Zëri i veçantë i sopranos lirike, Shpresa Gashi

Shpresa Gashi vazhdon të mbetet një perlë në muzikën e bukur shqipe, duke qenë se ka një repertor shumë të pasur, shkruan KultPlus.

Ndër shumë epitete, thënë për Shpresa Gashin, ajo pëlqen pikërisht vlerësimin se “Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip”. Kështu ka thënë në një rast për Shpresën, muzikologu i madh shqiptar, Ramadan Sokoli.

Sot, KultPlus ka përzgjedhur disa nga këngët e saj më të njohura.

Shpresa Gashi (1950) u lind në Pejë. Aty mbaroi shkollimin fillestar, ndërsa Shkollën e Mesme të Muzikës e kreu në Prizren. Pas shkollës së mesme, një kohë punoi mësuese e muzikës në qytetin e lindjes. Në vitin 1970, fillon studimet në Akademinë e Muzikës në Zagreb.

Ajo këndoi në shumë festivale të hapësirës shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe në Australi dhe gjatë karrierës së saj është vlerësuar me çmime të ndryshme. /KultPlus.com

Nostalgji fëmijërie

Nga Albert Vataj

Fëmijëria jonë e varfër por e bukur, pushimet tona të mangëta por me shumë lojëra dhe shumë argëtime

Ardhja e periudhës së pushimeve të shkollës më shumë se një mundësi përfitimi të paktë për kampe disaditëshe apo shkuarje me familjen në plazh, ishte rrokja e lirisë, dalldisja, shkallmimi i të gjithë caqeve dhe lëshimi ashtu shkujdesur në vjeljen e çdo çasti prapësie në lumturi. Loznim shumë, aq sa e tepronim dhe kjo kishte një kosto qortimesh dhe ndëshkimesh që i’a vlenin. Fundja këto ishin ditët tona të pushimeve, ditët e “çmendurive” që lanë tek ne më shumë se nostalgji, kujtime të bukura dhe miq.

Ishte një kohë që kishim pak gjëra, fare pak, por ato çuditërisht na mjaftonim që të ishim të lumtur, të jetonim një fëmijëri që do ta kishte zili çdo brez që do të vinte më pas. Gjithçka për ne ishin lojërat, argëtimet, zbavitja. Lojërat ishin të shumta dhe të larmishme dhe mrekullisht ishin të tilla sa mbetën të skalitura thellë nesh si vezullime, sepse na dhuruan çaste që na ndihmojnë të kthehemi pas në vite, të përjetojmë me mall dhe nostalgji ato momente dhe ato miq, me të cilët na ndau mosha dhe koha.

Ajo që duhet nënvizuar në këtë grishje kujtimesh dhe parakalim në të shkuarën nostalgjike të fëmijërisë është mënyra se si qarkullonin lojrat nga një qytet në tjetrin, nga një fshat në tjetrin dhe si si pasurohej fëmijëria jonë me këto çapkënllëqe. Ky shkëmbim dhe pasurim i repertorit ndodhte zakonisht në periudhën e pushimeve të shkollës, shkuarja dhe ardhja tek të afërmit bënte të mundur marrjen dhe dhënien e lojërave. Në këtë galeri të pasur nuk mund të themi se cila nga lojërat ishte më e preferuara, dhe cilën prej tyre deshëm më shumë, sepse secila mori dhe dha në ato ditë të bukura pushimesh aq sa nuk do t’i marrë kurrë harresa.

Katalogu i lojërave
(Po e nis nga lojrat më pak të reklamuara)

Loja me arra
Një lojë që zakonisht luhej në ditët e festave të fundvitit, Viti i Ri, sepse vetëm atëherë mund të kishe mundësinë të “peshkojë” ndonjë arrë nga racioni që ishte blerë për përgatitjen e bakllavasë, një prej ëmbëlsirave tradicionale. Sa pjesëmarrës që ishim në garë aq kokrra arra viheshin në mënyrë drejtvizore në një largësi të dakordësuar nga lojtarët. Sipas shortit vendosej dhe radha e të qëlluarit. Kokrrat e arrave që goditeshin nga qëlluesi ishin të fituara prej tij. Sa më të pakta të ishin kokrrat aq më e vogël ishte mundësia e të goditurit në shenjë. Sa më e largët të ishte rradha, aq më e vogël ishte mundësi e fitimit. Në fund… të gjithë hamin arrat e njëri-tjetrit, pavarësisht se sa kishte fituar njëri dhe humbur tjetri.

Loja me kopsa
Ishte një lojë me pasoja dhe e dënueshme për shkak të dëmtimeve që bënim në këputjen e kopsave jo vetëm të rrobeve që ishin për tu hedhur, por edhe të atyre që ndereshin nëpër oborret dhe ballkonet e shtëpive. Më kujtohet se u bë aq problem sa disa nga fëmijët më te “rrëzikshëm” përfunduan në fletërrufetë e shkollave. Kopsat vlerësoheshin me pikë sipas madhësisë dhe veçantisë së tyre. Në trotuaret e pallateve hapej një vrimë dhe nga një largësi që ndryshonte sipas largësisë nga gropa, goditej me thojin e gishtit të madh, i cili karikohej për goditje në gishin tregues. Kopsat që arrinim të futnim në vrimëzën e krijuar ishin të fituara, mundësi që shtohej duke futuar në gropëz kopsat e qëlluesit të humbur që nuk ishte treguar me fat të kapte gropën.

Telefoni i prishur
Dy tasa, gota apo kupa prej plastike, druri apo metali, shpoheshin në fund dhe përmes një filli, spango, lidheshin njëra me tjetrën. Dy fëmijët të vendosur në një largësi që testohej sipas përshkueshmërisë së zërit shkëmbenin fjalë mes tyre duke realizuar kështu atë që do të quhej komunikim nëpërmjet telefonit të prishur. Kjo ishte një lojë shumë argëtuese. Emocioni i komunikimit përmes një filli ishte hapi i parë i gjenialitetit tonë.

Hapa dollapa
Ishte zakonisht një lojë që duhet të kishte më shumë se 3-4 përsona. Shfrytëzoheshin për fshehje ambientet rreth ndërtesave dhe oborreve, pemët, lulet, cepat e pallateve, shkallëve dhe çdo objekti tjetër ku mund të të siguronte mundësinë të fshiheshe. Njëri nga fëmijët që zgjidhej me short, mbështetej në një nga objektet përreth dhe teksa numëronte deri në dhjetë, kohë e cila ishte e nevojshme për t’u fshehur, kur drejtuesi i garës i thirrjte “hap”, ai “hapte sytë”, vërtitej në një rreze sa më të ngushtë dhe kërkonte të gjente shokët. I pari do të kalonte në rolin e tij nëse do të ishte aq i suksesshëm sa t’i zbulonte të gjithë.

“Pizzzzzzz”, loja e shuplakave
Ishte një lojë atraktive. Me short zgjidhej ai që do të mbyllte, pozicion i cili realizohej duke kaluar njërën dorë me shuplakë të treguar nga jashtë dhe me dorën tjetrën mbante në një kënd të detyrueshëm fshehjeje syrin vëzhgues. Të përfshirit bënin sikur po qëllonin të gjithë, por vetëm njëri kishte të drejtë ta godiste pëllëmbën e tij. Ai do të kthehej dhe të gjithë me dorën “qëlluese” bënin “pzzzzzzzzzzzzz”, për të kamufluar. Atij do të duhej ta gjente nëpërmjet leximit të vështrimit, sjelljes, ose ashpërsisë së goditjes se kush kishte goditur. Nëse nuk ia dilte do të kthehej sërish në “tabelë qitjeje”. Kishte raste që loja kalonte cakun dhe shndërrohej në grindje, kjo edhe për faktin se kishim filluar të rriteshim.

Karroca me Guzhineta
Karroca me guzhineta ishte loja me e preferuar e fëmijëve të asaj kohe. Një lojë shumë e veçantë. Ata më një copë dërrasë apo me një arkë të vendosur në guzhineta krijonin automjetin e tyre dhe shëtisnin rrugëve duke i shtyrë njëri-tjetrin. Vendet më të preferuara ishin trotuaret dhe vendet e shtruara me asfalt. Kozhinetat dhe materialet e drurit përvetësoheshin në rrethana të ndryshme, përfituesit ishin pothuajse të gjithë, por lideri ishte ai që ngiste mjetin, ndërsa dikush shtynte. Kohë pas kohë këto karroca filluan të zbukuroheshin me llamarina, kauçuk të ngjyrave të ndryshme, kapakë shishesh arranxhate, e shumë objekte të tjera që ricikloheshin.

Pipëza
Kjo lojë realizohej nëpërmjet një mënyre pak të sofistikuar të shfrytëzimit të gjetheve, të lëvores së degëve të njoma dhe të gypit të kallzës së grurit ose elbit, të cilat priteshin në mënyrë të atillë sa kur i fryhej nxirrnin një tingull që ndryshonte nga materiali në material dhe nga lloji i prerjes. Mjeshtëria e realizimit të këtyre lodrave ishte një garë e vështirë ku rivaliteti ishte gjithashtu i ashpër. Brisqet e rrojës, vjedhur baballarëve, ishin mjetet që duheshin, veç lëndës së parë. Ndërtonim kështu instrumentet e para muzikore, krijonim meloditë e para, hidhnim një hap të vogël në botën e madhe të magjisë së muzikës. Nuk kishe konkurse pranimi, ishte garë realizimi të pipëzës më të mirë.

Gjuajtje me llastiqe
Përdorimi i këtij marifeti ishte i ndaluar, për shkak të pasojave që sillnin. Xhamave të thyer, a ndonjë lëndimi të shokut. Ndërtimi i kësaj “arme” realizohej zakonisht nga një degëz e bigëzuar, nga një material metalik apo plastik i përafërt me bigën. Llastiku merrej nga kamerdaret e gomave të biçikletave. Shojet e këpucëve të hedhura nevijiteshin për të krijuar e fukës ku vendosej guri, nga tendosja e llastikut dhe shënjimi përcaktonte largësinë dhe objektin qëllues. Zakonisht me to qëlloheshin zogjt dhe e pësonin xhamat e dritareve. Përdoreshin për garë shënjimi objekte ku më të preferuarat ishin ambalazhet e produkteve ushqimore ose pijeve, shishet, pse jo. Kjo lojë ishte aventurë me pasojat ku fillonin me konfiskimin e “rmës së krimit”, me tërheqje të veshit, me shuplakë, deri në sanksione.

Loja me litar
Dy persona qëndronin në të dyja anët e litarit dhe e tundnin me të njëjtin ritëm ndërsa në mes kërcenin një ose më shumë persona. Gjatë kësaj loje edhe recitoheshin vargje që shoqëronin kërcimin. Ai që pengohej në litar zevendësonte një nga dy përsonat që tundnin litarin. Kështu tundësit ndërroheshin njëri pas tjetrit derisa lodhja të përcaktonte finalistin. Jo të gjithë përfshiheshin në këtë sprovë. Kishte më shumë prej atyre që preferonin të sodisnin.

Loja e kombinimeve
Ndoshta është një lojë paraprurëse e lojërave të mendjes. Ajo ishte treshe, nëntëshe, gjashtëmbëdhjetëshe ose dam. Vizatohej në trotuar një katror me thëngjill, shkumës, apo qeramikë. Përshkoheshin këndet me vizë, vizë e cila bashkohej në qendër. Një vizë tjetër bashkonte mesin drejtvizor të anëve dhe sipas shortit startonte loja e kombinimit tresh. Vendosja e objekteve, që zakonisht guralecë, ishte e tillë që të mund të vinte secili tre guralecët e tij në një drejtëz që bashkohej në tre pikëtakime. Pasi kjo kalohej luhej duke lëvizur në mënyrë të atillë të bashkoje gurët e tu në tre pikëtakimet e njëri pas tjetrit. Ishte loja që parapriu shahun.

Topa djegës
Loja luhej me tre ose me më shumë persona. Në lojë vendoseshin 2 porta përballë njëra-tjetrës ku në secilin prej tyre qëndronte një lojtar, ndërsa një ose më shumë kundërshtarë futeshin në fushë. Personat brenda në fushë duhet të qëlloheshin me top dhe nëse prekeshin nga topi duhet të s’kualifikoheshin. N.q.s personi arrinte të kapte topin me duar atij i shtohej një jetë.

Loja me zare
Lojtarët krijonin një fushë më kuadrate dhe vendosnin një numër në çdo kuadrat. Krahas saj shkruhej një listë me veprimin që duhej të zbatohej për secilin numër ku lojtarët vendosnin gurin, pasi kishin marrë numrin e lëvizjeve nga zarat e hedhura. Në bazë të urdhërit të dhënë në fletë lojtarët lëviznin gurët e tyre në fushë dhë ai që arrinte i pari të përshkronte tërëshis trajektoren e kuadrateve shpallej fituesi i lojës.

Loja me pafka
Në dysheme vizatoheshin katrorë me numra të ndryshme dhe vendosej një pafkë të cilën duhej ta shtyje me njërën këmbë, nga fillimi deri në fund të kuadrateve. Kërcimi me një këmbë ishte i detyruar gjatë kapërcimit, ndryshe konsideroheshe i humbur.

Loja ‘E ka kush e ka’
Loja konsistonte në një grup fëmijësh që vraponin për ti shpëtuar personit që e ndiqte. Kur ky i fundit kapte një fëmijë i kapuri duhet ta niste lojën sërish në ndjeke të të tjerëve duke i lënë stafeten një tjetri.

Loja ‘Roza rozina’
Disa fëmijë kapeshin prej dore me njëri tjetrin dhe dhe vinin rrotull duke krijuar një rreth ndërkohë që këndonin:’Roza rozina çelin trëndafila. Bashkë me zambakun edhe lule të tjera. Kush i do këto lule tasi me fasule, gotat me raki ‘Gëzuar Vitin e ri’ dhe në përfundim të këngës të gjithë uleshin.

Loja me numërim
Loja bëhej me 10 gishta të një personi.Teksa këndohej kënga personi tjetër shoqëronte me gisht secilin gisht të lojtarit dhe në përfundim të këngës gishti që përkonte me fjalën e fundit duhej të fshihej brenda pëllëmbës derisa mbetej gishti i fundit fitimtar.

Loja me zare plumbi
Në një trekëndësh të vizatuar në tokë vendoseshin tre zare prej plumbi dhe një zar tjetër të njejtë me to duhej ti godiste me gisht në mënyrë që ti rrëzoj zërat e vendosur në trekëndësh transmeton ‘Xing.al’.Nëse arrije ti largoje tre zërat nga trekëndëshi ishe fitimtar.

Loja me cinlga
Loja konsistonte në dy shkopa prej druri njëri më i gjatë dhe tjetri më i shkurtër. Shkopi më i shkurtër vendosej mbi dy gurë apo tulla të mëdha ose në një gropë të vogël të hapur në tokë. Shkopi më i gjatë futej në hapësirën poshtë shkopit të vogël dhe e godiste këtë të fundit, duke e hedhur sa më lart në ajër.

Loja polici hajduti
Loja luhej me katër lojtarë. Secili prej tyre merrte rolin që zgjidhte pa e parë në letrën e palosur të vendosur në tavolinë. Njëri prej lojtarëve ishte në rolin e hajdutit, njëri në rolin e spiunit, njëri të policit dhe tjetri atë të gjyqtarit. Pa parë letrat e kundërshtarëve dhe pa e ditur se ç’role kishin ata duhej të gjenin midis tyre se ç’rol kishte secili dhe pasi ishin gjetur të gjithë, gjykatësi jepte dënimin për hajdutin.

Kaladibrançe
Marrin pjesë persona të ndarë në dy grupe. Njëri grup vendoset në mesin e fushës duke formuar kalanë të përkulur me shpinë dhe të kapur dorë për dore më njëri tjetrin. Grupi kundërshtar nisen të hidhen një nga një mbi personat që kanë formuar kalanë deri sa ti shembin atë. Kalaja nuk duhet të lëvizte gjatë lojës.

Loja me duar
Dy persona përballë njeri tjetrit trokasin pëllëmbët e duarve duke i kombinuar me levizje të ndryshme që shtohen në numër. Personi që ngatërron i pari lëvizjen quhet humbës.

Kriporja
Mbi një letë shkruheshin 4 numra dhe nga një cilësi për secilin numër për shembull ( i bukur, i shëmtuar). Letra palosej në formën e kripores dhe fëmijët duhet të zgjidhnin njërin numër dhe sa herë e dëshironin për të mësuar më pas një cilësi që shkruhej në kripore. / KultPlus.com