Xhudistja kosovare, Nora Gjakova ka kaluar në çerekfinale të Grand Slamit që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.
Gjakova në raundin e dytë e mposhti nikoqieren Aclya Toprak në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Në çerekfinale, xhudistja kosovare do të ballafaqohet me serben Marica Perishiq.
Përndryshe, Gjakova e nisi mirë garën duke triumfuar në raundin e parë, duke mposhtur garuesen nga Gjeorgjia, Nino Laldzen. /Klankosova.tv./ KultPlus.com
Kampionet olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, janë kualifikuar në finale të Grand Slamit të xhudos, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit, përcjell KultPlus.
Krasniqi (-52 kg) fitoi tri luftëra, ndërsa Nora (-57 kg) katër.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinsë dhe Sportit duke ju dëshiruar suksese në finale. / KultPlus.com
Në Mastersit të Jerusalemit, Distria Krasniqi është kualifikuar në finale, përderisa Nora Gjakova i është afruar medeljes së bronztë, shkruan KultPlus.
Distria e la pas hungarezen Reka Pupp, kurse në finale do të jetë përballë britanikes Chelise Giles./ KultPlus.com
Nora Gjakova e ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.
Të bronztën, Nora e siguroi pasi e mposhti xhudisten belge, Mina Libeer, në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Gjakova e nisi ditën pa ndeshje në raundin e parë, ndërsa në të dytin e mposhte me ‘ippon’ xhudisten gjermane, Bellhaus.
Me këtë fitore, xhudistja jonë u kualifikua në çerekfinale ku u ndesh me britaniken, Lele Nairne, prej të cilës humbi.
Por, Nora shkoi në repesazh dhe aty fitoi ndeshjen e parë ndaj italianes Veronica Tonioli, për të triumfuar më pas kundër Mina Libeer dhe për të rrëmbyer të bronztën.
Vlen të ceket se disa ditë më parë, Nora fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin në Abu Dabi.
Në Grand Slamin e Bakut, Kosovën do ta përfaqësojë edhe xhudistja, Loriana Kuka, e cila do të ndeshjet të dielën, në kategorinë deri në 78 kilogramë. / KultPlus.com
Nesër do të fillojë Grand Slam në “Baku”, ku Kosova do të përfaqësohet me dy garuese, shkruan KultPlus.
Kampionia olimpike, Nora Gjakova dhe xhudistja tjetër, Loriana Kuka, do të jenë pikërisht ato që do të përfaqësojnë Kosovën në garën prestigjioze të Azerbajxhanit.
Gjakova, së fundmi ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slam të Abu Dhabit, prandaj shihet edhe si favorite në kategorinë -57 kilogramë për të fituar medaljen e artë.
Ndërkaq, Kuka do të garojë në kategorinë -78 kilogramë.
E medalje do të synojë edhe Loriana në kategorinë deri në 78 kilogramë.
Gjakova do të garojë të premten, kurse Loriana të dielën. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku është shprehur se sportistet kosovare po japin shembull për fëmijët e të rinjtë e vendit me sukseset ndërkombëtare duke u bërë po ashtu promovimi ynë më i mirë si shtet, përcjell KultPlus.
“Momente plot krenari për vendin tonë. Urime të gjitha sportisteve dhe komunitetit të sportit”, ka shkruar ai.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Katër medalje të reja për shtetin e Kosovës
Sportistet tona po japin shembull për fëmijët e të rinjtë e vendit me sukseset ndërkombëtare duke u bërë po ashtu promovimi ynë më i mirë si shtet.
Fundjava ishte plot suksese në fushën e sportit. Boksierja Donjeta Sadiku mori medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Budva, një sukses historik, Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e xhudos që u mbajt në Abu Dhabi, ndërsa në garën e njejtë xhudistja Loriana Kuka mori medaljen e bronztë. Që po zhvillohen gjenerata të reja me potencial në xhudo na dëshmoi Laurina Gashi, e cila mori medaljen e artë në Kupën Evropiane për kadete (U18).
Momente plot krenari për vendin tonë. Urime të gjitha sportisteve dhe komunitetit të sportit. / KultPlus.com
Xhudistja kosovare Nora Gjakova ka arritur të zë vendin e dytë, duke siguruar kështu medaljen e argjendt në Grand Slam të Abu Dabit, raporton KultPlus.
Ajo nuk arriti ta mposht kundërshtaren koreane, Huh Mimi. Mimi e mposhti Gjakovën me Waza-Ari.
Kujtojmë se Gjakova në gjysmëfinale mposhti xhudisten gjeorgjiane, Eteri Liparteliani. Ndërsa në çerekfinale mundi xhudisten serbe, Marica Perisic, brenda dy minutave.
Në raundin e parë, Gjakova mundi xhudisten nga Koreja e Jugut, Yuna Shin, ndërsa në raundin e dytë eliminoi holandezen, Pleuni Cornelisse. / KultPlus.com
Nora Gjakova ka vazhduar me performancë fantastike në Grand Slamin e Abu Dhabit.
Kampionia olimpike e mundi në çerekfinale xhudisten serbe, Marica Perisic, pasi kjo e fundit mori tri penalizime, shkruan Gazeta Express.
Kësisoj, Gjakova kualifikohet në gjysmëfinale, ndërsa aty do të përballet me gjeorgjianen, Eteri Liparteliani.
Në raundin e parë, Gjakova mundi xhudisten nga Koreja e Jugut, Yuna Shin, ndërsa në raundin e dytë eliminoi holandezen, Pleuni Cornelisse./ KultPlus.com
Kampionia olimpike në Xhudo, Nora Gjakova, është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se,” xhudistja Nora Gjakova, vajza e artë e Kosovës fitoi medaljen e artë olimpike, në kategorinë deri në 57 kilogramë duke rrëmbyer kështu medaljen e dytë të artë për Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
“Nora është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.
Në shtator pritet të shkojë në Kuvend edhe ligji që parashikon dhënien e gradës kolonel për kampionët botërorë në sporte. /KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme është njoftuar se Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kuka, ka thënë se me këtë vendim po avancohen të drejtat e sportistëve që arrijnë rezultate kulminante.
Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria Shqiptare duhet që patjetër të parasheh që punësimi të jetë praktikë edhe për trajnerët.
Postimi i plotë:
“Kampionet Olimpike do jenë me vendim të qeverisë Shqiptare bartëse të titullit të Nderit- Kolonel të Ushtrisë Shqiptare,të kuptohem Grada Nderi dhe poashtu do kenë paga Mujore! Kryeministri Shqiptar Edi Rama me këtë vendim po avancon të drejtat e sportistëve që arrijnë rezultate Kulminante! Luiza Gega dhe Briken Calja poashtu do mbajnë gradën e nderit Kolonel. Praktika e Shtetit Shqiptar është praktikë në pothuajse çdo shtet Evropian! Praktikë që jemi duke e diskutuar me Ministrin Çeku të filloj edhe në Kosovë.Patjetër që duhet kritere të veçanta e jo ndryshe! Por që është praktikë e mirë sdiskutohet aspak. Qeveria Shqiptare patjetër duhet të parasheh që punësimi të jetë praktikë edhe për trenerët! Prapë me kritere të veçanta.Spo flas për veten time aspak! Nga Shteti Shqiptar do doja vetëm Pasaportën Shqiptare sepse e kam për zemër!Krenar me Sportistët tanë Shqiptar kudo që janë Shqipëri e Kosovë …Pa komente politike ju lutem”, thuhet në postimin e Driton Kukës. /KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë:
“TRIUMFI HISTORIK I LUIZA GEGËS SI PASQYRË E MEXHELISIT TONË SOCIAL-POLITIK
Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!
Kjo s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës. Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë. Qeveria e poshtër e kishte braktisur e syrgjynosur deri në Afrikë, vajzën e shkretë të jetimores së sportit shqiptar – ndërkohë që në fakt Luiza është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës, për t’u stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.
Por shpërthimi çmendurak mori dhenë, kur kampionia e re e Europës u prit në kryeministri, për t’u nderuar siç i takonte pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar. Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi!…
Foli më shumë se njëherë kampionia me gojën e saj, për si dhe sa shumë kanë ndryshuar gjërat, si është mbështetur sporti dhe ajo vetë vitet e fundit, e qysh mbështetja financiare ia ka bërë më të lehtë rrugëtimin e saj drejt majës. Madje ajo, vajzë e rrallë, me një mirësjellje mbresëlënëse, nuk harroi të dërgonte mesazhi falenderimi nga Mynihu, kur në fakt falenderimet i takonin vetëm e vetëm asaj. Po ku kanë veshë të dëgjojnë ata që edhe Amerikën duan ta mbrojnë nga ambasadorja amerikane, jo më Luiza Gegën nga unë!
Halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik. Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme. Kur thua të vemë ndonjë rregull ligjor, se ky ortek llumi do të fundosë çdo vlerë njerzillëku e normë bashkëjetese shoqërore, duke e varrosur si qen të ngordhur, mundin e prindërve e përpjekjen e shkollës për edukimin e fëmijëve, të ngrihen e të thonë jo! Duhet veç vetërregullim, po se si e qysh do të ndodhë ky vetërregullimi nuk ta thotë dot kush! Nejse, s’është ky qëllimi i këtij shënimi të gjatë.
Sot unë dua të këmbëngul tek faktet! Pa asnjë shpresë se do të dalë kush e t’i kërkojë falje Luiza Gegës, se për falje lexuesve as bëhet fjalë. Por me bindjen që sidoqoftë, faktet u duhen atyre që kanë ende respekt për veten e për të vërtetën e mbështetur mbi fakte.
E PARA, sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë dhe në bazë të të cilit:
Për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën.
E DYTA, sot nuk ka më shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka më as harresa, për të paguar detyrimet që burojnë nga vendimi përkatës i qeverisë. Bashkëngjitur vendimi, të cilin jam i bindur që urrejtësit profesionistë të ekraneve e të portaleve, të cilët e duan me zor çdo gjë në Shqipëri sa më zi, e që edhe triumfin e Luiza Gegës e përdorën si zift për ta derdhur mbi armikun politik, nuk do ta lexojnë https://qbz.gov.al/…/024170e9-1ddf-429b-b0f6-8705f4bd33ff
E TRETA, sot nuk ka më vetëm shpërblime për rezultatet më të larta, po edhe trajtim të përhershëm për kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar si më poshtë nga Ministria e Mbrojtjes:
1.Atletja Luiza GEGA.
2. Peshëngritësi Briken CALJA.
3. Xhudistja Nora GJAKOVA.
4. Xhudistja Distria KRASNIQI.
5. Xhudisti Indrit ÇULLHAJ.
6. Atleti Ilir KËLLEZI.
7. Peshëngritësi Ilirian SULI.
E KATËRTA, sot nuk ka më ndalesë në rrugën e progresit, që nënkupton edhe përmirësime e korrigjime të vazhdueshme të punës sonë, në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi. Ministria e Mbrojtjes ka propozuar disa kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagën sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë njohjes së kontributit të sportistëve në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare.
Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:
1. Luiza GEGA – “Kolonel”
2. Briken CALJA – “Kolonel”
3. Nora GJAKOVA – “Kolonel”
4. Distria KRASNIQI – “Kolonel”
DHE E FUNDIT, kur flitet për sportin të gjithë jemi në borxh, me këtë vend dhe rininë e këtij vendi, por ama kur flitet me fakte për mbështetjen për sportin, nuk ka asnjë krahasim të imagjinueshëm, se të mundshëm jo e jo, mes këtyre viteve të qeverisë sonë dhe të gjitha viteve të tjera bashkë. Pa ekzagjerim, as dita me natën nuk dallojnë kaq shumë sa këto dy periudha për sportin. Natyrisht do të kishim dashur të bënim më shumë më shpejt, por kur kujtoj se nga jemi nisur, them lavdi Zotit që ia kemi dalë të bëjmë sa kemi bërë. Ndërkohë që patjetër, padiskutim, edhe në sport dallimi mes ku jemi dhe ku duhet e duam të jemi është ende shumë i madh.
Si përfundim, jam i bindur që as tërë këto fakte nuk do të hedhin dot dritë mbi shpirtrat katran, ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip. Por s’kemi ç’bëjmë tjetër përveçse të marrim shembull nga Luiza Gega:
Të vrapojmë më shpejt”, thuhet në postimin e Ramës. /KultPlus.com
Ekipi i xhudos i kthehet Evropianit, ku vitin e kaluar fitoi tri medalje.
Ekipi i xhudos do t’i kthehet Kampionatit Evropian, ku prej nesër e deri më 1 maj do të mbahet në Sofia të Bullgarisë.
Në Evropianin e fundit, të mbajtur në Lisbon të Portugalisë, ekipi i xhudos fitoi tri medalje, dy të arta dhe një të bronztë, me ç’rast e mbylli kampionatin në vendin e parë për nga numri i medaljeve të arta.
Këtë herë, ekipi do të përbëhet nga dy kampionët e Evropës nga viti i kaluar, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, si dhe Flaka Loxha e Laura Fazliu.
Kampionia olimpike, Krasniqi, garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Gjakova në -73 kg, Loxha në -57 dhe Fazliu në -63 kg.
Kampionia olimpike, Nora Gjakova dhe medalistja e bronztë e botës 2019, Loriana Kuka, do të mungojnë shkaku i lëndimeve.
Distria dhe Flaka garojnë nesër, ndërsa Laura e Akili të shtunën. /KultPlus.com
KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
Në vazhdim, KultPlus ua sjell xhudisten kosovare, Nora Gajkova e cila ka fituar medaljen e artë olimpike, pasi e mposhti Sarah Leoine Cysiquen në finale, duke ia siguruar Kosovën medaljen e tretë të artë olimpike në historinë e saj.
Nora pati triumfuar ndaj francezes në finale e kategorisë deri në 57 kilogramë, duke e fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.
Triumfi i 28-vjeçares nënkuptoi se Kosova i ka fituar tashmë dy medalje të arta në Tokio 2020 dhe tri të arta në historinë e saj në Lojëra Olimpike, që të rija në xhudo.
Është një histori olimpike për sportin kosovar që po shkruhet nga vashat, sepse pas medaljes së parë olimpike në historinë e Kosovës të fituar nga Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Rio 2016, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i ndoqën hapat e saj në Japoni. / KultPlus.com
Driton Kuka ka bërë një përshkrim të karrierës së xhudistes, Nora Gjakova, e cila vitin e kaluar është shpallur kampione e botës në Tokio, shkruan KultPlus.
Nora Gjakova e ka filluar karrierën në vitin 2002, e fillon tregimi Kuka, duke treguar se për plotë 19 vite punoi me përkushtim dhe në fund u kurorëzua edhe kampione.
“Nuk kishte medalje botërore as olimpike deri në vitin 2021, por pandemia sikur ia rriti përkushtimit drejt cakut”, thotë Kuka në postimin e tij, të cilin mund ta lexoni më poshtë:
“Për një ditë të mirë … Nora Gjakova E nisi xhudon diku 2002 e qëndrueshme drejt qëllimit të saj! Plot 19 vjet punoj me përkushtim! Skishte medalje Botërore as Olimpike deri 2021 … Por pandemia sikur ja rriti përkushtimin drejt cakut! Punoj shumë këto vitet e fundit dhe në Budapest qershor 2021 fitoj medaljen e saj të parë Botërore,por ishte e qetë pas fitores së medaljes në Botëror,pa emocione! Kishte qëllim në kokën e saj donte medaljen Olimpike. Dhe në Lojëra Olimpike kulmoj me formën e saj,ashtu ishte vizatuar rruga e formës dhe ashtu ndodhi fitoj titullin më të madh që mund të fitohet të Artën Olimpike! Pas Majlindes,Distrias erdh edhe e Arta e Nores! Tri Copa të arta Për Kosovën nga xhudo”, shkruan trajneri.
Sporti i xhudos një “brend i shtetit tonë të ri” është përshkrimi që ia bën njëri ndër trajnerët më të sukesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka. /KultPlus.com
Disa njerëz veçohen në shoqëri se janë të lindur për të qenë të suksesshëm dhe si të tillë, me gjithë atë presion mbi supe, rezultojnë të arrijnë majat e botës dhe rrjedhimisht të bëjnë krenar një popull të tërë, shkruan KultPlus.
Rast i tillë është edhe ai i Kampiones Olimpike, Distria Krasniqi, e cila ka punuar me sportin e xhudos që kur ishte një fëmijë i vogël.
Me këmbënguljen e madhe të vëllait të saj, Krasniqi filloi që të merrej me sportin e xhudos, duke mos menduar asnjëherë që një ditë do të bëhej më e mira e botës.
“Kur vëllai im ka këmbëngulë që unë me u marrë me këtë sport, më ka njoftuar se ka shumë vajza që kanë filluar xhudon, dhe realisht unë fillova duke e marrë fillimisht si lojë, me njohjen e shoqeve të reja, por me kalimin e kohës e kam pa se është një diçka më shumë se lojë dhe kam vazhduar me u marrë seriozisht me të”, thotë Krasniqi në një intervistë për KultPlus.
Puna e jashtëzakonshme ekipore dhe vullneti i madh i trajnerit Driton Kuka për të nxjerrë kampionë nga vendi më i ri në kontinentin e vjetër, rezultoi të ishte aq i suksesshëm edhe pse dukej e pamundur në fillim.
Takimi i parë me Tonin dhe njohja me të filloi shumë më herët përpara se Krasniqi të merrej me këtë sport.
“Toni ka qenë mik me babin tim edhe para se të filloja xhudon. Ai ka insistuar që vëllai të fillojë me xhudo dhe pastaj edhe unë, por njohja me të ka filluar përpara se të merrem me xhudo”, e shpjegon 26 vjeçarja.
Edhe pse e angazhuar me shkollën, kjo e fundit nuk e pengoi asnjëherë që të angazhohej në të gjitha aktivitetet e xhudos që ka zhvilluar ndër vite Krasniqi.
“Xhudo nuk është se ka pasur një ndikim shumë të madh në jetën time të shkollës, mirëpo gjatë shkollës së mesme në klasën e 12-të kam pasur udhëtime të shumta dhe profesorët dhe shkollat kanë pasur tolerancë ndaj meje edhe ndaj gjithë xhudistëve tjerë”, thotë tutje ajo.
Suksesi për të kishte ardhur më vonë, derisa Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kishin shënuar të parat suksese mbarëkombëtare për të ngritur në piedestalet më të larta të botës emrin e Kosovës.
“Unë jam ma e re se Nora dhe Majlinda, dhe natyrisht që këto kanë pasur rezultate përpara meje. Pas këtyre kam ardhë unë, dhe çdo herë kur këto dyja janë lënduar mund të them se e kam nxjerrë ekipin nga momenti. Gjithmonë e kam dëshmuar vetën kur më është dhënë mundësia, por padyshim që mbështetja e Tonit ka qenë e vazhdueshme dhe unë gëzohem që në fund ia kam vërtetu ato se çfarë ka deklaruar”, shprehet xhudistja.
Gjatë kalimit të viteve dhe përmirësimit të jashtëzakonshëm që kishte shënuar Kosova, trajneri, Driton Kuka shprehej i gatshëm që të dhuronte një kampione për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatet Evropiane dhe Lojërat Olimpike.
“Unë kam qenë shumë e re në moshën kur Toni ka deklaruar se është i gatshëm që t’ia japë një kampione olimpike për përfaqësim shtetit të Shqipërisë, por prapë unë do të kisha pasë dëshirë që ta përfaqësoja Shqipërinë edhe Kosovën. Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte njëjtë”, thotë Krasniqi, duke dëshmuar se lidhja e madhe që kemi me Shqipërinë vazhdon të burojë gjithmonë në trupin tonë.
Vështirësitë e jashtëzakonshme nëpër të cilat Kosova ka kaluar ndër vite, kanë ndikuar patjetërsisht në zhvillimet e të gjitha sferave.
“Është shumë e vështirë, infrastruktura dhe gjitha gjërat që i kanë shtetet tjera ne nuk i kemi, ata kanë miliona xhudistë dhe e kanë më të lehtë që të bëjnë nxjerrjen e numrave të xhudistëve, ne kemi 20 ose një numër të ngjashëm. Mendoj që më e vështirë është që të jesh trajner sesa xhudist. Toni shpesh herë ka qenë edhe një doktor, edhe një psikolog edhe ka bërë punë shumë të tjera. Një gjë të tillë nuk e kanë vendet e tjera, pasi 5 trajnerë kryejnë punë të ndryshme”, tregon ajo, duke veçuar edhe një herë tjetër punën e madhe që bën trajner Kuka.
E pyetur mbi pjesën e të ardhmes së Kosovës dhe gjeneratave të reja që po vijnë, ajo shpreson se Majlinda mund t’i afrohet sukseseve të trajnerit më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova.
“Shpresoj që do të kemi sukses edhe në të ardhmen. Gjeneratat e reja janë duke ardhur tani dhe duken të jenë shumë të suksesshëm. Unë shpresoj që do të dalin edhe trajnerë të ndryshëm sikurse Toni, besoj shumë që Majlinda do t’i afrohet shumë sukseseve të Tonit”.
Medaljet e pafundme në Grand Slam-et dhe Grand Prix-et e zhvilluara, Krasniqi i konsideron vetëm teste për të parë se sa e përgatitur është ajo në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Evropiane.
“Të jesh kampione olimpike është një ndjenjë shumë e mirë. Të shohësh veten pas testimeve të ndryshme që ndodhin dhe të arrish rezultate është diçka e madhe. Grand Slam dhe Grand Prix për mua janë si teste ose mësime që të përmirësoj gabimet e mia, që të jem super e gatshme për garat e mëdha siç janë Kampionet Evropiane dhe Lojërat Olimpike. Kur fiton në këto gara e sheh se je në formë të mirë, sidomos është një gëzim i madh kur e sheh edhe emocionet e popullit të Kosovës”, thotë kampionja e Kosovës.
“Sakrifikimi” për të mos marrë pjesë fare në Lojërat Olimpike dhe ta lë gjithë fatin e Kosovës dhe shpresat në duart e Majlindës, në fund rezultuan të sakta.
“Arsyeja kryesore e mungesës sime në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ka qenë për arsye se në këto gara një xhudist përfaqëson vetëm një kategori. Atëherë ka qenë Majlinda duke marrë pjesë, edhe pse unë e kam pasur normën olimpike të siguruar, por nuk mund të merrnim pjesë dy xhudistë në një kategori”.
Suksesi i madh i xhudistëve nëpër gara të ndryshme, shpesh herë rezultoi që në fund të garave të ketë një finale kosovare, e me ç‘rast Kelmendi dhe Distria janë përballur dy herë kundër njëra tjetrës në finale të garave.
“Kemi qenë dy herë së bashku në finale, Lisbonë dhe Budapest, ka qenë gjithmonë e vështirë me u përballë me të. Nuk kemi se çfarë të flasim për të, i ka arritë të gjitha. Gjithmonë ka qenë e vështirë me u mposhtë. Unë besoj që kur Majlinda ka qenë në formë të mirë, ajo ka qenë 20 për qind më e fortë se të gjithë kundërshtaret e saj”, – e përsëritë edhe një herë 26 vjeçarja, e cila tregon modestinë e saj të madhe.
Të punosh me dikë dhe ta njohësh atë që nga fëmijëria mund edhe të nxisë inate mes vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në kampin ku Toni ka qenë trajner.
“Nuk është vështirë me punu bashkë, ne jemi rritur të gjithë bashkë dhe kemi kaluar më shumë se 20 vite së bashku. Kalojmë më shumë kohë së bashku sesa me familjen ndoshta. Jemi mësuar me njëri-tjetrin dhe nuk punojmë vetëm për vete, i njohim kundërshtarët e secilit dhe e ndihmojnë për gjithçka njëri-tjetrin”.
Kosova në Lojërat e fundit Olimpike, pra ‘Tokio 2022’, u rendit si vendi më i suksesshëm në botë pas Japonisë në xhudo, e për këtë tregojnë më së miri kundërshtarët e xhudistëve nga Kosova.
“Gjithmonë në xhudo, kundërshtarët më të vështirë janë nga Japonia, ata e kanë sportin kryesor xhudon dhe synojnë gjithnjë medaljen e artë. Japonezet kanë qenë kundërshtarët më të vështira, sidomos në Lojërat Olimpike.”
Në garat e zhvilluara në Masters të Kinës, Krasniqi arriti që të fitojë të gjitha duelet në më pak se 30 sekonda, duke vendosur kështu një rekord.
“Kam qenë e përgatitur në gara, por në sport varet shumë në qoftë se është “dita jote”. Mundesh me qenë në disponim të madh, por gjithçka mundet me ra poshtë në qoftë se nuk është dita jote. Në një garë të cilën e kam zhvilluar në Masters në Kinë, ka qenë momenti kur asnjë luftë nuk më ka zgjatë më shumë se 30 sekonda, e këtu pikërisht është pjesa e një dite të mirë”, shpjegon tutje ajo.
Pjesa më e vështirë dhe më problematike në sport janë padyshim lëndimet, të cilat mund të ndikojnë që shpesh herë edhe të tërhiqeni nga sporti, megjithatë një fat i tillë nuk e ka ndjekur aspak Krasniqin.
“Lëndime kam pasur në gjurin e majtë por nuk kam pasur ndërhyrje kirurgjike. Kam pushuar vetëm pak dhe përsëri jam rikthyer e gatshme. Shpresoj që mos t’i kem këto lëndime”.
Pjesa që e bën një popull më së shumti krenar, është atëherë kur flamuri ngritet në vende të zhvilluara dhe të njohura të botës. Për Kosovën, një gjë e tillë është më ndryshe, kjo për faktin se disa vende ku zhvillohen gara të rëndësishme, nuk e njohin shtetin më të ri në Evropë dhe rrjedhimisht ngritja e flamurit në këto vende shpreh një krenari më të madhe.
“Në vende të cilat nuk na kanë pranuar ende, është një ndjenjë e veçantë. Në një moment në Spanjë është diskutuar shumë në qoftë se duhet të ngritet flamuri ynë apo jo, po ka qenë një ndjenjë e mirë që e kam marrë medaljen e artë dhe në fund e kemi ngritur Kosovën. Kemi pasur momente të tjera kur Majlinda e Nora kanë shënuar suksese edhe në Rusi e vende të tjera”.
Një pjesë të veçantë dhe padyshim një mësim për të gjithë njerëzit, Krasniqi e ndau me të gjithë, duke treguar se sa shumë ndikojnë rrjetet sociale dhe komentimi nëpër të ashtuquajtura “dështime” te të gjithë sportistët. Fakti që Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe shumë sportistë të tjerë qëndrojnë larg rrjeteve sociale është pikërisht për faktin se komentet negative mund të dërgojnë edhe deri në “depresion”.
“Rrjetet sociale dhe largësia ndaj tyre. Nuk i përdorim shumë rrjetet sociale, i kemi pasur kur kemi qenë më të reja por ka ndodhë një rast kur Majlinda ka humbë në Lojërat Olimpike në Londër, dhe pothuajse shumica e popullit kanë dhënë komente negative dhe sharje të ndryshme. Kjo gjë ka ndikuar shumë tek ajo, e pothuajse Majlinda ka rënë në depresion. Kemi shembuj edhe nga xhudistë të tjerë nga vende të ndryshme të cilat nuk i përdorin gjithashtu rrjetet sociale, kjo pasi ndikon shumë tek ne dhe puna jonë. Kur humbim edhe nuk kemi performancë të mirë, vijnë shumë komente negative, për këtë jemi distancuar tani për tani”.
Kur bëhet fjalë për komplimentin më të mirë që Krasniqi ka pranuar ndonjëherë, kishte të bënte gjithmonë me pjesën që ajo ishte më e mira në botë.
“Kam marrë shumë komplimente, por më së shumti më pëlqente kur thoshin që jam xhudistja më e mirë në botë, edhe pse tani e kam marrë edhe këtë çmim. Ka qenë ndjenjë e veçantë kur trajnerët dhe xhudistët e shteteve tjera kanë thënë se jam më e mira dhe patjetër që e kam konsideruar gjithnjë si një motivim shtesë”.
Prindërit, si shtylla kryesore e shtëpisë, ndikojnë detyrimisht në zhvillimin tënd dhe sigurisht edhe në jetën tënde profesionale. Mbështetja e vazhdueshme e tyre ka rezultuar që në fund të nxjerrin një kampione të artë olimpike.
“Ndoshta edhe në momentet e mia më të vështira kur kam menduar se duhet me u tërheqë nga xhudo, janë mbështetësit e mi kryesorë, prindërit, që gjithmonë më kanë mbështetur. Çdo herë më kanë mbështetur për të vazhduar përpara, edhe kur nuk jam ndjerë mirë. Janë shtysa ime më e madhe”.
Ëndrra më e madhe e Krasniqit është që të rijetësojë edhe një herë tjetër sukseset që i ka arritur deri më sot.
Ndërkaq, kur bëhet fjalë për mesazhin e saj te të rinjtë, Krasniqi shprehet se nuk duhet të dorëzohen asnjëherë.
“Vetëm me vazhdu me punu. Nuk ka lidhje nëse humb shpesh ose nëse je i ri. Vetëm nëse nuk ndalesh dhe punon me seriozitet gjithmonë ka me t’u shpërbly puna që e ke bërë”.
Kosova mund të jetë një vend shumë i vogël dhe jo shumë i zhvilluar në aspektin ekonomik, megjithatë kur bëhet fjalë për kampione olimpike dhe sukses në gara ndërkombëtare, atëherë sporti i xhudos mund të “kollitet” dhe patjetër që të dëshmojë se Kosova është një fuqi e gjithashtu edhe një prodhuese e kampioneve olimpike. Sukseset e Majlindës, Norës dhe Krasniqit kanë bërë krenar një popull të tërë, e ndërkohë e ardhmja po duket të jetë me optimizëm e shpresë të madhe. /KultPlus.com
E lindur në Pejë, Nora Gjakova është një prej emrave që po bën histori në sportin e xhudos në Kosovë duke shënuar suksese të mëdha nëpër botë.
Në moshën 10-vjeçare ajo dhe vëllai i saj u bënë pjesë e klubit të xhudos, e po të njëjtit klub ku ushtrojnë edhe tani. E ai që i shtyri që të inkuadrohen në këtë sport, ishte babai i tyre, i cili më herët është marrë me sporte luftarake, përkatësisht me karate.
E për një 10-vjeçare e cila është dashur ta balancojë jetën e saj mes xhudos dhe shkollës, xhudistja Gjakova thotë se fillimi ishte i vështirë edhe duke e ditur faktin se ky sport kërkon shumë disiplinë, punë dhe përkushtim.
“Fillimi ka qenë goxha i vështirë sepse kur kam ardhë unë, këtu ka pasë vajza që kishin fillu më heret me u marrë me xhudo, e normal që është një sport luftarak e ku është dashtë me u ndeshë me to. E dihet që askush nuk ka dëshirë me humb e sidomos kur je fëmijë, por mendoj që kjo më ka bërë më të fortë sepse gjatë gjithë kohës është deshtë me u mundu më tepër për me i mbërri ato, e në anën tjetër ka qenë edhe e vështirë me i ndjek stërvitjet sepse nuk kemi guxu asnjëherë të bëjmë mungesa. Me një mungesë, Dritoni na thoshte që s’kemi përgatitje, s’kemi gara. Domethënë qysh në fillmin ne ju kemi nënshtru një disipline 100 për qind pavarësisht pse kemi qenë fëmijë.”- thotë Gjakova.
Në vitin 2021, në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi ia siguruan Kosovës dy medalje të arta olimpike. E pavarësisht punës disa-vjeçare e triumfit në shumë gara të rëndësishme evropiane, Gjakova thotë se asnjëherë nuk e ka imagjinuar se do të marrë pjesë e do të arrijë një sukses kaq të madh në Lojërat Olimpike, duke marrë parasysh faktin që Kosova nuk ka qenë e anëtarësuar në shumë organizata sportive.
“Gjithçka ka shku me kohë, t’u fitu diçka ma të vogël e t’u kërku ma shumë. T’u e sfidu veten edhe kemi mbërri në këtë nivel.” – shton më tutje ajo.
Xhudistja Gjakova ka komentuar paraqitjen e gjithë ekipit në këto lojëra, duke e konsideruar si një paraqitje shumë të mirë, ku të gjithë përfaqësuesit e Kosovës kanë qenë pretendentë për medalje dhe kanë punuar me atë frymë duke e ndihmuar njëri-tjetrin.
“Kemi qenë të gjithë të përgatitur dhe nuk do të ishte çudi nëse secili ishim bërë kampion olimpik, kjo u tregua edhe në këto Lojëra Olimpike. Në përfundim, dy medalje të arta olimpike është diçka që ka me mbetë gjatë në histori dhe shpresoj shumë që ta rrisim këtë numër.”- shton ajo.
Ashtu sikurse kanë thënë më parë Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e sportistë të tjerë, edhe Nora Gjakova suksesin e saj ia atribuon trajnerit Driton Kuka i cili së fundi edhe është shpallur trajneri më i mirë në botë për vitin 2021 në sportin e xhudos.
“Sa herë shkojmë në shtete të tjera, na e kanë lakmi për mënyrën se si ushtrojmë na, mënyrën qysh ne kemi bashkëpunim me Tonin edhe jam shumë e lumtur që edhe zyrtarisht ai është tash trajneri më i mirë në botë.” – vazhdon Gjakova.
Po ashtu, për KultPlus, Nora Gjakova ndan momentin më emocionues për të, atë kur mori medaljen e artë në Lojërat Olimpike.
”Ka qenë një moment shumë i lumtur, momenti kur jam shpallë kampione olimpike, kurse kur jam ngjitur në podium ka qenë një prej momenteve që më ka bërë të ndihem më krenare se kurrë më parë, sepse gjithmonë të kujtohen të gjitha sfidat që i ke kalu edhe gëzohesh qe ke qëndru kaq e fortë dhe ke mbërri deri këtu pavarësisht se është diçka që nganjëherë edhe frikësohesh edhe me ëndërru, por unë kam punu shumë për atë medalje dhe jam shumë e lumtur që e kam shiju atë moment.” – thotë Gjakova, e cila e konsideron ktë fitore si më të rëndësishmen në karrierën e saj.
E me synimin që të shënojë suksese si në ‘Tokio 2020’, Nora Gjakova thotë se do të vazhdojë karrierën e saj edhe për një cikël olimpik.
“Mendoj të marr pjesë edhe në Lojërat Olimpike në Paris, ndërkohë kemi me pasë edhe gara të tjera, kampionate evropiane e botërore, por qëllimi kryesor do të jenë Lojërat Olimpike në Paris. Kam dëshirë me e fitu edhe një medalje për Kosovën. Këto kanë me qenë edhe lojërat e fundit për mu.” – deklaron Gjakova për KultPlus.
Për të përmbyllur këtë vit në mënyrën më të mirë të mundshme, Federata Botërore e Xhudos, renditi Nora Gjakovën të parën në ranglistën e garuesve për vitin 2021, në kategorinë nën 57 kilogramë.
“Është një ndjenjë shumë e mirë, si e pashë lajmin u gëzova shumë sepse gjithmonë kam qenë aty e dyta apo e treta. Por e para me qenë në ranglistë është kënaqësi e madhe” – theksoi Gjakova duke shtuar se për të ky vit ka qenë i papërsëritshëm, ku i fitoi krejt ato çka një sportist mund t’i fitojë, si medalje në kampionatet evropiane, ashtu edhe të botës dhe medalje olimpike.
Ndërkaq, në pyetjen se a i inkurajojnë të tjerët e sidomos vajzat të inkuadrohen në këtë sport, Gjakova thotë se nëse ekziston vullneti për me arritë rezultat, atëherë në sportin e xhudos, dyert janë të hapura, e gjitha mbetet tek individët edhe pse sipas saj rruga është e vështirë, kërkon shumë përkushtim, sakrifica të mëdhaja, mirëpo nëse dëshiron me i arrit majat, atëherë duhet sakrificë e madhe.
E përgjatë gjithë këtij rrugëtimi, Nora Gjakova dhe xhudistet e tjera patën një mbështetje të madhe nga publiku shqiptar, i cili iu gëzua çdo arritjeje të tyre. E kjo mbështetje, Gjakova thotë se i jep më shumë vlerë suksesit, u jep motivim për të punuar më shumë e për të pasur gjithmonë paraqitje të mira./KultPlus.com
KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.
Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2022.
Arona Zyberi, Zgjim Terziqi, Ferit Zekolli, Memli Kelmendi, Nora Gjakova, Doresa Rexha, Edi Shukriu, Distria Krasniqi, Yllka Gashi, Saranda Bogujevci, Hajrulla Çeku, Kaltrina Krasniqi, Dori Basha e Gzim Gashi vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.
Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.