Roli i gruas në letërsi ka qenë gjithmonë një temë e rëndësishme një zë që sfidon normat dhe stereotipet shoqërore. Poezia si një formë arti që të prekë thellë përmes fjalëve ka shërbyer si një mjet për ta bërë të dukshëm dhe të dëgjueshëm zërin e gruas, qoftë si varg, si figurë apo si art.
Shkruan: Eljesa Misini
Për me qenë grua e me dashtë si grua, me u zgju si grua, me puthë si grua, nuk mjafton për të qenë grua, sepse nuk është mjaftueshëm vetëm të ekzistosh duhet të jetosh dhe të luftosh çdo ditë për të shprehur dhe jetuar rolin tënd. Ky është edhe thelbi i librit të Nora Prekazit, një përmbledhje poezish që flet me zërin e vet, duke krijuar hapësirën ku çdo ndjenjë dhe çdo pasion ka një vend të vetin. Prekazi refuzon të shoh botën vetëm me dy ngjyra, prandaj ajo e ndërton botën e saj në këtë përmbledhje. Përmes poezisë së saj, ajo na tregon se jeta është më shumë se e bardha dhe e zeza, se çdo ngjyrë është e vlefshme dhe ka një histori të vetën.
Vepra poetike “Amë” e Nora Prekazit është nje rrugëtim shpirtëror i autorës përmes tre cikleve poetike: “E hirtë”, “E bardhë” dhe “E kaltërt”. Secili cikël përfaqëson një fazë të ndryshme të jetës duke e shndërruar librin në një reflektim të thellë mbi përvojën njerëzore, identitetin dhe ndjenjat e një gruaje që përballët me sfidat e jetës. Poezitë paraqiten nga rinia në vazhdimin e saj të pjekurisë e deri tek përvoja e të qenurit një nënë. Ngjyrat na dalin si simbolikë që përfaqësojnë ndjenjën shpirtërore të autorës, në të cilën e ndjekim nëpër poezitë e saj, ajo përdor metafora të fuqishme dhe imazhe poetike që nuk mbeten vetëm brenda përvojës personale por që lidhen me çdo lexues që ka ndjerë ndonjëherë peshën e ndryshimeve.
Cikli i parë “E hirtë” përmban 19 poezi ku autorja përballët me dy anët e vetës, njëra e mbushur me dritë dhe ngjyra, tjetra e mbuluar me retë gri të pasigurisë dhe dyshimit. Përmes këtij kontrasti, Prekazi shpreh botëkuptimin e ndjenjave dhe dëshirën për ta parë botën ndryshe. Në këtë cikël ndjehet një lloj përplasjeje mes ëndrrave dhe realitetit. Poezitë duken si pasqyrime të një vetëreflektimi të thellë ku autorja gjendet mes dy botëve atë të së shkuarës dhe të së tashmes. E hirtë nuk është thjeshtë një ngjyrë por një gjendje shpirtërore një mes i pasigurt mes dritës së bardhë dhe errësirës. Një motiv i rëndësishëm në këtë cikël është prania e shishes së birrës, e cila shfaqet si një mjet që e drejton autorën drejt një të vërtete të caktuar. Ajo e lidh këtë element me mënyrën se si e përcepton botën vetëm përmes saj arrin të shoh ndryshe, por ky ndryshim kërkon një varësi të vazhdueshme pasi duhen plotë shishe të zbrazura për të mbërritur në atë gjendje. Megjithatë kur gota mbetet bosh ajo nuk mund të thotë më asnjë fjalë sepse boshllëku i saj bëhet edhe me i thellë. Një nga poezitë e saj “Pse pi” nuk paraqitet si një pyetje drejtuar lexuesit, pasi mungon shenja e pikëpyetjes. Kjo na tregon se autorja nuk kërkon një përgjigje, por thjeshtë shpalos arsyjen e saj të vërtetë pse pi. Konfilikti i autorës ndodhet mes dëshirës për qetësi dhe ëndrrave të parealizuara. Prekazi kërkon një armëpushim me mendimet e saj dhe ne si lexues e ndjejmë peshën e kësaj lufte të brendshme. Ajo dëshiron që qoftë edhe për disa çaste, të mund të ëndrronte për qenien e saj pa u ndikuar nga hijet dhe errësira që e rrethojnë. Prekazi nuk dëshiron të mbetet peng e ndjenjave të zymta por kërkon një rrugëdalje duke u përballuar. Pas gjithë këtyre ndjenjave Prekazi me një gjuhë të fortë iu drejtohet lexuesve për ndjenjat e frikës, lirisë sepse ajo tashmë e ka përqafuar një mënyrë të re të jetuarit dhe ka kaluar në këto faza prandaj këto ndrojtje i sheh si diçka të panevojshme;
“Hiqi perdet që mbulojnë qenien tënde të vërtetë,
Largoji zërat bezdisës nga koka…”
Autorja na sygjeron që të lirohemi nga frika, komplekset apo edhe normat shoqërore që na mbajnë të lidhur. Sepse këto perde simbolizojnë mashtrimin, shtirjet apo edhe kufizimet tona;
“Shkurajohem duke parë
Se si shëmtohet bukuria jote mishtore,
Nga kerkimi absurd!”
Me këto vargje autorja shpreh zhgënjimin e saj ndaj dikujt që vrapon pas diçkaje absurde, ndërkohë që kjo e shkatërron bukurinë e saj të vërtetë, një bukuri që po venitet për shkak të një përpjekje të kotë. Ajo flet për ndarjen mes instiktit dhe mendjes së kufizuar nga dyshimet duke paraqitur këtë luftë si diçka që ose e kapërcen ose mbetesh i humbur.
Në poezinë e fundit të ciklit “Përballë të hirtës” na simbolizon trishtimin, një gjendje të lodhur që mundohet të largohet. Ecja e saj përfaqëson një lloj vazhdimësie një përpjekje për të ecur përpara pavaresisht realitetit. Dhe pyetja që Prekazi bën: A thua si do të ishte, po t’i njihnim yjet bashkë? Na sjell një lidhje mes realitetit të zymtë dhe mundësisë së një bote tjetër.
Në ciklin “E bardhë” përmban 9 poezi dhe ashtu sikurse edhe nuanca e bardhë që përfaqëson paqen, mirësinë, dashurinë kështu i presim edhe 9 poezitë. Një ndryshim nga cikli i parë është se nuk kemi më atë errësirën, dhimbjen por mbizotëron bardhësia dhe dashuria. Ashtu siç edhe e fillon poezinë e parë të titulluar “E bardhë” që është një reflektim i fuqishëm mbi dashurinë dhe dëshirën për arratisje nga realiteti, për të krijuar një botë të përbashkët që nuk është e përcaktuar nga shoqëria por ndërtohet nga vete individi;
“Hajde i dashur, ma jep dorën
Po e gjejmë një skutë në vijën në mes pikave
Vezulluese në qiell,
Sa më larg atyre pseudourbane…”
Është qielli dhe yjet që përfaqësojnë hapësirën e lirë të paprekur nga bota materiale, një thirrje për të shpërfillur normat dhe rregullat e imponuar nga të tjerët, sepse kuptimi i jetës është diçka që ndërtohet personalisht dhe jo të pranohet si i dhënë. Kështu si fillon cikli kështu edhe përfundon me poezinë e titulluar “Bardhësi” teksa autorja përshkruan veshjen e saj me të bardhë, ëmbëlsirën e bardhë me lule dhe lulet e saj në duar gjithçka është e bardhë sëbashku edhe me personin që ajo e përjeton paqen e vërtetë.
Cikli “E kaltër” përmban 50 poezi që janë të mbuluar me ngjyrën e qiellit. Prekazi këtu na sjell ndjenjën e fortë të nënës për fëmijët e saj. Përdorimi i ngjyrës së kaltër është simbolikë për djalin e saj, për shkak se ngjyra e kaltër shpesh lidhet me gjinin mashkullore ashtu si e paraqet Prekazi në poezinë e saj të parë “E kaltërta” ku çdo gjë është e mbuluar me këtë ngjyrë, e kaltër quhet faza e maslindjes që mbizotron mbi qenien time, kjo e kaltërt gjithashtu përfaqëson dashurinë dhe lidhjen shpirtërore. Ajo na paraqet ndjenjat e nënës, duke krijuar një dimension të thellë të dashurisë dhe përkushtimit. Përveç kësaj ajo shpreh brengat, dhimbjet dhe shpresat për një të ardhme për fëmijët e saj. Mbi të gjitha është një përshkrim i një lidhje që është si qielli, e gjerë dhe e pastër, por edhe i mbushur me ngjyra të ndryshme të jetës. Në poezinë e saj “Be” shpreh dëshirën e thellë për të ndihmuar në momentet më të errëta, që si çdo nënë që bën sakrificën e saj edhe pse mundësitë për të bërë një ndryshim konkret duket e pamundur;
“Me pasë mundësi
yjet i kisha ndukë
për me i ndezë
së bashku veç
me ia kthy
shkëndijen…”
Yjet shërbejnë si një simbol i dritës, shpresës dhe ndriçimit shpirtëror. Teksa autorja dëshiron t’i jap forcë dhe shkëlqim personit tjetër, duke e ndihmuar të dalë nga errësira emocionale në të cilën ndodhet. Dy nga poezitë e fuqishme në këtë cikël është poezia “Me qenë grua” dhe “Amë” në të parën përshkruan gruan në të gjithë kompleksitetin e saj, një gruan që kërkon, eksploron, dashuronë dhe sfidon botën pa frikë. Një motiv që bie në sy është lidhja me natyrën, me tokën, detin, yjet dhe diellin. Këmbët që shpesh i trajtoj me lloj-lloj kripërash të detrave të largëta përfaqësojnë një përvojë të kaluar, ndoshta edhe një dhimbje të larë në ujërat e largëta. Përsëritja e vargut që bënë për me qenë grua është një ritëm i qëllimshëm, një përforcim i vazhdueshëm i identitetit. Ajo nuk është thjesht një grua që ekziston, por një grua që po afirmon vetën në të gjitha aspektet e jetës, ajo zgjohet si grua, flet si grua, dashuronë si grua, lufton si grua. Çdo veprim është një deklaratë fuqie që nuk mund të kufizohet nga pritshmëritë e të tjerëve. Dhe në poezinë e fundit “Amë” përshkruan rolin e amësisë jo si një detyrë të kufizuar në marrëdhënien nënë-fëmijë por si një përvojë të gjithanshme që përfshijnë kujdesin sakrificën. Amësia pra lidhet me çdo pjesë të qenies së saj, mendimet, ndjenjat, ëndrrat;
“Jam amë
E lindur biologjikisht për t’u riprodhuar
E mësuar të jem në gatishmëri…”
Me nje ironi ajo pranon se shoqëria e sheh gruan si një qenie që duhet të riprodhojë. Sjell një përballje të idesë së gruas që ajo duhet të jetë gjithmonë e gatshme për tu kujdesur, për të shërbyer dhe të jetë për të tjerët. Në tërësi, “Amë” është poezi me një reflektim mbi barrën që gratë mbajnë, që refuzon të pajtohet me kornizat e ngushta të shoqërisë dhe shpall me zë të lartë të drejtën e gruas për të qenë më shumë se thjesht ajo që bota kërkon prej saj.
Nëpërmjet cikleve të ndryshme, Prekazi shpalos përjetime dhe reflektime të thella mbi jetën e saj si grua dhe nënë, duke e bërë lexuesin të kuptojë peshën dhe bukurinë e këtij roli. Prekazi fton lexuesit të përballen me kompleksitetin e qenies njerëzore dhe të kuptojnë se përtej çdo kategorie çdokush është një individ me botën dhe përvojat e veta të veçanta./KultPlus.com