Idetë nacionaliste të popujve të ndryshëm shumë shpesh kanë rezultuar me një jetë problematike në relacionet e ndërsjella. Mirëpo, ajo që gjithmonë ka qenë pikëtakim i palëve ka qenë arti, duke bërë që qëllimet, gjuhët dhe kombet të shkrihen në frymëzime e krijime artistike.
Pikërisht kjo po bëhet edhe në qytetin e Mitrovicës, duke bashkuar Veriun dhe Jugun në shtigjet e përbashkëta të artit, specifikisht lirikën poetike të frymëzuar nga gruaja.
Këtë po e mundëson Festivali i Letërsisë ‘’Zana’’, i cili përmes edicionit të parë të organizimit që po vjen në muajin tetor, po shton vlerë kulturore në qytetin e lumit të Ibrit.
Festivali, organizator i së cilit është Fondacioni Dhemetra, përveç largimit të barrierave ndëretnike, ka mision edhe promovimin e gruas.
Ashtu siç shprehet për KultPlus organizatorja e Festivalit, nëpërmjet këtij organizimi po synojnë që përmes poezisë, grave dhe artit, të krijojnë lidhje dhe komunikim brenda komuniteteve të Mitrovicës.
‘’Festivali “Zana” për herë të parë do të sjellë komunikimin ndëretnik përmes letërsisë me fokus në poezi, ku do të reflektohet, debatohet dhe mësohet roli i gruas i portretizuar në poezinë shqipe si dhe atë serbe, të kultivuar gjatë dekadave të fundshekullit të kaluar’’, shprehet organizatorja Nora Prekazi Hoti.
Emri i këtij Festivali përveç veçantisë që ka, prapa vetes ka një kuptim të thellë. Përveç që ka qenë inspirim për shumë libra, filma e krijime artistike, ‘’Zana’’ përbrenda vetes është frymëzim, e që ka qenë i tillë edhe për këtë Festival.
Krijimtaria e autorëve shqiptarë dhe serb nga qyteti i Mitrovicës do të jetë nikoqire e Festivalit ‘‘Zana‘‘, kështu duke u shpalosur frymëzimet, mënyrën e të shkruarit dhe stilin e veçantitë e tyre.
Fahredin Gunga, Jakup Ceraja, Latif Berisha, Muhamed Kerveshi, Bedri Hysa, Valdeta Vukovic, Lazar Vuckovic, Darinka Jevric janë disa nga emrat, veprat e të cilëve do të zënë vend në edicionin e parë të këtij organizimi.
Bashkimi për promovimin ndër etnik dhe për gratë ka ardhur pikërisht nga iniciatoret, të cilat vet i takojnë të dy grupeve që po i japin vëmendje këtij festival. Organizatoret përveç që janë gra, ato janë edhe të dy etnive përbrenda këtij qyteti.
‘’Festivali i Letërsisë “Zana” në Mitrovicë, organizohet nga një grup grash nga dy anët e qytetit, që e duan fjalën e shkruar si dhe gjitha format e tjera të artit të kultivuara në qytet’’, shpjegon drejtoresha e Fondacionit Dhemetra, Nora Prekazi Hoti.
Përveç bashkimit ndëretnik, ky Festival tutje synon të shndërrohet në një mundësi të përvitshme ku do të performojnë artistë të ndryshëm nga e mbarë bota. Ndërkaq misioni i këtij viti mbetet krijimi i urave të përbashkëta për fjalën.
‘’Si qytet i urave, përmes këtij festivali do synojmë të lidhemi përmes fjalësh. Andaj, slogani kyç i këtij edicioni do jetë “Bridging the words”, tregon Nora.
Ky Festival do të nis me dy mbrëmje poetike dhe një panel diskutimi, i cili sërish do të ketë fokus gruan.
“Do të mbahet një panel diskutimi me temën “Roli i grave i portretizuar në poezitë e përzgjedhura për lexim” me panelistë: Eli Krasniqi, Sibel Halimi si dhe Aleksandar Dunderin”, thekson Hoti.
Ndërkaq vendtakimi i artistëve nuk do të mbetet vetëm letërsia, edhe artet pamore do të zënë vend në këtë Festival.
‘’Përveç kësaj është paraparë që të punohet një mural me tematikë gjinore në hapësira publike të Mitrovicës, si dhe përfundimisht do të botohet një përmbledhje me poezitë e autorëve të përzgjedhur në këtë edicion’’, shprehet organizatorja e Festivalit ‘’Zana’’.
Mirëpo, publiku kësaj radhe nuk do të ketë mundësinë të takoj fizikisht thellësinë e ambientit poetik, e as të panelit, si pasojë e Covid 19, dhe këto mbrëmje do të organizohen online.
Ky Festival i cili do të organizohet në muajin tetor dhe do të promovoj gruan në qarqe ndëretnike e letrare do të jetë një nismë e re për jetën kulturore të qytetit të Mitrovicës./KultPlus.com