Shkrimtari, historiani, poligloti dhe gazetari britanik, Noel Malcolm sot feston 67 vjetorin e lindjes.
Ai ka lindur në vitin më 26 dhjetor 1956. Ka studiuar në Kembrixh, dhe është një nga analistët më të mirë britanikë në çështjet e Ballkanit. Ka qenë drejtor i revistës politike “The Spectator” dhe komentar i gazetës “Daily Telegraph”. Ka punuar gjatë për “British Helsinki Human Rights Group”, i njohur edhe në Shqipëri.
Është autor i librave: “Bosnja, një histori e shkurtër” (1994), “Origins of English Nonsense” (1997), “Kosova, një histori e shkurtër” Koha- Prishtinë& Shtëpia e Librit -Tiranë (2001), “Aspects of Hobbes” (2002), “The Mental World of an Early Modern Mathematician” (2005).
Është editor i Korrespodencës së Thomas Hobbes (1994) dhe ka shkruar librin “George Enescu, jeta e tij dhe muzika” (1990) (Toccata Press).
Librat e tij mbi Kosovën (“Kosovo: A Short History” (1998) dhe Bosnjën, gjithashtu një histori e shkurtër, kanë pasur sukses të madh në perëndim dhe janë të referueshme për të gjithë studiuesit e çështjeve ballkanike. Sidomos libri për Kosovën ka pasur sukses më të madh, edhe pse është sulmuar ashpër nga qeveria dhe studiuesit pro-qeveritarë serbë.
Ai është dekoruar edhe nga Presidenti Ibrahim Rugova, me medaljen e artë të “Lidhjes së Prizrenit”. Dekoruar gjithashtu me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.
Këtë vit, në muajin tetor, Malcolm ishte për vizitë në Kosovë, më saktësisht pjesëmarrës në ceremoninë solemne të shfaqjes së premierës së filmit dokumentar për Sir Noel Malcolm dhe veprën e tij për Kosovën dhe shqiptarët.
Ky film dokumentar, skenarin dhe regjinë e të cilit e ka bërë Mal Berisha, ndërsa producent ekzekutiv është Dr. Ahmet Ulaj, zbulon ndikimin që ka pasur vepra e autorit për një të vërtetë të munguar për historinë e Kosovës dhe shqiptarët, si dhe për ndërgjegjësimin e diplomacisë botërore për Kosovën. / KultPlus.com