Era Berisha
Pasioni për aktrimin, regjinë, zhanrin fantastiko-shkencorë dhe jo vetëm, solli premierën e shfaqjes ‘Yjësitë’ nën regjinë e Nol Sahatçiu dhe Feray Derviş dhe nën skenarin e dramaturgut britanik Nick Payne, e cila për një orë e gjysmë ngërtheu publikun në intimitetin dhe rëndësinë e temave të shumta sensitive duke bërë që muzika, dritat, veshjet e ndryshme dhe aktrimi i protagonistëve të jenë një kryevepër verbuese e cila u shoqërua me hilet diktuese e rrëqethëse, që kjo shfaqje solli mbrëmë në Termokiss, shkruan KultPlus.
Gjithçka nisi në momentin kur para se shfaqja të fillonte, nën prezencën e rrezeve të diellit që po perëndonte, të cilat depërtonin brenda nga ku edhe dritaret ishin të vendosura, të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në hapësirën e Termokiss, duke pasuar kështu në një qetësi mbizotëruese.
Pas disa minutave të gjata të cilat u shoqëruan më një muzikë drithëruese nën manovrimin e Dren Suldashi dhe nën ndriçimin e veçantë nga Dritëro Krasniqi, publiku u fut në brishtësinë e atmosferës e cila gradualisht po bëhej gati për fillimin e shfaqjes.
Nën intensitetin e madh të dritave verbuese që kapluan vendin, në një platformë misterioze mbi të cilin ishte vendosur një divan në ngjyrë të zezë, nisi edhe shfaqja e cila për tematikë ka marrëdhënien emocionale, romantike dhe personale të dy personazheve protagonistë, Rolandi nën aktrimin e Nol Sahatçiu dhe Marianne nën aktrimin e Feray Dervis, të cilët njëkohësisht ishin edhe regjisorë të kësaj shfaqje.
Në një fillim konfuz për shumë kë por e cila do të zbulohej më vonë, shfaqja përfshin jetën e Rolandit i cili është një bletar dhe shet mjaltë nga kosheret e bletëve ndërsa Marianne e cila është një kozmologe e cila është e pasionuar pas mekanikës kuantike, modelimit antikozmologjik, realitetin e yjësive dhe besimin se ekzistojnë universe të shumta që ndikojnë në jetën e njerëzve duke drejtuar rrjedhën e tyre.
Pikërisht, edhe struktura e shfaqjes kishte për qëllim shpalosjen e vazhdueshme të skenave të shkurtëra por të njëjta, të cilat përsëriteshin disa herë por me ndryshime të vogla duke dërguar kështu në idenë se ata po jetonin në universe paralele, teksa vendimet e tyre për të ardhmen po finalizonin edhe rrjedhën e shfaqjes që po drejtohej drejt një fundi të paparamenduar.
Brenda katër mureve të ambientit të ngrohtë, të pranishmit herë qeshnin me ndonjë situatë e herë tjera fokusimi i tyre i fuqishëm reflektohej në sytë e tyre për të kuptuar edhe kompleksin e shfaqjes e cila njëkohësisht mbështillej në një zgavër të thjeshtësisë kur jetët e dy karaktereve të cilët tërhiqeshin në drejtime të ndryshme me rezultate të ndryshme.
Por pasi që personazhet të jenë bashkuar së bashku, një rrëfim i dy anshëm bënë që ata të ndahen për shkak të një tradhtie të ndodhur herë nga vajza e herë nga burri, duke shpalosur kështu dy personalitete krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Më vonë, ata ndeshen në klasë vallëzimi dhe kështu ribashkohen përsëri duke rifilluar lidhjen e tyre e cila do pasoi në aktin e martesës.
Kurse për të treguar më shumë se si erdhi ideja për realizimin e shfaqjes dhe procesin e provave, për KultPlus ka folur vetë regjisori i shfaqjes, Nol Sahatçiu.
“Ideja erdhi atëherë kur fitova një fond nga Komuna e Prishtinës, fillimisht për realizimin e një shfaqjeje tjetër por pastaj vendosa në këtë skenar të zhanrit fantastiko-shkencor dhe ekzistencial, të cilin e kam përkthyer vetë që ka zgjatur 2 muaj, kurse 2 muaj të tjerë kanë zgjatur provat dhe realizimi në tërësi. Kurse shfaqja është interesante, sepse gruaja është personazhi më dominant, intelektual dhe inteligjent por që as burrit nuk i mungon inteligjenca që shkon krahazi në hap në lidhjen mes çiftit”, tregon Sahatçiu.
Sipas tij, si çdo vepër artistike që ka kompleksitetin e saj dhe sfidat e ndryshme, edhe gjatë procesit të kësaj vepre është hasur në një vështirësi në komunikimin mes njerëzve duke pasuar në disa keqkuptime të vogla por të cilat janë tërësisht natyrale. Prandaj, për të nuk ishte e lehtë për të bashkëpunuar me 4 njerëz, e sidomos kur ai paramendon se si ndodh bashkëpunimi në një ekip rreth 20-30 persona, për çka duhet të jesh një regjisor shumë i aftë dhe të punosh me njerëz profesionalë.
Tutje ai ka folur edhe për temën e shfaqjes, të cilën ai e cilëson si një temë që se ka parë të trajtuar shumë shpesh e për të cilën së bashku me kolegen e tij, Feray Dervis kanë rënë në dashuri me shikim të parë duke vendosur që ta realizojnë atë.
“Tematika është shumë interesante sepse po ndodhin skena të njëjta por me ndryshime të vogla, por çka më ka pëlqyer shumë është ideja se çka nëse ekzistojnë universet paralele dhe çka nëse jemi njëkohësisht duke jetuar në të gjitha prandaj vendimet që i marrin personazhet vendosin se në cilin paralel do të futen ata”, shpreh ai për KultPlus.
Për fund, ai ka shprehur pëlqimin e tij rreth reagimeve të publikut dhe pasionit të tij rreth aktrimit, regjisë dhe zhanrit fanta-shkencë.
“Për mua personalisht, më pëlqen shumë fanta-shkenca dhe e dua punën që ne e bëmë, e për të cilën do të vazhdojmë të bëjmë përsëri. Andaj edhe në këtë natë do të veçoja reagimet e audiencës sepse në momentet kur ata qeshnin ose kur futeshin në një qetësi totale e cila pasonte me një koncentrim të thellë, ishin pikërisht këto momentet më të mira për mua, por edhe fakti që nuk gabuam ishte një gjë e mirë”, përfundon Sahatçiu.
Ndërsa, reprizat e shfaqjes ‘Yjësitë’, do të mbahen në datat: 23 Prill, 14 dhe 21 Maj./KultPlus.com