Ministri Çeku bashkë me partnerët nga zyra e BE dhe UNDP ishin në vizitë në Novobërdë, ku kanë filluar punimet restauruese në xhaminë e Osman Efendisë, përcjellë KultPlus.
Këtë vizitë e zhvilluan në muajin që shënohen ditët e trashëgimisë evropiane dhe kur festohet trashëgimia e qëndrueshme, ndërsa takuan studentët e arkitekturës dhe të trashëgimisë kulturore që janë pjesë e kampit të restaurimit, të cilët po mësojnë teknikat e ruajtjes dhe restaurimit përmes mësimit teorik dhe duke e aplikuar në praktikë.
Ndërhyrjet restauruese po bëhen në kuadër të programit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Europian dhe UNDP-së, ndërsa po zbatohet nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij. Në kuadër të këtij programi parashihet restaurimi i dhjetëra aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës. / KultPlus.com