
Dhe tretet brenda dritës së vet.

Jam deti që tërbohet natën,
Deti që ankohet, rënduar nga viktimat,
Bashkë me mëkatet e vjetra, mbledh edhe të reja.

Kam mërguar nga bota juaj,
I rritur në krenari dhe i tradhtuar prej saj,
Jam mbret pa atdhe.

Jam pasioni i heshtur,
Në vatër pa oxhak,
Në luftë pa shpatë,
I sëmurur nga vetë forca ime. / KultPlus.com

Anëtarët e Nobelit për Letërsinë mohojnë kthimin në juri

Ndërsa ngërçi në jurinë që përzgjedh çmimin Nobel në Letërsi po i afrohej zgjidhjes, sot lindi një problem tjetër teksa tre anëtarë hodhën poshtë lajmin se do ktheheshin në Akademinë Suedeze, transmeton atsh raportimin e DPA-së.

Sara Danius, gruaja e parë që kryeson akademinë që nga viti 1786, shkruan në Facebook me gërma të mëdha se ajo nuk kishte “asnjë plan për t’u kthyer”, shkruar kjo me shkronja të mëdha.

Ajo u largua në muajin prill së bashku me Peter Englund dhe Kjell Espmark pas një debati që ka përfshirë këtë institucion, që është tronditur nga akuzat për ngacmim seksual të ngritura nga 18 gra kundër bashkëshortit të një anëtareje tjetër të akademisë, poetes Katarina Frostenson, e cili është tërhequr për një periudhë kohe.

Englund shkruan në Instagram se ai nuk do të marrë pjesë në asnjë takim, por do dëshironte të luante një rol konstruktiv në ringritjen e institucionit, raporton koha.net.

Englund më vonë jep një deklaratë të përbashkët në emër të tre anëtarëve për Radion Suedeze ku thuhet se lajmet e publikuara në media për kthimin e tyre ishin të pabazuara.

“Ne ndoshta mund të marrim pjesë në votime më të rëndësishme,” thuhet në deklaratë.

E përditshmja ”Svenska Dagbladet” është një nga mediat që raportoi për kthimin e tyre të enjten.

Votat e tyre nevojiten për një kuorum prej 12 vetash për të zgjedhur anëtarë të rinj. Katër vende janë të lira pas dorëheqjeve. Vetëm nëntë nga 18 anëtarët e akademisë – të zgjedhur për jetë – janë paraqitur rregullisht përpara pushimeve verore.

Sesioni i vjeshtës i akademisë do të rifillojë më 6 shtator.

Për shkak të krizës, akademia në maj tha se do të shtyjë deri vitin e ardhshëm njoftimin për laureatin e Nobelit për 2018./ KultPlus.com

Dikush e refuzon Nobelin për Letërsi, këto janë gjashtë skandalet e çmimit

Kjo është java e Nobelit. Çmimet Nobel do të ndahen këtë javë, madje dy prej tyre tanimë janë ndarë, ndërsa për neve është më interesanti Nobeli për Letërsi.

Ky çmim nënkupton që autori do të marrë për disa kohë vëmendjen e botës. Juria e vlerëson autorin a autoren me një qëllim, që zakonisht është i arsyetueshëm.

Deri ta njohim shkrimtarin që këtë vit e fiton Nobelin për Letërsi, e me shpresë se edhe Kadareja shqiptar mund të jetë fatlumi, po u kthehemi disa momenteve dhe debateve mbi Nobelin për Letërsi.

– Në vitin 1964, Jean Paul Sartre e refuzoi çmimin Nobel për Letërsi. Filozofi francez nuk ka pranuar çmime të tilla dhe mbetet deri sot i vetmi që e ka refuzuar çmimin prestigjioz

– Në vitin 1989, dy anëtarë të Akademisë që e ndan çmimin Nobel dhanë dorëheqje pasi çmimin nuk e morri Salman Rushdie. Asokohe, shkrimtari Rushdie ishte edhe cak i një letre publike për ta vrarë, me iniciativë nga Imami Khomeiny, shkruan KultPlus.

Salman Rushdie

– Kur nuk pritej fare të fitonte, fitues u bë Bob Dylan. Në dy raste ka ndodhur që publiku dhe parallogaritë të mos përputhen aspak me triumfuesin. Kjo ka ndodhur me Dylan, vitin e kaluar, dhe me Dario Fo në vitin 1997.

– Një problem i madh me çmimin Nobel për Letërsi është fakti që shpesh akademikët e harrojnë një pjesë të botës. Për vite, Akademia është akuzuar se është e dhënë pas perëndimit, dhe vetëm perëndimit. Ishte një kohë kur ishte e vështirë të vlerësohej letërsia arabe, ose ajo e vendeve tjera të Lindjes, shkaku i përkthimit. Gjithçka ndërroi kur fitoi Naguib Mahfouz në vitin 1988 dhe më pas Orhan Pamuk në vitin 2013.

Orhan Pamuk

– E kur flasim për gratë, janë fort të rralla në çmim. Janë vetëm 14-të fituese gra në Nobelin për Letërsi, ndërsa vetëm gjashtë në mes të viteve 1901-1990. Viteve të fundit, Svetlana Alexievich, Alice Munro, Doris Lessing apo Herta Muller e kanë thyer akullin. Në vitin 1993, Toni Morrison megjithatë bëri revolucion, njëjtë si Nadine Gordimer dy vite para saj.

– Institucioni i Nobelit e mban veten goxha apolitik. Megjithatë, akuzat nuk kanë munguar se me anë të politikës po ndahet edhe çmimi. Në Luftën e Ftohtë, disa prej fituesve nuk janë gjithsesi të lidhur me letërsi, si Brodsky apo Milosz. Për pak Solzhenjicini në vitin 1974 nuk mundi ta merrte çmimin shkaku i presionit sovjetik, njëjtë sikur Pasternaku. / KultPlus.com

Shtatë shkrimtarët favoritë për të fituar Nobelin për Letërsi

Derisa Çmimi Nobel për Letërsi di të befasojë vit për vit, tanimë kanë nisur të përfliten emrat e favoritëve për të fituar çmimin.

Sa prestigjioz është çmimi, kjo mbetet për tu diskutuar, por gjithsesi që fituesi dhe procesi përcillet me interesim të madh nga lexuesit në mbarë botën.

Këtë vit, favoritët duket se janë ata të njëjtët e viteve më herët. Amos Oz, një jetë e vështirë prej shkrimtari dhe libra të hatashëm, është në këtë listë.


Margaret Atwood

Margaret Atwood, shkrimtare e njohur e cila javën e kaluar fitoi çmim Emmy, kësaj radhe vjen si një befasi në këtë listë. Don DeLillo – eseist e shkrimtar amerikan 80 vjeçar mund të jetë një befasi e Nobelit për Letërsi këtë vit.
Shqiptari Ismail Kadare, personazh kontraverze, i përket listës së favoritëve. Japonezi Haruki Murakami është aktivizuar viteve të fundit me libra të rinj dhe kjo bën që ai të jetë në këtë listë, shkruan KultPlus.


Haruki Murakami

Në emrat e favoritëve përmenden edhe Ngugi Wa Thiongo nga Kenia, i cili madje del i pari në listë si shkrimtari favorit për të marrë çmimin e Akademisë Suedeze. Philip Roth – shkrimtari amerikan i njohur për “American Pastoral”, nuk mungon në këtë listë.

Çmimi Nobel për Letërsi do të zbulohet të enjten, me 5 tetor. / KultPlus.com