Nora Weller fton gratë shqiptare me ndikim në Cambridge, për herë të parë flitet shqip

Për herë të parë, në Selwyn College në Cambridge, u fol shqip nga gratë shqiptare që kanë treguar suksese të mëdha në fusha të ndryshme, shkruan KultPlus.

Selwyn College në Cambridge është themeluar në vitin 1882 dhe kjo është hera e parë që gratë shqiptare kanë qenë pjesë e një eventi të organizuar në ambientet e këtij kolegji.

Eventi është organizuar nga Nora Weller, e cila jo shumë kohë më parë u bë edhe anëtare e shoqërisë mbretërore të arteve në Mbretërinë e Bashkuar. Duke u bërë kështu gruaja e parë nga Kosova, që është pozicionuar brenda kësaj organizatë që ekziston mbi 260 vjet.

”Eventi i djeshëm kishte dy qëllime”, tregon Weller për KultPlus. Ajo u përurua për rolin e ri brenda shoqërisë Mbretërore të Arteve, ndërsa, qëllimi i dytë i këtij eventi ishte edhe shkëmbimi profesional në mes grave profesioniste shqiptare, në Angli dhe jo vetëm.

Weller tregoi për KultPlus se të pranishme ishin gra shqiptare nga Gjeneva, Parisi, Tirana, Amerika, etj.

Në këtë event ka marrë pjesë edhe diva shqiptare me famë ndërkobëtare, Inva Mula, pastaj udhëheqësja e fondacionit ‘Bardha”, Donika Bardha, si përfaqësuese e Ambasadës së Kosovës në Londër, e pranishme ishte Arrita Gjakova, si dhe nga Gjeneva, Adelina Gashi.

Vlen të bëhet e ditur se ”Fellow of the Royal Society of Arts” është ndër organizatat më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar, anëtarët e njohur ndër shekuj kanë qenë: Benjamin Franklin, Stephen Hawking, Karl Marx, Nelson Mandela, etj.

Brenda kësaj organizate ftohen individët, të cilët dëshmojnë ndër vite hulumtim unik, që ofron ndryshim pozitiv në mënyrën se si trajtohen çështje të caktuara nëpër shoqëritë globale. / KultPlus.com

Kosovarja i ligjëron NATO-s për trashëgiminë e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë

Nora Visoka-Weller flet për rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në këtë fushë

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, një pjesë e thesarit arkeologjik të Kosovës, me pasuri etnografike dhe arkeologjike u ekspozua në Beograd dhe që nga ajo kohë objektet kanë mbetur atje.

Të gjitha eksponatet e ekspozuara në Beograd janë origjinale, përveç monedhave të arit dhe medaljonit të perandorit Prob. Në lidhje me kthimin e artefakteve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës, ka folur edhe Nora Visoka-Weller, e cila është e specializuar në ligjet mbi artin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Jam gjithmonë e lumtur të ligjëroj në vende të ndryshme, por është shumë e rëndësishme për mua të ngris vetëdijen për trashëgiminë e shkatërruar gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në këtë fushë”, thotë Visoka-Weller.

Nora Visoka-Weller nga Kosova është ligjëruese në akademinë prestigjioze për Studime të Sigurisë Shtetërore në Romë të Italisë. Me ftesë të shtetit Italian, gjegjësisht Ministrisë së Mbrojtjes ajo tani u ligjëron trupave të NATO’s dhe Interpolit mbi ndalimin e kontrabandimit të artefakteve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vendet e pas luftës.

Visoka-Weller gjithashtu është studiuese brenda Kolegjit Selwyn në Universitetin e Kembrixhit. Sipas regjistrimit të eksponateve të bërë në vitin 1990, në Muzeun e Kosovës janë evidentuar 7.290 eksponate.

Ndërsa pas përfundimit të luftës, gjatë muajit qershor 1999, 13 arka me material etnologjik janë bartur nga Muzeu i Kosovës-Prishtinë, në Muzeun Etnologjik – Beograd.

Kjo histori nuk ka të bëjë vetëm me procesin teknik të rikthimit, por ka të bëjë edhe me zotërimin e së kaluarës, gjë me të cilën merret arkeologjia. Është thënë vazhdimit se Beogradi i mban këto artefakte për mbrojtje fizike, por edhe për mbrojtjen e identitetit kulturor serb, gjë që është e kërcënuar në Kosovë.

Është shumë e rëndësishme që këto artefakte të kthehen, për shkak se janë disa kryevepra, artefakte me vlerë e të rëndësishme dhe mbi të gjitha janë pjesë e kulturës së Kosovës. Ato janë një shpjegim i gjithë kulturës, nga sfondi historik dhe vlera e tyre është e pazëvendësueshme.

Alban Muja në Londër , flet për ‘Artin si mjet politik’

Ambasada e Kosovës në Londër do të mbajë diskutimin “Arti si mjet politik”, ku i ftuar është artisti Alban Muja. Diskutimi do të mbahet më 23 shkurt, në Ambasadë, duke filluar nga ora 18:30, shkruan KultPlus.

“Jemi të nderuar që të kemi dy njerëz të jashtëzakonshëm që bisedojnë rreth artit. Nora Weller, një studiuese ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, do të drejtojë një bisedë me artistin e njohur kosovar, Alban Muja, për veprat e tij më të fundit dhe ekspozitat e tij në mbarë botën gjatë vitit të kaluar”, thuhet në njoftim të ambasadës.

Nora Weller është Drejtore e Akademisë për Çështje Globale në Kembrixh të Mbretërisë së Bashkuar. Studimi i saj i fundit: Trashëgimia Kulturore në Kosovë: aspektet ligjore, kulturore dhe politik, shikon nga afër kornizën legjislative dhe politikat rreth mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ajo ka diplomuar për juridik në Universitetin e Kembrixhit. Kurse është larguar nga Kosova me familjen e saj kur ka qenë e vogël.

Alban Muja (i lindur më 1980 në Mitrovicë) është artist vizual dhe filmbërës nga Kosova. I ndikuar kryesisht nga proceset e transformimit shoqëror, politik e ekonomik në rajonin e gjerë, ai i ka hyrë hulumtimit të temave historike dhe shoqërore-politike dhe i lidh ato me pozitën e tij në Kosovë.
Veprat e Mujës, i cili konsiderohet si njëri nga artistët më të suksesshëm të gjeneratës së re të artistëve nga Ballkani, përfshijnë një spektër të gjerë mediesh, si video-instalacionet, filmi, vizatimi, piktura, fotografia dhe performanca, të cilat janë ekspozuar shumë në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita personale si dhe në grup.

Muja ka qenë edhe fitues/artist rezident në disa institute, galeri dhe muze të rëndësishëm në botë, ndër të cilat “Tobačna 001 residency” të Muzeut të Qytetit të Lubjanës; Projektit Apartment, Stamboll, Turqi; Çmimit për artist të ri vizual nga ISCP Residency, New York, SHBA; ARTSLINK Residency New York; KulturKontakt Residency, Vjenë, Austri; Backyard International Artist Residency, Kuda-Center për Media të Reja, Novi-Sad, Serbi; International Artist and Writer Residency, Santa Fe Art Institute, New Mexico, ShBA; Braziers International Artist Residency, Braziers Park, OxfordShire, Angli. Është ligjërues i artit në UBT.

Vendet janë të limituara kështu që ata që dëshirojnë që të jenë pjesë e këtij diskutimi duhet të lajmërohen në këtë email: [email protected]./KultPlus.com