Nisin gërmime arkeologjike në Novobërdë për zbulimin e një qendre banimi në periudhën e Mbretërisë Dardane

Në fshatin Bostan të Komunës së Novobërdës kanë nisur gërmimet arkeologjike për të konfirmuar prezencën e një qendre banimi që lidhet me periudhën e vjetër historike të Dardanisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, njoftoi të hënën se ky lokalitet ku po gërmohet njihet me emrin “Gumnishtë” nga banorët dhe ndodhet në 957 metra lartësi mbidetare.

Sipas Çekut, nëpërmjet zbulimeve arkeologjike formësohet historia e vendit.

“Përmes zbulimeve arkeologjike formësohet historia e lashtë e vendit tonë. Në lokalitetin arkeologjik të fshatit Bostan në Komunën e Novobërdës, kanë nisur hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike. Ky lokalitet në mesin e banorëve njihet me emrin ‘Gumnishtë’ dhe ndodhet në lartësi mbidetare 957m, ndërsa qëllim i këtij hulumtimi është konfirmimi i një qendre banimi që lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane”, ka shkruar ai në Facebook.

Nis restaurimi i Xhamisë së Osman Efendisë në Novobërdë

Ka nisur punëtoria e radhës e HeritageLab me qëllim të restaurimit të Xhamisë së Osman Efendisë në qytetin e artë dhe argjendë të Novobërdës.

Gjatë këtyre ditëve, rreth 20 studentë të arkitekturës, trashëgimisë kulturore dhe fushave të ngjashme do të mësojnë metodat e ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore përmes pjesëmarrjes aktive në punën praktike dhe ligjërata plotësuese.

Kjo punëtori është pjesë e projektit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social” zbatuar nga UNDP Kosovo dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP). / KultPlus.com