Jasunari Kavabata qe shkrimtari i parë japonez që u laureua me çmimin Nobel në vitin 1968 për romanin e tij “Vendi i dëborës”. Për të deshifruar universin mental dhe romanesk të jashtëzakonshëm të Kavabatës është e domosdoshme t’i referohemi viteve të para të ekzistencës, të shënuara nga një vetmi e thellë, prej fëmijërisë deri në momentin tragjik kur shkrimtari vendosi t’i japë fund jetës.
Në veprën e tij realja dhe arealja ndeshen, shkapërderdhja e imazheve alternohet me bardhësitë dhe palëvizshmëritë. Punët e Kavabatës janë thurje të brimuara, të papërfunduara, që lënë lexuesin pa frymë para misterit të interpretimit. Soditja e natyrës, rënia e një gështenje, lulëzimi i një kumbulle, fluturimi i zogut, janë arratisje drejt një bote tjetër, ku bukuria e pashpjegueshme është ndoshta ajo e të vdekurve të rikthyer për një çast në botën e të gjallëve.
Jasunari Kavabata, biri i një mjeku të kulturuar, lindi në vitin 1899 në Osaka. Pas vdekjes së hershme të prindërve dhe motrës së vetme, ai u rrit nga gjyshi i verbër. Studioi në Universitetin Imperial të Tokios. Qe një nga themeluesit e organit Bungei Jidai, mediumi i një lëvizjeje të re në literaturën moderne japoneze. Debutimin e tij si shkrimtar e bëri me “Balerini Izu”, në 1927. Pas disa veprave të shquara, romani “Vendi i dëborës” i siguroi pozicionin si një nga shkrimtarët më në zë në Japoni. U bë anëtar i Akademisë së Arteve të Japonisë në vitin 1953. Shkroi edhe shumë vepra të tjera, ndër të cilat “Liqeni”, “Qyteti i vjetër”, “Gjëmimi i malit”, “Bukuroshet e fjetura” etj.
Novela “Bukuroshet e fjetura” të Jasunari Kavabatës është një nga veprat e tij më të bukura. Në brendi të saj trajton kryesisht marrëdhëniet mes moshës së rinisë dhe pleqërisë, seksin, vdekjen, jetën dhe kujtimet. Shpeshherë Kavabata shkruan me metafora, duke dhënë shkas për reflektim shumë më parë pasi të shfletojmë edhe faqen e fundit të librit, për më tepër personazhet kryesorë në krijimtarinë e tij janë individë kompleksë në kërkim të pastërtisë. Kavabata e vë theksin kryesisht mbi aftësinë e mendjes njerëzore për të nxjerrë në pah marrëdhënien e një individi me botën ekzistenciale.
Pasqyrimi i gabimeve të së shkuarës tek personazhi zakonisht ndodhin në prag të vdekjes. Për më tepër, këtyre personazheve u pikon dëshpërimisht në zemër për atë shans të pamundur për rininë e të rinjtë, madje edhe për një moment të shkurtër, për të rivitalizuar një ekzistencë më të dëlirë. Tek “Bukuroshet e fjetura”, personazhi kryesor, Eguti, fle pranë vajzave të reja që janë të droguara, të cilat përfaqësojnë bukurinë e jetës, si një mundësi për të reflektuar mbi gratë që ai ka njohur gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë edhe gruan dhe vajzat e tij. Gjumi parashikon Egutin me një kalim në vdekjen e tij të afërt.
Si gjithmonë, stili i shkrimit të Kavabatës përmban tone lirike, filozofike, që sugjeron misteret e panjohura të jetës.
Sido që të jetë, një fakt mbetet i sigurt: Kavabata vërtetoi mundësinë e ndjeshmërisë së pastër të flasë në veprat që lëkunden me bukurinë. A ishte kjo bukuri hyjnore apo e ligë? Sekreti i mbartur në varr nga shkrimtari, nuk do të zbulohet kurrë. Dy vjet pas vetëvrasjes së Mishimas, që e konsideronte si mjeshtrin e tij, Kavabata kreu edhe vetë vetëvrasje. Vdiq në vitin 1972. / Konica /KultPlus.com
92 vite më parë vdiq poeti suedez, Erik Axel Karlfeldt, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1931, shkruan KultPlus.
Poeti suedez ka lindur më 20 korrik të vitit 1864 në Stockholm. Ai ka studiuar në Universitetin e Uppsala, dhe për të ndjekur studimet atij iu desh të punoj si mësues në disa shkolla. 5 vjet pas diplomimit ai u punësua në Bibliotekën Mbretërore të Stockholmit.
Në vitin 1905 ai u zgodh anëtar i Akademisë suedeze, më 1905 u zgjodh anëtar i Institutit Nobel Norvegjez të Akademisë, më 1907 anëtar i Komunitetit të Nobel-it, dhe më 1912 Sekretar i përhershëm i Akademisë, post të cilin e mbajti deri në vdekje.
Disa nga veprat e tij janë:
Modern Swedish Poetry Part 1 (1929) Arcadia Borealis (1938) The North! To the North! (2001)
Ndërsa poezitë e tij ishin: Këngët e shkretëtirës dhe të dashurisë që u shtyp në vjeshtën e 1895, Kënga e Fridolinit, Kënaqësia e Fridolinit, Flora dhe Pomona, dhe Briri i vjeshtës.
Në vitin 1917 Universiteti Uppsala i dha një dekoratë nderi.
Një nga çmimet më prestigjiozë, që një person mund të marrë në rrugëtimin e jetës, është çmimi “Nobel”. Kur flasim për laureatët e “Nobelit”, mendojmë rëndom për njerëzit më të vlerësuar në fushat e tyre përkatëse. Zakonisht, kjo përkthehet në individë që kanë pasur arsimin më gjithpërfshirës. Gjithsesi, disa prej këtyre laureatëve në të vërtetë e braktisën shkollën e mesme.
Zhozef Brodski (Joseph Brodsky)
Një nga poetët më të famshëm në botë, Zhozef Brodski lindi më 24 maj 1940, në Leningrad. Ai e braktisi shkollën që në moshën 15-vjeçare, duke kryer punë të ndryshme. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ai mësoi autodidakt gjuhën polake dhe angleze dhe filloi të shkruante poezi. Po ashtu, njëfarë kohe studioi me poeten ruse Anna Akhmatova para se të dëbohej nga Bashkimi Sovjetik në 1972. Brodski u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku shkroi nëntë vëllime me poezi. Punoi si profesor në universitetin e “Columbia”-s, si dhe në Kolegjin “Mount Holyoke”. Në vitin 1987 mori çmimin “Nobel” për Letërsi. Vazhdoi të bashkëpunonte me Projektin Amerikan Poezi & Letërsi me Andrew Carroll. Vdiq më 28 janar 1996 nga ataku në zemër.
Albert Ajnshtajni (Albert Einstein)
Albert Ajnshtajni lindi në 14 mars 1879, në Gjermani. Edhe pse ishte student mesatar, tregoi interes të madh për shkencën dhe matematikën. Kur mbushi të 15-at, Ajnshtajni vendosi të braktiste shkollën. Për të kompensuar arsimin e humbur, ndoqi një shkollë në Zvicër për të marrë nivelet-A para se të vijonte studimet në Zyrih. Pasi u transferua në Bern, Ajnshtajni filloi të punonte në Zyrën e Patentave, ndërsa në kohën e lirë merrej me fizikën teorike. Me kalimin e kohës, Ajnshtajni botoi punime të shumta të rëndësishme shkencore, përfshirë edhe me teorinë speciale të relativitetit dhe teorinë e përgjithshme të relativitetit. Në vitin 1921 u laureua me çmimin “Nobel” në Fizikë. Për shkak të çështjeve politike në Gjermaninë naziste Ajnshtajni u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku vitet e fundit i kaloi i vetmuar në Prinston. Vdiq në 1955.
Artur Henderson (Arthur Henderson)
Artur Henderson lindi më 13 shtator 1863, në Glasgow, Skoci. Kur i vdiq i ati, u detyrua të braktiste shkollën për shkak të varfërisë. Pas rimartesës së nënës, Henderson iu rkthye shkollës për tre vjet, për ta braktisur sërish. Njohuritë i mblodhi në fonderinë ku punonte dhe nga gazetat. U bashkua me Unionin “Ironfounders” kur ishte vetëm 18-vjeç dhe, brenda një kohe të shkurtër, u zgjodh sekretar i degës së Newcastle. Karrierën politike në Britani e filloi në vitin 1892. Henderson themeloi Partinë Laburiste në 1906 dhe sekretar i saj për 23-vjet. Në 1929 u emërua Sekretar i Jashtëm, kurse në 1934 fitoi çmimin “Nobel” për Paqe.
Albert Kamy (Albert Camus)
Albert Kamy lindi më 7 nëntor 1913, në Algjeri. Një vit më pas, i ati iu vra në Luftën e Parë Botërore, si rrjedhojë familja u zhvendos të jetonte me gjyshen nga nëna dhe dajën e paralizuar në një apartament me dy dhoma. Krijimtaria e Kamysë pasqyron vdekshmërinë e brishtë njerëzore, si dhe bukurinë e përjetshme të natyrës. Fitoi bursë në një kolegj prestigjioz, por iu desh ta braktiste për shkak të tuberkulozit. Megjithatë, pasi u zhvednos e mbajti vetë veten, derisa frekuentoi Universitetin e Algjerit për filozofi. Kamyja shfaqi një dashuri të thellë për teatrin edhe pse dramat e tij janë pjesa më e nënvlerësuar e krijimtarisë letrare. Punoi si gazetar në Francë dhe fitoi reputacionin e një prej figurave kryesore letrare. Kamy mori çmimin “Nobel” në Letërsi në moshën 44-vjeçare në 1957. Fatkeqësisht, vdiq në një aksident automobilistik më pak se tre vjet më vonë.
Leon Zhuho (Leon Jouhaux)
Leon Zhuho lindi më 1 korrik 1879, në Paris. I ati punonte në një fabrikë shkrepëseje, por të ardhurat u prenë për shkak të një greve, çka bëri që Leon të hiqej nga shkolla. U transferua në një institucion tjetër për një vit, para se të largohej përsëri për të mbajtur familjen. Zhuho filloi punë në fabrikën e shkrepsave, më pas u bashkua me ushtrinë. Mirëpo, u thirr përsëri për të punuar në fabrikë, sepse i ati u verbua ngaqë punonte me fosfor të bardhë. Mori pjesë në grevën e tij të parë dhe u pushua nga puna, për t’u ripunësuar më vonë. U bë Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së lokalitetit të tij, CGT dhe mbajti fjalime në shumë vende, duke nxitur sindikatat e punës të bashkohen në çështjen e paqes. Më pas, u emërua Nënkryetar i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave të Lira. Në 1949, u emërua President i Lëvizjes Evropiane. Megjithëse, u arrestua në dhjetor 1941 kur ra Franca, Zhuho u çlirua 25 muaj më vonë. Në 1951, u nderua me çmimin “Nobel” për Paqe.
Hose Saramago (Jose Saramago)
Hose Saramago lindi në vitin 1922 në një qytet të vogël në Portugali. Pavarësisht nga ecuria e shkëlqyer akademike, Saramagos iu desh të braktiste shkollën për shkaqe financiare. Filloi të punonte si përkthyes dhe gazetar për “Diario de Noticias”. Së pari, mori vlerësime letrare në mesin e të pesëdhjetave me botimin e romanit: “Baltasar dhe Blimunda”. U bashkua me Partinë Komuniste në 1969 dhe doli haptazi ateist. Saramago nuk besonte në emrat e përveçëm, kështu që veprat dallohen, sepse shumica e personazheve të tij nuk kanë emra. Mori çmimin “Nobel” për Letërsi në 1988.
Heri Martinson (Harry Martinson)
heri Edmund Martinson lindi në 1904 në Jamshog, Suedi. Prindërit i vdiqën kur ishte ende i ri, duke e lënë jetim. Kur mbushi 16-vjeç, u largua nga institucioni ku u rrit dhe shkoi në det. Gjashtë vjet i kaloi në bordin e anijeve të shumta, duke punuar në vende të huaja. Martinson e përdori këtë përvojë dhe të gjitha takimet që pati si frymëzim për veprat e tij. Temat e veprave të tij përfshijnë përvojat gjatë një fëmijërie të ashpër. Punimet pasqyrojnë dashurinë dhe shqetësimin për natyrën, si dhe interesin e tij për shkencën. Martinsonit u lnderua me çmimin “Nobel” në Letërsi së bashku me Eyvind Johnson në 1974.
Xhorxh Bernard Shou (George Bernard Shaw)
Bernard Shou lindi më 26 korrik 1856, në Dublin. Arsimimin e hershëm e mori nga xhaxhai klerik, para se të frekuentonte shkolla të ndryshme lokale. Sidoqoftë, për shkak të mospëlqimit për trajnimin e organizuar, Shou e la shkollën dhe filloi të punonte që në në moshën 15-vjeçare. Në vitin 1876 u zhvendos në Londër dhe ndoqi karrierën në të shkruar. Për një dekadë, u rrek të shiste ndonjë nga veprat e veta dhe iu desh të jetonte me nënën dhe motrën. Më vonë, u tërhoq pas socializmit dhe u bashkua me Shoqërinë “Fabian”. Punimet e tij të hershme u përqëndruan në problemet sociale dhe fituan popullaritet për shkak të lehtësisë komike. Shou u vlerësua me çmimin “Nobel” në Letërsi në 1925. Trembëdhjetë vjet më vonë, e nderuan me çmimin e Akademisë për Skenarin më të Mirë të Adaptuar për adaptimin filmik të veprës së tij “Pygmalion”.
Herbert C. Braun (Herbert C. Brown)
Herbert Braun lindi më 22 maj 1912, në Londër. Dy vjet më vonë, familja e tij u transferua në Shtetet e Bashkuara. Shkëlqeu në shkollë, por u detyrua ta braktiste atë pas vdekjes së të atit. Sidoqoftë, pasi e kuptoi që biznesi nuk ishte për të, Braun iu rikthye shkollës, në kolegj, ku ndoqi kiminë. Për fat të keq, kolegji u mbyll. Iu bashkua një kolegji tjetër para se të transferohej në Universitetin e Çikagos. Në 1938 mori doktoratën. Braun vazhdoi të asistonte kërkimin në materin alma, ku, së bashku me një instruktor tjetër, ai qe në gjendje të sintetizonte uraniumin e avullueshëm borohidrid (IV) si dhe shumë zbulime të tjera novatore. Vazhdoi të jepte mësim në universitete të ndryshme, u bë anëtar nderi i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave. U laureua me çmimin “Nobel” në Kimi në 1979, së bashku me George Wittig. Vdiq më 2004 nga një atak zemre.
Uilljam Folkner (William Faulkner)
Uilljam Folkner lindi në 25 Shtator 1897, në Misisipi dhe ndoqi një edukim të vërtetë jugor me prindër të shtresës së mesme. E braktisi shkollën e mesme, por iu përkushtua leximit dhe studimit, së pari audodidakt dhe mandej nën kujdesin e një miku të familjes. Në 1918, Folkner u bashkua me ushtrinë britanike, për t’u kthyer në shtëpi vetëm disa muaj më vonë. U regjistrua në disa kurse universitare, ndërsa botonte poezi në gazetat e kampusit. Vazhdoi të botonte romane të shumta dhe iu përkushtua gati në izolim, të shkruarit. Folkner ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, punimet e tij eksploruan çështje themelore që konsiderohen të dhunshme nga disa kritikë. U nderua me çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1949. / KultPlus.com
Sot shënohet 100 vjetori i lindjes së nobelistit portugez, José de Sousa Saramago. Saramago ka lindur në Azinhaga të Portugalisë, më 16 nëntor 1922, në një familje shumë të varfër, në një fshat të vogël në provincën Ribatejo, rreth njëqind kilometra në verilindje të Lisbonës. Prindërit e tij ishin José de Sousa dhe Maria de Piedade.
Saramago u zhvendos në Lisbonë me familjen në moshë të re, dhe i braktisi studimet universitare për shkak të vështirësitë ekonomike; filloi të merret me punë të ndryshme. Ai në fakt ka punuar si farkëtar, projektues, lektor, përkthyes, gazetar, gjersa u punësua në mënyrë të përhershme në një Shtëpi Botuese, ku punoi për dymbëdhjetë vjet si redaktor letrar.
Në vitin 2003, Harold Bloom e përshkroi Saramagon si “romancierin më të talentuar të gjallë në botë sot” dhe në vitin 2010 tha se ai e konsideron Saramagon si “një pjesë e përhershme e kanunit perëndimor”, ndërsa James Wood vlerëson “të veçantën ton për trillimin e tij, sepse ai i rrëfen romanet e tij sikur të ishte dikush i mençur dhe injorant”.
Romani i tij i parë, “Toka e mëkatit”, i vitit 1947, nuk do të ketë një sukses të madh në Portugalinë obskurantiste të Salazarit, diktatorit ndaj të cilit Saramago nuk e ka ndaluar luftën, duke u përballur me censurën sistematike të shkrimeve të tij gazetareske. Në vitin 1959 ai u regjistrua në Partinë Komuniste Portugeze, ku vepron në fshehtësi, duke ikur gjithmonë nga kurthet dhe intrigat e Pidës famëkeqe, policisë politike të regjimit. Në fakt, duhet të theksohet se për të kuptuar jetën dhe punën e këtij shkrimtari, nuk mund të injorojmë angazhimin e vazhdueshëm politik në çdo aktivitet.
Në vitet gjashtëdhjetë, ai u bë një nga kritikët më të mëdhenj të vendit nëpërmjet edicionin të ri të revistës “Seara Nova” dhe më 1966 publikon përmbledhjen e parë të poetike “Poezi të mundshme”. Më pas bëhet drejtor në një Shtëpi Botuese dhe nga 1972 deri 1973, ishte redaktor i shtojcës kulturore dhe editoriale të gazetës “Diario de Lisboa”, gjer në shpërthimin e të ashtuquajturit Revolucioni i Karafiltë në vitin 1974. Saramago botoi librin poetik “Ndoshta lumturia”, 1970, kronikat “Për këtë dhe botën tjetër”, 1971, “Bagazh udhëtar”, 1973, “Mendime që DL kishte” 1974, drama, novela dhe romane. Saramago (zëvendës kryeredaktor i gazetës “Diario de Noticias” më 1975 dhe shkrimtar me kohë të plotë) e çliron letërsinë portugeze nga kompleksi i mëparshëm dhe krijon një brez post-revolucionar.
Në vitin 1977, Saramago publikoi romanin e gjatë me titull “Manual i pikturës dhe kaligrafisë”, ndjekur nga “Një vend i quajtur Alentejo,” i 1980, fokusuar në revoltën e popullit të rajonit në lindje të Portugalisë. Por me “Përkujtimorja e manastirit” të 1982-ës, më në fund arrin suksesin e shumëpritur. Në gjashtë vite botoi tri veprat me ndikim të madh (përveç Përkujtimores, “Viti i vdekjes së Richard Reis” dhe “Rafti i gurtë”) duke marrë vlerësime të shumta nga kritika. Vitet nëntëdhjetë e kanë shenjtëruar atë në skenën ndërkombëtare me “Rrethimin e Lisbonës” dhe “Ungjillin sipas Jezusit”, e më pas me “Verbërinë”. Në vitin 1998, duke ngjallur polemika sidomos nga Vatikani, ai u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi.
Më shumë se dy milionë kopje të librave të Saramago janë shitur vetëm në Portugali dhe vepra e tij është përkthyer në 25 gjuhë.
José Saramago vdes më 18 qershor, 2010 në banesën e tij në Lanzarote, në qytetin e Tías, në Ishujt Kanarie. /KultPlus.com
Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje vjen nga Albert Camus, njeriu me dhuntinë e miqësive të rralla, që e kaloi jetën duke mësuar si të jetonte me një qëllim dhe duke kërkuar kuptimin e lumturisë dhe dashurisë.
Kur Camus nuk ishte as një vjeç, i ati u vra në betejë gjatë LIB. Ai dhe i vëllai u rritën nga një mama analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, kushte ku nuk mund të pretendohej një e ardhme e ndritur, por si provë e asaj që mund të ndodhë kur arsimi nxit potencialin më të mirë të një njeriu duke fisnikëruar shpirtin, një mësues, Louis Germaine, pa te Albert-i i ri diçka të veçantë dhe ndërmori detyrën për të nxjerrë një thelb të konsoliduar dhe një qëllim nga ai djalë, detyra e çdo mentori të mirë. Nën krahët e mësuesit të tij, Camus i i hodhi poshtë letrat e errëta që i kishin ngecur në duar dhe filloi të shndërrohej në gjeniun e ardhshëm që të gjithë e njohim.
Tridhjetë vjet më vonë, Camus u bë njeriu i dytë më i ri në botë që kishte fituar çmimin Nobel, që iu dha për “seriozitetin e sinqertë” të punës së tij, që “ndriçon problemet e koshencës së njeriut.” Pak ditë pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë të njerëzimit, Camus bëri të njohur ndikimin e mësuesit të tij me ka “seriozitet të sinqertë” në një letër të mahnitshme, që është përfshirë në faqet e fundit të librit të tij The First Man.
19 nëntor, 1957
I dashur Zoti Germain,
Po i lë emocionet e forta të këtyre ditëve të qetohen pak para se t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Mua, sapo më kanë dhënë një nderim shumë të madh, që as e kisha kërkuar dhe as isha përpjekur ta merrja, por kur e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas mamasë sime, ishit ju. Pa ju, pa dorën plot dashuri që ju i zgjatët atij djali të vogël të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto, nuk do kishte ndodhur. Unë nuk para bëj shumë nga këto lloj falënderimesh, por të paktën ky më jep mundësinë t’ju tregoj çfarë keni qenë dhe çfarë ende jeni për mua dhe t’ju siguroj që përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që vutë në të, jeton ende te një prej nxënësve të vegjël, i cili, pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, nuk ka ndaluar kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemrën time.
Jasunari Kavabata qe shkrimtari i parë japonez që u laureua me çmimin Nobel në vitin 1968 për romanin e tij “Vendi i dëborës”. Për të deshifruar universin mental dhe romanesk të jashtëzakonshëm të Kavabatës është e domosdoshme t’i referohemi viteve të para të ekzistencës, të shënuara nga një vetmi e thellë, prej fëmijërisë deri në momentin tragjik kur shkrimtari vendosi t’i japë fund jetës.
Në veprën e tij realja dhe arealja ndeshen, shkapërderdhja e imazheve alternohet me bardhësitë dhe palëvizshmëritë. Punët e Kavabatës janë thurje të brimuara, të papërfunduara, që lënë lexuesin pa frymë para misterit të interpretimit. Soditja e natyrës, rënia e një gështenje, lulëzimi i një kumbulle, fluturimi i zogut, janë arratisje drejt një bote tjetër, ku bukuria e pashpjegueshme është ndoshta ajo e të vdekurve të rikthyer për një çast në botën e të gjallëve.
Jasunari Kavabata, biri i një mjeku të kulturuar, lindi në vitin 1899 në Osaka. Pas vdekjes së hershme të prindërve dhe motrës së vetme, ai u rrit nga gjyshi i verbër. Studioi në Universitetin Imperial të Tokios. Qe një nga themeluesit e organit Bungei Jidai, mediumi i një lëvizjeje të re në literaturën moderne japoneze. Debutimin e tij si shkrimtar e bëri me “Balerini Izu”, në 1927. Pas disa veprave të shquara, romani “Vendi i dëborës” i siguroi pozicionin si një nga shkrimtarët më në zë në Japoni. U bë anëtar i Akademisë së Arteve të Japonisë në vitin 1953. Shkroi edhe shumë vepra të tjera, ndër të cilat “Liqeni”, “Qyteti i vjetër”, “Gjëmimi i malit”, “Bukuroshet e fjetura” etj.
Novela “Bukuroshet e fjetura” të Jasunari Kavabatës është një nga veprat e tij më të bukura. Në brendi të saj trajton kryesisht marrëdhëniet mes moshës së rinisë dhe pleqërisë, seksin, vdekjen, jetën dhe kujtimet. Shpeshherë Kavabata shkruan me metafora, duke dhënë shkas për reflektim shumë më parë pasi të shfletojmë edhe faqen e fundit të librit, për më tepër personazhet kryesorë në krijimtarinë e tij janë individë kompleksë në kërkim të pastërtisë. Kavabata e vë theksin kryesisht mbi aftësinë e mendjes njerëzore për të nxjerrë në pah marrëdhënien e një individi me botën ekzistenciale.
Pasqyrimi i gabimeve të së shkuarës tek personazhi zakonisht ndodhin në prag të vdekjes. Për më tepër, këtyre personazheve u pikon dëshpërimisht në zemër për atë shans të pamundur për rininë e të rinjtë, madje edhe për një moment të shkurtër, për të rivitalizuar një ekzistencë më të dëlirë. Tek “Bukuroshet e fjetura”, personazhi kryesor, Eguti, fle pranë vajzave të reja që janë të droguara, të cilat përfaqësojnë bukurinë e jetës, si një mundësi për të reflektuar mbi gratë që ai ka njohur gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë edhe gruan dhe vajzat e tij. Gjumi parashikon Egutin me një kalim në vdekjen e tij të afërt.
Si gjithmonë, stili i shkrimit të Kavabatës përmban tone lirike, filozofike, që sugjeron misteret e panjohura të jetës.
Sido që të jetë, një fakt mbetet i sigurt: Kavabata vërtetoi mundësinë e ndjeshmërisë së pastër të flasë në veprat që lëkunden me bukurinë. A ishte kjo bukuri hyjnore apo e ligë? Sekreti i mbartur në varr nga shkrimtari, nuk do të zbulohet kurrë. Dy vjet pas vetëvrasjes së Mishimas, që e konsideronte si mjeshtrin e tij, Kavabata kreu edhe vetë vetëvrasje. Vdiq në vitin 1972. / Konica / KultPlus.com
E ardhmja ia prish magjinë të tashmes, më shumë sesa e tashmja, të ardhmes.
Romancier, dramaturg, eseisit, poet, Andre Zhid i ceku të gjitha zhanret dhe e bëri këtë larmi, të shkëlqejë edhe brenda teksteve të tij. Ai nuk e përcakton veten si provokues, përkundrazi, si “shqetësues”. Shprehjet e nobelistit Andre Zhid, pasqyrojnë gjenialitetin e madh humanist që kishte ky njeri, i cili, u shqua jo vetëm si shkrimtar, por arriti sukses të madh edhe falë qasjes kritike me të cilën, trajtoi praninë e francezëve në Afrikë. Nobelisti jetoi në gjysmën e parë të shekullit XX, një kohë e trazuar që zbuloi shumë tabu. Në shtegtimin e jetës, Zhid u përball me dilema të mëdha morale, të lidhura kryesisht me dashurinë, të vërtetën dhe seksualitetin./Konica.al
“Nëse vërtet doni të jeni të lumtur, mos bini pre e tundimit ta krahasoni këtë moment me momente nga e kaluara, që nuk ditët t’i vlerësoni, sepse po i krahasonit me momente që do të vinin në të ardhmen”.
Shumica e veprave të tij kanë theks të qartë autobiografik, pasi autori e gjente veten rëndom në udhëkryq. Gjithsesi, thëniet e Andre Zhidit janë thuajse gjithmonë të gëzueshme dhe plot freski. Në vlerësimet e tij nuk kishte asnjë shenjë inati, gjë që shumë prej bashkohësve nuk i pëlqyen. Autori ka të drejtë, kur vë në dukje se dëshira ose kënaqësia nuk vijnë përmes përpjekjeve si të tilla. Më shumë sesa një qëllim në vetvete, kënaqësia është pasojë. Të përpiqesh për atë që do, është akt lirie që prodhon vetëkënaqësi.
Pavarësisht çmimit “Nobel” për letërsi në 1947, krijimtaria e Andre Zhidit u klasifikua në Indeksin e ndaluar nga Kisha, që prej imazhi i “Imoralisti”, “Bodrumet e Vatikanit” dhe “Falsifikuesit” filloi të zbehej disi. Megjithatë, autori i “Falsifikatorët” për shumë breza nuk ishte edhe aq mendimtar mjeshtër, mendimi i tij përshkohej nga pyetje dhe dyshime të shumta, sesa mishërimi i shpirtit çlirimtar. Zhid besoi në “Ditarin” e tij: “Një funksion i shkëlqyer për t’u përmbushur, ai i shqetësuesit”. Mirëpo, guximi i Zhidit – pohimi i lirisë individuale përballë barrës së moralit konvencional, kultit të tij rinor, dëshirës për udhëtime, angazhimet në mbrojtje të homoseksualitetit, për denoncimin e kolonializmit ose totalitarizmat në përgjithësi dhe stalinizmin në veçanti, ishte më shumë të çliruar veten dhe çlirimin e tjetrit. Krijimtaria e Zhidit është e ndryshueshme, larmi që pasqyron strukturën e ndarë të personalitetit të tij. Zhid gjen në secilën nga veprat një pikë ekuilibri provizor, në një kuptim të paqëndrueshëm, të kësaj loje kundërshtimesh. Zhid disidenti, Zhid bujari, Zhid evropiani, vion të mbetet një bashkohor ende i rëndësishëm. Evropian, kozmopolit, qytetar i botës, ai nuk reshti së mbrojturi kulturën franceze. Edhe pse gjithmonë një varkëtar i mrekullueshëm i letërsive të huaja, nuk hoqi dorë nga roli i ambasadorit të kulturës franceze, dëshmuar kjo edhe në dy konferenca të rëndësishme “Kujtimet letrare dhe problemet aktuale” dhe “Në Napoli”./Konica.al
Romancier në plan të parë, eseisti i pashoq, një nga shkrimtarët më të mirë, Andre Zhid, çmimi “Nobel” për letërsi në 1947, mbi të gjitha është dëshmitari dhe mendimtari i disa brezave. Krijimtaria e tij është si një pemë: të zgjedhësh një degë do të thotë të humbasësh vizatimin e së tërës. Nëse vërtet duhet të zgjidhni, pse të mos merrni “Bodrumet e Vatikanit”, sepse nga të gjithë librat e tij, aty shfaqen më së miri tiparet më pak të njohura të veprës: humori, dëshira për të luajtur, liria mahnitëse e trillimit letrar dhe imagjinata. Botimi i parë erdhi në 1891 me “Fletoret e Andre Walter”, “Ditari intim”, “Simfonia pastorale”, “Ushqimet tokësore”, “Izabela”, “Falsifikuesit”, etj. Frazat e tij dallohen për tonin poetik, delikat, modest, si për shembull: “Të bukura janë vetëm ato gjëra që i frymëzon çmenduria dhe i shkruan logjika”. Në këtë rast, bukuria është rezultat i martesës së çmendurisë me arsyen. Nga këndvështrimi i tij, çmenduria është forca krijuese. Ky pasion absurd është ai që rezulton në diçka të re, e cila bëhet e bukur vetëm nëse logjika i jep formë. Prandaj, në botën e ideve, duhet të dominojnë imagjinata dhe paarsyeshmëria. Ai i jep jetë një universi artistik, nëse intelekti e formëson atë duke u kapur pas ligjeve të logjikës. Po ashtu, nobelisti udhëtar i apasionuar, i cili merrte kënaqësi të jashtëzakonshme kur zbulonte kultura dhe forma të reja të jetës. Dihet që udhëtarët aventurierë janë njerëz kureshtarë që nuk kanë frikë nga risia dhe që përballen me aventurat me guxim dhe vendsomëri. Kjo vlen si për udhëtarët materialë, ashtu edhe për udhëtarët intelektualë ose shpirtërorë.
Andre Zhid vdiq më 19 shkurt 1951 në Paris, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në letrat dhe kulturën franceze. Ai u shqua jo vetëm si autor profesionist, por edhe kritik letrar e përkthyes me ndikim./ Konica.al/ KultPlus.com
Në vijimësi të hulumtimit të së shkuarës në romanin e tij të ri, nobelisti rishikon labirintet e kujtesës, duke u mëdyshur me idenë se mos vallë gjithë hollësitë e rrugëtimit të jetës “janë shkruar diku me bojë të këndshme”.
Një narrator bredhërin në Parisin e të kaluarës, në kërkim të një gruaje të zhdukur… Çmimi “Nobel” i letërsisë ruan imagjinatën dhe stilin e tij magjepsës, në ngutjen e një të kaluare të pasigurt dhe të një Parisi të shkuar. Zhan Patrik Modiano (1945), shkrimtari bashkëkohor francez me më shumë se tridhjetë punime teatrale, romane dhe çmime ndërkombëtare i rikthehet vëmendjes së publikut.
“Bojë e këndshme”… është libri i fundit që ka nxjerrë nga duart nobleisti francez. Që në titull na krijohet ndjesia e rikthimit të beftë në kontinentin Modiano, me një gjeografi sentimentale dhe të mistershme, të kujtimeve të humbura, të personazheve kalimtarë. Narratori, i cili s’i ka mbushur ende të 20-at, zotëron vetëm një kartelë, me të dhënat e duhura, nga një agjenci detektive, duhet të bjerë në gjurmët e njëfarë Noëlle Lefebvre, që është zhdukur pa lënë adresë. E ka marrë përsipër këtë punë, që ndërthur hetimin, intuitën dhe sekretin profesional, vetëm si një aktivitet të përkohshëm, të dobishëm, mendon ai, për të hyrë në letërsi. Me aftësinë për t’u prezantuar në jetën e të tjerëve, ai vepron si shkrimtar…
Sërish arti romanesk nga Modiano, i tipit somnabul në palimpsestet e Parisit pranveror, detaje të konservuara në një harresë të mjegulluar. Modiano luan në analogji me imazhin e padukshëm të fotografisë, që lind nga zhvilluesi në dhomën e errët. Një fletore e vjedhur, në një apartament të zbrazët, vepron, edhe pse me tregues fare të papërfillshëm, si ato pamjet e ngrira të cilat nuk kanë asgjë për të ofruar përveç gozhdimit të misterit që mbartin. Pjesa e fundit, enigmatike, e lehtë si ëndërrim, është vendosur në Romë: “qyteti i harresës”. Në çastin e heqjes së velit, Modiano shkruan: “Kam frikë se pasi t’i keni marrë të gjitha përgjigjet, jeta juaj do të rimbyllet për t’ju zënë si në kurth, në zhurmën që bëjnë çelësat e qelive të burgut. A nuk do të ishte më mirë të linim rreth vetes vise të vagullta ku të mund të arratiseshim?”./Konica.al/KultPlus.com
Shkrimtari portugez dhe laureat i çmimit “Nobel”, Hoze Saramago, mbetet ndër shkrimtarët më të shquar të shekullit XX. Saramago, nuk reshti kurrë, gjatë gjithë punës së tij, të rishqyrtonte sipas mënyrës së vet, historinë e Portugalisë. Lindur në 1922, ky shkrimtar i vonë (i kishte kaluar të pesëdhjetat, kur përjetoi sukseset e para të mëdha), i përket letërsisë së lindur nga “Revolucioni i Karafilave”, që përfundoi, në 1974, i regjimit salazarist. “Ringritur nga toka”, të cilën e botoi në vitin 1980, e merr frymëzimin nga mistika e “ëndrrës së bukur të prillit”. Në roman, shkrimtari rrëfen mjerimin e fshatarëve pa tokë, të punësuar si punëtorë me mëditje në prona të mëdha. Nuk duhet harruar origjina e Saramagos, bir fshatarësh të varfër, ai është autodidakt, diploma e vetme e të cilit, është ajo e bravandreqësit, zanat që e praktikoi për tri vjet, para se të bëhej gazetar. Për vite të tëra, bëri fushatë në fshehtësi, për Partinë Komuniste. Herë pas here, botoi disa libra, romane, një përmbledhje poezish. Asgjë shumë e rëndësishme. Duheshin pritur vitet 1980, që të merrte famë me “Zoti pinguin” dhe, mbi të gjitha, “Viti i vdekjes së Rikardo Reisit”. Në këtë roman, Saramago ringjall figurën mitike të Fernando Pesoas./Konica.al
Kritikët vlerësojnë njohuritë, artin e rrëfimit dhe fantazinë e shkrimtarit. Veçse, do jetë skandali ai që prek publikun e gjerë. Në vitin 1991, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit”, ikonthyesi i autorit, u kritikua nga “L’Osservatore Romano”, organ zyrtar shtypi i Vatikanit, i cili e gjykonte “vizionin e tij në thelb antifetar”. Shkrimtari i lexon Ungjijtë në mënyrën e tij dhe pohon se Jezui ishte dashnori i Mari Magdalenës. Gjithashtu, ai e paraqet Jezusin si lodrën e një Perëndie, që, i irrituar sepse sundon vetëm mbi popullin hebre, dëshiron të shtrihet në të gjithë botën. Polemika u bë një çështje shtetërore. Sipas një ministri portugez, shkrimtari sulmoi “trashëgiminë fetare kombëtare”. Pas këtij skandali, Saramago u largua nga vendi dhe u vendos në ishullin Lanzarote, në arkipelagun spanjoll të Kanaries.
Nëse ai tronditi katolikët e Portugalisë dhe Spanjës, poshtërimi volterian i portugezëve ishte për shijen e jurisë “Nobel”. Hoze Saramago mori në vitin 1998, çmimin prestigjioz, Akademia Suedeze, sqaronte në shkrimet e tij, se vepra e shkrimtarit “bëri të prekshëm një realitet të largët, falë parabolave imagjinare, dhembshurisë dhe ironisë”. Kur mësoi se mori Nobelin, shkrimtari qesëndisi: “Është njëlloj si “Miss Portugalia”, vitin tjetër do ta kemi harruar”.
Për vite me radhë, ky lexues i apasionuar i Montenjit, Servantesit dhe Kafkës, ushqente rregullisht një blog, në të cilin nuk i përtypte kurrë fjalët. Mbrojtës i çështjes palestineze, ai denonconte vazhdimisht politikën e Izraelit në territoret e okupuara. Madje, Saramago nuk hezitoi të sfidonte as ish-kreun e qeverisë italiane, Silvio Berlusconi, duke e quajtur atë “një kriminel”. Saramago blogeri, shprehte përmes internetit misionin që ai mendonte se ishte ai i shkrimtarit: të bënte një fjalim për gjendjen e botës. Si ateist pati probleme me qeverinë portugeze, që refuzoi ta paraqiste “Unigjillin sipas Jezu Krishtit” në Çmimin Letrar Europian. I parespektuar ndaj autoriteteve dhe thellësisht i mbushur me humanizëm, Saramago krijoi një prozë unike, të krijuar me një lloj dialogu të vazhdueshëm të brendshëm, në të cilin nuk kanë vend pengesat më të ngurta të shenjave të pikësimit. Ishte falë një presjeje, që Hoze Saramago u bë shkrimtar i madh. Në fillim të viteve 1980, kur ishte mbi të pesëdhjetat, ndërsa shkruante një roman për fshatarët e Alentejos (Portugali), rajonin e origjinës, arriti të gjente stilin e tij.
“Po shkruaja një roman si të tjerët. Papritmas, në faqen 24 ose 25, pa e pasur mendjen, pa menduar, pa marrë një vendim, fillova të shkruaj me atë që është bërë mënyra ime e të rrëfyerit personal, kjo shkrirje e stilit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, pikësimi u reduktua në pikë dhe në presje. Besoj se ky stil nuk do të kishte lindur, nëse libri nuk do kishte filluar nga diçka që e kisha dëgjuar më parë. Duhej të gjenim një ton, një mënyrë për të transkriptuar ritmin, muzikën e fjalës që themi, jo atë që shkruajmë. Më pas, rimora njëzet faqet e para për t’i rishkruar”.
Çelësi i stilit të këtij ish-bravandreqësi janë dialogët, që ndërthuren në një prozë kompakte. Ata prezantohen nga një presje, e ndjekur nga një shkronjë e madhe që tregon ndryshimin e folësve. Ka shkruar vepra të ndryshme, ndër të cilat “Le të ulërijmë”, “Tjetri si unë”, “Kaini” etj. Ligjërimi në veprat e Saramagos, rrjedh vazhdimisht në një masë harmonike fjalësh që marrin, faqe pas faqeje, strukturën konkrete të një ndërtese kryelartë dhe ndoshta, vështirësisht të pranueshme. Shkrimtari portugez vdiq në moshën 87-vjeçare. /Konica.al/KultPlus.com
Fakte të reja rreth vdekjes së Pablo Nerudos duket se po dalin në dritë. Autori i madh i veprave të letërsisë që vjen i përkthyer në shqip nga Fatos Arapi, thuhet se mund të jetë helmuar gjatë kohës që ai ka qenë në ushtrinë e diktatorit kilian Augusto Pinoçt.
Nerudo ka ndërruar jetë në një moshë relativisht të re dhe ky fakt ka ngjallur dyshimet e shumta të familjarëve të shkrimtarit, të cilët kanë mbledhur bashkë 16 ekspertë ndërkombëtar për të kryer analiza të detajuara rreth shkakut të vdekjes së tij.
Nga gjithë ekzaminimet del se familjarët kanë pasur të drejtë. Në rezultatet përfundimtare të ekspertëve del se poeti nuk ka vdekur nga kanceri, ashtu siç deklarohej në autopsi, po nga një mikrob që gjendej në trupin e tij. “Ajo që është e sigurtë është se certifikata e tij e vdekjes nuk reflekton të vërtetën” ka deklaruar gjatë një konference për shtyp Dr Aurelio Luna, kreu i një grupi ekspertësh nga Danimarka, Kanadaja, Spanja dhe Kili.
Nerudo ka ndërruar jetë disa ditë pas grushtit të shtetit kundër presidentit socialist Salvador Aliende, përkatësisht në 1973 në Santiago.
Trupi i tij për shkak të dyshimeve ka qenë gjithmonë objekt investigimesh të shumta, aq sa u zhvarros përsëri në vitin 2013, ku edhe u përcaktua saktësisht diagnoza e vdekjes.
Në maj 2014 një grup shkencëtarësh spanjollë zbuloi prezencën masive të baktereve të stafilokokut të artë që mendohet të jenë injektuar nga agjentët e diktaturës.
Shoferi i Nerudës, Manuel Araya, ka pretenduar gjithnjë se ai vdiq si pasojë e një injeksioni që iu bë përpara se të nisej për në Meksikë për të vazhduar luftën më diktaturën e Pinoçetit. Edhe dëshmitarë të tjerë kanë ngritur dyshimet se Neruda ndihej mirë para injeksionit të famshëm. / KultPlus.com